More
    KreuLetërsiBibliotekë"Drita e brendshme", poezi nga Harry Martinson

    “Drita e brendshme”, poezi nga Harry Martinson

    Përktheu: Qerim Raqi

    NATË QERSHORI

    Tani dielli është duke perënduar
    me shkëlqimin e tij na verbon
    Kufiri i muzgut bëhet orë e agimit
    as e hershme as e vonë

    Liqeni bartë dritën e mbrëmjes
    duke rrëshqitur nëpër pasqyrën e ujit
    apo nëpër valët me dyshim
    të cilat shumë para se të errësohet
    reflektojnë agun e ditës me rrezim

    Nata e qershorit kurrë kurrë s’përfundon
    i ngjan më shumë një dite me vesë
    ngrihet në perëndim si një mbulesë
    dhe ikën tutje në detëra ndriçon


    MBRËMJA NË FSHAT

    Enigmë e heshtur pasqyrohet
    rrotullon mbrëmjen
    në qetësi kallami.
    Këtu është një lehtësi që askush nuk e vëren
    në pëlhurën e barit.
    Bagëtia e qetë që shikon me sy të gjelbër.
    Ecin mbrëmjes së qetë deri poshtë tek uji.
    Dhe liqeni u jep ujë të gjitha gojave
    me lugën e tij gjigante.


    RRËFIMI I KËNGËS

    Ka gjëra që as nuk duam t’i dimë as t’i besojmë:
    se lulet janë të verbëra, se hëna ka vdekur,
    që zambaku i ujit kalbet deri në vjeshtë.
    Lyra ka këngën e saj.
    Ndjenja ka lojën e saj me gjuhën.
    fjala me fjalën në rrathë
    duke kërcyer gjirot e tyre
    në mjegullën e pyllit të kuq të hënës.
    Një gjuhë endacake e ëndrrave
    në të cilën kërkohet dhe jepet kënaqësia
    për shkak të dëshirës për një mirësjellje zbukuruese
    kundër vdekjes gjithmonë të sigurtë të shëmtuar të kalbur.
    Përballë këtyre perspektivave, fjalët bëhen spontanisht kukudhë.
    Përrallë e modës së vjetër që lëkundet me fundet e saj të zambakut.
    I goditur nga njohuritë, i shqyrtuar.
    Ende e gjallë, duke u ngjitur në marramendje
    nën besimin e vet
    dhe duke kërcyer me radhë
    në tonet e kësaj loje të gjuhës sonë luginës së natës.


    DHIMBJA E MADHE

    Ligjet e natyrës janë tashmë në rrugë
    për të na vënë të gjithëve për muri.
    Ky mur është ligj i natyrës.
    I mungon ungjilli.
    Dhimbjen e madhe duhet ta ndajmë të gjithë.
    Atëherë bëhet e mundur ta mbajmë.
    Trishtimi i madh është pikëllimi i madh.
    Këtë duhet ta mësojmë të gjithë.

    Është dhe duhet të ekzistojë
    një domosdoshmëri për të gjithë.
    Të gjithë duhet të mësojnë të ndjejnë dhembje për botën.

    Kur njeriu tani ka fuqi të mjaftueshme
    për t’ i shkaktuar pikëllim botës
    atëherë ka ardhur koha
    për të kuruar me kohë pikëllimin e botës
    para se e gjithë natyra të bëhet
    një fëmijë pikëllimi i të gjithëve.

    Ky quhet kujdesi në kohë.
    Dhimbja e vërtetë
    që me kohë vrojton dhe kupton.


    DHEMBJA DHE GËZIMI

    Çdo dhembje e thellë
    ka gëzimin e humbur si qëllim
    Mos e humb këtë drejtim

    Mos e lërë dhembjen ta harrojë detyrën e saj,
    dhembja është nderi më i madhë 
    që gëzimi mund ta ketë. 


    DRITA E BRENDSHME

    Në hapësirat e brendëshme, në më të voglat, luhet një lojë e heshtur dhe e vazhdueshme ngjyrash
    e pakapshme për syrin
    Është drita e mbërthyer
    që dikur në çastin e krijimit
    lindi nga brenda dhe qëndroi aty në lëvizje
    pasi të jetë ndarë në spektrin më të vogël
    sipas ligjit prizmatik
    me shifra të përziera që nga ata që shohin do të quhej ngjyrë
    nëse ndeshen me sytë që shohin.
    Ato lëvizën periudha
    jashtëzakonisht të vogëla kohore e hapsinore
    e megjithatë kohë dhe hapësirë të mjaftueshme për intervalet më të vogëla.
    Në fakt dukej sikur kishin mjaf kohë e hapësirë.
    Cikle të tëra nanosekondash dhe nanohapësirash
    prej dritës së bardhë deri te ngjyrat e spektrit
    dhe përsëri te drita e bardhë.
    Një lloj frymëmarrje e dritës.

    Fotonet merrnin frymë dhe pulsonin me njëra-tjetrën
    ndërronin shenjat dhe nivelet.
    Kështu drita mbahej në lëvizje
    në drejtpeshimin spektror
    nga dritë e dendur në atë ndarëse
    dhe prapë në dritë të dendur dhe ndarëse
    në cikle spektrore
    pambarimisht në përsëritje.

    Ishte si një lojë erashke
    sipas ligjit të njëjtë që vlenë për ylberë,
    por me erashka të hapura dhe të mbledhura
    që këmbeheshin me njëra-tjetrën
    sipas një ligji të dritës që ishte i shkruar.
    Ishte drita kur vallëzon mbështjellur
    kur e brendshmja udhëton drejt së jashtmes dhe shihet…
    *
    Është në natyrën e dritës
    që të mund të mbyllet kështu
    e megjithatë të mos shuhet gjatë lëvizshmërisë së saj
    që të qëndroj edhe në errësirë
    si mendim, ide dhe dije
    që ta mbaj në mend ndryshueshmërinë e saj
    dhe të arrijë të vallëzojë, lojën e ndërsjellë
    Kështu me artin e saj drita mban tubat e materies
    dhe këndon me krahët spektror të dritës
    himnin e përjetshëm të universit


    ANIARA

    Në vitin e gjashtë Aniara
    me shpejtësi të pazvogëluar
    mori drejtimin kah zodiaku Lyra
    Astronomi i shefit mbante një ligjëratë
    mbi emigrantët në thellësinë e gjithësisë.
    Në dorë mbante një brokë të bukur qelqi:

    Ne kemi filluar ta kuptojmë se gjithësia
    drejt së cilës shkojmë është e një natyre tjetër
    nga ajo që kemi menduar gjithëherë kur
    është thënë fjala gjithësi
    në Tokë mbështillej me fantazinë tonë.
    Kemi filluar ta kuptojmë që humbja e rrugës sonë
    është edhe më e thellë se sa kemi menduar në fillim
    se dija është një naivitet blu
    sikur nga një masë vizioni
    ka lindur ideja që Enigma ka strukturë.
    Ne e kuptojmë tani se atë që quajmë gjithësi dhe qartësi kristalore rreth trupit të Aniares
    është shpirt, shpirt përjetësie i pakuptueshëm
    aq sa kemi humbur në detin e shpirtit.

    Anija jonë kozmike Aniara udhëton kah diçka që nuk e posedon asnjë mendje dhe nuk ka nevojë për asnjë substancë të trurit.
    Ajo udhëton në diçka që është
    por që nuk ka nevojë të rrugëtojë rrugës së mendjes;
    një shpirt që është më shumë se botë mendore.

    Po, përmes Zotit , Vdekjes dhe Enigmës
    udhëton anija jonë kozmike Aniara pa cak e pa gjurmë
    O, sikur të mund të ktheheshim në bazë,
    tani që kemi zbuluar ku ndodhet anija jonë:
    një frymë e vogël në qelqin e shpirtit të Zotit.

    *
    I tmerruar nga kjo qartësi unë ika nga të ftohtit
    nga salloni-mimi tek drita e kuqe, në sallën e vallëzimit, e gjej Daisin aty
    Unë hesht, përqafimi i saj më shpëton
    unë lutem të hyj në një organ me qime
    ku qartësi e ftohtë e vdekjes nuk ekziston.
    Aty jeta ndizet në kthinat e Mimit
    Në vagjinën e Daisit jetojnë luginat e Dorisit
    ku pa mbrojtje e pa rrezikun e asnjërës
    ne harrojmë qiejt rreth Aniarës.
    **
    Koha dhe vitet kalonin në gjithësinë e ftohtë e të ashpër
    Jeta bëhej gjithnjë e më e përjetshme për shumicën që ishin ulur aty
    duke soditur në dritaret e gjera, duke pritur që ndonjë yll
    të shkëputej nga të tjerët, të vinte më afër, më afër
    **
    Fëmijët rriteshin dhe loznin nëpër tundrat e mbërthyera
    në dyshemen gjithnjë të vjetruar dhe me gropa të sallës së ballos.
    Kohë të reja, zakone të reja. Yurgeni ishte harruar tashmë
    në një dalldisje vallëzimi Daisi flinte gjithnjë në guaskën e saj
    në rrethin ku flinin vetëm valltaret profesioniste.
    **
    Por unë vetë qëndroja ulur dhe mendoja për të mrekullueshmen Kareli.
    aty ku dikur kisha jetuar, ku kam pritur një jetë të tërë dhe kam qëndruar më shumë se tridhjetë dimra dhe njëzet e nëntë vera, 
    para se të provoja vende të tjera, fate të tjera gjatë shtegtimit tim të ngadalshëm.
    **
    Kujtimet më vijnë të ndritshme. Këtu në gjithësi nuk ka pengesa, 
    të gjitha kohërat njëjtësohen dhe më kujtohen mbretëri të ndryshme
    fragmente nga shtegtimi im i gjatë.

    **
    Më i bukuri ndër më të bukurit shkëlqim duket mbrëmja në Kareli. 
    Si një shkëlqim i ujit mes pemëve, si një verë me dritë
    në motin me diell qershori kur mbrëmja nuk arrin të errësohet
    para se të këndoj qyqja që me këngen e saj t’a thërras të ëmblën Aino , për ta marrë mbulesen e mjegulles me vete, të ngrihet nga uji i qershorit
    e të ecën në drejtim të kundërt me tymin e ngritur, të shkojë
    te qyqja e gëzuar,
    në Karelinë pëshpëritëse. 

    **
    Ne erdhëm nga toka, vendi Doris,
    perla e sistemit tonë diellor,
    i vetmi planet ku Jeta gjeti
    një vend nga qumështi dhe mjalti.
    Përshkruaje natyrën që ishte aty,
    ditët që atje agonin.
    Përshkruaji njerëzit që në dritë
    qepnin kostumin e vdekjes për fisin e tyre
    derisa Zoti dhe Djalli dorë për dorë
    në një vend të shkatërruar, të helmuar
    iknin kodër pas bregu
    nga njeriu: mbreti i hirit

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË