More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEmrije Krosi: Petrit Ruka, poeti modern i baladës shqiptare

    Emrije Krosi: Petrit Ruka, poeti modern i baladës shqiptare

    Libri poetik “Shami të zeza qiellore” i Petrit Rukës, (Toena, 2019) është konceptuar në gjashtë (6) pjesë dhe botuar me rastin e gjashtëdhjetepesë (65-së) vjetorit të lindjes. Poezia përfshin tematika të shumta, universalja dhe përmasa e dashurisë njerëzore, mirazhi i atdheut, ekzili dhe braktisja e vendlindjes. Aty është edhe përmasa e dashurisë erotike, shndërrimi urban i qytete dhe fshatrave shqiptarë, përditësia, ironia, inatet, xhelozitë, miqtë, pse jo edhe vdekja, se poetët gjithnjë janë “paralajmërues” të vdekjes së tyre, dhe “testamentet” e pasjetëve janë veprat e tyre. Për të kumtuar më tej, dhe përimtësuar poetikën e thellësisë si dhe simbolikat metaforiale ku sundojnë figurat e thella (Murry: 1931), ndërtohen të gjitha topikat dhe (nën)topikat metaforiale.

    a.Topika dhe dekodimi i metaforës së Jugut në pjesën e parë; (gjërat e mia të vogla), ku futen disa poezi: “Grua e jugut”, “Duhemi ne dhe bota ka fat”, “Dashuria ka shijen e fortë të vdekjes”, “Kristina”, “E bukur si drita mbi verë në dasma” etj. Përmes vargjeve: jemi dashur tërë jetën dhe s’e paskemi ditur,/derisa u ulëm në atë kafe/o Grua e Jugut/derisa pimë gllënjkë pas gllënjke/gjer në fund njëri-tjetrin,/ etjen e deveve shtatzëna prej muzgut…, f. 15, dukshëm dallohet dekodimi i metaforës në togfjalëshin me shkronja të mëdha Grua e Jugut, tregon se poeti ka përfshirë aty të gjithë folkun e trevave të Labërisë, që shquhet edhe për lirikat dashurore, por edhe baladat të sendërtuara në këtë vëllim poetik, duke u mbështetur tek magjia e lirikave labe, (Borja: 2014). Mënyra e rimarrjes së folkut, të risjellë nëpërmjet vargjeve të poezisë moderne, mund të quhet edhe si përpunuesi poetik i muzës gojore moderne të jugut, në udhën e mbledhësve dhe përpunuesve paraardhës si Thimi Mitko, apo Mitrush Kuteli etj.

    Por, dallojnë edhe (nën)topika tjera si:

    a)     (nën)topika e vendlindjes: (Tepelena dhe Vjosa përsëriten [secila (3) tre herë ])

    b)      (nën)topika e Jugut: (topikë e fshehur pas vajzave dhe grave të gjithë Jugut, pas Çamërisë, Vjosës, pas maleve dhe kodrave por edhe pas breshkës së fëmijërisë),

    c)      (nën)topika e dashurisë,

    d)     (në)topika e vdekjeve me elemente të mitologjisë romake dhe judeo-hebarike: (Vezuvi, Juresalemi, Maria Magdalena, Muri i Lotëve etj).

    b.Topika dhe dekodimi i metaforës prindërore, në pjesën e dytë: (letra me nënën dhe babanë) ku spikatin poezitë: “Babai se mbajti premtimin”, “Baba, ne ikëm”, “Letra me babin”, “Shkova te nëna”, “E shkreta nëna ime” etj. Në këto poezi, që kanë jo vetëm peshën e marrëdhënieve pridër-fëmijë, por edhe ndikohen nga lidhja: baba+bir+nënë= Pema e Gjakut (babai+biri)+Pema e Tamlit, (nëna+biri)= Pema e Jetës. Kjo marrëdhënie, është shumë e hapur nuk është as palimpseset as ndërtektori as një dërfutje poetike, (Todorov: 2000), që e lidh me gjithçkanë: historinë, filozofinë, sociologjinë, teologjinë apo edhe modele të tjera shkrimore të risjella nëpërmjet vargjeve: ikëm, or ikëm! Vendlindjen e vramë/në metropole u mblodhëm si punë e iriqëve,/e ke parasysh kur e vjelin një pemë/e mblidhet dhe ngjishet si në vargjet e fiqve?, f.67. Zbrasja e fshatit shqiptar tashmë është një realitet. Poeti kërkon të “mbajë gjallë” kujtimet, nëpërmjet modernizimit të miteve, legjendave, baladave, erosit dhe folkut popullor, ku fytyra e pormodernitetit shkakton probleme sociale dhe shoqërore: ikja apo zbrazja e fshatit, (e)migrimi etj. Gjuha e kuptueshme që përdor poeti në komunikim me lexuesin, nuk është një lloj tjetërsimi (Parker: 2011) por një reflektim që riprodhon (me fjalë) tërësinë e realitetit me një lloj kumtimësie vetëpërmbajtësore të një gjuhë të thjeshtë, si shpalim nëpërmjet vargjeve: shkova të çmallem te nëna në fshat/çudi ,…nuk qau, s’u bë shelg, s’u shkund,/qenkam rritur, thashë me një gëzim të prapë/burrëria e frenoi, eh, më në fund!, f.70. Në këto vargje kam hetur: [gjithsej fjalën baba=15 herë/fjalën nënë =15]. Brenda dikotomisë së fjalëve baba-nënë, etimologjia e fjalës nënë na jep edhe disa njësi të tjera që jo absolutisht lidhet me të folmen e poetit me dialektin e jugut si: [nënë=nënoke=mama=mam etj.].

    c. Topika dhe dekodimi i metaforës dashurore dhe erotike, në pjesën e tretë, me kryepoezinë hit: “Këngë për gruan dhe vargun apokaliptik “ma ke nxirë jetën”, një poezi kaq e thjeshtë e ngulur thellë në kujtesën e lexuesve shqiptar por edhe lexuesve virtuale, si një poezi aq shumë e ndierë, e thjeshtë, e bukur e shkruar me një shqipe të kulluar por edhe qëndisur me idile erotike që kulmojnë në të gjitha poezinë e Rukës. Ishte (mënyra e tij e shmangies nga realizmi socialist) “zhytja” dhe “tjerrja” apo tëhuazimi i dhimbjes ndaj mllefit të fatit, vdekja e babait, por edhe ikja nga vendlindja etj., gjuha dhe ndikimet e folklorit të labërishtes në krijimtarinë poetike, (Gaçe: 2005). Vargjet : grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë/më ke prirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë/po ja që nuk bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar,/mos pushofsh kurrë, luftë, qofsh e bekuar, f. 88, bashkë me poezitë e tjera: “Gratë anohen anash”, “Të takohesh me Zotin ”, “Të thashë mos e fik dritën”, Këngë labë për ty”, “Sytë e tu, sytë e tu. Sytë e tu e ata sy”, “Ëndërr me nuse”, “Vjosa meket si grua”, “Dhe prita ta zgjoheshe”, “Letër mamit” etj. Elementet erotike sendërtohen edhe si nëntitull në një poezi (etyd dashuror). Poeti ka mbledhur të gjithë mitologjinë, erotikën, folklorin e labërisë dhe të gjithë Shqipërisë, që spikat në formën e një ligjërimi të moralshëm apo edhe kur kemi të bëjmë me mundësinë e realizimit të dashurisë (Sula: 2016). Errësira na vjen si një oaz parajsor ku mund të prehet shpirti dhe trupi të munduar prej ndjenjave të ndrydhura por për njeriun e dashuruar dhe të përfshirë plotësisht në këtë përjetim, është prania e “shtëpisë së Zotit”, tek poezia “Të takohesh me Zotin” pikërisht është vendi ku ai ka njohur dashurinë, sepse pikërisht aty ai ka zhvilluar atë përmasën shpirtërore unike që e afron njeriun me Zotin. Uni lirik, që realizon këtë përsiatje të brendshme sentimentale, është zhytur në një përjetim emocional dashuror të thellë dhe dëshiron që të jetojë përjetësisht brenda të njëjtës izotopi erotike, (Lotman: 2001), me disa (nën)izotopi të tjera:

    (nën)izotopia e parë: erosi i hapur ose i ligjshëm burrë/grua: përcakton se burimi i

    kënaqësisë që marrim nga letërsia, gjendet në procesin e transformimeve të dëshirave dhe frikrave tona subkoshiente. Se marrëdhënia brendapërbrenda kufijve të (id)-fantazive dhe (ego)-mbrojtjes, forma e tekstit, është përcaktuar si një mënyrë e fshehjes mes autorit dhe lexuesit, duke “çliruar kënaqësi” estetike, bashkë më kënaqësinë e nënkuptuar seksuale, (Neret: 2000)

    (nën)izotopi e dytë: erosi i fshehtë apo dëshiror (ëndërrat, sytë), sytë krahasohen

     me ujin me Vjosën, por vetëm (syri) jo forma e syrit (irisi) me ngjyra si: i zi, jeshil, ulli etj., vetëm shikimi është si lumi i Vjosës, ashtu si edhe trupi i saj, në poezinë: “Vjosa meket si grua”, një krahasim me malin e Shenjtë Arafat. Simbolika me elementet bibliko-hebraike shpërfaq poetikën krahasuese nëpërmjet gjuhës erotike të trupit, (Elsie: 2001).

    (nën)izototi e tretë: erosi i papërmbushur dhe gjithëdëshiruar burrë/grua: është thelbi i

    arsyes dhe i ndjenjave, sipas Frojdit: ka vetëm një formë dashurie, dhe kjo është dashuri erotike, sepse mitikja e rrëzon “mitin” e Super Egos. Në poezitë e lirikës erotike dominojnë shënjuesit tekstualë që enden mes kulturës dhe komunikimit, por edhe si sythe të semiotikës së kulturës erotiko-dashurore.

    d.Topika dhe dekodimi i metaforës së atdheut/vendlindjes/mallit, në pjesën e katërt:

    (ribotime të viteve) na paraqet pamje ilidike nga fshati, nga mali dhe fusha, përsëri duke udhëtuar në lëminë e gurrës popullore, madje simbolika e vajzave që punojnë në fusha dhe ara, me kaun kazil (emër kau), ku vetë ironia nënshtresëzohet përmes rrjeshtave të nënkuptuara për atdheun e bukur, por të varfër.

    Topika dhe dekodimi i metaforës së baladave; në pjesën e pestë; (balada),

    riaktivizimi i baladave zë pjesën më të madhe të poezisë së poetit. Në këtë trajtesë do ndalojmë, pak më gjatë tek baladat. Vetë fjala balada (nga wikipedia) është një formë e veçantë e letërsisë gojore, në të cilën janë të përziera elementet epike e dramatike, por me zotërim të elementeve lirike. Emri i saj del nga folja neolatine ballare (vallëzoj). Në fjalorin e Gjuhës Shqipe fjala: balád/ë,-a emër i gjinisë femërore; numri shumës;[ -a(t)] term në letërsi; vjershë lirike popullore ose me frymë popullore për ngjarje legjendare a heroike. Baladat shqiptare, mbizotërojnë këto elemente: elementin dramatik, lirik apo epik me qendërzim tragjikja individuale. Baladat me tema: “Vashëza, puthjen e lau”, “Nënë çma bëre dilinë”, “Baladë pensionistësh”, “Balada e Tanës”, “U stis vashëza nga varri”, “Kanan tu prish bukuria”, “Urë moj e zeza urë”, “Hanko mos qaj nëpër varre”, mund të ndahen sipas motiveve:

    1.      balada me motive realiste historike: “Kanan ti prish bukuria”,

    2.      balada me motive realiste: marrëdhënie familjare: “Nënë çma bëre dilinë”, “Vashëza,

    puthjen e lau”.

    3.      balada me motive realiste dashurie: “Balada e Tanës”, “Hanko mos qaj nëpër varre”

    nëpërmjet vargjeve: dil se urën e Qabesë. Vetëm unë e hodha/ “sa të ketë Dili nuk vdes”/ vdekje sytë ia vodha…f.172, sebaladat shqiptare më së shumti kanë kanë fund tragjik. Ata sjellin pastrim (katarsis) shpirtëror, edukojnë me idenë e pastrimit moral, duke realizuar fisnikërimin e njeriut, në kuptimin e ndryshimit pozitiv të situatës është krijuar pa dashje, (Haxhiahasani: 1982 ). Rikonceptimi në formë moderne, të baladave nga njësia parësore, (burimi autokton popullor), me një mjeshtëri poetiko-stilistikore dhe me konstruksion në bazë të gjuhës së popullit, (e folura e Labërisë) e bën Petrit Rukën mjeshtër të baladës moderne shqiptare, jo vetëm për mesazhin por sidomos për edukimin moral të tyre , (Jubani: 1871). Stuktura themelore e baladës, ndërtohen në bazë të shprehjes artistike të popullit tonë për çlirim nga forcat e errëta, prej pushtuesve të huaj apo vendorë, me nota elegjiake, duke ndihmuar për forcimin e dashurisë për atdheun, familjen dhe vendlindjen. Ato kanë mbajtur optimizmin popullor, qëndresën e paepur ndaj forcave regresive që bëhen shkak për fatkeqësi e vuajtje të njerëzve nëpërmjet përvojës artistike tradicionale (Gaçe: 2016). Baladat e Jugut janë më të shkurtra sepse këndohen me polifoni dhe ato të veriut shoqërohen ose me sharki ose me çifteli. Vargjet: në ato male Labërie/kur bie nata sterrë, kongji/që nga fyejtë e barinjve/ del një Tanë , një llahatari, f.184, ky motiv i ripërnuar kaq mjeshtërisht nga pena e Rukës, është drejtpërdrejt me origjinë burimore nga balada e Tanës, (Gaçe: 2009), që varianti origjinal jeton në Lapardha, fshat në Lumin e Vlorës. Etnopsikologjia shqiptare dhe elementet e kulturës tonë kombëtare, spikatin elemente që lidhen edhe me baladat e tjera ballkanike, por që elementet shqiptare dallohen për:

    a)      mbajtja e besës, (balada e Dhoqinës apo kthimi i Ago Ymerit)

    b)      rinjohja motër dhe vëlla,

    c)      murimi në ura apo kala,

    d)     ndarja motër e vëlla,

    e)      dashuria burrë/grua motër/vëlla,

    f)       humbja e familjes, (balada e Hankos, që katërcipërisht është vërtetuar si baladë e

    humbje së familjes jo dashurore),

    g)      shëndërrimi (metamorfoza) që ndahet në:

    –        pamundësia e realizmit të dashurisë (si metamorfozë në një zog, mollë etj.)

    –        dhimbja e motrës për humbjen e vëllait e kthen atë në qyqe, (motivi i motrës së Hasan

    Agës).

    b.      Topika dhe dekodimi i metaforës individuale, në pjesën e gjashtë: (kam ftohtë) me  poezitë: “Mërzia”, “Kam ftohtë”, “Vallja labe”, “Dita e humbur”, “Dëshpërimi”, “Shitës ere” etj. Janë pjesë ku për të kuptuar vendin e njeriut në këtë botë, hapsira jonë njerzore po ngushtohet, duke vozitur mes individuales dhe absolutes, në kërkim të parimeve thelbësore jetike , me një perceptim sa personal aq edhe social të botës tonë shqiptare, si interaksion gjenerik kompleks (Hutcheon; 2013). Poeti ironizon realitetin e hidhur shqiptar në formë sarkazme, jo vetëm si ironi e fjalës por edhe ironi e situatës, (Dado: 2020), është një teknikë rrëfimi (më shumë romanor) meqë e vë lexuesin para qëndrimit emocional, që trajton dukuri sociale dhe shoqërore, në mënyre ironike dhe satirike. Ironia shkon deri në paradoksin posmodernist, në formë edhe distancë kritike me realitetin, se poezia është thjesht gjuhë e ngarkuar me kuptim deri në shkallën e natyrës shenjore, (Wilde: 1981), pa pretenduar se përgjigja specifike për lexuesit, mund të ketë “emocione” të lumtura apo trishtuese, pa pretenduar se kemi arritur të kuptojmë kuptimin parësor të poezisë.

    Së fundmi: poezia e Petrit Rukës është një poezi me metaforë formësuar polifonike, ku të gjitha zërat e zhanreve poetike funksionojnë në mënyrë harmonike, brenda shtratit të tij sa lirik aq edhe klasik dhe modern, duke rrokur gjithë poliseminë e pashfrytëzuar të gurrës popullore shqiptare të Jugut dhe më gjerë, sidomos ajo e anës së Lumit të Vlorës, Vjosës etj. Kritika të zgjohet nga “gjumi” dhe të heqë pluhurin e harresës ndaj mitit baladesk të Rukës, për vlerat e papërsëritshme të poezisë së tij aq të ndierë dhe popullore.

    BIBLIOGRAFIA:

    Bejko, Sadik: (20121), Petrit Ruka: poeti i fjalës së bukur, “ExLibris”, Tiranë.

    https://exlibris.al/sadik-bejko-petrit-ruka-poeti-i-fjales-i-poezise-se-bukur/

    Dado, Floresha: (2020), Postmodernizmi, poetikë e “antirregullit”, “Kristalina -KH”, Tiranë

    Elsie, Robert: (2001), A Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture, Canada.

    Gaçe, Bardhosh: (2005), Konferenca Shkencore : Ali Asllani Princi i Lirikës Shqiptare, ”Malika”, Vlorë.

    Gaçe, Bardhosh: (2009), Kënga popullore e Lumit të Vlorës, Toena, Tiranë

    Gaçe, Bardhosh: (2016), Etnologjia dhe Folkori shqiptar, “Ymeraj” Fier.

    Haxhihasani, Qemal: (1982), Balada popullore shqiptare, “Naim Frashëri”, Tiranë.

    Jubani, Zef: (1871), Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare, Trieste.

    Lotman, Yuri, (2001) Universe of the mind: A semiotic theory of culture, I.B. TaurisPublishers, London.

    Mborja, Ilir, (2014), Magjia e lirikave labe “Albplanet”, Tiranë.

    http://albplanet.blogspot.com/2014/10/magjia-e-lirikave-labe.html

    Murry, J.Middleton: (1931), “Metaphor”, Contries of dhe Mind, second series, London.

    Néret, Gilles: (2000), Erotica Universalis, Volume 1, Taschen.

    Parker, Fred: (2011), The devil as muse : Blake, Byron, and the adversary, Baylor, University Press

    Ruka, Petrit, (2019), Shami të zeza qiellore, “Toena”, Tiranë

    Sula, Lili: (2016), Erotika në letërsinë shqipe, “Albspirit”, Tiranë.

    Todorov, Tsvetan: (2008), Teori dhe kritikë moderne, “Rozafa”, Prishtinë

    Wilde, Alan, (1981), Horizons of Assent: Modernism, Postmodernism, and the Ironic Imagination. Baltimore: John Hopkins University Press.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË