More
    KreuLetërsiBibliotekë"Dëshira të thjeshta", poezi nga Gioconda Belli

    “Dëshira të thjeshta”, poezi nga Gioconda Belli

    Dëshira të thjeshta

    Sot i kisha dashtë gishtat e tu me më shkrue histori në lkurë
    e kisha dashtë puthje në shpindë
    me më marrë para duersh,
    me më thanë të vërtetat ma të mëdha
    o ma të mëdhatë gënjeshtra.
    Me më thanë për shembull
    që jam grueja ma e bukur e botës
    që më do shumë,
    gjana si këto,
    aq të thjeshta,
    aq të përsëritshme.
    Që me më rrethue ftyrën
    e me më ndejtë tue më pa sytë,
    sikur jeta jote të varej prej buzëqeshjes së të mive
    tue ngatërrue të gjitha pulëbardhat në shkumë.
    Due gjana, si me ecë në trupin tim
    udhë e pyllëzume dhe kundërmuese
    me qenë ti shiu i parë i dimnit
    me të lanë me ra kadalë,
    e ma pas në breshën.
    Gjana due, si nji vorbull të madhe ambëlsie
    tue u zhdukë
    nji zhurmë e nji kërmilli,
    nji akuarium me peshq në gojë.
    Diçka të tillë,
    të njomë e lakuriqe
    si nji lule në prag të dhanies së dritës parë
    të agimit
    ose thjesht nji farë, nji pemë
    pak barë
    nji përkdhelje që të më bâjë me harrue
    kalimin e kohës
    luftën
    rreziqet e vdekjes.


    Dashni frutash

    Më le me shpërnda
    molla në seksin tand
    nektar mangoje
    mish luleshtrydhesh;

    Trupi yt janë të gjitha frutat.

    Të përqafoj dhe reshin mandarinat;
    të puthi dhe i gjithë rrushi bjen
    vêna e fshehun e zemrës së tyne
    në gojën time.
    Gjuha ime ndien në krahët e tu
    langun e amël të portokalleve
    e në këmbët e tua shega
    fsheh farat e saj joshëse.

    Më le me korrë frutet e ujit
    që djersitin në poret e tua:

    burri im prej limonash e pjeshkësh,
    më jep me pi në burime pjeshkësh e bananesh
    në tufa qershish.

    Trupi yt asht parajsa e humbun
    prej të cilit kurrnjiherë asnji Zot
    nuk ka me më dëbue.


    Sigurisht që nuk jemi nji ceremoni mortore

    Sigurisht që nuk jemi nji ceremoni mortore,
    pavarësisht krejt lotëve të gëlltitun
    jemi me gëzimin e ndërtimit të së resë
    dhe i gëzohemi ditës, natës
    madje edhe lodhjes
    e mbledhim buzëgaze lart në erë.

    Përdorim të drejtën me u gëzue,
    që e kem’ gjetë dashninë
    në tokën e largët
    e ndihemi me fat
    që kena gjetë shoqënues
    për me nda bukën, dhimbjen e shtratin.

    Ani pse kena le për me qenë të lumtun,
    shihemi të rrethuem prej trishtimit e vanitetit,
    prej vdekjesh e strofkullash të detyruem.

    Tue ikë si të përndjekun
    shohim si na lindin rrudhat në ballë
    e bahemi seriozë,
    por gjithmonë e përgjithmonë
    na përndjek buzëqeshja
    e mbërthyeme edhe për thembrash
    e dimë me dhanë nji të qeshun të mirë
    e me qenë të lumtun në natën ma të thellë e ma të mbyllun

    Sepse jena të ndërtuem nga nji shpresë e madhe,
    nga nji optimizëm i madh që na mban të mbërrimë
    e endemi tue mbajtë fitoren për qafe
    tue andrrue tringëllimën e saj për çdo herë ma tingulluese
    dhe e dimë se asgja nuk ka me ndodhë që me na ndalë
    sepse jemi fara
    e dhoma e nji buzëqeshjeje intime
    që ka me shpërthye
    tash shpejt
    në ftyrat
    e të gjithëve.


    Si nji mace me gojë nalt

    Të due si mace me gojë nalt,
    si e shtrime me barkun nalt të due,
    tue mjaullitë përtej shikimit tand,
    të kësaj dashnie – kafaz
    i dhunshëm,
    të mbushun me shkelmitje
    si nji natë me hanë
    e dy maca të dashunueme
    që diskutojnë dashninë e tyne në çati,
    tue u dashtë me britma e të qame,
    me mallkime, lot e buzëqeshje
    (nga ato që e bajnë trupin me u dridhë prej lumnisë)

    Të due si mace e shtrime me bark nalt
    e mbrohem prej ikjes,
    për me e lanë këtë grindje
    prej ngushticash e natësh pa folë me njani – tjetrin,
    kët’ dashni që m’i merr mendët,
    që më bushë me polen
    të fertilitetit
    dhe më endet tan ditën në shpindë
    tue më ba me u tundue.

    Nuk kam me ikë, nuk due me ikë, me të lanë,
    të lypi e strukune
    tue gërrhitë,
    të lypi tue dale prej divanit,
    tue luejtë mbi shtratin tand,
    tue ta kalue bishtin nëpër sy,
    të lypi tue u shtri në dysheme
    tue i vendosë syzet për me lexue
    libra për edukimin shtëpiak
    e jo me u endë e trullosun po me ditë me e menaxhue shpinë,
    me e shtrue ushqimin,
    me i rregullue dhomat,
    me të dashtë pa pluhun e rrumujë,
    me të dashtë n mënyrë të organizume,
    me i vendosë rregulla këtij trazimi
    të revolucionit e punës e dashnisë
    me kohë e pakohë,
    natën, në mëngjes,
    në banjo,
    tue u qeshë si mace të qeta,
    tue u lëpi për ftyre si mace të plakuna e të lodhuna
    në kambët e divanit pasi kem’ lexue gazetën.

    Të due si mace falenderuese,
    e shëndoshun prej llastimit,
    të due si mace e dobët
    ndjekëse e qaramane,
    të due si mace, dashnia ime,
    si mace, Gioconda,
    si grue,
    të due.


    Të braktisun

    Prekim natën me duer
    tue e kullue errsinën mes gishtash,
    tue e ledhatue si lëkurën e nji lope të zezë.

    Jemi braktisë prej të pa dashtunit,
    prej zhgënjimit të jetuemit tue koleksionue orë në boshësi,
    në ditët që lihen me kalue e prapë përsëriten,
    të parëndësishme,
    pa shenja, as diell, as shpërthime shkëlqimtare të qartësisë.

    Jemi braktisë dhimbshmërisht prej vetmisë,
    tue ndie nevojën e dashnisë për nën thonj,
    nji vrimë pincash shpuese në gjoks,
    kujtimi dhe zhurma si brenda nji krymbi
    që ka jetue tashma tepër në nji akuarium qyteti
    e prapë mban në vete zërin e detit në labirintin e guaskës së tij.

    Si me e rikapë kohën?

    Me ia rivendosë trupin e fortë të dëshirës dhe ankthit,
    me e ba me u rikthye të friksueme
    për vendimin tonë të pathyeshëm?

    Por…kush e di a kemi me mujtë me e rikapë momentin
    që kemi humbë.

    Askush nuk mundet me e parashikue të kalumen
    kur tashma ndoshta nuk jemi ma të njejtit,
    kur tashma ndoshta kemi harrue
    emrin e rrugës
    ku
    ndonjiherë
    kemi mujtë
    me u takue.

    Përktheu Manjola Brahaj

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË