More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDamian Alia: Një verë me Migjenin

    Damian Alia: Një verë me Migjenin

    Si do të ishte një verë me Migjenin? Apo një dimër a një vjeshtë? Një verë migjeniane apo thjesht një Migjen veror?

    Kujtimet e Lazër Radit të përmbledhura në vëllimin Një verë me Migjenin janë një përgjigje ngushulluese dhe e kënaqshme ndaj pyetjeve të shtruara. Por duke qenë se për Radin ishte nje verë me Migjenin, ndoshta vera më e rëndësishme e jetës së tij të re, atëherë më shumë se të themi një verë migjeniane apo një Migjen veror, do të mjaftohemi duke pohuar thjesht se një verë me Migjenin është fat i madh, fati i Lazër Radit në këtë rast.

    Ky tekst është ndoshta një nga të paktat dëshmi që risjellin një periudhë prej njëqind ditësh jete në praninë e poetit. Sigurisht, ne kemi vetëm librin dhe nuk mund të bëjmë tjetër veçse ta lexojmë dhe të zbulojmë Migjenin apo mësuesin Millosh, siç i referohet Radi. Por përtej kësaj, gjëja më e afërt me riprodhimin e një vere me Migjenin mund të jetë sipas modelit të Antoine Compagnon i cili për një verë të tërë tek radio France Inter foli e tregoi në pak minuta për Montaigne dhe esetë e tij, të përmbledhura më pas tek Një verë me Montaigne. Pra, një verë që kumbon me poezitë dhe prozat, me anekdotat dhe rrëfimet rreth jetës e personit të Migjenit. Duhet menduar shija që do të merrte një verë e tillë por sidoqoftë, ideja e një radioje a podcasti letrar sipas kësaj fryme është nxitës.

    Libri i Radit, i shkruajtur në vitet 60, me rastin e njëzetepesë vjetorit të vdekjes së Migjenit, vjen si kontribut i çmuar në lëmin e memuaristikave që lidhen me figura të shquara të kulturës kombëtare të viteve 30. Personalisht, fakti që teksti është një i kujtimeve që lidhen drejtpërdrejtë me Migjenin më ngazëllen edhe më tepër duke qenë një mundësi e shkëlqyer për të zgjeruar dhe thelluar njohjen e poetit të ri. Megjithatë, duhet thënë se botimi i parë ndodhi vetëm në 1998 pasi asokohe statusi politik i Radit e pamundësoi daljen e tekstit.

    Ama, nuk mund t’a konsiderojmë më pak se një dhuratë këtë përmbledhje kujtimesh të cilat, në çastet e bisedave më interesante me Migjenin nuk kursen së sjelluri në kujtesë Hazlittin e “Për personat që do të donim të takonim”. E nëse Lamb, Hazlitt vetë apo ndonjë tjetër në atë mbrëmje atmosferike, përmendi dëshirën për të rikthyer magjishëm nga toka e të vdekurve Chaucer, Danten, Sir Thomas Browne, Alexander Pope, etj., e deri tek Leibniz me Hume, të cilët nuk paskan ngjallur ndonjë dëshirë të madhe për takim tek të pranishmit e asaj bisede, atëherë nuk ka dyshim se një nga të parët që do të doja të risillja për një takim pasi të kisha magjepsur Karontin apo Cerberusin si Orfeu, do të ishte pikërisht Migjeni. Mbi njërëzit që do të donim të takonim e që Lazër Radi i ka takuar për njëqind ditë në Pukën e një verë të vitit 1936.

    Rrugët e asaj Puke të vogël e të varfër, dhomat e zhveshura e të ngushta të shkollës në të cilën Migjeni shërbente si kryemësues do të ishin dëshmitare të bisedave nga më interesantet dhe të domosdoshmet. E patjetër që bisedat mbi leximet e librat janë ato që më tërhoqën më shumë nga këto kujtime. Vetpërmbajtja dhe shija, qëndrimet e qarta dhe forma e karakterizojnë mendjen e re dhe brilante të Migjenit. Atë mendje që nuk dëshiron të shprehet si nietzschean dhe pse e ka ‘asimiluar organikisht’ veprën e filozofit dhe që e mbyll duke thënë se “s’më takon mue me u shpreh për ndikimet nieçeane, kët e kanë për detyrë tjerët, ndoshta sot asht tepër herët me u ba nji punë e tillë, dikur ndoshta…”[1] Ajo mendje që problematizon dhe vë në diskutim përfytyrimin e rinisë së kohës mbi komunizmin teksa thotë: “Le t’i marrim gjanat ma konkretisht: çfarë di ti për doktrinën komuniste? Çfarë materialesh ke lexue ti dhe shokët e tu prej Makrsit dhe Engelsit që përbajnë bazën ideologjike të komunizmit? Çka dini ju për reformat sociale që janë zhvillue e po zhvillohen sot në Rusi? Çfarë din ti për reformën komuniste të përshtatun e të zbatueme në Rusi, kur ende atje sundonin mardhaniet feudale? Më kallzo literaturën komuniste që ke kalue ndër duer ti edhe shokët e tu, e mandej flasim.”[2] E megjithatë, ai beson dhe i qëndron besimit tek kultivimi shpirtëror i kombit nëpërmjet letrave sepse fundja, prej tyre do të krijohen kushtet që të prodhohet një Epope e re, e cila do t’i kalojë përjetësisë nëpërmjet këngëve e letrave.

    Radi beson ashtu si Migjeni në fuqinë e tyre për të prodhuar botë të brendshme e të jashtme e pikërisht në këto pasazhe ku shfaqet ky aspket i tij, teksti e tejkalon statusin e vetë si kujtime personale e dokumente historike për t’u ngritur të zbulimi i diçkaje në dukje të humbur apo harruar: entuziazmin e madh të rinisë së kohës për librin dhe mendimin. E ashtu si Radi, Migjeni vetë ishte rinia e kohës. Teksa flet për poezinë “Të lindet njeriu”, Radi na jep vizionin e një bote të humbur por jo të pamundur, kur tregon se “te rinia e konviktit ‘Malet tona’, ajo poezi ishte lexue e komentue kolektivisht. Prej asaj poezie, u krijue ndër ne bindja e plotë se Migjeni ishte poet i vërtetë…”[3] për të vazhduar me tej: “Vargjet sublime t’asaj poezie kishin ardhë në nji kohë të elektrizueme, ku pjesa ma e madhe e rinisë shqiptare, në veçanti ajo studentore, gjithnji e ma tepër po kërkonte m’u angazhue në fatet e vendit, pse ishte duke shpenzue pothuej në boshllëk energjitë e veta, pa nji qëllim të përcaktuem, pa nji objektiv të kjartë, si mundej m’u realizue kjo gja…!?”[4]

    Këtë gjë e vërtetova edhe një herë kur në një cep të Vlorës së qetë të pasmesnatës, lexova disa pasazhe nga kapitulli ku flitet për Nietzschen dhe “Të lindet njeriu” në prani të dy tre miqve. Me të mbaruar, njëri prej tyre më pyeti me shqetësim se nuk dinte si të ndihej kur mendonte se pothuaj para një shekulli, çështje e ide të tilla rrezatonin dhe tërhiqnin besueshmëri, shkaktonin frymëzim dhe ndjenjë përgjegjësie në të njëjtën shoqëri ku sot Nietzsche është i kafeneve apo i harresës. Për të mos folur për dëshirën dhe ndjenjën e urgjencës që ngjall Njeriu i Madh.

    Duket sikur mjerimi kapërdihet sepse është imponim por mendimi mbi Njeriun e Madh nuk gjen shpatulla ta mbajnë sepse është vullnetim. Si mund të ndihet dikush kur përballet sinqerisht me këto sfera të cilat kanë qenë pjesë e Shqipërisë së para një shekulli? Si mund të ndihet veçse të trembet nga vetëdija se nuk di si të ndihet, aq shumë ka ecur procesi i atrofizimit të shqisave jofizike.

    Me siguri që Radi do të na sillte një tekst shumë më të pasur e të detajuar sikur intensifikimi i këtij procesi ngurtësues të mos bënte që familjarët e tij të digjnin korrespodencën dhe ditaret e asaj vere në Pukë prej frikës së ndonjë arrestimi.

    Sidoqoftë, besimi tek poezia e shkrimi nuk u ndalën tek Migjeni edhe pasi mësoi, po nga Radi, se botimi i “Vargjeve të lira” ishte ndaluar. Në të njëjtën mënyrë, ky libër me kujtime i ndaluar dikur na rivërteton, nëse bëhemi për pak çaste bergsonian, se ndalesa nuk i përket Jetës.


    [1]  Lazër Radi, Një verë me Migjenin, Botimet Jozef, Tiranë, 2019, f. 143.

    [2]  Po aty, f. 154.

    [3]  Lazër Radi, Një verë me Migjenin, vep. e cit., f. 137.

    [4]  Po aty, f. 138.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË