More
    KreuLetërsiBibliotekëDituri Meçi Dizdari: Shkretëtira

    Dituri Meçi Dizdari: Shkretëtira

    Vështrimi i fikset asaj hapësire të paanë, ku nuk po ndjente të frynin duhma rëre që ngrihen vorbull e kuqëremtë mbi makinat e ralla, shtëllunga malesh ere që verbojnë ajrin, frymën ia marrin, duke mbajtur në mëshirën e saj, atë pak gjallesë rreth e rotull.

    Nuk kish dëgjuar të kërkohej nga plakat në lutjet e mbrëmjes, ujë Perëndije, gjarpërinjtë të thëthitnin duke hakërryer kryet, për të gëlltitur grimcën e lagësht të ajrit, që çmendurisë së saj lodronte, të vdiste deveja nga pesha e gungës, ku mbahej uji, as fëmija, nga mungesa e frymës.

    Flatron mbi shkretëtirën e paanë duke rrahur krahët, këputur trishtimit, dhe kërkon në ethe gjurmë të qytetërimeve të lashta, shtrirë Gadishullit, buzë Adriatikut që i pat parë me sytë ngulmues shekuj më parë, ku pat flatruar, prekur, i pat jetuar, dhe i dhemb shpirti, pse nuk ka qenë kështu kjo shkretëtirë, ndërkohë që Sahara, rrit frikshëm vëllimin e saj çdo shekull.

    Si mundet, çfarë ka ndodhur…?

    Ku janë njerëzia, pse kanë harruar…?

    Flatra shqiponje mbanin në duar!

    Çfarë ka ndodhur, çfarë…?

    …gjakut lëvrin ajo e bukura Shpresë…

    …sytë, blerim lisash aguar diellit,

    trupi, vetë pemë e lisit harlisur qiellit…

    Flatruar krahëlirë mbi atë gjelbërim, hazdisur rrezeve diellore, shtrirë horizonteve pa fund, trojesh mijëra vjeçare, pat shijuar vështrimin thekur lartësive, ku lulet e dheut qëndisnin kodrat, mjaltin e bletëve shijonin kaureshat e malësorëve…malësorë burra që mbajtën hasmin larg, plot një jetë, dhanë frymën mes luftëtarësh, bënë paqe dhe dashuri, bënë edhe fëmijë, oh sa shumë fëmijë…ja tek luajnë, fshehur mullarëve të barit, puthin vajzuken e shpirtit, përkëdhelin lehtë qingjin e mitur…

    Flatrat lëkunden dhimbjes, ai shpirt i fuqishëm Shqiponje mend po rëzohet…pezmi prek, godet dhimbshëm ajrit, humb pa praj hapësirave pa fund qiellore.

    Kanë qenë troje qindra mijëra kilometra, këto shkreti, plot male të lartë, shtrirë Perandorisë Ilire, mbi Gadishullin buzë Adriatikut, mbi të cilat shpirti i ëndrrës ka flatruar përjetësisht, dhe asnjëherë nuk u nginj syresh, se pas çdo pikture Perëndije, shfaqej një tjetër dritë ngjyrash më e bukur, dhe pas saj, një feksje rezesh dielli aty ku puqin malet, që ndriçonte fshehtas puthjen e tyre…aty ku liqenet qenë rrethuar blerimit, dhe qielli pa fund pasqyrohej syresh, ujvarat që rrendin të fshehin të pathënat e çmuara, të historisë …nuk mund të harronte…fushat pa fund ku bëhej buka që shijonte më shumë, se kudo tjetër mbi dhe… nuk mund të harronte…atij flatrimi…se gjithmonë në ballë të betejave për liri qenë fiset e lashta ilire, kalorësitë e atyre viseve, që dikur Iliria pat qenë edhe një nga fuqitë më të mëdha të pellgut të Mesdheut, që arriti të sundonte disa shekuj edhe Perandorinë Romake …

    Ishte gjaku i të parëve, tradita e maleve, vetë Liria, ëndrra e kahmotshme, e fiseve të kombit Ilir.

    Sy Shqiponje zhbirojnë ngado shkreti…ngado shkretëtirë dhe frikë, Shqipja e Maleve tulat ngadalë flatrat, që fishken prej zhegut që përcëllon gjithçka…djeg, dhemb, vuan…nuk ka qenë asnjëherë shkretëtirë…ky truall shtrirë dikur Gadishullit Ilirik, buzë Adriatikut, tani është mbledhur, rrudhur, Sahara.

    Flatëron ende mbi këtë rrënojë shkretie të shkretë, kundrron anë e kënd këtij oazi të errët, aty ku dielli vakëllues lind e perëndon, si të përtojë të lakohet pa u diktuar, pse rezet e tija janë goditur, vrarë, nuk rezatojnë si një kohe tjetër…rreh krahët e saj dorëzuar zvetënimit, tkurrjes dhe vështrimi, pulit sytë si të mos dojë ta besojë çka po sheh, se çfarë ka ndodhur, kur sjell momentit, atë kohë që e ka flatruar dikur, atë vend kryezotash që jetonin lirisë, trimërisë së pashoqe…

    …sa të bukur qenë…veshje visesh prej nga vinin, opinga që kërcenin gëzimit …furisë, kur takonin majat e qeleshes së bardhë!

    Nuk ka këmbë njeriu, kanë ikur të gjithë lemeri, prej shtrëngatës së rërës, shkretimit të trojeve gjatë shekujve, trusnisë mbytëse të ajrit, si të merrej dhe ajo pak frymë që u pat mbetur, kanë ikur pa kthyer kryet, shpresa për një kohë tjetër, është drobitur, është ronitur, ka vdekur. Copërat e saj të fundit, mbetur shpirtit të plagosur janë agonisë, qytetet nuk kanë kalimtarë, dryni i rëndë i tregjeve është ndryshkur, shkollat janë mbyllur, universitetit, i janë shembur themelet, shekuj më parë.

    Flatratulatur vështron nga lart do rrugë, që hapin rrugica, e këto të tjera rrugica, me do shtëpi të ulta, ku dritareve aty rezaton drita e braktisjes…dëgjon kollën e pleqëve, pak njerëz të tjerë që mbyllin perdet për tu mbrojtur, nga të nxehtit e mbrëmjes, që lëshohej errësirës, si i liruari nga burgu.

    Ishte ora e terrorit të përvëlimit, kur gjithçka zalisej, dorëzohej, njerëzia heshtet kuptimit, vështrimit të dyzuar, rrugëve, kalimtarët e rrallë të natës, njerëz të dehur, të sëmurë, baresin vdekjen e shpresës së fundit.

    Ku është ajo?

    Në horizont, hija e diellit në të ikur vizaton dy sy, në ngjyrën e blertë të lisave, shpresën, lirinë, ëndrrën që dikur e patën përjetuar…

    Oh, shpirt, zemër, liri …sa e bukur je!

    Porse agonia e dritës jep frymën e fundit.

    Oh, sa do të donte t’i kish parë ata sy, t’i kish jetuar sërish!

    Të gabohesh kaq rëndë?

    Shpresa, nuk do mbrinte vallë kurrë asaj shkretie?

    Nga lart atij qielli që përpëlitej natës, vështroi do burra ulur dheut, që pinin duhan me llullat e tyre të gjata, mendimet harkuar, fshehur, tymit të bardhë.

    Mblodhi ngadalë flatrat dhe u ul teposhtë syresh, ashtu pa u ndjerë.

    U afrua, pranë njërit prej tyre.

    – Çfarë ke, e pyeti zëshuar.

    Mëshira nuk kish përtuar të luante me njeriun, rrudhat e fytyrës dhembnin.

    Tjetri u kthye ngjat tij dhe i foli.

    – Ti…ti…je ëngjëlli, – tha, – ke ardhur për të na shpëtuar…ne, po të prisnim…!

    E vështroi, pa si shkëlqyen sytë e shpresës, ëndrrës, edhe pse qe i zbehtë, nemit… lexoi mes lotit dhe dritës së Hënës, dëshirën se kjo shkretëtirë do të mund të gjallohej sërish, si mijëra vite më parë!

    – Çfarë ëngjëlli, o budalla, -foli dikush që nuk e dalloi dot asaj errësire,

     – ku është more? – vazhdoi burri me zërin e andejmë, – nuk ka ëngjëll, o njeri, se po të kishte, unë e ti nuk do ishim sot e gjithë jetën, të braktisur, të çnderuar, të vjedhur, sakatuar, vrarë vendit që na lindi, vdekur historisë, shkruar gërmash të arta, Perandorisë Ilire!

    Nga qindra mijëra kilometra Perandori, në mijë kilometra shkretëtirë!

    Nuk rrotullohemi dot vetes!

    Nuk mblidhemi dot mëndjes!

    Nuk shkon buka teposhtë!

    Kur të gjithë vëllezërit tanë, jashtë kufijëve jetojnë!

    Ku është Iliria, ku është vendlindja e gjakut ilir?

    A s’ishim ne Ilirë, që lejuam gjakun të na pinë, hajdutët e tokave tona?

    Të lindim, të vdesim në rrobëri, se kështu deshën Perënditë?

    Flatrat, erdh e u përngjatën pak nga pak trupit, u bënë njësh me të, pa ditur e pa kuptuar u përzhitën ngadalë, lehtë, djegjes se brëndshme, si kjo tokë qe zhuritur gjatë shekujve, mijëvjeçarëve…dhe u kthyhen në një dorë hi, nga zjarri që burrat patën ndezur për t’u ngrohur, shekuj më parë.

    Ndjeu ethet e shkretëtirës, kruspull vetes dhe u mjerua sërish kujtesës …mijëra vite më parë …Perandori e Ilirisë buzë Adriatikut, shtrirë rezedielli anë e kënd maleve, krenari, e të gjithë gadishullit, Shpirti Ilir…tani një pëllëmbë shkretëtirë!

    Oh, sa dhemb palcës së eshtrave të shpirtit, kjo histori!

    U ul përdhe dhe u mblodh kruspull, si t’i kish rënë mbi krye peshë e rrëndë që me gjithë mundimet stërshekullore nuk mundi t’i largonte, dhe kujtoi, se nuk ishte hera e parë.

    Vari kryet mbi gjoks, kthetrat e gjata e të forta mblodhën dhe, nga dheu i saharasë së tij, dhe shpirti u tulat pyetjes që dhimbte.

    – O Zot, po pse kështu, Pse?

    Dy sytë e shpresës në ngjyrën e maleve të blertë, ku pat flatruar e do të flatronte përjetësisht, po e vështronin.

    19.11.2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË