I zoti i bujtinës kujton si një foto që asnjëherë nuk shlyhet kollaj nga kujtesa se si një ditë një grua erdhi dhe rezervoi një dhomë veç për 24-orë. Ora ishte fiks 10:00 paradite.
Pamja kaq trallisëse e pranisë së seksit opozitar që i afrohej krejtësisht e vetme, e bënë bujtinarin t’ia ngulte sytë kureshtar. Njëtrajtësisht, ajo dukej një femër e shkëlqyer e mbresëlënëse, me shtatin e shtalbtë, finesën e tipareve, dhe mprehtësinë e shikimit.
Ajo u ndal te sporteli duke qëndruar drejt nën mantelin e kuq dhe kapelën e bardhë. Nuk kishte asnjë dokument identifikimi, nuk punonte gjëkundi, as që ishte e martuar. Për më tepër dukej si e ndarë nga burri apo e ve.
Quhej Bahiga al-Dahabi dhe vinte nga Mansura e Deltës. Bujtinari regjistroi informacionin e nevojshëm dhe e drejtoi drejt punonjësit të sportelit.
Sportelisti në krye të saj duke mbajtur valixhen, më e rënda që kishte mbajtur ndonjëherë gjatë gjithë karierës së tij, e orientoi gruan drejt dhomës Nr.12 në bujtinën e tyre të vogël. Pastaj u kthye pas një gjysmë ore i habitur në fytyrë. Kur menaxheri e pyeti se çfarë ndodhi, ai u përgjigj hazër-xhevap.
“Ajo është një femër shumë e çuditshme!”
“Shpjegohu, çfarë kupton me këtë?” u sëkëlldis menaxheri.
Sportelisti filloi të rrëfente se si ajo i kishte kërkuar të zbulonte shtratin nga mbulesa, batanijet dhe çarçafët, duke i hedhur në cep të dhomës. Përsa i përket krevatit, i kishte kërkuar ta lëviznin së bashku jashtë dhomës, me justifikimin se kishte fiksim se mos nga hapësira e krijuar poshtë vendit të fjetjes fshihej një njeri. Ai i tha se frika e saj ishte e ekzagjeruar sepse asnjëherë nuk kishin ndodhur incidente të tilla që nga koha kur hoteli ishte bërë bismilah. Por ajo këmbëngulte, kështuqë iu bind vullnetit të saj.
“Duhet të kishe ardhur urgjentisht tek unë o zullap,” tha bujtinari. Sportelisti kërkoi të falur duke shtuar se megjithëse kërkesa e saj ishte e çuditshme, ai nuk kishte anashkaluar asnjë nga detyrat që hoteli kishte si detyrim të përmbush. Më tej e përmbylli historinë me fjalët se si ajo e kishte urdhëruar të hapte të gjitha kanatat e dollapit duke i lënë njashtu. Zëri i saj tregonte se kishte frikë nga dikush që mund të fshihej ose nën krevat ose në dollap. Kështu që i plotësoi të gjitha urdhrat e saj, i buzëqeshi ashtu si ai di të buzëqesh gjithmonë, dhe u largua.
“Pjesa më e çuditshme është se ajo dukej grua azgane dhe trime,” cilësoi bujtinari.
Pas pak e pyeti punonjësin e vet, “A të dha ndonjë bakshish?”
“Një pesçe të plotë,» u mburr tjetri.
“Natyrisht, ajo nuk është një femër e rëndomtë, ndaj nuk besoj se do të kemi ndonjë turbullirë,” plotësoi menaxheri.
“Më shpuri rruga përball derës së saj të mbyllur, kur po shkoja për në lavanteri, dhe dëgjova një zë të lartë të hasdisur brenda në dhomë,” tha sportelisti.
“Ishte e vetme?”
“Gjithmonë, zëri i saj i dalldisur dëgjohej i vetëm.”
“Gjithë dynjaja bëjnë kështu,” tha menaxheri.”Zaten, vetëm pse ti flet me vete nuk do të thotë se je i lajthitur.”
Sportelisti tundi kryet pa thënë kurrgjë. Tjetri e pyeti, “A je në gjendje të rikujtosh gjësend çka thoshte?”
“Jo. përveç shprehjes: Nuk është e rëndësishme!”
Menaxheri i dha të kuptohej për mbylljen e muhabetit. Një grimë më vonë pasi shënoi diçka në regjistër, shtoi në drejtim të tjetrit, “Duhet të jesh vigjilent, kjo është detyra jonë, për çdo rast.”
Gumëzhinë bubullima dhe bujtinari e treti vështrimin te qielli përtej dritares ku gjeti mbulesa të dendura reshë. Moti kishte qenë i ftohtë me reshje të kohë pas kohëshme. Ekzaktësisht në ora 1:00 të drekës gruaja telefonoi prej dhomës Nr.12.
“A mundet të porosis diçka për të ngrënë?” pyeti ajo.
“Ne nuk kemi ushqim në bujtinë por është një gjelltore matanë xhadesë, çfarë dëshironi zonjë?”
“Perime të pjekura me mish pule, plus pilaf me tasqebap, gati nja një kile shishqebap të pjekur, një tas me sallatë orientale, mish qengji të mbështjellë me pite të ngrohta, ëmbëlsira dhe portokalle.”
Megjithëse i zoti i bujtinës i porositi të gjitha gjellërat që ajo urdhëroi, gati sa nuk luajti nga fiqiri prej sasisë së ushqimeve. Vetëm mishi i pjekur mjaftonte për gjashtë persona.”Kjo qenka fiksim jo vetëm me frikën por edhe me llupësinë,” i tha vetes. “Sidoqoftë, ndoshta do të dalë gjatë pasdites e do t’i hedh një sy dhomës.”
Ushqimi mbërriti. Një orë më vonë i zoti i gjelltores përkarshi erdhi të merrte paratë. Menaxheri nuk i rezistoi tundimit t’u hidhte një sy pjatave. Të gjitha ishin të bëra xixë, përveç disa kockave të kruara mirë, dhe pak salcë të mbetur. I shkau truri nga e gjithë kjo skenë, asgjë tjetër përveç kësaj gruaje, mënyrës se si ajo vështronte dhe vepronte e shtynë në ngasje. Nuk mund të thoshte se ajo s’ishte e bukur, përkundrazi ajo zotëronte një forcë tërheqëse jo të zakontë. Kishte diçka e frikshme në raport me atë grua së bashku me gjërat kurioze, madje nënshtruese, që të ngujonin.
Mbi të gjitha e kishte parë vetëm një herë, momentin e parë, atë ditë kur ajo i kishte lënë ndjesinë familjare që vinte së bashku me fytyrën, që mbartte prushin vetijak të kujtimeve të vjetra.
Drejt tij po vinin një burrë dhe një grua.
“A qëndron këtu zj. Bahiga al-Dahabi?” pyeti burri.
Bujtinari pohoi dhe telefonoí që të pyes nëse zonja dëshironte që vizitorët të ngjiteshin lart në dhomë. Dukshëm, njerëzit ishin nga sërë e lartë, të kamur nga pikëpamja materiale. Era uturinte fuqishëm përjashta, duke i bërë shandanët të kërcenin në sallën e pritjes. Menjëherë papritur tetë persona të tjerë ja behën, katër gra dhe katër burra, duke përsëritur të njëjtën pyetje: «A qëndron këtu zj. Bahiga al-Dahabi?”
Përsëri bujtinari telefonoi për lejimin e vizitorëve të rinj. Grupi, me pamje krenare, që ishin të së njëjtës sërë me çiftin e mëparshëm, u ngjitën drejt dhomës Nr.12. Tash bëheshin dhjetë vizitorë. Ndoshta farefis prej së njëjtës familje, ose thjesht miq, apo gjindje dhe farefis të përzier. E çfarëdoqoftë të ishte arsyeja, nuk kishte asnjë dyshim që Madam Bahiga nuk është një zonjë e rëndomtë. “Si përzgjodhi bujtinën tonë xhanëm?” pyeste veten i shqetësuar. Zallamahia u shpërnda menjëherë nga kthina e barit, ndërsa kamarjerët e hotelit servirnin gota çaji lart e poshtë, kur menaxheri po mundohej të fiksonte disa nga fytyrat e të porsaardhurve. Por, mendoi me vete se gjëja më e mirë do ishte ta fshinte nga truri, gjithçka në raport me Bahiga al-Dahabin. Të nesërmen ajo do të ishte veç njëra nga ato qindra fytyra të humbura në kujtesën e bërë lëmsh të hotelit të vogël.
Përball tij u fanit një grua rreth të pesëdhjetave që zotëronte një ekuilibër dhe sjellje të tejskajshme.
“A qëndron këtu zj. Bahiga al-Dahabi?” Kur ai u përgjigj po, ajo i tha, “Ju lutem, a mundet ta njoftoni se doktoresha është këtu.”
Kontaktoi damën në telefon. Një grimë më tej i shtytur nga një arsye urgjente e pyeti të porsaardhurën, “Cili është tamam profesioni juaj doktoreshë?”
“Gjinekologe,” u përgjigj ajo.
Vërejti se tjetra nuk ishte prezantuar me emrin e saj por me titullin e profesionit. A po e viziton damën kinse nga aftësia profesionale? Apo mos vallë Bahiga al-Dahabi vuan nga ndonjë sëmundje femërore? Ose ndoshta është thjeshtë me barrë? Nuk kishte kohë t’i jepte përgjigje të gjitha këtyre pikëpyetjeve që e kishin mbështjellë tërësisht kur një burrë shkurtabiq dhe i shëndoshë, nursëz, u shfaq para tij. Duke u prezantuar si Jusuf Qabil, biznesmen ndërtimi, ai sikurse edhe të tjerët pozoi pyetjen tashmë të ripërsëritur, “A qëndron këtu zj, Bahiga al-Dahabi?” Pasi shushuriti në telefon dhe mori lejen e nevojshme që “bossi” i ndërtimit të ngjitej lart në dhomën e saj, shpërvoli një buzëqeshje të përhumbur sarkastike.
Njëri nga sportelistët u rikthye duke u dridhur nga jashtë, copë-copë nga i ftohti. “Errësira, tha, është mbledhur nga të katër anët e qiellit, dhe së shpejti dita do të bëhet natë.” Vështroi jashtë dritares.
Po mendonte rishtas për gruan e dhomës Nr.12. Misterioze. Femër fatale. Filloi të ndiej se si një rrymë paqëndrueshmërie dhe e pavolitshme ishte shpërndarë nëpër hotel qyshkur ajo kishte mbërritur aty. Rrymë që i lejonte ndjesisë së tij të brendëshme, nxitje, të ëndrrave të adoleshencës, madhështinë molisëse të të qenit i pasur, sundimtar mbi botën.
U trondit nga ëndërrimi obskur kur një zë i papritur pyeti, “A qëndron këtu zj. Bahiga al- Dahabi?”
Një njeri trupmadh i mbështjellë me xhybe kashmiri, çallmë të lidhur mbi krye, dorën në dorezën ngjyrë gri të ombrellës. “I thoni se Blind Sajed, Pastruesi i Kufomave, ka mbërritur.”
Gjoksi i bujtinarit brofi nga vendi. Kërcëlliti dhëmbët nga tmerri dhe duke nëpërdhëmbur mallkoi burrin dhe gruan bashkë. Por gjithsesi kreu detyrën duke telefonuar. Për të parën herë mori një përgjigje krejt të kundërt nga të gjitha të mëparshmet. “Ju lutem, mund të prisni në sallën e pritjes, zotëri,” e urdhëroi sipërmarrësin.
Allah-Allah, për çfarë ka ardhur ky edepsëz këtu? Pse nuk pret përjashta por na sjell tersllëk? Punonte për pesëdhjetë vjet në këtë hotel dhe asnjëherë nuk kishte parë diçka të përngjashme me atë që po ndodhte këtë ditë. Ndiente frikë se shiu do fillonte të zbriste poshtë me rrëke e shkulmë dhe do t’i mbante të ngujuar në hotel kushedi se për sa kohë të ardhurit. Për më tepër që tashmë midis të tjerëve ishte edhe sipërmarrësi i Vdekjes!
Myshterinj të rinj mbërritën. Ata erdhën të ndarë, sërë-sërë: pronari i dyqanit të mobilieve të shtrenjta, pronari i supermarketit, pronari i lëngjeve të frutave, pronari i parfumeve dhe asortimenteve kozmetike, zyrtari i lartë i Thesarit të Shtetit, shefi i redaksisë së gazetës më në zë të vendit, biznesmeni i shitjes së peshkut me shumicë, i autorizuari i firmës për mobilimin e shtëpive, këshilltari i një milioneri arab.
Mendoi se mos dama do e zhvendoste bashkësinë e krijuar në sallën e pritjes, por çuditërisht ajo i lejoi të gjithë mysafirët të ngjiteshin lart në dhomë, njëri pas tjetrit. Kamarjerët sollën gjithmonë e më tepër gota çaji dhe karrige, ndërsa ai, bujtinari i bujtinës së vogël, mëdyshej se ku do të gjenin vend për t›u ulur gjithë ky kallaballëk. A e njohin njëri-tjetrin qysh më parë? Dhe çfarë i ka sjellë të gjithë së bashku?
Thërriti sportelistin pranë dhe e pyeti se çfarë dinte më tepër për sa po ngjet.
“Nuk e di, nuk di asgjë vallahi,” u përgjigj sportelisti. “Duart zgjaten jashtë derës duke marrë karriget dhe çajin, dhe firojnë përsëri brenda portës pa na dhënë mundësinë të shohim së ç’bëhet brenda dhomës.”
Menaxheri mblodhi supet. Për aq kohë sa askush nuk ankohej, i tha vetvetes, nuk kishte pse ndihesh keq.
Blind Sajed, Pastruesi i Kufomave u avit drejt tij. “Dua t’i kujtoj zonjës se jam duke pritur,” tha.
“Ajo premtoi se do ju thërrasë në kohën e duhur, zotëri,” i tha menaxheri me një ndjenjë të dukshme mospërfillje. Por tjetri as që lëvizi nga vendi ndaj u detyrua të telefonoj përsëri duke nderur receptorin drejt sipërmarrësit. “Madam, ka kaluar orari i faljes në aksham dhe ju e dini se në dimër dita është e shkurtër,” foli qortueshëm Sajed. U përkul mbi telefon, duke dëgjuar një grimë, dhe më tej e mbylli aparatin e komunikimit duke u kthyer përsëri në sallën e pritjes.
Nga thellësia e shpirtit bujtinari e nëmi burrin në heshtje. S’kishte dyshim se zonja ishte shkaktarja kryesore që kishte prurë një lugat të tillë në hotel. I mendonte të gjitha këto ndërsa shikimin e kishte ngulur në portën e hyrjes plotë mllef. Disa zonja zbritën poshtë nga dhoma Nr.12. Frika që e kishte zaptuar u duk se u pakësua kur ato u drejtuan drejt portës së jashtme. “Ja, më në fund disa po ikin dhe të tjerë do largohen më vonë, gjersa nata të bjerë plotësisht besoj do të jenë bërë firë të gjithë,” e justifikoi vetveten. Shqetësohej sepse vet pozicioni dhe përgjegjësia e tij mund ta shtynin në konfrontim me ata, dhe gjindja i përkiste një klase të fuqishme. Shqetësimi dyfishohej me erën që fërshëllente dhunshëm jashtë porte dhe ndjenjën e pikëllushme që kishte mbuluar rrugët.
Përtej këtij pikëllimi të pandalshëm ku zemra e tij hovte prej gjoksi, ai vërejti mu në portën e hotelit një grup burrash e grash të veshur me mushamatë e shiut. “Për tek madam Bahiga al-Dahabi?” pyeti duke i çuditur të porsaardhurit. Njëri syresh duke qeshur tha, “Po. I thoni zonjës ju lutem, se delegatët e Organizatës Trashëgimtarët e Rilindjes kanë mbërritur.” Kështu që telefonoi dhe pasi ajo e dha pëlqimin e saj, shtoi ngulmueshëm, “Janë dhjetë persona zonjë e nderuar, dhe salla e pritjes këtu poshtë është në dispozicionin tuaj në rast nevoje.”
“Nuk është e nevojshme, ka vend të mjaftueshëm në dhomë,” kundërshtoi ajo.
Ndërsa delegatët u ngjitën, bujtinari tundi kokën gjithë konfuzion. Herët a vonë do të kemi sherr, mendoi. Si të nxitej prej zallamahisë së kallaballëkut jo të zakontë në dhomën Nr.12, furia e furtunës ishte gati në shpërthim përjashta. I rikthyer në sallën e pritjes, rroku me një vështrim Blind Sajedin – Pastruesin e Kufomave – duke u zvarritur drejt tij. Goditi me nyjën e gishtit tundueshëm sportelin dhe drejtoi aparatin e telefonit nga tjetri përpara se ky të fliste. Menaxheri dëgjoi ankimet e tij drejt gruas fatale. Më tej sipërmarrësi shtoi si për justifikim drejt tij, “Të presësh pa bërë asgjë është me të vërtetë e mërzitshme.” Menaxheri u tërbua dhe u bë gati ta shante kur dama telefonoi në moment, duke kërkuar që ta lidhnin në telefon me gjelltoren përkarshi. Biseda e saj zgjati disa minuta.
A do të qëndrojnë në dhomë gjer për darkë, peshoi situatën, edhe në qoftë se po, ku do të darkojnë? Sa do të donte t’i hidhte një sy dhomës. Duhet të ishte një skenë jashtë çdo imagjinate, një dalldi e vërtet.
Rrëketë vazhdonin përjashta pa u ndalur. Një grup profesorësh të Universitetit dhe Klerikë të lartë, hynë duke diskutuar ethshëm, aq sa thjesht nuk bëzajti, por i lejoi të shkojnë direkt lartë. Situata ishte shndërruar në makth kur një i panjohur u fut pa pyetur, pa u ndaluar tek sporteli. Bujtinari thirri me zë të lartë për ta ndalur shkelësin e rregullores por ky edepsëzi u ngjit me vrap pa kthyer xhevap. Atëherë drejtuesi i hotelit urdhëroi muhaxhirët t’i qepeshin pas të paudhit, por këta nuk e arritën sepse me të mbërritur përball dhomës Nr.12, ky u zhduk pas porte si t’a kishte përpirë diçka e vrullshme.
U ndie totalisht i vetëm, kishte humbur kontrollin rrënjësor mbi bujtinën e vet. Po bëhej gati të mblidhte kokë për kokë sportelistë dhe punonjës, kur një burrë u shfaq, ndihma e paevitueshme e të cilit ishte e pazëvendësueshme. Shkëmbyen përshëndetje kur i zoti i bujtinës i tha, “Ju keni ardhur tamam në kohën e duhur, i nderuar z.Inspektor.”
“Tregomë regjistrin,” tha oficeri qetësisht.
“Gjëra të çuditshme po ndodhin këtu,” llomotiti tjetri.
Ndërsa inspektori qëmtoi emrat në regjistër, dhe çoç shkroi në bllok, bujtinari ndërhyri përsëri, “Me sa po shoh ju keni ardhur dhe jeni i interesuar për dhomën Nr.12, zotëri? Allah-Allah, rebelim i madh, hata e vërtetë po ndodh atje.”
“Gjithçka që gjendet në natyrë duhet të jetë e natyrshme,” tha inspektori i ç’përqendruar, ndërsa duke folur u largua nga sporteli, “Po qe se ndokush më kërkon në telefon, do të jem në dhomën Nr.12.”
Sikur i ra damllaja. Një grimë kishte besuar se syri dhe veshi i Qeverisë e dinte se ç’po ndodhte në hotel. Rikujtoi se duhej të mblidhte muhaxhirët kur përsëri shikimi i kapi Blind Sajedin që avitej drejt tij. E humbi durimin dhe nervat, duke i bërtitur, “Zonja të tha se duhet të presësh gjer sa ajo vetë të të ftojë lartë!” Tjetri u ngërdhesh qortueshëm nën servilizmin e zakonshëm ndërsa ndërhyri, “Dakord, por po pres që prej një kohe të gjatë…”
“Ju lutem prisni dhe mos u ndieni. Mos harroni se jeni në hotel dhe jo në bahçen tuaj zotëri!” turfulloi. Tjetri u tërhoq në dukje i qetë, ndërsa bujtinari thirri sportelistin.
“Si po venë gjërat në dhomën Nr.12?”
“ Nuk e di, por zallamahi e madhe është duke u bërë.”
“Si nuk shtrydhen brenda? Duhet të jenë në prehrin e njëri-tjetrit tashmë!” tha i matufepsur.
“Aq sa di ti – di edhe unë.” u përgjigj sportelisti.
“Sidoqoftë oficeri i sigurimit është atje brenda.” Mendoi bujtinari.
Bujtinari shkoi përsëri pranë dritares dhe vërejti se si nata peshonte rëndë-rëndë në boshllëk. Drita po fikej plotësisht jashtë mureve të hotelit, me derdhje rraskapitëse ndriçimi drejt e prej atmosferës së lagësht të bymyer nga era zhurmonjëse që ulërinte përjashta. Një batalion i vërtetë kamerierësh erdhën nga restoranti përkarshi, duke mbajtur takëme të mbushura me të gjitha llojet e gjellëve, dhe mpirja e mendjes së tij u rrit edhe më tepër. Dhoma ka vetëm një të vetme tavolinë buke, ku do t’i shtrojnë gjithë këto pjata? Si do t’i hanë gjithë këto ushqime xhanëm? Njëri nga sportelistët i tha se dyert e dhomës tash nuk mund të hapeshin dot, dhe ushqimi po hynte veçse nga dritarja e vogël e ajrimit. Zallamahia e dhomës po pikëllonte krejt hotelin, e gjithë shfaqja ishte thjesht e pabesueshme.
Pas gjysmë ore, njëri nga sportelistët konfirmoi se njerëzit që ndodheshin në dhomën Nr.12 ishin bërë hazër në të pirë.
“Por nuk vura re asnjë shishe të ngjitej lartë!” u shkartis menaxheri.
“Ndoshta i kanë fshehur nëpër xhepa,” hamendi sportelisti.
“Janë duke kënduar, bërtasin dhe duartrokasin, burra dhe gra, si haramsëzër të bërë xurxull.”
“Po inspektori?”
“E dëgjova edhe zërin e tij teksa këndonte: O aman, ooo saman aman aman, kjo dynjah është veç duhman, duhman edhe raki!!! “ tha sportelisti.
Bubullima u ndien përjashta ndërsa bujtinari i tha vetvetes, “Mundet të jem duke ëndërruar, ose thjesht po çmendem.”
Në zgripë të mendimeve një grup i porsaardhur u afrua. Nga fytyrat dhe veshjet dukej qashtër se i përkisnin një sëre të ulët shoqërore, dukeshin fakir-fukarenj. Pyetën nën formulën e njohur të pashmangshme, “A qëndron këtu zj. Bahiga al- Dahabi?” Dëshpërimisht buzëqeshi dhe kontaktoi me telefon gruan fatale. Ajo i’u lut t’i mbante të porsaardhurit në sallën e pritjes dhe t’u shërbente për të pirë gjithashtu. Pamja e sallonit tashmë po e pikëllonte edhe më tepër.
“Ky hotel nuk është më hotel. Unë nuk jam më pronari i tij. Kjo ditë nuk është më ditë. Lunatizmi po zgërdhihet me ne në trajtat e rakisë, duhmës të cigareve dhe mishit të pjekur!»
Shiu filloi të zbresë litar-litarë i shoqëruar me shkreptima rrufesh që zbrisnin nga qielli. Kalldrëmi i hyrjes së hotelit po ndriçohej zbehtë veç nëpërmjet llambave të ndezura brenda tij. Sportelisti u qa, “Veç një Zot mund të na shpëtojë!”, ndërsa të gjithë të porsaardhurit u strehuan në hajat. Kutitë elektrike majë shtyllave në xhade filluan të shpërthejnë nën trysninë e shiut që njëkohësisht godiste xhamat e dritareve papushim. Bujtinari i ngujuar pas shulit të portës kryesore i kishte ngulur sytë drejt e mbi qiellin e errët. Gradualisht poshtë mbi rrugën e përbaltur ishte krijuar një rrymë uji e cila merrte me vete rrëmbimthi guralecë dhe llucë. Rrebeshi vinte nga lartë duke shkaktuar valë të tërbuara mbi tokën fatkeqe.
“Nuk kemi parë hata të tillë të paktën përgjatë një breznie të tërë,” dëshmoi ai.
Duke kërkuar pas në të shkuarën e tij, mu përpara syve iu shfaq, një përmbytje e tillë nga koha e fëmijërisë. Kujtonte se si atëherë përmbytja kishte bllokuar transportin, fundosur rrugët, shkapërderdhur banesat, dhe shkalafitur tavanet. Menjëherë u pozicionua në sportel duke qartësuar të gjitha ndodhitë e mbajtura shënim, pa harruar të jap urdhra dhe orientime për t’i bërë shqisat katër, e sidomos për të mbajtur nën kontroll absolut të gjitha dhomat dhe çatinë.
Në survejim e sipër të krejt situatës pyeti të parin punonjës që iu shfaq atypari, “Më thuaj shpejt të rejat nga dhoma Nr.12 ?”
“E qeshura dhe kënga nuk ka asnjë shenjë mbarimi zotni,” tha tjetri duke mbledhur buzët, “Janë hazdisur fare, akoma më keq!”
Blind Sajed iu largua sallës së pritjes dhe u drejtua drejt derës së jashtme. “Zbythu pas tek vendi yt!” ju lëshua me zë të lartë bujtinari. Sipërmarrësi tentoi të kapte dorezën e derës kur tjetri i turfulloi përsëri akoma më me tërbim, “Nuk do të paralajmëroj më, more vesh. Kthehu pas!”
Rrufetë shpërthenin si bomba dhe shiu përplasej si breshëri mbi parvaze dhe trotuare. I zoti i bujtinës përllogariti se bujtina e tij e vjetër ishte ndërtuar pa betonime të përforcuara dhe nata paralajmëronte për dëme të mëtejshme.
Sportelisti i tha, “Kemi ankesa nga dymbëdhjeta për rrjedhje nga tavani, dhe uji është duke e përmbytur dhomën.”
“D.m.th. ndaluan nga hajengu?” pyeti i irrituar, “Atëherë yrysh, hajde le ta lëshojnë dhomën!”
“Nuk munden!” kundërshtoi sportelisti.
Por bujtinari vendosmërisht vazhdoi “Djema, dhomat po përmbyten, ndaj mobilizoni krejt personelin të mbyllim vrimat nga ku rrjedh uji, dhe të përforcojmë pritat me thasë prej rëre!»
“Po dhoma Nr.12 ?” u dëgjuan zërat e punonjësve “Ata janë ngjeshur brenda saj. Nuk mundet të bëjnë hap përjashta sepse mulla e tyre është fryrë së tepërmi aq sa nuk mund të hapin derën!”
Tufani ndëshkoi natën përjashta, brenda mpirja totale kishte ozurpuar hotelin, ndërsa punonjësit gulçonin me thasë rëre ndër duar duke u përpjekur të ndalnin pushtimin e shiut që po depërtonte brenda mureve.
Në këtë çast mbi të gjitha ndodhi gjëja më e veçantë: fakir-fukarenjtë që ishin duke pritur në sallën e pritjes vrapuan të ndihmojnë në përpjekjen e mundimshme të sapo krijuar. Bujtinari shikonte i mallëngjyer dhe krenar gjithë këtë skenë në të cilën vetëm Blind Sajed, Pastruesi i Kufomave, nuk mori pjesë.
Pak më vonë sportelisti raportoi përpara tij: “Të varfrit po bëjnë gjithçka është e mundur për ta parandaluar fatkeqsinë,” foli ai gjith krenari, “Por përsa i përket dhomës Nr.12, ata vazhdojnë të jenë në kushte shumë të vështira të cilat po keqësohen gjithmonë e më tepër, imzot.” Përsa tha më sipër tjetri, bëri që krejt qënien e bujtinarit ta përshkojë ndjenja e grevistit, njeriut që në shenjë proteste abandonon gjithçka qëllimisht. Nga një njeri i përmbajtur gjer në ato momente ai u kthye në një të revoltuar. Neveria që kishte kapluar trupin, mishin, gjakun, nervat dhe shpirtin e tij, më së fundmi dorëzoi edhe rreckat e fundit të urtësisë nënshtruese.
“Dëgjo,” bërtiti me zë të lartë, “Dëgjomë më vëmendje se ç’po të them…” Sportelisti zgurdulloi sytë i shokuar, ndërsa i zoti i bujtinës me zërin e ngritur, dha i sigurt verdiktin e tij final:
“Harroooje. Harroje dhomën Nr.12 dhe të gjithë dynjanë brenda saj!”
«Imzot, atje burrat po thërrasin dhe gratë po qajnë!»
Duke ulërritur si një bishë e blagosur bujtinari urdhëroi:
“Përqendrohuni mbi çatinë e sallës së pritjes, merrni vesh apo jo, përsa i përket dhomës Nr.12, harrojeni, lëreni ashtu si është, me gjithçka dhe gjithsecilin që mbart brenda!”
Sportelisti thjesht nguroi për momentin, por zëri shkumbëzues i tjetrit në vijueshmëri e shkundi nga vendi, “Vëri vath në vesh të gjitha sa po të them, nguli në tru pa t’u dridhur gjunjët! Kupton?!”
Nga dritarja e sallonit bujtinarit të asaj bujtine të vogël i’u shpërfaq stuhia që po thyej në zemër të territ, duke larë kalimthi çdo çast në ikje.
Ndjeu se pesha e barrës po i lehtësohej thellë në shpirt, ndërsa vetbesimi po i rikthehej së bashku me kthielltësinë e mendjes.
E përktheu nga anglishtja Flurans Ilia