More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEmi Krosi: Drejtësia si shërim, si shpëtim!

    Emi Krosi: Drejtësia si shërim, si shpëtim!

    Sagat familjare mund të vijnë në letërsi jo thjeshtë si histori dashurie dhe hakmarrjeje, por edhe si në romanin e Bislim Ahmetajt “Babë u kry!”, në version trilleri politik, duke pasur në qendër kultin e Atit si autoritet dhe familjen si institucion.

    Romani ka këtë fabul: Jak Nikolla, një djalë azgan nga malësia e viteve ’20 të shek. XX, rritet në Gjakovë dhe shkollohet në Itali. Ai martohet me vajzën e ambasadorit hollandez, Arnbjorg Neils Tyman, por vritet në dyqanin e tij në Tiranë, nga miku dhe shoku i tij i universitar komunisti Gjeoleka. Djali i Jakut, Nikelson Nick Tyman rritur në Amerikë, martohet me Xhoanën, martesë prej së cilës lind Xhek Nikelson. Ai mbante emrin Jack/Xhek, dhe duke trashëguar traditat e dy familjeve, atë të malësorëve të Veriut të Shqipërisë dhe atë të familjes diplomate hollandeze, nuk e harron porosinë e gjyshit dhe babës. Cila është ajo porosi ? Si zhvillohen ngjarjet ? Këtë po e  lëmë në dorë të lexuesit për ta zbuluar.

    Nga vetë titulli; “Babë u kry!”, ky roman gjeneron një triller, që nuk është i panjohur për romanin modern shqip. Mënyra e rrëfimit autorial (përkimi me fakte reale mund të jetë rastësi), pasi fabula është sajesë, pra fiksion dhe  gjuha e zhdërvjellët, bëjnë që të lexohet shumë shpejt dhe të duket sikur po shikon një film me aksion. Në roman ndeshim tre linja:

    E para, linja historike; (Tirana e viteve 1920/Tirana 2024), duket sikur përngjasmojnë, nga një shoqëri kaotike dhe traumatike. Kjo linjë  ndahet në këto rrafshe rrëfimi: a) rrafshi i parë që sendërton fabulën rrëfimtare të jetës së familjes së Jak Nikollës, të veshur me lëndë historike të njohjeve dhe lidhjeve me familjes fisnike dhe atdhetare si Gazulët etj.: “Jak Nikollë Gjelosh Gazulli aso kohe ishte trembëdhjetë vjeç. Përveçse i shkathët dhe i dëgjuar, dinte shkrim e këndim”, b) rrafshi i dytë, ai i rrëfimit të jetës Xhek Nikelsonit, marrdhënia e tij përmes linjës atërore me gjyshin dhe babën dhe amanetin për drejtësinë e harruar ndaj gjyshit, që ka ardhur në Tiranë si i dërguar i Departamentit Amerikan për drejtësinë e re (SPAK): “në hollin e hotelit e priste shefi i shërbimit të inteligjencies në Ambasadën Amerikane, i cili, gjithë përulje dhe nderime, i derdhi një buqetë fjalësh lavdëruese, që më shumë i shtuan dhimbjen e kokës se i përkëdhelën sedrën Xhek Nikelsonit”.

    E dyta, linja e sagës familjare (nga viti 1930 deri në 2024) që zhvillohet përmes zërit rrëfimtar të kryepersonazhit në dy kohë: a) koha e shkuar, b) koha e tashme. Mbartja e fabulës përmes rrëfimit me personazhet pjesëmarrës: Xhek Nikelson / Jak Nikolla/Arn/Gjeolek/ Nikelson Nick Tyman/Xhoana, shihet në këto rrafshe marrdhëniesh: – marrëdhënia me familjen/ gjakun/ vazhdimësinë, që sendërton lartimin e figurës atërore përmes: PEMËS SË JETËS = PEMA E TAMBLIT + PEMA E GJAKUT/ Pema e Gjakut  = (djalë + burrë + baba)/ Pema e Tamblit = (vajzë + grua + nënë), pra një mezazh për familjen, përmes dominimit të Pemës së Gjakut (linja e babit) apo marrëdhënia e djalit me babën, pasi nëna gjithmonë mbetet “hyjnore”;  – marrëdhënia e njeriut me pushtetin, që luajnë rol të rëndësishëm në formësimin e perceptimit si individ i lirë.

    Linja e tretë, ajo e hakmarrjes (kur drejtësia nuk vendoset nga shteti, thirrja e saj vijon me vetëgjyqësinë). Fundromani na rrëfen për “amanetin” përmes pasazhit: “Xheku e përqafoi dhe, përmes një ngashërime të lehtë, i pëshpëriti në vesh:- Babë, u kry!”, por personazhi për lexuesin perceptohet si një vrasës killer (skena e vrasjes nuk përshkruhet), por letërsia pa humanizëm, bëhet një letërsi kornizë. Xheku vetë ndjek vrasësit me pagesë nëpër botë, por ka zemrën e butë të një malësori shqiptar dhe shpirtin e një luftëtari për drejtësinë dhe të vërtetën, nëpërmjet këtij monologu: “eh, Xhek djali, shkon në Rabat për të gjurmuar vrasësit me pagesë e të prek zemrën një tregtar matrapaz!”. Në këtë linjë kemi dy përcaktesa (koncepte) sipas Kanunit: a) mbi autoritetin e babait si burrë/kryefamiljar: “Baba âsht me detyrë mu rrek per t’ë mirën të të bijve si kah ndera si ka pasunija”, nyja 33/60, b) format e gjakmarrjes/hakmarrjes: “Gjaku shkon për gisht”; nyja 125. “Gjaku për gjak me mbetë”;  nyja 126.“Gjaku për faj nuk jet”; nyje 127.

    Linja e katërt:  Romani ka dhe shtresëzime të riteve të zakoneve të trevës si: a) gjama e burrave: “O t’mjertë na, të mjertë, për ty o Jak Nikolla. Po kush kje si ti për pashi e për burrni, o Jak Nikolla. O mos paftë ditë me farë e me fis, kush shkrehi arm’ mbi ty, o Jak Nikolla…”; b) kulinaria: fli, të ngjyem specash me mazë, gështenja porogaça të pjekura, qervish pule, mazë të ziemë, turshi domate, kastraveci, rrepa, lakër e bardhë dhe speca të djegs. Pite me rrathë, pite me petë, laknur me hitha, leqenik i mestitun me maze, mish ferligu, mish i thamë në tym dhe i shtypun. Djathë pshere, djathë i fortë i mazitun dhe i pamazitun, kos delje, tamel me mazë, boronica, dredhza, mjedrra, thana; c)           frazeologjia + leksiku gjuhësor+fjalëformimi: shumë i pasur e që s’është vendi për ta rradhitur këtu. d)fjalë të urta + shprehje frazeologjike: Por, çfarë sjell ora, nuk sjell moti/ nuk i bihej murit me krye/ ku rafsha, mos u vrafsha/ se s’mban ma uj’pilafi/ Më ruaj zot nga miqtë, pa nga armiqtë ruhem vetë / shkelur në dërrasë të kalbur.

    Së fundmi: romani i Bislim Ahmetajt, duhet lexuar në bashkohësi, sepse rrëfimi është i kohës së tashme, por sidomos përkon me shijet e një lexuesi të ri. Aty trajtohet dhe problematika e politikës aktuale dhe marrëdhëniet konfliktuale mes drejtuesve të qeverisë së Shqipërisë dhe Departamentit të Shtetit Amerikan, (larg syrit të publikut), përmes ambasadës së USA në Tiranë. Elementi “triller”, shumë i pëlqyer nga lexuesit e rinj, nuk trajtohet si akt, por përmes nënkuptimit të vdekjes së një personazhi, dhe paaftësia e drejtësisë për të adresuar vrasësin dhe krimin politik.  Me pak fjalë, romani përmblidhet:  Drejtësia vonon, por nuk harron ose  drejtësia shëron.

    Me këtë roman të pasur në stil dhe përmbajtje Bislim Ahmetaj e rendit veten menjëherë në mesin e romancierëve bashkëkohorë shqiptarë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË