Intervista është një mënyrë komunikimi bashkëkohore universale, nëpërmjet së cilës sqarohen drejtpërdrejt para të interesuarve probleme të caktuara. Të lexuarit dhe të parët me sy, të dëgjuarit me veshë të të intervistuarit, me anë të mediave, krahas popullarizimit, krijojnë intimësi dhe rritin përgjegjësinë e tij për ato që thotë, sepse, pas kësaj, do të jetë i ballafaquar me publikun. Shkrimtarët dhe artistët, të mbështjellë me një tis magjie, si pasojë qoftë e ndikimit të madh të veprave të tyre, qoftë e fantazisë subjektive të adhuruesve, me anë të bisedës bëhen “tokësorë”, të afërt, më të kuptueshëm, dhe, gjithsesi, më të mundshëm për t’u familjarizuar, prekur, pse jo edhe për t’u barazuar me ta.
Po intervistuesi, kush do të duhet të jetë? Cili është roli, ndihmesa e tij?
Ai, në radhë të parë, do të duhet të jetë specialist i fushës, njohës i veprës dhe i jetës së shkrimtarit a të artistit, për t’i zbuluar me pyetje thellësitë e vetëdijes, karakterit, laboratorit krijues, dhe, më kryesorja, sa më afër në shkallaren kulturore me të, për ta detyruar të përgjigjet për fshehtësi thelbësore, madje, edhe për ato, për të cilat nuk ka dëshirë të shprehet.
Njësia e letërsisë
Krijimtaria e shkruar në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, në diasporën e re dhe në mjedisin e arbëreshëve të Italisë e të Zarës, në Kroaci, përbën letërsinë shqipe bashkëkohore. Pavarësisht nga rrethanat në të cilat është shkruar, kahet apo drejtimet e ndryshme, deri të kundërta, në tërësi, ajo është një, sepse vetiu është e njësuar në tiparet thelbësore e më të qenësishme.
Së pari, e gjitha është shkruar në gjuhën shqipe. Ka një përputhje universale midis letërsisë dhe gjuhës në të cilën është shkruar, dhe prej së cilës merr emërtimin… Letërsi shqipe është e gjithë ajo që është e shkruar në gjuhën shqipe, qoftë edhe në shqipen mesjetare, në arbërisht.
Së dyti, sepse pas miratimit të gjuhës standarde (1972), me disa përjashtime, është shkruar me të, argument i padiskutueshëm i vetëdijes njësuese të shkrimtarëve dhe i vetë njësisë së saj. Përpjekje për t’u afruar a për të shkruar në shqipen standarde ka pasur edhe nga autorë arbëreshë.
Së treti, sepse është zhvilluar mbi traditën e përbashkët prej autorëve të vjetër: Marin Barleti, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani; rilindësve: Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Faik Konica, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda; autorëve të mëpasshëm: Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Migjeni etj.