More
    KreuLetërsiBibliotekë"Fëllanzat", tregim nga Gazmend Berlajoli

    “Fëllanzat”, tregim nga Gazmend Berlajoli

    ~ të jetueme të diftueme ~

    Fërfëlloi fëllanza n’uj-e

    fërfëlloi o fëllanza nuje

    fëllanza, moj fëllanza

    fëllanza moj

    Fëllanza…

    KOSOVË, MARS 1999

    Ishim në shpi tue hangër darkë. Veç kur thanë: «Hynë te kojshitë. Hynë e po marrin burra e djem të rij»! S’kemi ditë gja, veç kur hynë edhe te na. Burri mule me u ikë për dritare.

    E vranë. Katër veta shprazën automata. Tue e gjuejtë, ma vranë edhe çikën. Se… ngat babës së vet kish qëllue. Mue më morën tue më ngrehë për flokësh. Ngreh e ngreh, zhag për tokë. Më futën në nji xhip e më çuen në stacion të policisë…

    *

    Në shpi. Tue pi çaj ishim. Sa kish zanë me u errë. Veç kur i ndiem krismat – bam-bam-bam-bam. U tmerruem! S’e dishim çka asht tue ndodhë, as kah po vijnë. Këta, burri me çikat, u shtrinë për tokë. Unë kujtojsha që dikush po merr nuse. Po krismat s’kish që po ndalen. Edhe vishin bajagi afër dritareve.

    *

    Aty filluen! Kur më çuen në stacion të policisë. Mbas nji kohe kur… kur… kur e kryen ata… mbas katër orësh më lëshuen.

    Po, kah me ia mbajtë, kah me shkue? Qysh m’u kthye n’atë shpi, që vorr i çikës e i burrit m’ish ba? Të marr me shkue te nana.

    Kur mbërrij, krejt bijat ishin mbledhë aty. Më sheh nana:

    – Qyqe! Çka të paska gjetë? Çka je ba kështu?

    *

    U thyen dritaret prej atyne krismave. Aq të forta që vishin. U çuem, ikëm prej shpie. Nja tri-katër ditë u mblodhëm te nji kojshi. E kishin nji podrum edhe na morën; krejt lagjja qaty bashkë.

    Në krye të dy ditëve mbeta pa pelena. M’asht dashtë m’u kthye në shpi, m’e marrë ndoj çarshaf a gja. S’e kisha larg. Mirëpo, na gjuejshin prej kodre. Sa shihshin lëvizje, gjuejshin.

    Unë prapseprap shkova, i mora nja pesë a gjashtë, se çika e vogël. Dy herë gjuejti kah shkova. Kah u ktheva shyqyr jo. Ma ish errë qatëherë. U ktheva shëndosh e mirë te çikat e burri, qaty në podrum të kojshive.

    *

    Në fillim s’po due me i kallxue nanës as kurrkujt çka më kish ba vaki. As për te shpia, as për… atje në stacion. Çka me i tmerrue edhe ma shumë këta?

    Po nana:

    – Çka krisi mori në mahallën tuej?

    Qaty veç m’asht rrotullue gjithçka…

    U çue vllau. Ma ka derdhë do ujë përsipri, po m’iu mëshon kapak faqeve shuplakë. Dikur m’u hoq të ligtit. Nisi unë, po kallxoj… kadale… burrin, çikën, qysh m’i vranë.

    E s’kemi ditë gja, veç kur të na erdhën edhe te vllau. Vllaun e lidhën. Tue e rrehë e qitën. As s’e kena pa, as s’kena ditë ma gja për te. Deri mbas lufte.

    Të na hynë mandej e po na marrin me bija. Nanën e rrehën. Para syve tonë… ia kanë ba.

    – O kuklla! Kqyrni, kqyrni, se edhe juve kemi me jua ba njisoj! – na thojshin në sërbisht.

    Na ngarkuen në kamion, e mandej, me kunatë, me halla, me teze, me çka qëlluem aty, na bájshin; sa andej, sa këndej.

    *

    Na zbuluen n’atë podrum, se na shihshin prej kodre tue hy e tue dalë.

    Po u mëshojnë dyerve:

    – Hajde! Përjashta! Dilni jashtë! Hajde tash, marsh në Shqipni! Vend për ju këtu s’ka!

    Na futën nëpër autobusa. Sa ecshim pak, hyshin policë me kqyrë çka ka, tek ka. Nja tri-katër orë të mira udhëtuem.

    Këndej, kish pasë dalë nana me më pritë. Të tanë tue na pritë, si me pasë ardhë prej kumeditë ku, veç pse ishim gjallë. Telefonat s’bajshin; kurrfarë lidhjesh nuk kemi pasë.

    Te nana u rahatuem, u qetësuem bile pak.

    Dikur po vjen motra. Fikall vetëm ajo. Medet! I kishin pasë hy në shpi; vra edhe burrin edhe çikën pesëvjeçe. Ajo, gërvishta trupit, fytyrën all, teshat krejt të çkyeme.

    Erdhën na hallakatën edhe aty te nana. Nana s’deshti me na lëshue kurrqysh, e boll u kacafyt me ta. Rreh ata nanën, rreh, rreh. Mshoji thikë, këtu në kambë.

    Ku-ku mbasandej çka i banë! Para syve tonë!

    *

    E të na çuen te njifarë vendi. Ish aty nji… Shkollë ish, po e kishin ba stacion policie. Herë i thojshin shkollë, herë stacion.

    Na kanë marrë rend – si sot më kujtohet – nji kallaballëk gra. Tap, e tap, e tap… rend! Cila kundërshtojshim ma së forti, e nxirrshin thikën e na u sulshin. Krejt trupin sheja thikash e kam. Krejt. Dikur s’mujta me i ba ma ballë kurrnji sendi.

    Kur i shihsha motrën, kunatën, tezen, çikat e vllazënve, u lutsha: «O Zot i madhi, le të na vrasin para se me na ba çka po na bajnë»!

    Aty, njani hyn e tjetri dil, njani hyn e tjetri dil, si të çmendun. Njani Jovan, e thirr tjetrin Jovan, e tjetrin prap Jovan.

    *

    Na mbushën nëpër kamiona.

    – Kah duen me na çue?

    Shtatëmbëdhetë na kanë marrë, femna krejt. Kur na zhdrypën, njifarë shkolle e madhe aty. Me forcë na shtyjshin mbrenda. Çka me të pa sytë? Plot të shkreta, të mjera, përgjakë, ba ibret.

    Po e pyesim nji grue:

    – Ku jemi?

    – Ooh e mjera unë për ju! – nëpër lot ajo, pa ndalë – Edhe juve, si neve ju paskan marrë?

    Atyne kush u hyka në dorë, nuk dilka ma gjallë qysh duhet. Dhambët na i nxirrshin me dana, se refuzojshim me u avitë me ta. Qe ku e kam këtu shejën, me thikë që më kanë pre. Tjetrën në bark, nja tri nëpër kambë, n’organ gjenital nji. Nëpër krahë na i shkymbshin cigaret. Tri ditë e tri net aty që na kanë mbajtë. Na i shtishin në gojë grykat e shisheve, raki me pi. Qaq fort rrehë na kanë, torturue, na kanë shpue barkun me do gjylpana, përpara, përmbrapa.

    *

    Qitshin raki, qitshin ujë, edhe dofarë gjylpanash na i bajshin… Tash e di çka ishin ato. Atëherë s’e kam ditë. Qai, njani prej qatyne Jovan që i thojshin:

    – Po ju japim me ju forcue! – se na pa hangër, pa pi, kurrë hiç kurrgja.

    Kur e kryejshin atë punën e vet, qata ujë na e rrasshin me shishe në gojë, se na u pakshim prej keqtrajtimeve.

    Prap marrin me na ngarkue në kamion. Mbas do ditësh. Lidhë kambë e duer, qashtu të përgjakta. Ka dy veta na ngjitshin me na shtie në kamion, se trohë takati s’kishim me lëvizë. Pesëmbëdhetë kilogramë pata ra.

    Tue na hypë, po i pyesin do tjerë ndër ta:

    – Kah këto, për kah?

    – Për Zveçan p’i çojmë!

    *

    Mbas tri ditësh, na morën e na shtinë në nji kamion. S’i merrshin të tana, veç do-do çka i zgjedhshin. Kur kapin me më marrë mue, ngreh njani mue, ngreh tjetri me ma shkulë çikën prej duersh. Piskat çika, se e shtrëngojke fort. Ma shkulën prej duersh.

    Po marrin me më ngarkue në kamion, po shyqyr qajo grue që i zgjati krahët me ua marrë çikën, asht kojshike e parë atje te burri. U qetësova pak, se thashë, me ba me pshtue gjallë, bile e di ku e lypi. Edhe çikat tjera qaty krejt bashkë, po na kqyrin neve tue na ngarkue. Za me ba s’po guxojmë, as na, as ato.

    Na hiç s’po dimë pse po na ndajnë.

    – Po i çojmë në Zveçan, se po i lyp Arkani, – po e ndiej njanin kah thotë.

    Kur mbërritëm qaty kah mesi i rrugës, motra e then nji shishe që kish qëllue aty mbrenda. E të ka nisë me na i zgjidhë duert. Mue, unë kunatës, tjerave varg, me qatë shishe i zgjidhëm duer e kambë.

    *

    Këto i kishin shtie në kamion para meje, mue në fund. Isha në fund me motër, me kunatë, me dy çikat e tezës. E kisha pasë afër nji shishe të rakisë.

    – Mos e rrokat! Se na bajnë çka na banë ma herët.

    – A din qysh kam me e rrokatë? Kur të nisë kamioni me ecë, e s’ndiejnë çka po bahet këndej mbrapa, kam me e thye.

    Kam nisë e po i mëshoj. Mëshoji me kambë, mëshoji, mëshoji, dikur – don Zoti me të ndihmue – njifarë stomi ata e zunë, unë i mëshova shishes fort e e çava. E afrova kadalë me kambë, e kapa, e t’ia kam ba vetit ving e ving, poshtë e nalt… qe kah kanë mbetë shejat, se tue u mundue, i prejsha duert. Veç, i zgjidha dikur. E t’ua zgjidhi të tanave, duer, kambë.

    *

    Do thojshin «jo, unë s’guxoj» e do «unë guxoj». Kemi kcye gjysa. Motra e para, unë fill mbrapa. Gjysa, a kanë kcye a jo, nuk e di.

    Pamë ma larg njanin tue grahë nji kerr me nji kalë të bardhë.

    – Çka ju paska ba vaki kështu?

    – Jemi gërrithë tue ikë therrave, – i tha motra se s’deshti me i kallxue.

    Tha:

    – Ku keni me shkue? Hajde se unë ju çoj!

    Hypëm në kerr, u nisëm, por na të mbulueta, tanë tue u tutë se mos po kthehet kamioni.

    *

    Kambët e mia i harrova. Lidhë i harrova. Thashë:

    – Kceni o gra!

    Do gra aty:

    – Jo! Unë s’guxoj. Më shohin.

    – A doni pra, po kcej unë e para? Në më vrafshin, rrini! Në pshtofsha, kceni mbas meje!

    Kceva. Ua bana shejë me dorë mandej motrës e kunatës. Kcyen. Nja dhetë metra ma larg njana, nja njizet metra tjetra. Shkojsha zhag, me kambë të lidhme, deri kumeditë ku, tue lypë a ka ma tjera.

    Dikur, mbërritëm te nji katund, s’di qysh i thojshin, rrugës për Zveçan. Veç kur erdhi nji magjup në kerr me kalë. Sa hypëm, po më pyet:

    – Çka je ti?

    – Unë turqelike!

    U folsha edhe këtyne mbasandej turqisht, mos me e marrë vesh ai kush jemi. Kur u kthyem, u shpërndamë kush kah mujti se e kemi pasë nji postbllok aty, e u desht me u mshefë.

    …dil prej ujit

    mos dalsh kurrë

    dil prej ujit moj

    mos dalsh kurrë

    fëllanzo, fëllanzo,

    fëllanzo moj Fëllanzo…

    Më kishin pasë humbë krejt çikat, hiç s’dijsha kah janë. Krejt kishin shkue e ishin strehue te nana jeme. Kur u bamë prap bashkë aty:

    – Mam, çka të ka ndodhë ty?

    – Kurrgja!

    – Jo, na të kemi pa.

    Prej atëherë e dinë, po s’ma përmendin kurrë. Janë pajtue edhe ato.

    *

    Unë u ktheva ma së pari në shpi teme. Thashë të shkoj njiherë, me u pastrue, me i ndërrue do tesha, se krejt gjak, lloç. Motra nga me i lypë çikat.

    Kojshitë, kush kish mujtë me pshtue diqysh, ishin kthye nëpër shpi të veta. Qashtu shkrumb të bame. Shpinë teme shyqyr s’e kishin kallë. Ata po, flakën ia kishin pasë shti, po veç korridori çka ish djegë.

    Vike era, xhenazet hala qaty në dhomë ku i patën vra. N’oborr të shpisë vetë i pata vorrue, dy vorre ngatangat. Falemnderës edhe prej kojshive se m’u kanë pasë gjetë bukur fort. Edhe prej kunatit, kurrë s’ia harroj. Dikur mbas lufte i kemi pasë nxjerrë në vorreza.

    Prap qaty erdhi na mori policia. Prap nëpër kamiona. Veç gra nja nji mijë e pesëqind a ma shumë që ishim, pleq mandej, fëmijë plot. Na kanë zgjedhë krejt gra të reja, çika të reja, e do ma të motnueme pak. Ndër qeto, disa as sot nuk dihen ku janë. Do kanë pshtue, do i patën vra se patën provue me ikë qatëherë në fillim; disa janë të pagjetuna.

    *

    Mandej erdhën këto tjerat vuejtje: me dalë nëpër kolona. Ka qenë data 9 prill kur kemi dalë në kolonë. Me nanë, me kunatë, me fëmijë. N’atë kolonë çka kemi hjekë; boll u munduem me i lidhë fytyrat me pelena, me i zhlye kishe, po badihava. Tri herë rrugës na kanë… paramilitarë a çka ishin ata. Krejt me do fytyra të shkarravitme; ngjye zi, veshë zi. Nuk e merrshe vesh as kush, as tek janë. Veç me do nofka, të shkurta kështu: Peshk njani, njani Luan, tjetri Ujk. Demek, Ujku të han. Çka kemi hjekë prej qatij Ujkut, Zoti ia ktheftë nji për nji, jarabi, me familje të vet. Na kanë çkye bre. Ku-ku çka kemi hjekë.

    Pesë ditë kemi ecë pajada, nji herë me shkue, mandej me u kthye, unë me çikë të vogël, me tanë atë dhunë, gjakderdhje, e untë, etshëm për ujë.

    E kur na shtishin në dorë:

    – Ju qeshtu e lypni, se doni me e ruejtë nderin!

    – Ta bafsha edhe nanën qeshtu si ty!

    – Kam me ta ba tash prej përmbrapa!

    *

    Veç të merrshin, kap për krahu e të futshin nëpër shpia. Katundi ku na çuen, në kodër, krejt i shprazët. Krejt shpitë aty të lëshueme. Shtina këta e mbush njanën, tjetrën, tjetrën… Nxirr televizora jashtë, frigorifera, sende çka u pëlqejshin. Policia me kerre, me xhipa, tue ardhë e tue shkue. Ndër qato gra edhe unë, nji çikë e mixhës… plot gra që u njihshim.

    Njizet e dy ditë më kanë mbajtë mshelë në nji dhomë. Njizet e dy ditë, kurrë pa dalë. Me i pa në sy i njoh, po emnat s’ua di; janë ruejtë mos me i përmendë para neve. Do shirita të kuq i mbajshin lidhë për krahu, kapuça të zij, tesha të zeza. Armë mandej; i kishin do automata të shkurtë.

    *

    Krejt lagje-lagje qysh vishin, u tubuen te xhamia: sa burri, sa grueja, sa fëmija, sa njeri i rrehun. Pleqtë nëpër karroca cimenti i kishin qitë. Lloç kahmos, mezi i shtyjshin.

    I mbledhshin burrat. Thamë, po na i vrasin ndër sy. I ngarkuen nëpër kamiona. I kishin pasë çue në burg.

    Na ka qitë dikush dy bukë… Na jepshin edhe ushtria e rregullt, që nuk hyjshin në gjynah me gra e fëmijë. Na dhanë tamël pluhun, me e përzi me ujë, bukë na jepshin, na e jepshin njifarë si… e shtrydhshe si pastën e dhambëve për me lye bukën.

    Çikën e vogël gjithë që e kisha në dorë.

    – Ndalu! – po më thotë ushtari.

    U ndala. U ndal edhe kunata pak ma andej me nanën. E ka nxjerrë thikën. Thashë don me ma pre evladin. Ai merr e pren yllin prej kapuçit, e ia ndreq çikës nji najllon mos me e lagë shiu. Ia kap mirë me qat’ yll, për mos me ia bájtë era. Shyqyr qajo, e e mbajsha çikën ma nxehtë mandej. Se pati nisë qatëherë me reshë si ma fort, e kisha dro po më sëmuhet.

    *

    Ka ardhë mbramjeve, deri në mëngjes ka ndejtë, njizet e dy ditë. I njejti, për çdo natë i njejti njeri. Çka kam hjekë prej tij, goja nuk din me të kallxue. Hata, kiamet! Dekën e ke pa me sy, po me dekë s’ke dekë. Zdeshë, krejt cullak, ma ka mëshue nëpër krejt trupin, krejt çivita-çivita. Në fillim gjithë i rezistojsha, mbasandej ma, u pata lëshue krejt. Sa herë mbrenda nate tue më ra të fikët.

    Më ka pasë dhanë infuzione, bukë me hangër… Mbramjeve, me radio-lidhje thirre tjetrin, me ardhë ai me ma vu infuzionin.

    *

    E këta që ishin me shatora, tri herë na kanë ndalë rrugës, he Zoti i marroftë. Tri herë qashtu… prap nëpër duer të tyne, shkelma, grushta. Ato plagë që na i bajshin me cigare e thika, mujshe vetë pak me i la e lidhë diqysh, po ato mbrenda se…

    Tue ecë, veç kur na ra granata midis kolone. Plot i la dekun. Mue më rroku në gji e në kambë. E kqyra çikën. Thashë:

    – Nanë, çikën ma paska rrokë copa e granatës.

    Gjak më shkojke kambës. Mezi ecsha. Me u ndalë s’guxojsha. Kush nuk mujke me ecë, që ish plagosë, e vrajshin.

    – Oj nanë, veç po dridhna, a ma mban bre çikën? – i thom.

    Gratë m’i dhanë do pelena me mbulue çikën, ma lidhën kambën deri kemi shkue në qytet. Rrugës më thotë nana:

    – Zoti shnosh ty çika jeme, se çika jote e pat!

    Vetë isha e plagostë, keq e kisha varrën. E mora çikën, ia putha të dy sytë, e lëshova te nji mulli. Kur e lëshova, ma ban nji ushtar me uniformë:

    – Mos e le këtu! Merre! – më bërtitke – Merre!

    *

    Odë. Odë e burrave ish. Ka pasë tjera, mshelë nëpër dhoma tjera. Plot. I ndiejsha piskamat, gjithë natën, gjithë ditën.

    Je dorëzue, thjesht je dorëzue, derisa ka ardhë dita, që e pruni Zoti, me u lirue. Veç Zoti që na ka ndigjue.

    Atë natë, ky njeri, sa e kreu me njanin në radio-lidhje, po del prej ode e po flet në korridor me tjerët.

    – Shpejt, shpejt! – e ndiejsha kah thotë.

    Po kthehet, po nis po i mbledh plaçkat e veta nëpër odë. Mue nuk po më thotë kurrgja. Këndej mbledh tesha, çizme, dil shpejt prej dhome, mue po më len prap të ndryme mbrenda.

    Veç kur ecën tenkat, xhipat… U shukat. As nuk erdh’ kush ma, as nuk u ndiejshin piskama prej dhomave tjera. Qatëherë, si pa zdritë tamam qysh duhet, krejt u shukat.

    E kam çelë kadalë dritaren edhe kam kcye jashtë. E të kam nisë, ec, e ec, e ec, por nuk kisha fuqi me ecë ma, e të kam ra në nji arë, të jam mshefë pak mbas nji kaçube e po rri. Mezi frymë që merrsha.

    Kalojnë dy vetë. I njihsha.

    – Çka ki, a je plagosë?

    – Po – thashë – plagosë, smutë!

    – Kush të ka pru këtu?

    – Do ujë, a mos keni me ma dhanë?

    *

    Kur u afruem te qyteti, na shtinë në nji fabrikë. Sa hymë aty, erdhën gratë, me gërshanë ma hoqën pjesën e mishit që mos me u infektue. Ma prenë, m’i qitën miell me ma ndalë gjakun, ma lidhën kambën, pak m’u qetësue.

    Edhe çikës ia laga buzën me do tambël që ma prunë do gra. Çika i çeli sytë. Gjallë ish.

    Mbasi u ra NATO-ja, qatëherë që ka nisë mirë me i bombardue, ata ikën. Filloi me ardhë me na mjekue nji doktor shqiptar. Na dha ndihmën e parë, na ka kepë, na ka ndihmue me do kremna me na e shërue… këtë, edhe zorrën e trashë. Edhe hapa na dha për trauma, se na kallxuem krejt qysh kish ndodhë. Na i mori emna, mbiemna, të dhana plot. Javë për javë me ardhë me na pa qysh jemi e çka po na vyen ndoj send. Boll rrezik e ka pasë edhe ai. Ai çka ka ba, dikush tjetër s’kish me ba. Herëdokur, Zoti me Xhennet ia shpërbleftë ishallah.

    …tybe unë ty nuk të ngas

    sall për flokësh të përkas

    të të shoh a je e bardhë

    a je e amël

    porsi dardhë…

    Dhetë herë mbasandej pata tentue me e vra veten. Po, veç kur i kallxojke Zoti nanës. Vijke:

    – A je këtu?

    – Po.

    – Ma herët ku ishe? A te bunari?

    Dhetë herë pata shkue me kcye n’atë bunar. Ç’me jetue ma? Veç… kur ia ndiejsha zanin nanës, u kthejsha. Dilsha natën e kajsha te bunari. Pikshin lotët atje poshtë. Thojsha: «Sonte po e laj me lot e nesër kam me ardhë me u gjuejtë». Po, zani i nanës më ndalke.

    U çue vllau, e msheli atë bunar. Mandej nuk më lejshin, më kontrollojshin. Sa herë më kanë lidhë mos m’u çue, mos me dalë natën. Në mëngjes, veç kur e shihsha veten të lidhme.

    *

    Tetë javë në spital kam pasë ndejtë. Mbasi jam lëshue, qatë ditë që shkoj në shpi, vjen burri. Edhe në sy të çikave, më kap, më gjuen në krevet. E të nisë me m’i hjekë teshat me zor.

    – Hë, a po të vjen lezet? A ish mirë me paramilitarët? A po ndien kënaqësi? – a kështu, a ashtu, bërtit ai mue.

    Piskatshin çikat të madhe, kajshin. Kajsha vetë.

    Ia baj me dorë të madhës që le të thirrë njerëz me ardhë me ma hjekë. Ngajtën çikat e e thirrën kojshinë. Erdh’ ai e ma hoq prej trupit.

    Mbas dy muejsh, kur më banë analiza, po më thonë:

    – Ti grue je shtatzanë!

    – Çka?! Po du me abortu! Po du me abortu!

    *

    Nji ditë po i thotë vllau nanës:

    – Due me u nda prej grues!

    Nana:

    – E ti, çka na ke kallxue neve? Çka të kanë pasë ba ty në burg të Smrekonicës? Kur pate dalë, a e mban mend çka hjekshe prej zorrës së trashë? Edhe asaj… Me zor, me qef jo!

    Po vllau:

    – Nuk po muj bre nanë m’u përmbajtë ma, kur po di që ma ka pasë shkau gruen.

    – Djali jem, banu i fortë! Kqyri motrat, kqyre gruen!

    – S’po muj me e përballue. Ma mirë krejt m’u nda!

    Kur nana:

    – A me ta kallxue edhe nana nji punë?

    I thotë:

    – Çka?

    – A e din ti që… që edhe nanën tande… Jo! S’të kallxoj kurrë për jetë!

    *

    Ish çue:

    -Veç due me e lanë!

    Nana, jo, s’ban, qysh me e lanë; ai, po, due.

    Qatëherë nisi nana, po don me i kallxue edhe për veti, po… u pre. S’po mundet. Nisën lotë p’i rrjedhin për faqe. Veç… e kuptoi vllau pse iu pre fjala. Mbet njiherë. Hiç s’po fol.

    I ka mblue sytë me shuplaka. Për tokë u lëshue prej së ligshti, e kaj, e kaj, me za tue kajtë. U avitëm na, me nanën, me motrën, mundohu me e qetësue. Nana përqafe, puthja lotët.

    Kur… dikur u çue, të na kapi të tanave n’grykë. Kaj na të tanë, lotët qetu qe te mjekrra që na u përpjekshin.

    *

    Jo, gruen s’e la. Edhe mirë shkojnë, se qe, edhe unë qetu me ta tue rrnue tash sa vjet që u banë. Edhe motra. E po shkojnë mirë shyqyr. Edhe na motrat me kunatë, shumë mirë. Veç… qajo motër që më rrin pak ma mërzitshëm se… Burri e ka lanë. Katër çika ajo. Të tana te baba i vet ato.

    …tybe unë ty nuk të ngas

    sall për ballit të përkas

    të të shoh a je e hollë

    faqekuqe

    porsi mollë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË