More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDurim Taçi: Atij që rron e atij që vdes

    Durim Taçi: Atij që rron e atij që vdes

    Një ditë pasi kisha marrë në dorë librin e fundit të Elvira Donesit, “Jeta e shkurtër e Lukas Santanës” (La nave di Teseo 2023), ndahej prej nesh i madhi Kormak MkKarti. Një shkrimtar që e kam vlerësuar gjithmonë, prandaj ikja e tij më ‘ngacmonte’ vijimin e leximit. Ecja përpara dhe po e nuhasja se kishte edhe diçka tjetër që më sillte aty ndër rreshta pikërisht MkKartin. Fakti, që romani i ri Donesit i vendos ngjarjet në botën hispaniko-amerikane. Pa ka edhe tjetër, diçka edhe më të rëndësishme: stili minimalist, karakteristik i MkKartit, një mënyrë rrëfimi që ia del të kondensojë e të shprehë njëkohësisht, i cili më bëhej se vinte edhe aty në shkrimësinë e Elvira Donesit.

    Po, sipas meje, këtë radhë do të gjeni një Dones në versionin Kormak MkKarti! Edhe pse askush nga shkrimtarët e mirë, thellë-thellë, nuk e ka me qejf të krahasohet me dikë, kam përshtypjen. 

    Dhe ja ku mbërrin një paragraf që mua më tingëllon gjenial. Më lë të kuptoj se mbetemi sërish tek minimalizmi, por ky përforcohet tani me intensitetin dhe elementë të tjerë të rinj e, për magji, më bën të përshëndetem me fantazmën e MkKarthit e të zhytem përfundimisht në leximin e Donesit. Shtegun ma hapën këto fjalë:

    “Ai del nga dhoma, mbyll derën me dy kanate, zbret shkallët e fjetores dhe, fillon të vrapojë nëpër natë pa e vrarë mendjen drejt atij që rron e atij që vdes”. Po ndieja sikur autorja po fliste për dhe me mua.

    “Jeta e shkurtër e Lukas Santanës” është përcaktuar si “një roman koral i një intensiteti të lartë, që di të përftojë shpresa e humbje vetiake përtej sferës së ligjeve”. Mendoj se në këtë hulli rrjedh zakonisht edhe letërsia artistike: trilleri, për shembull, ndërtohet “përtej sferës së ligjit”, me personazhe të cilët duan të zgjidhin problemet e tyre në luftë kundër një mjedisi në dukje ligjor, por që është armiqësor dhe absurd.

    Mirëpo, që nga faqet e para të lexuara, nuhas mënjëherë që këtu duhet ti bëjmë llogaritë me legalitetin e vërtetë, atë të krijuar nga ne njerëzit, e për këtë shkak shkurajues, i cili kur na vihet kundër, dobëson veprimin dhe reagimin tonë. E prandaj, në të tilla raste lypset një tjetër letërsi, pikërisht ajo që kam përpara, me një vulë të fortë gazetarie, tipike e Donesit edhe në librat e saj të mëhershëm, e cila nuk mëton t’i ikë por rri e ushqehet me këtë realitet të ashpër, gjen në intensifikimin motorin që do të çlirojë një reagim shumëfish: ajo atmosfera e tmerrit, ndjesia vetiake si të kesh ngrënë një grusht stomakut, të cilën e kam përjetuar në romane e tjerë të saj, këtu vjen e bëhet një reagim me rreze të gjerë, ku ndjesitë, reagimet, mëtojnë të përjetohen bashkë me të tjerët. Leximi im copëzohet e më ikën ajo ndjesia e të qenit një lexues i vetmuar. Toni rrëfyes këtu ka timbrin e polifonisë së një kori personazhesh që vijnë nga e gjithë bota dhe, si lexues, ndihem njëri prej tyre, jam i lidhur me ta përdore në një udhëtim të përjetshëm ‘drejt atij që rron e atij që vdes’.

    Po çfarë ndodh përreth historisë së Lukas Santanës, që po jeton prej dhjetë vitesh nën sqetullën e vdekjes edhe pse nuk ka vrarë askënd? Po, ka shkelur Ligjin mbi Bandat dhe për shtetin e Teksasit dënimi i tij është vdekja.

    Përreth këtij personazh-bërthamë sillen rrotull të tjerë satelitë. Në rrethin e parë pjesa më e madhe janë gra e vajza të thirrura në apel thjesht për të vuajtur në mënyrën e tyre. Këtu lexuesi mashkull vihen menjëherë në pozitën e një katarsisi. Janë meshkujt, për fat të keq, që e godasin gruan, në fillim me praninë, e pastaj më fort, me braktisjen e tyre. Se paradigma e braktisjes mashkullore godet, gjithmonë e kudo qoftë, atë, gruan. 

    Beatriz Macedo, vajza që Lukas ka njohur vetëm tre muaj para arrestit, nuk ndjek më ëndrrat që ka thuruar për jetën e saj, po i shkon pas atij edhe në mungesë, kur më parë, në fëmijërinë e vet, ka njohur braktisjen nga babai që ka lënë familjen; Mirami, nëna e Lukasit, keqtrajtuar nga burri i parë, tani jeton burgun e të birit si jetë të saj të dytë. Tezja e tij Ines, motra më e vogël e nënës, e cila jeton në Kaliforni, edhe pse për të çuar deri në fund një karrierë intelektuale, përveç dhimbjes për humbjen e vëllait Abel, vuan njësoj edhe për nipin e saj. Falma, mikesha e Inesit, me origjinë shqiptare, duket sateliti më i largët i mbërritur nga vuajtja.

    Po ja ku hidhet poshtë e gjitha: se ka edhe një rreth të dytë satelitësh, personazhe mashkullorë që vuajnë përreth Lukasit: Tierri Morel, një student zvicerano-frances që po mbron doktoraturën në Kriminologji, jep e mer me të dënuarin, shkëmben letra të ndiera; Shenjtori, një i dënuar afro-amerikan, që e ka qelinë ngjitur me Lukasin, është mbështetje për të me këshillat e natyrës folozofike.

    Këto tipe vuajtjesh nuk janë një përplasje midis mashkullores dhe femërores. Është fjala për nevojën njerëzore për përkrahje. Ndjesia e Lukasit para vdekjes mund të sillet me fjalët e Klarisë Lispektorit, – shkrimtare, gazetare dhe përkthyese ukrainase e natyralizuar braziliane –  e cila edhe citohet nga Dones në roman, që thotë: “Të vdes do të thotë të ndërmarr rriskun më të madh, pasi nuk do di të kaloj nga vdekja e të bëj atë hapin e parë fill pas humbjes sime – edhe në atë orë të fundit sikurse më parë do ta shpik praninë tënde të panjohur mik, se vetëm në shoqërinë tënde, do të filloj të vdes e derisa sa të mësoj vetë të mos jem më, atëherë do të lë të lirë. (Pasioni i G. H., Feltrinelli 2019). Po, Lukasi ka pasur nevojë të shoqërohet e të ndihmohet për të vdekur.

    Po shkruaja në fillim për stilin: minimalist dhe intensiv. I tillë ka qenë edhe udhëtimi im i leximit të këtij teksti dhe kam pasur përshtypjen se isha pjesë e një kortezhi që proteston jo ndaj vdekjes si e tillë, por kundër projektimit të saj të errët mbi jetën.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË