More
    KreuLetërsiBibliotekëDy poezi nga Nurie Emrullai

    Dy poezi nga Nurie Emrullai

    Çfarë kërkojmë këtu?

    Përshpëritjet avullohen nëpër dritare të shtëpive,
    ku zihet pyetja: «Ç’bëjmë këtu?»,
    që hojëzohet nëpër vena gjaku,
    dhe lëshon lëngun e kuq të gështenjave, që thinjat mbulon…
    Dhe gjithnjë na pret këtu.

    Diku përhapet zëri i Jeremy Irons- duke kënduar:
    “Here we go round the prickly pear
    Prickly pear prickly pear
    Here we go round the prickly pear
    At five o’clock in the morning.”

    Preludi 853 i Bahut fillon dhe Nostalgjia vazhdon e vazhdon…

    Dhe vjen e me rrit koha,
    zemrën e saj ma çel.
    Atje, thotë ajo, atje n’fund,
    ku fshati nuk është më fshat,
    jetojnë gojët e liga, që nuk mësojnë se ku jetojnë,
    ata, janë të sëmurët me idenë e shtëpisë.
    A e dëgjon tani, si shkulmi i tyre ma djeg fytyrën,
    kur kasnecojnë: “Çfarë kërkojmë ne këtu?”

    Avullon dhoma, avullojnë dhe fytyrat,
    nuk lexohet gjë në dritare.

    Mëngët e jetës janë zgjatur e tejzgjatur
    nga tërheqja e gishtave të kohës, që s’kanë guximin e pritjes,
    të një agu të bardhë, që i bardhë vallë kur do jetë?

    Dhe ky refren sa vjen e shumohet,
    epidemi që kalb zemra,
    refren që u ngjitet spitaleve të mbrojtur nga hija,
    që Zoti nuk i sheh, se dritaret janë zënë me pasqyra,
    Zotit nuk i takon pjesë në parajsën e vetëkrijuar.

    Dhe kërcëllohen dhëmbët nga ftohtësia e njeriut që takojnë,
    se ai është pasqyra ku u pasqyron shpirti.

    E më pas lulet, gjethet dergjur mbi gërmadha varresh
    pyesin:”ne ç’kërkojmë këtu?”
    Dhe bie shiu, shiu bie bie dhe sheston gjurmët e këmbëve
    Dhe gjithçka që syri juve ua zë, gjithçka që shpirti juve ua ndjen…
    zëri tërfëllon nga rrënojat: “Po ne ç’kërkojmë këtu? Po ne ç’kërkojmë këtu?”

    Dhe kush dëgjon në këtë zbrazëtirë,
    e cila ruan me mijëra vite‒një fjalë që u tha,
    e ajo që s’u tha, vazhdon e pret të thuhet?

    Dhe a do të vijë koha kur do të zëvendësohet me diç më kuptimplotë,
    diç që të jetë më e arsyeshme këtu ku jetojmë?
    Ndoshta thjeshtësia të mos e dijë se ekziston ndërlikimi,
    dhe ëndrra të mos frikësohet së prituri,
    dhe udha të mos e di se diku mbaron
    dhe asnjë të mos e di se ka gjetur dashurinë,
    se të gjithë humbim nga frika e mos humbjes…
    si fëmijës që i humbet dhëmbi në gjumë…
    Dhe zana ia merr nga nënkresa. Thonë zana… Jo. Jo.

    Dhe toka të mos harrojë butësinë,
    dhe ato lule të vesojnë mbi gërmadha të asaj nënkrese atje në fundbark…

    Secila gjë në rrugë të vete pa asnjë fund…

    Secili në heshtje do të pyetet: “Po unë ç’kërkoj këtu?”
    Mjafton të mos presësh përgjigje,
    Mjafton të dish se ke nisur një rrugë të pafund…


    Udhëtar pa udhë

    Të pashë ç’etje të kishte pushtuar sytë,
    Udhëtar, sa kohë ke ndenjur kaq i etur?

    Goja ime pëshpërit përrallat e netëve të tua,
    Udhëtar, sa kohë ke ndenjur pa fjetur?

    Duart e mia pranojnë diellin e syve të tu,
    Udhëtar, sa kohë të mori errësira që ta jetosh?

    Udhëtar, sa kohë ke menduar se lirinë duhet të ta falin të tjerët?
    Sa kohë t’u desht të çlirohesh nga prangat e mendjes?

    Sa kohë të duhej të dalesh nga vetja
    për të parë se ti je mbi të, udhëtar?

    Sa kohë të duhej që të kuptosh se
    ai që e do të vërtetën, të tjerët…
    nuk merr guximin për të folur aq lirshëm, aq bindshëm…

    Këmbët e mia vrapojnë për trupin tënd,
    Udhëtar, sa kohë më kërkon dhe ti mua?

    Shtyhemi nëpër turmë
    dhe kërkojmë gjithnjë atë
    që duhet të jetojë aty për ne…
    Udhëtar, udhëtimi yt fillon me gjetjen e rrugës tënde.

    Na‒na‒tyrë

    Largoma tutje mjegullën e syve.
    Dua të jem unë shullani ku dielli rri,
    dua unë të jem dega ku zogu gjallnon.

    Ah, këto dëshirat e mia,
    që asnjë realitet me kohën nuk kanë,
    që asnjë ndjenjë njerëzore nuk përmbushin.

    Këto dëshira që janë vetë natyra që unë jam
    edhe kur s’jam e tillë
    edhe kur s’mendoj më.

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË