KreuLetërsiBibliotekëEnver Kushi: Uji i vendlindjes (tregim)

Enver Kushi: Uji i vendlindjes (tregim)

Ditën e fundit të muajit shkurt, i cili atë vit kishte njëzet e nëntë ditë, ajo e preu të folurën. Mëngjesi ishte i ftohtë dhe jashtë frynte erë që vinte nga deti. Era kishte ditë që frynte, por mëngjesin e asaj dite, ajo ishte shumë e fortë. I sollën gotën me qumësht të ngrohtë dhe vajza e madhe, që kishte mbi dhjetë ditë që i rrinte mbi kokë dhe flinte shumë pak, i tha se duhet të pinte qumështin. Ajo bëri me shenjë se nuk donte. Vajza e madhe doli nga dhoma ku dergjej nëna e saj dhe i foli nuses së shtëpisë apo kunatës së vogël.

– Shko ti dhe lute që ta pijë gotën me qumësht, – i tha ajo.

Kunata e vogël u ul në karrige dhe pasi i vuri dorën në ballë të sëmurës, me zë lutës, i tha se duhet ta pinte gotën me qumësht. Ishte e kotë ta lusje më. Siç duket, me prerjen e të folurës, ajo nuk do të hante më. Krevati ku ajo dergjej ishte pranë dritares, perdja e të cilës qëndronte e hapur ditën dhe natën. Që andej dukeshin pishat e gjata dhe matanë pishave, brigjet e detit e mbi to qielli gri i ditës së fundit të shkurtit.

Vajza e madhe i tha vëllait të vogël, në shtëpinë e të cilit dergjej nëna, se duheshin marrë në telefon dy vëllezërit e tjerë dhe motra e vogël, që jetonin jashtë Shqipërisë: dy të parët në Itali, ndërsa motra e vogël në një fshat pranë Pargës.

Në mesditë era pushoi. Vetëm qielli mbeti gri. Gri dukej edhe deti, ndërsa brigjet e tij të braktisura nga njerëzit. Ishte e kotë ta lusje më për të ngrënë, qoftë edhe një lugë supë të ngrohtë. Kur hapte sytë, ajo kthente kokën nga dritarja, ku përtej xhamave vështronte pishat dhe matanë pishave, brigjet e braktisura të detit. Pastaj i shtrëngonte dorën vajzës së madhe dhe bënte me shenjë nga dera, për të kërkuar djalin e vogël ose ndoshta dy djemtë e tjerë dhe vajzën e vogël. Djemtë që ishin në Itali kërkuan që të flisnin në telefon me nënën e tyre, por motra e madhe u tha se ajo që nga mëngjesi kishte prerë të folurën dhe se ata duhet të niseshin menjëherë për të mbërritur në darkë ose ndoshta të nesërmen në mëngjes herët. Vajza e vogël tha se do të nisej shumë shpejt.

Do të kthehem edhe në Filat, tha ajo. Pastaj edhe në Spatar, që është shumë afër Filatit.

Pasditja kaloi shpejt. Kur ra nata, nga dritarja dukeshin pishat, ndërsa brigjet e detit jo.

Ç’kërkon?, i tha vajza e madhe, kur vuri re që ajo ishte kthyer nga krahu i dritares dhe me dorën e zgjatur drejt saj, bënte disa shenja.

Hapeni dritaren, tha befas djali i vogël. Mamaja do që të dëgjojë zërin e detit.

Kur dritarja u hap, në dhomën e ngrohtë, bashkë me ajrin e ftohtë, hynë edhe zërat e detit, të cilat vinin nga brigjet që nata i kishte bërë të padukshme. Frynin erërat e fundit të shkurtit dhe ato dallgëzonin detin, duke lëshuar zëra apo psherëtima të largëta kohe që dëgjoheshin nga dritarja e hapur. Ajo buzëqeshi lehtë dhe bëri me shenjë që ta mbyllnin dritaren.

Vonë, ndoshta kur po afronte mesnata dhe te koka e krevatit të të sëmurës qëndronin të zgjuara vajza e madhe, djali i vogël dhe nusja e tij, në derën e jashtme të shtëpisë, u dëgjuan të trokitura. “Mbërriti Havaja!”, thanë ata në një zë. Nusja e vogël u ngrit e gëzuar, vrapoi në korridorin e gjatë dhe hapi derën. Ajo shtangu kur pa një grua të vjetër, me shami të bardhë në kokë.

– Jam Adileja. Jam shoqe e vjehrrës tënde. Kam lindur në të njëjtën ditë dhe jam rritur me të, – tha ajo.

– Është rëndë dhe qysh prej mëgjesit të sotëm ka prerë të folurën dhe ushqimin, – tha nusja e vogël, duke i uruar më pas mirëseardhjen.

– Erdha ta shoh, – tha ajo. – Mbrëmë ëndrra na shpuri në Spatar vajzë… Jeshëm bashkë me Nazon atje. U çmallëm… Ëndrra më solli prapë kutu. Nazon e la atje ëndrra, bila ime… Erdha t’i flas dhe të llafosem me të.

Dhe kështu bëri. U ul pranë shoqes së fëmijërisë, ia mori dorën mes duarve të saj dhe nisi t’i flasë. I kujtoi fëmijërinë, shtëpinë e madhe dykatëshe në lagjen Breg, migladhetë (bajamet) që çelnin të parat lule, fushën dhe lumin Kalama që derdhej në det, dritat e Korfuzit që llamburitnin netëve, portin e vogël të Sajadhës dhe edhe më larg, qytetin e Gumenicës. I foli për ullinjtë dhe aromën e luleve të tyre, për kuajt dhe mëzat, erërat e ngrohta të pranverës që vinin nga lugina e lumit Kalama dhe deti Jon, për plakat e Spatarit, dasmat, vallet dhe këngët, lojërat e fëmijërisë.

“E mba’ mend kur jeshëm të vogla dhe venim te Grava e Piros dhe tek ajo e Kushit?! Po kur gjetëm te Grava (shpella) e Piros poçe shumë të vjetra prej balte? Po gurët e mëdhenj të Gumanit, i mba’ mend? Eh, moj motra ime… E mba’ mend kur humbëm te Përroi i Palostanit? Keshëm marrë edhe Selemenë dhe Haxhekon e Saqenjve, që jeshën më të vogla se ne… Po ujin e ftohtë të Pusit të Kardhaqit, e mba’ mend? Eh, ç’ujë kish ai pus! I gjithë Spatari atje mbushte ujë për të pirë. Në ëndërr e kam parë atë ujë. Në ëndërr… Ç’ujë që ish… Të shëronte ai ujë… Pinim e pinim dhe nuk ngoseshim…”

Kaq tha ajo dhe kërkoi falje nëse i kishte lodhur. “U lodha edhe u’ se boll jeni të mërzitura e të lodhura.”

Nusja e shtëpisë e pyeti nëse dëshironte të pinte kafe apo çaj, ndërsa vajza e madhe dhe djali i vogël i kërkuan falje dhe i thanë se para se të pinte kafe apo çaj, të hante diçka.

“Jo. Jo”, tha ajo. “Një çaj. Vetëm çaj”, shtoi duke vështruar fytyrën e bardhë të shoqes së saj të fëmijërisë dhe dalloi diçka si dritë apo ndriçim, që vinte nga ajo fytyrë e bukur, si dikur, kur ishte vajzë e vogël. Pastaj ndjeu dorën e saj të lëvizte dhe ajo hapi sytë. Buzëqeshi lehtë dhe ajo buzëqeshje i dha më shumë dritë portretit të saj. Ajo i puthi duart. U ngrit në këmbë, u përkul dhe e puthi në ballë…

– Ujë… – tha më pas. – Më sillni ujë…

Nusja e vogël vrapoi dhe solli gotën e ujit.

– Ngrijeni pak, – tha vajza e madhe. – Më ndihmo! – i tha ajo vëllait të vogël.

E ngritën dhe ajo u mbështet në jastëkët që ia sollën menjëherë. Kërkoi sërish ujë.

– Zoti është i madh! – tha vajza e madhe duke i afruar gotën e ujit.

– Jo. Jo… – tha ajo. – Dua ujë nga Spatari… Ujë nga Pusi i Kardhaqit… Atë ujë më sillni…

Djali i vogël shkoi në dhomën tjetër, u vesh, doli jashtë dhe pasi nxori makinën nga garazhi, mori rrugën për në jug. Kur kaloi Qafën e Botës, kishte zbardhur dita. U kthye në portin e vogël të Sajadhës dhe piu një kafe në bregun e detit. Dita dukej se do të ishte me diell dhe nga Korfuzi vinin erëra të buta. Vështroi orën. Duheshin edhe pesë minuta që të shkonte shtatë, ndërsa makina po ngjitej në Spatar. Aty vinin ca erëra të tjera, sa nga lugina e lumit Kalama dhe deti Jon, aq edhe nga Filati, që dukej si i larë nga dielli i mëngjesit. E la makinën dhe me hapa të shpejtë zbriti mes bajameve ose migladheve, siç i thoshte nuja e tij. Kishin lulëzuar. “Kaq shpejt!”, mendoi duke këputur një degë migladheje me lule. “Do të gëzohet nuja kur t’i shohë!”, tha sërish me vete dhe zbriti me hapa të shpejtë për te burimi, që i thonin, “Pusi i Kardhaqit”.

U dëgjuan ca të lehura qensh dhe pasi mbushi dy bidonat me ujë, thuajse u ngjit me vrap për te Bregu, ku kishte lënë makinën.

Kur hyri në Durrës frynte erë e ftohtë dhe dita po thyhej. Në shtëpi gjeti dy vëllezërit dhe motrën e vogël.

– Si është nuja? Nuja si është? – pyeti.

Dhoma ku dergjej nuja ishte plot me njerëz. Ai u afrua te koka e krevatit dhe e puthi në ballë nënën… Pastaj i tha se në Spatar kishin çelur lulet e migladhesë… Ajo hapi sytë dhe buzëqeshi lehtë…

– Do të pish tani ujë nga Pusi i Kardhaqit?

Ajo buzëqeshi prapë dhe tha:

– Po… Më sillni ujë nga Pusi i Kardhaqit…

E piu ngadalë dhe kur mbaroi gotën e parë, kërkoi sërish ujë. Buzëqeshi përsëri dhe kërkoi që ta ndihmonin që të shtrihej. I pa të gjithë me radhë e më pas ktheu kokën nga dritarja… aty ku dukeshin pishat dhe më tutje deti… Ora ishte shtatë pasdite kur dha shpirt…

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË