More
    KreuLetërsiBibliotekë“Dhimbja nuk ka mëshirë”, poezi nga Preç Zogaj

    “Dhimbja nuk ka mëshirë”, poezi nga Preç Zogaj

    (Nga vëllimi “Kalimi”, 1998)

    1-Ajri mblidhet lëmsh në zemrën time

    Ajri mblidhet lëmsh në zemrën time.
    Edhe pak kohë do të jetë i jetueshëm
    ky vend ku flaka s’ka e s’ka të sosur
    në vijën e hapur për në ish-histori.

    Gjallë ende në shpirt, prandaj të turpëruar
    nga fytyrat tona kaq të pandryshueshme.
    Si do t’ia bëjmë me dashurinë tonë?
    Në cilën gjuhë do fshihemi,
    në ç’dialekt do duhemi?

    Në çdo pasqyrë
    na vështron mëkati.

    1995


    2-Të ikësh e të vish

    Të ikësh e të vish – kjo është çështja.
    Të mungosh dhe askush të mos vuajë për ty,
    të prekësh botën tjetër dhe të kthehesh.

    Këtu ti ke harruar të luash,
    Të vjen keq të hash,
    të dhëmb të flasësh.
    Ti ke qenë atje dhe je kthyer
    para pak çastesh.

    Shpejt, shpejt se drita e mbrëmjes
    po shuhet në muzgun banal!
    Mendimet hyjnore të botës
    vriten në tokën e sotme.

    Tani jemi prapë të barabartë!

    Verë 1995


    3-Kalimi

    Në rugën për Lezhë, natën vonë,
    duke u thyer mesnata, epoka,
    Syri im, shpirti im
    pret e mbledh
    rrugë të përlotura.

    S’do të kem të bëj më meTiranën,
    me errësirën prapa,
    Nisja nuk ekziston,
    Nuk ekziston vazhdimi.
    Ka vetëm zhvendosje
    Dhe ndoshta mbërritje
    Në një tjetër rilindje.

    Minutat e kohës, shekujt e shpirtit
    Në sinkron rrotullohen dhe rrahin në zemër,
    Fshtra të heshtur përçark dhe nata që përpelitet
    sikur po lind një natë tjetër.

    Do të arrijjmë diku,
    Do të kalojmë matanë
    Shtatëdhjetë kilometra dhe pafundësi,
    Të lirë makinë duke e lenë
    në terr e yllësi…

    Kalimi u bë, po tani çdo të jetë?
    Shpirti më thotë: mos u kthe, mos u nis!
    Poshtë është përseritje, lart është mërzi
    Dhe besoj asgjë, asgjë midis.

    Qershor 1998


    4-E vazhdueshme

    “Kur bie ora katër e mëngjesit
    unë nuk jam veçse një fantazmë”
    Fitsxherald

    Çdo natë unë vdes
    pa pendesë, pa kujtime.
    Por në mëngjes
    fantazma ime ngrihet,
    truri ngadalë mbushet me gjykime,
    Dhe s’mbaron kurrë,
    kurrë s’mbaron
    as kjo jetë,
    as ajo jetë.


    5-Vetmia e saj

    Vetmia e gruas sime
    është sinjifikative
    në vitin në vazhdim
    në moshën dyzet vjeç.

    Me të rënë mbrëmja mblidhet si mjellmë,
    Ka shumë frikë, shumë dhimbje në sy.
    Unë e kuptoj: me një bishë të egër
    kufizohet vetmia e gruas sime.

    Vetmia e zbrazur, vetmia vetmitare
    e gruas sime në vitin në vazhdim,
    vizitohet natën nga pemë të përgjakura,
    toka të rroposura, det i rënë përmbys…

    Pastaj vinë me radhë fëmijë që ngjallen
    në prehrin e burrave dhe kërkojnë sisë.
    Miliona shenjtorë me lot nëpër faqe
    dalin nga pendimi njerëzor.

    Vetmia e gruas sime zgjohet.
    Është ditë, bota s’ka lëvizur nga vendi.
    Gjithçka duket normale në vitin në vazhdim,
    Vetëm këpucët e mia s’po mbushen me mend,
    Prapë ia marrin vrapit duke u lidhur rrugës.

    korrik 1996


    6-Dhimbja nuk ka meshirë

    Marçelo Mastrojanit

    Nganjëherë vij dhe unë nga një planet tjetër
    ta banoj përkohësisht këtë tokë, këtë gjuhë.

    I shoh, i njoh njerëzit e racës.
    Ikin e vinë me dorën në faqe,
    duke mbledhur rrugës
    plagët e padukshme.

    Por dhimbja nuk ka mëshirë.
    Nuk i fal ajo vizitorët
    që vinë ta marrin
    në një copë zemër…

    Marçelo Mastrojani vdiq në Tokë.


    7-Rruga “Prever”

    Rruga “Prever”. Tetë e tetë gjashtëmbëdhjetë…
    Po gjashtëmbëdhjetë e gjashtëmbëdhjetë sa bëjnë?
    Nuk bëjnë asgjë gjashtëmbëdhjetë e gjashtëmbëdhjetë,
    Sidomos nuk bëjnë tridhjetë e dy,
    Në asnjë mënyrë.
    Ende jo.
    Dhe më tej,
    Gjithë këto vite,
    Zhak Prever s’ka lëvizur nga vendi,
    Parisi prapë e prapë në mëdyshje:
    Ikën, kthehet, ikën, kthehet,
    Nuk di si t’ia bëjë,
    Nuk di nga t’ia mbajë,
    Në një anë monedha unike, Mahstrihti,
    Barbara e lagur qull në anën tjetër,
    pa asnjë shpjegim, shkrehet në dënesa.

    Si ikën koha!
    Si nuk ikën koha!
    Më gjatë se çdo gjë unë kam jetuar.
    Vetëm unë nuk jam ai që kam qenë
    dje, pardje…-
    Vetëm unë kam ndryshuar!

    Të tjerët ta marrin në dorë
    Shqipërinë e vrarë
    me gurë qiellorë.
    Dikush duhet të qajë atje dhe sa kohë
    lotët i kam ende mu në grykë,
    i dal unë zot edhe njëherë vajtimit.

    Paris, maj 1999

    *Barbara- personazh i një poezie të famshme te Preverit


    8-Të bukurat ikin

    Të bukurat ikin, kështu e kanë zakon,
    Nuk i mban vendi, as ne.
    Në qytetet e botës me gidë në dorë
    humbasin shpesh, përgjithnjë.

    Emrat e tyre shqiptohen ndryshe.
    Pamja e tyre gjithashtu është tjetër,
    Janë shumë të zëna duke ndjekur oraret,
    A duke u ikur akrepave.

    Por nganjëherë, kur rastësisht,
    ndalen diku të mbushen me frymë,
    Ylli i tyre shndrit disa sekonda
    me një dritë të harruar
    që nuk emërtohet.

    Më ndodhi mua në Paris,
    isha vetëm,
    në Sharl De Gol d’Etoile, afër metrosë.
    Më jepte shenjë një vizllim i butë
    nga ana e flatrës…

    E pashë Veronikën pas kaq kohësh,
    Në terr… përtej… po puthej me mua.

    Paris, maj 1999


    9-Ndryshime…

    Akoma gjallë në rrugën për Lezhë,
    mes kujtimesh të panjohura,
    mes kujtimesh të vdekura.
    Përskaj të njëjtit det
    dhe maleve të njëjta.

    Mirë ia kanë bërë dashurisë sime!
    Tani nuk e ruan asnjë gur, asnjë dallgë.
    I tepërt shkoj rrugës, endacak dhe në pritje,
    më i vogël se im bir,
    më i vjetër se im atë.

    Akoma gjallë në Fildanë, në kullë,
    kthyer s’di kur,
    zgjuar në torturë.
    Pulat e rosat tremben,
    Nuset e orët çmenden.
    Prindërit e mi të urtë –
    fëmijë, tamam fëmijë,
    bëjnë kryqin e shkojnë
    të ndezin një qiri.

    Kohët u hallakatën,
    veç kajsia e kopshtit
    lulëzon si më parë…
    Nuk shkon, diçka është prishur.
    Akoma gjallë Edi,
    Gjallë Iliriani-
    i prekuri i radhës
    prej Afërditës.

    Pranverë, 1996


    10-Revolucioni

    Në fushë të nderit
    mijëra pemë ranë,
    Shumë porta u mbyllen
    me ferrë e me vaj
    O, çfarë qimiteri
    Dhe çfarë mërize,
    Dhe sa pak dhimbje
    Përballë kësaj flije.

    Ne, po ata
    Gjallë dhe fitimtarë!

    Shkoi revolucioni.
    Vështrimet shëtisin
    mbi plagët e rrugëve
    në tokë të djegur.
    Dy duar të holla
    më kot mundohen
    të vëne në punë
    dashurinë…

    Ne besë na preu
    Revolucioni!

    Qershor, 1995

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË