KreuLetërsiBibliotekëEnver Kushi: Mallkimi i poetëve (tregim)

Enver Kushi: Mallkimi i poetëve (tregim)

Ai u ul në gjunjë përballë tij dhe duke e vështruar drejt në sy i tha:

– Unë vij nga kohëra para kohës tënde.

Ai përballë tij e pyeti, se si ishte ajo kohë, para kohës së tij. Ishte me ditë të gjata, shumë të gjata dhe me netë të shkurtra. Po qielli si ishte?

Dhe ai përballë i foli për qiellin kupolë, që qëndronte mbi tokë, ku lëvizte dielli nga lindja në perëndim, ku iknin e vinin retë e bardha, puplore, të gëzuara, apo edhe gri, të zeza, nga të cilat dukeshin vetëtimat të shpejta të zjarrta, gjëmime të frikshme, shoqëruar me shira, apo edhe flokë të bardha, që quhej dëborë. Pastaj gjatë natës, ai që quhej qiell mbushej me xixëllima, që quheshin yje. Dhe pastaj dilte një si disk i bardhë, që quhej hënë, ku herë-herë shfaqej i plotë dhe më pas si i ngrënë.

Tjetri e dëgjonte me vëmendje dhe e pyeti, se si ishte qielli i kohës së tij.

Ai i tha se ishte ndryshe. Shumë më ndryshe. Si ndryshe, e pyeti ai. Më fol për qiellin e kohës tënde.

Ai heshti gjatë dhe nuk iu përgjigj pyetjes, megjithë këmbënguljen e tjetrit, për të mësuar për qiellin e kohës së tij. Nuk e mbaj mend atë qiell, tha ai, por ishte ndryshe nga qielli i kohës tënde. Po ata, qeniet njerëzore, si ishin në kohën para kohës tënde. Ata… Ata ishin ca trupa si prej drite. Të tjerë ca trupa si prej zjarri dhe të tjerë ca trupa si prej balte.

Ah, tha ai që po e dëgjonte. Të parët, ata me trupa si prej drite, kanë qenë engjëjt. Të dytët me trupa si prej zjarri, kanë qenë xhindet. Po të tretët, e pyeti. Të tretët janë njerëzit dhe kafshët,

Pas kësaj bisede për kohën para kohës së tij dhe kohën e tjetrit, ata qëndruan shumë gjatë të heshtur. Aq gjatë, sa ndoshta kishin kaluar kohëra nga lëvizjet e diellit, lindjet dhe perëndimet e tij, ku ishin ndërruar qiejt, retë, shirat, dëborërat dhe kur në kohën e tjetrit lëviznin ca trupa si dritë e të tjerë si prej zjarri dhe balte.

Heshtjen e theu ai që ishte ulur përballë dhe që vinte nga kohëra para kohës së tij.

– Afrohu! – tha ai. – Afrohu dhe vështro syrin tim të djathtë.

Dhe kur tjetri ju afrua, ai e pyeti çfarë shihte në syrin e djathtë të tij.

Ai tha se shihte një lumë dhe matanë lumit një pyll me drurë të prerë. Shoh vetëm trungje drurësh, shtoi ai. Asgjë tjetër. Ah, than pas pak, duke u afruar më shumë. Hë, tha tjetri. Çfarë sheh tjetër. Shoh ushtarë hipur mbi kuaj, me shpata në duar. Po tjetër? Shoh para tyre edhe ca që thërrasin me zë të lartë: Vdekje e pyllit! Vdekje e lumit! Vdekje e jetës! Ushtarët hipur mbi kuaj përsëritnin fjalët e tyre.

Ata kanë vrarë një pyll të tërë, tha tjetri, ku kanë vdekur qindra e qindra drurë. A i sheh kufomat e drurëve. Ata duan të vrasin edhe lumin dhe ata që janë matanë e që nuk duan, që lumi të vritet dhe pylli i tyre të masakrohet.

Tani vështro syrin tim të majtë, tha ai përballë. Ai u afrua dhe tha, se edhe matanë lumit shihte ushtarë hipur mbi kuaj dhe një pyll të madh.

– Po tjetër çfarë sheh? Më thuaj çfarë sheh?

U afrua më shumë dhe tha, se në syrin e majtë të tjetrit shihte pyllin e paprerë, më tutje një kodër dhe në faqen e saj shtëpi të bardha. Ushtarët u kanë zbritur kuajve dhe para tyre shoh tre burra të gjatë. Ata po flasin njeri pas tjetrit dhe të folurën e tyre e shoqërojnë me lëvizjet e duarve.

Ata janë poetë, tha tjetri. Më kupton? Janë poetë, përtej kohës tënde. Në ato kohëra, kur dilnin poetët dhe ua merrnin erzin atyre që ishin gati të vrisnin njerëz, shkatërronin qytete, apo vrisnin pemë, ata tërhiqeshin. Ai e pyeti, se çfarë thonë poetët, përballë ushtrisë mizore. Ta them unë, tha tjetri. I pari dhe i dyti poet e mbyllën fjalën e tyre me këto fjalë: Nëse ju do kaloni lumin dhe me shpata tuaja do vrisni njerëz dhe pemë, nëntë breza do të mbeteni shterpë. Nuk do të lindni fëmijë dhe do të shuheni. I treti poet, ai më i riu, që di dhe gjuhën e kuajve, u thotë atyre të mos pranojnë urdhrat e ushtarëve, për të kaluar lumin. Dëgjo fjalët e tyre të fundit, sepse ata janë si të dalldisur dhe po i mbyllin me këto vargje:

Ju thaftë zëri!

Ju thaftë fjala!

Tani afrohu dhe më shumë dhe shiko syrin tim të djathtë.  Dhe kur ai u afrua aq shumë, sa preku hundën e tjetrit, u drodh. Pse po dridhesh, pyeti ai.

Po shoh pyllin dhe drurët e vdekur matanë lumit. Edhe ushtarët që u kanë zbritur kuajve të tyre. Po tjetër çfarë sheh? Shoh kuajt, që po qajnë. Kuajt janë afruar pranë lumit, tundin kokat dhe rrahin me patkoj tokën. Po zotërit e tyre a i sheh? Po, tha ai. I shoh, por nuk dëgjoj zërat e ushtarëve, që kanë vrarë drurët dhe duan të kapërcejnë lumin.

Atyre iu është tharë zëri. U është tharë edhe fjala, tha ai përballë edhe mbylli sytë.

Tiranë, korrik 2026

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË