QYTETI
Lkurë e shndritshme flet
se poshtë plasave âsht nji tokë e errët hijesh,
se poshtë zien nji vrushkull i ethshëm pavetëdijesh,
ndihet nji qytet që fle me ninulla paragjykimesh,
të fshehuna nën shtresa të randa zgërdhimjesh.
Jeta ndrydhet e rrmyhet prej myknash e zjermish,
i hupë ftyra, i hupin andrrat i dalin sysh,
të bahet se ndien tinguj të pakuptimtë mesjetash t’palueme,
që thuren me fjalë të vdekuna, të vonueme.
L`kura vazhdon me shndërritë
qytetit i shihen bedenat e kalbun,
çudshëm vaj nuk ka veç kangë shkëlqimtare për ditë,
të kërcyeme prej kambësh që ua mbajnë dredhitë.
Âsht nji valle e çmendun që të merr përpara vetit,
âsht nji ankth toke që të tjetërson,
âsht vetja e shkelun për hir të tjetrit,
që ban sikur jeton.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/05/text-divider-01.png)
DITËT E NJEJTA
I kam frikë ditët e njejta
më drithnojnë shpirtin,
janë si pikat e nji çatie të prishun
që pikon me ritmin e njejtë dhe e lagë mbrendinë,
e shkatërron edhe çatinë;
pangurrueshëm derisa prek qensinë,
kambëngulshëm deri në kalbje,
si nji udhëtim pa ardhje,
si nji viciozitet pa rrugëdalje.
Dhe qenia bahet si baltë e ngurosun në ne,
formësohet për mos me i ngja as vetes,
ditët e njejta na e shkurtojnë udhën drejt vdekjes.
Janë të prekshme por të pajetueme thellësisht,
të varuna në qafën e ditëve tona,
si nji fill rruzash identike,
në kërkim të nji përsosmënie boshe.
Ditët e ngjashme janë po ashtu frikë,
mundohem qosheve të ditës me u mshehë e prej tyne me ikë,
ato janë ma të rrezikshme
me praninë e tyne të papërcaktueme qartë,
zgjojnë prej pluhnit kujtime të padëshirueme,
janë kopje të shëmtueme të nji të shkumje të pajetume,
janë andrra të pa andrrueme në ikje,
që u hapin rrugë fantazmave të fjalëve që dukeshin të vorrosuna,
simotrave të tyne antike.
Edhe ato pikojnë
në qenien tonë
me hapin e tyne shkelin mbi kohën,
në kryet tonë pikë pikë
tue na shndërrue në diçka tjetër,
as vet pa e ditë.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/05/text-divider-01.png)
MBRENDA NESH
Mbrenda nesh asht nji det i errët
e në atë det endet nji varkë,
përplaset anëembanë brigjeve të tij,
e mbrenda saj prehen;
nji pikturë e lashtë imazhesh të pashpjegueme,
nji thes kockash të thyeme e të kalakryqueme,
nji violinë e ndryshkun e mbushun rrast me tinguj,
të ndrymë mbrenda vetes,
nji arkë plot me andrra për me i ba ballë jetës.
Mbrenda nesh asht nji det,
nji det i pa fund,
që herë flen
e herë na shkund.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/05/text-divider-01.png)
* * *
Bjen shi.
Dhe tingujt përtej dritares
më shfaqin fantazmat e krejt dritareve
prej të cilave kam vështrue shiun.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/05/text-divider-01.png)
KUJTIMET
Kujtimet zgjatin sytë
natën përtej dritares.
Në pyje të largta rrëzohen pemë,
pa ua ndie kush zhurmën,
ka çaste në të cilat kisha dashtë me e dashtë edhe turmën…
Kujtimet zgjasin duert
ditën përtej derës.
Në udhë të largta enden zogj,
pa ua ndie kush kangën,
ka çaste në të cilat kisha dashtë me e dashtë veç nanën.