More
    KreuLetërsiBibliotekëDr. Jorina Kryeziu (Shkreta): Sa e lehtë e sa e vështirë të...

    Dr. Jorina Kryeziu (Shkreta): Sa e lehtë e sa e vështirë të studiosh Kadarenë…

    Përvoja e studimit të një shkrimtari të madh në një vend të vogël

    Asnjëherë s’do ta kisha menduar veten të shkruaja të vërteta “të hidhura”, pasi të vërteta “të ëmbla” për veprën kadareane kam shkruar.

    Më duhet të ndaj me lexuesin tashmë, përveç studimeve e hulumtimeve të deritanishme, edhe rrugëtimin tim disavjeçar në studimin e veprës së mjeshtrit Kadare. Pavarësisht studimeve universitare e atyre doktorale për prozën e shkrimtarit, mbeten të pashlyeshme takimet e bisedat me të që kanë qenë ndihmë për saktësimin dhe plotësimin e disa çështjeve që ende prisnin dritësimin.

    Nga t’ia nis: nga dyert e mbyllura, apo nga vullneti i hekurt? Po e nis prej këtij të fundit, se ai gjithnjë të zbardh faqen.

    Para se të merrja titullin “doktor i shkencave”, një pasuri e madhe më ra në dorë në gjurmimin e veprës qysh në zanafillë. Një kinse “shtojcë-bibliografi” e punimit tim u shndërrua më pas në një libër të mirëfilltë, duke mos e prekur aspak strukturën e studimeve doktorale. Hulumtimeve të gjata po u vinte fundi teksa një pasdite më ra ligsht prej lodhjes e m’u desh të mbahesha te skedarët e Bibliotekës Kombëtare teksa kërkoja me ngulm të gjeja antologjinë e parë në gjuhë të huaj, në të cilën ishte përfshirë shkrimtari Ismail Kadare. Po ashtu të saktësoja shkrimin e tij të parë ishte një problem më vete sa i përkiste vitit të botimit. Kadareja nga Franca, në një lidhje telefonike, më jep një tregues kyç që lidhej me vdekjen e shkrimtarit rus Andrei Zhdanov. Një e dhënë e tillë nuk përkonte me çka ishte botuar deri në atë kohë.

    Përveç vështirësive teknike, që përballet një studiues në vendin tonë, më duhej të përballesha edhe me fazën e botimit, i cili më rëndoi sërish. Dukej se do të mbaja edhe në këtë pikë.

    Pas botimit të vëllimit të parë të Bibliografisë së shkrimtarit (Kadare: Bibliografi, vepra, “Pegi”, 2014, 406 f.) – një punë, e cila nuk do ta kishte parë dritën e botimit pa ndihmesën profesionale të profesoreshës Lili Sula – dy vjet më pas do të vinte edhe vëllimi i dytë i kushtuar tashmë jo veprës, por kritikës mbi të (Kadare: Bibliografi, kritika mbi të, “Pegi”, 2016, 702 f.), në bashkautorësi me profesoreshën në fjalë. Qëllimi kryesor i botimit të kësaj Bibliografie ishte pasqyrimi i krijimtarisë dhe i veprimtarisë së I. Kadaresë, duke pasur në qendër veprën artistike, eseistike e publicistike, të botuar në shqip e në gjuhë të huaj; botimet antologjike e përmbledhjet; artikujt e krijimtaria e tij botuar si fejton në shtypin periodik. E hartuar si bibliografi regjistrative, ndërthurur me atë adnotive, u synua përfshirja tërësore e hulumtimeve dhe e kërkimeve të vijueshme. Deri në fazat përmbyllëse janë shtuar zëra të rinj bibliografikë, si për të përligjur dinamikën e hasur. Interes për studiuesit në këto vëllime paraqesin, gjithashtu, qasjet komparative që integrojnë krijimtarinë e tij me shkrimtarët e letërsisë botërore, nga Homeri, Eskili, Dantja, Shkekspiri, Balzaku, Kafka, Kazanzaqisi, Adrići, Oruelli, te Xhojsi, Kamyja, Markezi e Kundera e të tjerë; pa lënë mënjanë edhe studimet ndërdisiplinare, mes letërsisë dhe disiplinave të tjera: kinematografi, teatër, muzikë, etnografi, art pamor etj., duke mundësuar shtigje të kryqëzuara receptimi.

    Pas tërë lehtësisë që buronte nga zelli i një studiueseje të re vinte vështirësia institucionale për të vijuar me kontribute të tjera.

    Nuk u ndala! Vijova të studioja shkrimtarin e madh, i cili më jepte dorë vetiu me tërë pasurinë artistike të veprës së vet, botimet e ribotimet; nga njëra anë, vepra dhe përkthimi i saj, e nga ana tjetër kritika botërore për të. Ishte si një sistem i pandërprerë që shpërfaqej pareshtur dhe zbulonte vetveten.

    Ky fenomen letrar shqiptar, më nxitësi, mbetej i pashembullt në procedetë artistike, në stilin e tij. Po ashtu, cilësia e përkthimeve duhej të pasqyrohej besnikërisht brenda gjuhës përkatëse. Numri i gjuhëve që qarkullonte vepra sa vinte e rritej, duke arritur në 48 të tilla. Të vetëdijshëm për këto vlera, hapeshin shtigje për studime të reja të këtij rrafshi.

    Përveç pjesëmarrjeve në konferenca kombëtare e ndërkombëtare kishim dorëzuar një draft të një libri tjetër mbi veprën kadareane, tashmë në bashkëpunim me profesorin dhe studiuesin Bashkim Kuçuku. Ky projekt e pa dritën e botimit disa vite më vonë, falë botuesit të tij, Bujar Hudhrit, i cili mori përsipër botimin, dhe erdhi në tri gjuhë: shqip, anglisht, frëngjisht, nën titullin Enciklopedi  kadarene: vëllimi I/ L’encyclopédie Kadaréenne I/ The Kadarean Encyclopedia I (“Onufri”, 2020, 740 f.). Një origjinalizëm i panjohur më parë në studimet shqiptare. Me gjasë mund të aludohet se mund të na ketë shpërblyer ndonjë institucion, por hulumtimet mbeten individuale e të papaguara dhe na drejtuan në sendërtimin e kësaj enciklopedie, e para në llojin e saj kushtuar një shkrimtari shqiptar. Një udhëzues i plotë për gjeninë krijuese, një referencë e ilustruar përmes ballinave të veprës dhe të kritikës, që ofrojnë një kuptim më të thellë të shkrimtarit dhe të kohës së tij.

    Pas një pune disavjeçare erdhi edhe finalizimi i botimit anastatik Kadareja në kritikën botërore, me autor Bashkim Kuçukun, dhe bashkëpunimin tim (Akademia e Shkencave, 2022, vëll. I, 911 f.; vëll. II, 508 f.). Këto vëllime përmbajnë 2450 shkrime kritike, studime, sinteza për tipare themelore të veprave të tij në 15 gjuhë të huaja. Deri më tani e kanë parë dritën e botimit vetëm tekstet në frëngjisht, ndërsa tekstet në gjuhët e tjera janë në proces botimi.

    E tërë lënda studimore e përmendur lindi si ngasje prej bisedave me shkrimtarin, i cili, sa i painteresuar ishte se ç’ndodhte me veprën e tij në kritikën shqiptare e gjetkë, aq edhe frymëzonte teksa ndante përvojat e tij dhe të dhënat që i vinin prej botuesve për përkthime të reja nga vende të ndryshme të botës.

    Mbi të gjitha, Kadarenë do ta mbaj mend për mirësinë e tij, që na ka pranuar në shtëpi së bashku me bashkëshortin tim; për zonjën e tij të palodhur, të dashur e të bukur, e cila kurdoherë na ka hapur dyert e na ka pritur me atë mikpritjen karakteristike shqiptare; për ofrimin e literaturës, burimeve, madje dhe dorëshkrimeve. Do të ndalesha fare shkurtimisht te këto të fundit. Në bisedë e sipër, shkrimtari më thotë se ka dorëshkrime në banesën e tij. Mbeta e befasuar. Teksa ai shikonte edicionin e lajmeve, me lejen e tij, unë qëndrova e mbyllur në “dhomën e dorëshkrimeve” dhe nuk dija të dilja prej saj. U gjenda për një grimë kohë në një tjetër botë kadareane – në botën e paepur të dorëshkrimeve. Tepër sensacionale! Mbresëlënëse! E kujtoj si sot, pjesa më e madhe e tyre gjendej brenda një valixheje lëkure bojëkafe. Duart m’u pluhurosën teksa i shfletoja me radhë nga vepra në vepër. Nuk ishin të daktilografuara, por në letra të zverdhura nga koha e me shkrimin e tij të hollë e të shtrembër, gati të pakuptueshëm, ashtu siç nuk kuptohen dot gjenitë sa janë gjallë. Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte dëshira për të ndërruar titujt e veprave, kryesisht romaneve, gjë që e hasim në shumë vepra të botuara, e tashmë vërehej edhe në dorëshkrime: Prillmort – Prilli i thyer, Çështja homerike – Dosja H. etj. Dorëshkrimeve u mungonte Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Thuajse ishin deri te veprat më të fundit, më vjen ndër mend në këto çaste Aksidenti. Në fund më tha: “Më ka humbur dorëshkrimi i Gjeneralit…”, dhe më rrëfeu historinë e dorëshkrimit të Dimrit…, i cili i ishte mbajtur peng nga Nexhmije Hoxha për një kohë të gjatë. Vite më vonë, dorëshkrimi i Gjeneralit… gjendej në shtëpinë-muze të tij në Tiranë. Tekefundit, nuk kishte humbur, e për këtë u ngazëlleva teksa e pashë. 

    Mirënjohje për jetë për ty Kadare, që na sheh për së largu, për tërë vlerat artistike si rruazë që vendose në gjerdanin e letërsisë botërore. Me ikjen tënde të beftë, e pa i marrë leje askujt, madje as zonjës Helenë, ia dorëzove shpirtin Krijuesit; mbylle sytë e tu, për të hapur tanët me veprën që na le trashëgimi…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË