Kur ikën një poet
Kur na ikën një poet, një mik, një bashkëkohës, nuk ka gjë më të mirë se të kthehesh e të lexosh edhe një herë poezinë e tij.
E lexon me ndalesa nga gulshet që befas të mblidhen në grykë. I ke lexuar më parë, i ke dëgjuar dhe të recituara nga kolegu yt poet që tashmë nuk është më dhe prapë ke dëshirë të lexosh një varg, një poezi, edhe një tjetër. Mund të ndalesh, të mendosh, të të pushtojnë ndjeshmëri e të të ngjallen shumë përfytyrime të shkuara që janë të tuat, vetëm të tuat. Mbase dhe ndonjë krisje në brinjë a në zemër, një therje si me thikë që ato poezi të kanë lënë në trungun tënd që kur i ke dëgjuar a lexuar për herë të parë. Se vërtetë, jeni miq, të një kohe a vendi, por ka dhe diçka që nuk duhet harruar, jeni në heshtje dhe rivalë. Poezia e atij që ke pranë, në se nuk të ka plagosur, nuk ka qenë poezi, nuk ka qenë prozë a tregim që meriton vëmendje.
Tani që kolegu yt është një i ndjerë, ka ikur përgjithmonë, është shuar, ti lexon dhe një mjegulli, një vesë paqëtimi të ngjitet në sy. Dhe me vete thua atë urimin që në gjallje kurrë nuk e ke thënë: faleminderit o mik që ke qenë pranë meje, ta di për nder të madh që me vargun tënd më ke ngucur, më ke lënë pa mend, më ke bërë që edhe unë ta marr vrapin prapë nga e para në një maratonë poetësh që kurrë nuk ka të mbaruar.
Kështu me ndodhi këto ditë në ikjen e paralajmëruar të poetit Petrit Ruka. U ktheva të lexoj edhe një herë ato çka janë më e mira poezi e krijimtarisë së tij.
Poeti dhe vendlindja
Shkrime të tilla përcjellëse të një jete, të një poezie, fillohen me fjalët: unë jam njohur me poetin…, jam njohur këtu dhe aty.
Ne kemi lindur mund të thuash të njohur. Kam qenë mbi dhjetë vjet më i madh sesa ai. Ai ka lindur nëTuran, katër kilometra larg nga Tepelena, unë në malësinë e Gllavës, në kufi me Beratin, dyzetë kilometra larg.
Tepelena është një gjeografi e vështirë, e thyer si nga vetëtimat. Nën këmbët e fshatit Turan është lumi Vjosa, përballë tij nga lindja ngrihet si thikë gjer në qiell mali Shëndëlli. Në shpatulla, nga perëndimi, shtrihet Labëria, që shkon përtej maleve të Kurrveleshit e gjer në Vlorë, apo po deshe, dhe deri thellë në Jug, në Çamëri. Një trevë e mbjellë fort dhe rëndë me qafa e mjegulla malesh, me shumë folklor dhe me shumë legjenda e histori. Kush ka lindur poet aty, ka lindur i zënë peng në këto maja, hone e gryka, në këtë histori, histori që i gatuhet bashkë me baltën që bën lisat, që mandej i bëhet dhe gjeografi shpirtërore. Mali, bora, lumi, historia me mushka të ngarkuara me gurë e hekur, pemët e bukura të vendlindjes që prodhojnë gjethe e lule ku fshihen fruta, vizatohen e gdhenden me forcën e gravurave në eshtërat e atij djalit që ka lindur poet.
Kjo është një pasaportë që e jep vendlindja, para se ta firmosë nëpunësi i zyrës së Gjendjes Civile. Dhe Petrit Ruka poet e mbrojti, e rriti dhe e farkëtoi në vete deri në fund të jets së tij këtë vulë të fortë të vendlindjes. E mbrujti si pejsazh, si histori, si folklor, si vizion filozofik, si tejqyrë me të cilën mund t’i shohësh tej përtej vitet, shekujt, njerëzit, vajzat e bukura dhe gratë, plakat labe të fshatit dhe burrat e mëdhenj të shtetit.
“Shkolla” e Tepelenës
Më 1974, kur po punoja minator në Memaliaj, aty ishin tre-katër poetë tepelenas. E dija që shkruante poezi inxhinier Martin Cukalla. Kisha parë në shtyp poezi të Petrit Rukës, të Qazim Shemajt nga fshati Qesarat, Perftef Liçi, nga Krahësi, më i ndrojturi i të gjithëve shkruante e fshihej si një trumzë mbas gëmushave.
Ilirian Zhupën 17-vjeçar menjëherë mbas gjimnazit e kishin futur nëntokë si minator, që të shtynte vagonat me qymyr. Këtë djersë adoleshenti, të përzjerë me qymyr të zi miniere, ai duhet ta flijonte te nëntoka pa asnjë mëkat, pa asnjë faj. Përse? Për një arsye, të paarsyeshme të asaj kohe, Iliriani vetëm me atë djersë mund “ta paguante”, marrjen e së drejtës së studimit për në shkollën e lartë. Nuk mjaftoi kjo. Ai bëri dhe një libër me poezi… miniere.
Qazimi shkroi për “Daullen e festivalit”, Petriti shkroi poezi për atdheun që fillon te zemra. Zyrtarë të kohës u thoshin që mua të mos më takonin, por ne takoheshim bashkë. Lexonim poezi. Ata që të tre, djem me ambicie, shkruanin, botonin dhe në shtyp filluan t’i quajnë shkolla e Tepelenës. Qazimi ishte gjithë “egërsi” burri, por me lofata e manushaqe Vjose, Petriti ishte temperamenti entuziast me flokët kaçurrela, Iliriani meditativ, ardhur nga miniera, fliste më pak nga të gjithë.
Ajo që ua di për faleminderit, është se ne nga Tepelena, pavarësisht prirjeve a drejtimeve që ndiqnim dhe ndoqëm, nuk e premë në besë njëri-tjetrin. Nuk e pamë njërin përballë tjetrit në gjyqe a në zyra shtetërore. Nuk u armiqësuam si shumë të tjerë të asaj kohe. Nuk u thyem para atyre që na donin me thonjtë në fytin e mikut a të kolegut.
Tipare të poezisë së Petrit Rukës
Si një që ka dhënë letërsi në Universitet, vihem shpesh përpara gazetarëve televizivë për të dhënë vlerësime mbi shkrimtarë, sidomos në raste kur ata ndërrojnë jetë. Është një punë e vështirë që të koncentrosh në pak fjalë veprën e një shkrimtari dhe mu në çastet ku ai nuk është më. Kjo më ndodhi dhe me Perit Rukën. Fjalët që mund të thuhen në raste të tilla janë nën pushtetin e dhembjeve dhe mund të thuhen me sy të veshur, si ato të xhamave fshehur nën avull. Duhet të kalojnë ditët, të ndahesh nga dhembja, për të qenë esëll, që të shprehësh diçka për të qenë.
Por, dhe pse jemi afër ngjarjes së hidhur, koha nuk pret për ta thënë fjalën e duhur mbi të, për ta bërë të denjë përcjelljen e kujtimit të tij, të një poeti që ka lënë vragë me penën e tij.
Për ta përmbledhur mendimin mbi poezinë e Petrit Rukës do të thoja se ai shkroi një poezi të ndjenjës, shkroi poezinë e motiveve labe me lëndë në legjenda dhe në histori, shkroi poezinë e vargut të bukur, një poezi që mund ta deklamoje.
Me që ishte edhe kineast, një art që kërkon patjetër imazhin, detajin, figurshmërinë e tejdukshme të ekranit, Petrit Ruka u dha jetë disa prej përfytyrimeve më të thella që janë të shkruara në metafizikën e shpirtit tonë, përfytyrime që jo çdo njeri mund t’i thotë, mund t’i bëjë të gjalla para syve tanë.
Në vitet e fundit në poezinë e tij pati një vërshim në ngjitje tema e dashurisë burrë-grua. Një nga poezitë e tij më të realizuara është ajo për gruan që “na e nxin jetën”, por prapë e duam aq shumë. Poezitë erotike të Rukës janë nga ato që i japin një kulm jo vetëm poezisë së tij, por mund të renditen ndër lirikat më të qëlluara të kësaj teme në poezinë tonë. Në këto kohë të lëshimit “të frenave” ndaj erotizmit janë shkruar shumë poezi me këtë temë. Petrit Ruka ka sjellë poezi erotike elegante, ku cilësia e shkrimit është e një lartësie me nxehtësinë dhe energjinë pjellore që prodhon një ndjeshmëri e tillë.
Largimi nga natyra, shpopullimi i shumë vendbanimeve të hershme, braktisja e disa vlerave tradicionale ka sjellë revoltë e pezm te poeti. Kjo temë alternohet me vetminë dhe tëhuajëzimin që sjell jeta urbane. Në një vetmi të tillë të akullt e të muzgët poetit i fanepset e pluhuruar vetëm vetja e tij. Vargjet që e çojnë në vendlindje, në natyrë, te lumi Vjosa, te motra e vdekur, te nëna, te ati i braktisur në vdekjen e tij janë të një aktualiteti pikëllues që nuk mund ta ndryshojmë. Na mbetet vetëm fatalisht t’i nënshtrohemi kësaj të keqeje… kundër natyrës sonë.
Ajo që ra në sy këto ditë të ikjes së tij ishte lehtësia me të cilën rrjetet sociale u përmbytën me poezinë e tij.
Pse ndodhi? Duke qenë një poezi e cilësisë më të mirë të shkrimit poetik, poezia e Petrit Rukës është një poezi e shkruar thjeshtë, e shkruar kulluar shqip, në një shqipe të bukur, tingëlluese. Poeti e pati kult thithjen e fjalës së bukur të folklorit, përtypjen e manjerës mjeshtërore të thurjes së vargjeve, të hartimit të figuracionit nga lirika tradicionale labe. Poeti e qëmtoi fjalën në këto livadhe të hershme. Sot fjala po bëhet metalike nga gjuha e vdekur mediatike, nga vërshimi i fjalorit teknologjik, nga ndërkombëtarizmat që na rrëmbejnë fjalë, konstrukte e frazeologji thjesht e kulluar shqip.
Këto modele shkrimore dhe gjuhësore, fjalë, ndërtime folklorike të vjela nga këngët e mbledhura prej Thimi Mitkos i patën si lëndë të parë poetike edhe mjeshtra si Lasgushi, Konica, Fan Noli, Mitrush Kuteli etj.
Petrit Ruka piu ujë në kroje të tilla të lashta, por dhe në gurrat e poezisë së Naimit, të Ali Asllanit, të Çajupit etj.
Poezia e Petrit Rukës në këto vite të heqjes së barrierave ndikuese nga poezia botërore, bëri të kundërtën e asaj që bënë disa prej poetëve dhe prozatorëve që u lëshuan drejt imitimit a përqafimit të manierizmit të poezisë dhe të prozës botërore moderne të përkthyer.
Petrit Ruka në këtë fund të tij na erdhi si një poet i kulluar, disa do të thoshin poet “bio”, poet shqiptar në vargëzim, në tematikë, në ndjeshmëri.
Në se poezia e tij ishte aq e rrjedhshme, e shlirët në derdhjen e saj, kjo mund të shpjegohet me punën e tij të pakursyer me fjalën, me vargun, mund të shpjegohet dhe me të gjitha ato që thamë më lart. Po mbase as këto nuk mjaftojnë…
Ai kishte lindur poet. Kishte lindur për ta ringjallur nga e para fjalën, vargun shqip.