Ndodh rëndom që në mes të luftës në zemrën e njeriut të lidhura nyje nga fije ankthesh të zgjatura të ndizen dhe të ngufaten pambarimisht grimca shprese. Grimca të tilla djegin si gaca në plagët e hapura dhe mbushin vrimat e shpimeve të thella nga tehe të mprehta dhimbjesh. Njëmend, edhe Dreni i ndjeu këto gaca si e djegin në natën e thellë dhe të akullt në mal.
Njëherë ra përmbys e me gishta varrë në dheun e shkriftë kërkoi qiellin. Pastaj i mblodhi të gjitha forcat dhe u ngrit. Eci i ngrirë nga të ftohtit dhe me mendime që ngjashëm me një zë të fortë mashkullor i shkaktonin një trazim të paqartë dhe të papërcaktueshëm. Dhe as ai vetë nuk e kishte të qartë nëse po e ndiqte ai zërin apo zëri e ndiqte atë.
Me mendje ai ndodhej në shtëpi duke puthur duart e nënës dhe duke i kërkuar të falur. E rrente mendja se po të ishte atje mund të ndryshonte fatin e të gjithëve. Por ai nuk e dinte se, nëna, edhe po të ishte diku atje, ai nuk mund të ndryshonte asgjë as edhe në fatin e saj.
Ata nuk patën kohë as t’i thoshin njëri-tjetrit lamtumirë sepse të dy ishin të zënë me dhimbjen e vet. Madje të dy, edhe nën shtrojë, në natën e ftohtë përsëritën mes buzëve lutjen e kthimit. Pati shumë dëshirë t’i thoshte fjalë të mëdha dhe të ëmbla, në vend se të rrinte ashtu i ngrirë duke mbajtur vesh vetëm frymëmarrjen e saj, por vërtet që s’kishte ç’të thoshte. Është në natyrën e njeriut të ngelet peng i përgjegjësive dhe të mos mundet të zgjedhë e as ta përcaktojë cila e rëndon më shumë.
Njëherë i shkoi ndërmend se nuk do të bënte keq po t’i premtonte se do të kthehej; mirëpo nuk e bëri një gjë të tillë nga frika dhe bindja që i ishte rrënjosur se në luftë premtimet janë fjalë të shurdhëta.
Ai tundi kokën, në një mënyrë të atillë, sikur i vinte keq për fatin, pastaj u nis me nxitim, dhe megjithëse nuk e dinte nëse ajo ende e shihte, pati frikë se ajo do të vraponte pas tij. Hija e dorës që tundej dhe zgjatej mbeti i fundit shëmbëllim prej saj. Gjithmonë i ishin dukur të çuditshme hijet. Për shembull, ai mund të shihte nënën pastaj hijen, dhe hijen pastaj nënën dhe në asnjërin rast ato të mos shëmbëllenin njëra-tjetrën. Po të mos mendonte kështu, të paktën, ai do të kishte dashur ta merrte me vete hijen.
Dreni, me shtat mesatar, me sy ngjyrë mjalti e kaçurrela të zeza mbi ballë, nuk të bënte as përshtypjen e njeriut që mund të mbajë në krahë një pushkë. Megjithëse nëna e tij qe e bindur se ai kishte forcën shpirtërore, ajo mundi të shquante në fytyrën e tij shumë frikë dhe trishtim. Kush tjetër kishte mundur, vërtet, ta merrte me mend se ky djalë vetëm shtatëmbëdhjetëvjeçar, i sapo bërë djalë, do të ishte i aftë të largohej nga prehri i nënës së vet dhe të merrte mbi vete peshën dhe ashpërsinë e luftës. Kushdo që do të kishte parë fytyrën e tij të zbehtë, do të kishte kuptuar se ai duket i trembur si një fëmijë.
Ditën që do të vdiste, pasi mori lajmin që ushtria armike kishte hyrë në fshatin e tij të lindjes, Dreni kapi pushkën i gatshëm t’ia vishte vetës, dhe i rrejtur nga mendimet që i përvidheshin hajnisht në krye, pasi lëpiu buzët e thata duke i ngritur duart drejt qiellit belbëzoi një lutje, pastaj qau me ngashërim dhe eci me hapa pothuajse zvarrë me psherëtimë e ofshamë dhe frymëmarrje si gërhitje pleqsh.
“Asgjë nuk krahasohet me frikën e humbjes”. Ja, kështu mendoi ai kur i shastisur mori rrugën e kthimit. Por as ai vetë nuk e pati të qartë atë shtytje të çuditshme, dhe më kot përpiqej të kthjellonte mendjen. Dhe me gjithë vendosmërinë e tij të natyrshme, të ushqyer akoma më shumë nga frika e humbjes, ishte e pamundur ta ndrydhte ndjenjën e turpit. Ai përjetoi ndjenjën sikur kur je gati të ulërish si i tërbuar, ose sikur kur të zien në kraharor një duf i egër që shkrep si një vetëtimë më e fortë se ato që rrëzojnë lisa.
Sa më tepër që i afrohej fshatit ku ishte lindur, turpi dhe frika si thupra të holla ia fshikullonin shpirtin. Dhe, edhe pse ishte kaq i vogël përpara shtytjeve të liga, një grimë dritë i ndizej në sy e ia ndriste ballin e prerë nga degë të thata. Pika mjegulle i mblidheshin mbi ballë dhe mbi vetulla, kurse gjithçka përreth tij gëlltitej nga një hapësirë e përhimët.
Në çastin kur kuptoi që është shumë afër fshatit, Dreni shpejtoi hapat e tij të lodhur dhe ndjeu pulpat e këmbëve që i dridheshin. Diç i gufoi në kraharor dhe pështyu. Pastaj picërroi sytë dhe nguli vështrimin me shpresë se do të mundet të shohë edhe përtej mjegullës.
Fshati edhe nga larg dukej i mbytur në zjarr e në tym.
Pasi u afrua edhe më shumë vështroi dhe e pa qartë; njëmend flakët e tërbuara ia prenë gjunjët. Iu duk sikur e gjithë pesha e qiellit iu shemb mbi kokë.
Sikundër mund ta merrni me mend askush nuk e kishte menduar se një fëmijë si ky do të kishte guximin të futej në radhët e ushtarëve. Dhe sikur mund ta merrni me mend askush nuk u çudit nga ikja e tij.
Pastaj gjithçka ndodhi shumë shpejt. Dreni u hodh në erë nga një minë e fshehur nën dhe. Me kafkë të çarë e fytyrë të përgjakur, gjymtyrë të këputura, të thyera e të copëtuara, Dreni mbeti i shpërndarë përtokë.
Nuk është e lehtë të përshkruhet.
Por atje ku ishte nisur ai kaq me nxitim, zjarri që në mëngjes pati prekur qiellin. Shtëllunga dhimbjesh e piskama të mprehta patën çarë tokën mes për mes.