More
    KreuLetërsiBibliotekëDhjetë proza të shkurtra nga Shazim Mehmeti

    Dhjetë proza të shkurtra nga Shazim Mehmeti

    MUND TË SHFLETOSH NJË ENCIKLOPEDI TË TËRË…

    Mund të shfletosh një enciklopedi të tërë dështimesh, mund të shohësh, analizosh, njëmijëenjë shembuj për dështimet, madje edhe për dështimet e ditës.

    Por, s’mund të gjesh një dështim tjetër që mund të ngjajë me timin. Dështimi im, gjithëherë ka qenë lëvizja e vrulltë e e pamendtë e një çuni të vogël e ëndërrues, që çast për çast vrapon, (vrapon akoma dhe akoma), vrapon e then, e humb diç nga ky trup fatkeq: një këmbë, një dorë, një sy, një mendim të dëlirë, një gëzim, apo mozomakeq, kokën.

    Këtë topth me kaq pak ballë sipër, me kaq pak mend, e me dy sy të tharë, që sytë e tu e shohin pikërisht tani mbi supet e mia, mbi qafën time, nuk është koka ime, po koka e këtij çasti, që merr përsipër t’më sigurojë një vrapim ardhës, një dështim ardhës, një vuajtje ardhëse, të ngjashme me atë që më ndodhi vetëm një çast para këtij çasti…

    (E pra? Ora është aq sa është, dhe  ne mund të jemi, veç për aq sa na lejon Ora…)

    LËKUNDJE

    Lëkundet dita. Dita lëkundet si një e marrëmendsh.

    (I dehur jam, a vërtet lëkundet dita?…)

    Matanë dritares, n’trotuar, shoh si kalojnë, si ecin dy njerëz, që lëkunden poashtu.

    Lëkundet edhe ai qenush i vogël, që ka një këmbë të thyer, e u ngjitet pas.

    Edhe kafeja, edhe kjo gotë uji që kam mbi tavolinë, edhe cigareja ndezur, edhe taketukja, edhe dora ime, lëkunden, lëkunden.

    Lëkundet edhe banaku i kafenesë, e pas banaku, flokëkuqe, e bukur si një perri, edhe kamarierja lëkundet, teksa m’përpin me sy e m’buzëqesh.

    Gjithçka lëkundet në këtë çast, përveç këtij mendimi, që më thotë të ngutem, ta marr n’përqafim, kamarieren e bukur…

    ISHTE E RE. POTHUAJSE E BUKUR…

    Ishte e re. Pothuajse e bukur. Dinte t’i menaxhojë gëzimet, hidhërimet. Dinte të mbledhë, të zbresë numra, me pafund. Dinte, edhe të shumëzojë e pjesëtojë, madje edhe shumë më shumë se aq.

    Kur ulej të hante, nuk zgjidhte fare. Kishe qejf ta shihje si hante, si i mblidhte e i hante, edhe thërmijat, njëpërnjë.

    Nuk kishte kërkesa, si ca të tjera. Kënaqej me pak. I mjaftonte prezenca e atij, paçka se s’ia frynte kurrë, barkun, me bukë. Nuk i kërkonte lukse, si shëtitje, veshje, e gjëra me pafund.

    I kishte gjithë të mirat e një femre të mbarë, por edhe një fat të keq, që ia hëngri kokën: u lidh të jetojë me një dështak si ai, që s’dinte, madje, as të numërojë, dhe që e rrehte e ia hante mishin ditë për ditë, ditë për ditë ia pinte gjakun, ia zinte frymën…, derisa një ditë… një ditë… përnjëmend e vdiq… me një gotitje n’kokë!!!

    (Për çudi, atë goditësin s’e gjeti gjë. Ai, sot e kësaj dite, vazhdon t’jetojë i lirë, i lirë, i lirë…, si një bishë e egër n’mal… ku ai është bisha, dhe gjithë ne jemi mali…që s’bëzan!!!)

    FLUTURA

    Dje, gjithë ditën e ditës, një flutur të bardhë ndoqa. Gjithë ditën e ditës, ia mata lëvizjet, rrugën, drejtimet. Ia mata nisjet, ndaljet, ngritjet, uljet, uljengritjet, ngritjeuljet… Ia pashë madje, edhe lotët që i rrodhën, lotët që i la… te pragu i muzgut.

    Në fund të ditës, ndjeva, njëkohësisht, një lodhje të pamasë dhe po aq lumturi.

    Sot, po arrij të kuptoj një gjë: Ditët janë flutura të bardha, që Zoti zemërgjërë na i fal neve, që të kemi ç’të bëjmë me to, e t’ia bëjmë disi me veten…

    MËNYRË SHPËTIMI

    Kur jam keq, gjej një mënyrë, edhe shpëtoj: marr, i kruaj veshët, sytë, e terroj shikimin, pirë a papirë dehem, e bëj veten trroll.

    Kur jam mirë, gjej poashtu një mënyrë, edhe shpëtoj: marr, kundroj një pemë, e mpreh shikimin mbi atë pemë, e lëmoj mendimin për atë pemë, e mendoj atë pemë si trupin tënd, i afrohem, i ngjitem, bëhem ti…

    Ja, kështu… kështu ia bëj… Kështu ia bëj, qëkur m’keni lënë… ti dhe ajo koha ime: ti që m’je koha, dhe koha që m’është pemë…

    MBASE FJALË KOTI…

    Mbase fjalë koti, por, ka një lloj femrash që janë të bukura, e që bërë janë veç për t’i dashur. I do, edhe kur s’i do, i do edhe kur i do. Kur s’i do, i do, por disi më pak. Kur i do, i do, por disi më shumë.

    Si planetka të largëta, gjithnjë të palumtura janë ky lloj femrash: nuk arrijnë ta dinë se i duam, dhe për më keq, na duken disi të paarritshme, disi të padiskutueshme.

    Pyes veten, pse vallë, na duken të tilla?… Kërkoj mënyrë, për ta gjetur arsyen pse na duken të tilla.

    Femrat e tilla, mbase janë si ëndrrat: flurore; të paqena, edhe kur janë të qena; të qena, edhe kur janë të paqena.

    Besoj se femrat e tilla, janë disi edhe të qasshme, përveç një gjëje të vogël që është shumë e madhe: nuk janë për prekje!

    Dhe, gjithë kjo e keqe, u vjen nga droja jonë mashkullore për t’ua zënë rrugën e për t’u thënë se i dëshirojmë, dhe mund t’i bëjmë edhe të lumtura. Por, jo vetëm kjo. Gjithë kjo e keqe atyre mund t’u vijë edhe nga ai parashkrim i keq: Parashkrimi i të qenit Vetëm me Veten…

    DREKË

    Ajo më ka vënë përpara një drekë të varfër: bukë, kripë e qepë të pjekura. Çuditërisht, dreka më vjen e shijshme. Më vjen e shijshme deri… n’meditim.

    Kur frigoriferin e ke përplot me mish e me zarzavate të freskëta, e ke më të lehtë të përgatisësh një gjellë të shijshme. E ke më të lehtë, sepse ke me çka.

    Shpirtrat e rinj, që mbushur janë me ndiesi të holla, disi më të lehtë e kanë, të na sjellin një gjellë të shijshme fjalësh.

    Tjetër gjë ndodh me shpirtrat e vjetër: në mos qofshin të vdekur, shpirtrat e vjetër janë si frigoriferë të boshatisur. Për të nxjerrur gjë qandej, duhet ditur të bësh gjellë edhe prej asgjëje.

    (Mbetet gjithnjë e nevojshme, gjetja e një përgjigjeje për një pyetje banale, të thjeshtë e të stërshtruar: “A mplaket shpirti?…”

    Kam një përgjigje me qepë të pjekura, më banale se vet pyetja, por nuk e them…)

    UNË TË DUA..

    Unë të dua, dhe ti e di se unë të dua. Unë ta shtrij dorën, por ti më përbuz. (Nga dashuria?)

    Dakordohem me përbuzjen, marr të ik, por ti më kap për jake, më kthen kah vetja.

    Dakordohem sërish, dorën ta shtrij, por ti dorën ma kafshon.

    Ta shoh përgjakjen e turirit. Kokëulur, marr sërish të ik, por nga mbrapa, ti m’sulesh, ma kafshon supin, për aq sa krahu im i majtë, dora ime e majtë bie përtokë.

    Ulem ta prek, ta marr, ta ngris me të djathtën, por ti m’sulesh sërish, ma ha gjithë shpinën.

    Tashmë koka ime është përtokë; tashmë koka ime është tokë. Veç sytë e mi kanë akoma edhe ca xixa gjallërie, fare pak xixa, aq sa, mezi arrij të të shoh mjegullisht, si më gllabëron të tërin. Por, s’arrij të të shoh me fund, sepse pikërisht tani, pikërisht tani… sikur më prek një dorë mbi sup, një frymë m’bie mbi frymë, dhe… po më del gjumi…

    (Paska qenë ëndërr… shyqyr, Zot!…)

    VERBËRÌA

    Një dashamire vargjesh, se si kishte gjetur një mënyrë, për të ma bërë këtë pyetje: “Je vërtet i verbër, apo bën sikur je?”

    Pamendueshëm, iu përgjigja troç: “Jam, dhe bëj sikur jam.”

    Tashti, që po e mendoj më mirë mrekullinë e dritës (edhe mrekullinë e dijes?), arrij të kuptoj, se i kisha pas dhënë asaj dashamirëseje, përgjigje të gabuar.

    Qenka pas dashur t’ia jap këtë përgjigje: “Nuk bëj sikur jam i verbër, po jam i verbër…”

    EMRI

    Gjithë fëmijët i donin gjyshërit, unë e doja stërgjyshin. E doja, e doja, dhe, edhe pse isha i vogël, e ndija si shkrihej ai, kur m’i hidhte sytë, kur m’i ledhatonte flokët, kur m’i prekte duart. Diç si dritë e rralluar, sikur i dilte përsyshë, sa herë ma thoshte emrin.

    Nuk i ndodhte një gjë e tillë, kur i prekte vëllezërit e mi (që fëmijë e të vegjël ishin edhe ata), dhe kjo gjë më bënte disi, dhe gjel dhe kureshtar.

    Kur ndërroi jetë stërgjyshi im, mua thuajse m’u shemb bota. Më, qiellin nuk e gjeja, me ngjyrën që e gjeja. Drita e mëngjeseve, filloi të mos më mrekullojë, si më mrekullonte dikur, kur gjendesha ulur në prehërin e tij. Lojërat e elemisë, ndryshe m’u bënë, disi të pashije, të pamagjishme.

    Përnjëkohë, nëna ime (ndjesëpastë), i kishte vërejtur te unë këto ndryshime. Dhe, për të bërë të ndihem më mirë, sikur e mori ajo rolin e stërgjyshit.

    Një ditë, teksa m’i lëmonte flokët, e m’i prekte duart me duart e saja të përdjegura nga saçi, bëlbëzueshëm, nëna ma fryu n’vesh emrin tim. Ma fryu, mu ashtu si ma frynte stërgjyshi im, sa qe në gjallje. Që atë ditë, ndjeva disi sikur m’u kthye gëzimi, sikur m’u kthye magjia e ngjyrës së qiellit, magjia e dritës së mëngjeseve, magjia e lojës së elemisë…

    Por, kureshtja për magjinë e lidhjes së stërgjyshit tim me mua, nuk m’u shua kurrë, derisa, vonë, vonë, një ditë, pothuajse kur u rrita, nëna ime m’i kapi duart, dhe ngadalë e me lotë në sy, ma shpjegoi gjithë magjinë e asaj lidhjeje: në moshë fare të re, stërgjyshi im kishte pas varrosur një evlad të vetin, që pagëzuar kish pas qenë me emrin tim…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË