More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ecje natën", poemë nga Sokol Zekaj

    “Ecje natën”, poemë nga Sokol Zekaj

    Më pëlqen me dalë kur dita erret
    në rrugë të qeta
    -që ngjajnë të pahistori
    por që kanë histori
    të vjetër a të re-
    kur gjallojnë kalimtarë të rrallë
    me hapa të shpejtuar
    që thonë se diçka po fillon
    a me hapa të lodhur nga dita
    që thonë se diçka tashmë ka mbaruar
    Ku ka njerëz, do ketë dhe histori

    Me ecë kështu pa shumë emocione
    por jo dhe fare pa to
    ndërsa dëgjon rrëfenja
    ditësh o motesh të shkuar
    të thëna si në ëndërr
    nga gjethet e drurëve

    Zbrita poshtë nga Selvia…
    E kam fjalën për Rrugën e Dibrës
    Shiu ka lënë fresk në ajër
    dhe zane të padukshëm
    që pikojnë mbi pllakat e errta
    të veshura
    me një fletë të hollë drite
    në fakt, uji që shkëlqen

    Sheshi është një pasqyrë magjike
    e natës që ra

    Ndriçimi u bie drurëve dhe heronjve
    me shtat të lartë,
    më pak luleve
    fshehur në streha hijesh
    që sidoqoftë zbukurojnë pa bujë
    fundin e fustanit blu të natës
    ndërsa erëmojnë lirisht me aromat
    Nata është grua

    Era që shoqëroi retë pas Dajtit
    me mëndafshin e vet
    të butë, nga lagështia
    e një mjegulle të tretur
    fshin fasada, xhama, drita
    për më shumë shkëlqim
    këtu dhe atje
    deri te Venera dhe Marsi
    ku tash unë marr një pikë ngjyrash
    dhe shkruaj këtë poemë

    Ah! Horizonti është larg
    dhe hapat tanë janë kaq të vegjël
    Lutjet tona janë zaulta
    Përgjigjet janë të ashpra
    Ne jemi kaq të brishtë
    Për çdo hap që hedhim
    na duhet me u ndalë
    me ngopë mushkritë me frymë
    dhe zemrën me besim

    Kështu po mendoj duke ecur
    a po ec duke menduar…

    Befas një vetimë fërfëlloi
    dhe m’i trembi sytë
    që mu shndërruan në flutura
    Pashë: as bubullimë as re!
    E pra ajo qe një vetimë…
    Ndoshta qe një kujtim…

    Kam jetuar çudira netësh
    në rrjedhë vitesh,
    por sa e çuditshme kjo mbrëmje!

    Nuk e pata menduar
    se kisha me pa një qiell kaq të bukur
    me yjet kaq afër
    sikur jam në majë të një mali
    siç kam qenë herë-herë
    me qytetin poshtë në luginë
    jo, nuk e pata menduar
    dalja ime qe një letër e bardhë
    si një lindje

    Yjet na zëvendsojnë
    gjëra që nuk i kemi
    por i ëndërrojmë
    ndonëse pa na shpëtuar nga mungesat
    veç edhe pa na zhgënjyer

    Prandaj unë kam ëndërruar një poemë
    që na i shton yjet
    dhe na i sjell ma afër
    mundësisht brenda zemrave tona

    Hëna zgjat gishtat te shatërvani
    merr ujë dhe ua hedh yjeve
    që menjëherë bëhen të freskët
    fruta nate
    që teksa pikojnë ndër gjethe drurësh
    bien tok në ujëra
    por duke mbetur në drurë
    për një tjetër natë
    për shumë netë të tjera
    Vjeshtë… gurgullimë…

    Them: Turjela e shpon drurin
    duke i mbledhur forcat si ulluku ujërat
    çdo pikë rrjedhëse
    duke u rrotulluar në hapësirë
    drejt një pike
    në një rënie
    në një gurgullimë
    në një pakthyeshmëri
    në udhëtim kah deti
    me alga dhe anije të mbytura…
    Marangozët kanë krahë të fortë

    Ne ecim ditën, natën
    shohim para, pas:
    Shurdhëri
    dhe pluhur!

    Poezia është plot me gjëra
    që kanë za dhe dritë
    që zemra jote i merr të pastra
    për rruazat e gjakut tënd
    si lulja që e ndan pjalmin nga pluhuri
    për farën e vet

    Aty ku njerëzit lexojnë poezi
    gjërat përreth marrin emocione

    Thonë se nuk është e lehtë me qenë poet
    Disa thonë: është bekim
    Disa thonë: mallkim
    Disa: nuk është ndonjë fat…
    Unë them se poezia në radhë të parë është ton

    Vjeshtë, ti je një histori e bukur për ne
    një histori poezie
    me të ftohtët e athët
    në ajrin e kulluar
    si vera e vjetër
    buzë zjarrit të dashurisë
    ndërsa dëgjohet një nocturn i Chopin-it
    a me tufat e gargujve
    në kërkim farash që poqi vera
    e nxehta verë e gjatë
    skenë zhurmash dhe dritash
    që mbyllet me një perde shiu!

    Kur arrin një moshë
    dhe vëren se lidhja me natyrën të ka mbetur po ajo,
    e ndjen si gjënë e rrallë
    mes gjërash që ke pasë të çmuara
    që sot janë veç kujtime
    por që na kanë shoqëruar në jetë
    për mua, po them, përkrah me poezinë
    nuk e di për ty…
    Edhe unë kam djegur disa poezi

    Ecja është një dhuratë që i jepet gjithkujt
    të riut dhe të vjetrit
    sidomos të riut
    të pasurit dhe të varfërit
    sidomos të varfërit
    Dënimet jepen për t’mos ecur

    Rrugët mbajnë emra heronjsh
    për t’i kujtuar ata
    Rruga Sami Frashëri
    Rruga Gjergj Fishta
    për t’u dhënë histori nderi rrugëve
    për t’ua fshirë shijen e hidhur
    të fjalëve: rrugaç
    apo grua rrugësh
    Sa i çuditshëm njeriu!

    Mbaj mend, te këta drurë
    duke lidhur këmbët litar me njëra tjetrën
    dikur kam mbështetur supin
    për të parë asgjë
    veç një re në qiell
    në një çast qetësie:

    Në pastë qenë e zezë
    kam pritur se zbret
    në pastë qenë e bardhë
    ka qenë e paarritshme!

    Ah, ajo kohë mundimesh
    që gjendeshin pa mundim
    -që vërtet ka ekzistuar
    unë kam lundruar në atë kohë!-
    ndërsa duheshin shpikur
    si magjia nga gërshëra dhe tymi
    drita dhe buzëqeshja
    nga sytë dhe nga buzët tona

    Por kur një viti po i mbaroheshin ditët
    asaj kohe iu mbaruan vitet
    siç dikush e kish parathënë:
    në brezninë e tretë pas revolucionit!

    Ah! ai viti ‘90
    sa shumë shpresa kishte!
    Por sa i trishtuar do qe
    sa stresues
    nëse do parashihej tuneli i shkundullimave
    i krejt dekadës vijuese
    i frikshëm dhe goditës
    për më tepër, si tuneli i La Manch-it
    pa një rrugë të dytë
    për me kapë Tokën e Premtuar!
    Sa i trishtuar dhe stresues do qe!

    Sa për vete
    them: dyzetetre vjeç shkruaja librin e dytë
    që më qe si lokomotiva e kohës
    në hekurudhën që i viheshin minat…

    Më vijnë nëpër qiell kujtime
    te kjo poemë e pashkruar
    si jeta kur doli nga zjarri i yjeve
    dhe kërkonte një Tokë

    Vegim!… Feksje e një lules së paçelur
    o e një lules së çelur
    por të fshehur mbas një guri
    të një dhembjes së vjetër

    Ah! pluhuri i atyre viteve
    që ngrihej nga rrënojat
    jo shumë vite më parë
    por nja dy a tre
    a ndoshta më pak
    a ndoshta ma shumë
    kërkonte sy
    kërkonte mushkri
    kërkonte ëndrra njerëzore
    kërkonte plagë
    ndërsa shirat qenë të rrallë
    Më e rrallë se shirat
    qe lumturia

    Kujtoj çfarë unë kam dashur:
    me u këndue luleve dhe drurëve
    dhe njerëzve që i rritën ndër mundime
    me u këndue zaulët
    por me shpirt
    me u dëgjue pranë
    rreth vetes
    në rrezen sa zgjatej hija ime

    Tash fletët e poezive të mia
    si gjethet e mollës
    bëjnë fotosintezë me diellin e zemrës tuaj
    me emocionet, vesë agimesh
    me dashurinë tuaj bajnë frutat e ambël

    Poemat e mia vijnë të ngrohta
    si dora për dorë
    dhe të lexueshme
    si syri për sy
    Nëse ju fanitet diçka
    asht hija e shpirtit tim përballë dritës
    në mesditën e pranisë
    të zanë nga lulet e mungesës

    Tash poezia ime e rritur
    udhëton
    me avionë a anije
    apo ec më këmbë, kështu si unë
    po ec tani
    kështu si kam ecur
    gjithë jetës
    mes dritës së një ylli të largët
    dhe territ të një honi pranë
    me mendimet
    shfletuar nga ernat e jetës

    Poeti është si pylli
    që errësirën e ka të dendur
    ndërsa dritën, të larushitur

    Ndaloj në vend: një burrë vrapon!
    Shikoj përreth: heshtje!
    Them: ndonjëherë ne rendim si era
    drejt diçkaje që s’e dimë
    të shtyrë nga diçka që nuk e njohim…

    Por ja, era endet
    andej-këndej, ndër degë dhe gjethe
    si një grua e kujdesshme
    me fustanin e fryrë
    dhe me merakun e hollë

    Drurët janë fëmijtë e erës!

    Kur lodhet, era ulet te një barinë
    dhe qetësohet me sytë kah yjet
    sa thua nuk merr frymë

    O netë të ndriçuara nga hëna
    nga uji dhe nga era
    nga kujtimet dhe pasionet
    nga sytë dhe nga dashuria!

    Siç bie shi
    sapo thahet bari
    siç lind një foshnje
    sapo vdes një plak
    ashtu po bëhet kjo poemë
    kushedi çfarë po vdes në mua!…

    Por ndër dallgë jete kuptova
    se nostalgjia nuk duhej t’qe e preferuara ime
    se duhet kërkuar saktësia
    edhe atje ku mbizotëron kaosi
    se nuk duhet me hedhë vallen e huaj
    në këmbim të asaj që këmbët e tua dinë
    Të gjitha këto më çonin te vetmia
    por pa qenë rob i vetvetes

    Tash të ndiej, zemër
    si një e ftuar e zgjedhur e parajsës
    dhe si dëshmuese e ferrit
    ndërsa ke kaluar jetës sime
    duke dhënë zemër!

    Por ti gjithmonë do e kërkosh dritën e qiellit
    mbi degë të errta drurësh
    poshtë të cilave dëgjohet një tingull
    sikur fara e pjekur bie
    nga boçja e çarë e jetës

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË