“Komedia hyjnore”, udhëtimi i poetit në jetën e krishterë të përtejvarrit, është e mbushur me përkitje të theksuara moderne – dhe një energji poetike të rrënjosur në papërsosurinë njerëzore.
Përktheu nga anglishtja Kadia Dedja
Personazhi kryesor i veprës – një poet i quajtur Dante – hyn në territore të ndaluara, rrëmon më të mirën e më të keqen e njeriut dhe përpiqet të depërtojë në mendjen e Zotit.
Në kohën kur Primo Levi ka punuar si skllav në Auschwitz për thuajse tre muaj, gjatë një pushimi fshehurazi, në pranverën e vitit 1944, atij i kërkoi një i burgosur francez t’i mësonte pak italisht. Levi, një kimist i ri nga Torinoja, u bë kronikani më i rëndësishëm i jetës në kampe, por atëkohë nuk besonte se kishte zotësinë për të mbijetuar. Mendonte shumë. Po e gërryente uria dhe ishte tejet i vetëdijshëm se duart i ishin bërë plagë dhe mbante erë. Më e keqja e gjithë kësaj, e ndiente se gjërat që kishte parë do ta tresnin nga brenda edhe nëse mbijetonte. Do të kishte qenë normale të dorëzohej. Fillimisht, nuk e kuptoi pse i erdhi në mendje një pjesë e Komedisë hyjnore në atë orë fsheharake mësimi – zor të quhej italishte e folur për fillestarë – por tek ai filloi të shpalosej rrëfimi i Dantes për luftëtarin grek, Uliksin. Nuk po i vinin në mend shumë vargje, por, i vendosur ta bënte shokun e tij të burgut të kuptonte, ndonjëherë duke përkthyer në frëngjisht, ngulmoi veçanërisht te fjalimi me të cilin Uliksi nxit grupin e rraskapitur të ushtarëve, më në fund të sigurt në breg, të kthehen në det:
Kijeni parasysh farën që ju solli në jetë:
Nuk jeni krijuar për të jetuar si shtazë,
Por për të ndjekur vlerën dhe dijen.
Levi pandehte se ngjante sikur po i dëgjonte vargjet për herë të parë dhe tingëllonin si zëri i Zotit. Për një çast, harroi ku ishte.
Uliksi i Dantes është e njëjta figurë mitologjike si Odiseu i Homerit dhe përshkrimi i Dantes pasqyron shumë nga e kaluara e njohur e personazhit: një hero i Luftës së Trojës, i njohur për dinakërinë e tij, e shfaqur më mrekullisht në idenë se trojanët mund të binin në kurthin e një dhurate të një kali gjigant druri mbushur tinëzisht me ushtarë. Pasi grekët kanë fituar luftën, mbi të gjitha falë kësaj dredhie brilante, Homeri dhe Dantja divergjojnë rrënjësisht. Tek Odiseja, Homeri tregon historinë e kthimit të zvargur të Odiseut në shtëpi. Lundrimi është i mbushur me ndalesa dhe mëdyshje, por ai u reziston ndjellave më të mëdha në mënyrë që të kthehet te gruaja dhe djali, babai dhe atdheu. Kthimi në shtëpi: kjo është arsyeja e gjithë lundrimit të stërzgjatur.
Por ka të ngjarë që Dantja të njihte një variant tjetër të historisë. Ai nuk dinte të lexonte greqisht dhe në kohën që po shkruante, në fillim të shekullit të katërmbëdhjetë, Homeri ende nuk ishte përkthyer mirëfilli në latinisht, jo më në italisht. Për më tepër, shihet qartazi se çdo variant me një kthim të lumtur në shtëpi nuk ishte historia që Dantja kishte nevojë të tregonte. Uliksi i tij ishte një aventurier me një etje të pangopur për dije dhe aventurë. Edhe pse familja e tij po pret në shtëpi, ai zgjedh të qëndrojë në det dhe të lundrojë përtej limitit të pranuar të lundrimit njerëzor, Ngushticës së Gjibraltarit – mos harroni, kjo ishte shkruar thuajse dyqind vjet para Kolombit – në një oqean të shkretë dhe me të panjohura të rrezikshme. Fjalimi që mban përpara pjesës që kishte mbetur nga njerëzit e tij të rreckosur, një fragment i të cilit shfaqet më lart te përkthimi i Allen Mandelbaum-it, është i mbushur me krenari dhe aspiratë. Levi, si shumë të tjerë, e shihte fjalimin e Uliksit si një shembull që i jep forcë shpirtit të shprangosur njerëzor. Megjithëkëtë, Uliksi shkaktoi vdekjen e të gjithë njerëzve të tij të cilët, pasi janë kandisur, ndjekin liderin e tyre dhe mbyten në një stuhi të tërbuar. Për më tepër, shakullina që i përfshin ata nuk është thjesht një aksident, por akti i një Zoti të zemëruar. Fjalimi është një arsye qendrore pse Uliksi i Dantes është i dënuar në një ferr edhe më keq se ai i Levit, sepse është i përhershëm.
Komedia hyjnore, e konceptuar si një udhëtim i prirë në jetën e përtejme të krishterë, është shkruar në tri vëllime që korrespondojnë me tri mbretëritë që presin të gjithë shpirtrat njerëzorë pas trupëzimit të shkurtër të tyre në tokë: Ferri, Purgatori dhe Parajsa. Autori, Dante Aligieri, lindur në Firence më 1265, është po ashtu personazh kryesor i saj – jo një luftëtar si në epikat homerike ose në pasardhësen e tyre latine, Eneida e Virgjilit, por, krejt ndryshe, një poet, një njeri me cene dhe vetëshqyrtues, rënia në dëshpërim e të cilit e vë dramën në lëvizje. A po përjeton Dantja një krizë besimi? Ose, në termat e sotëm, një krizë mesmoshe orientimi? (Ai na tregon se është në gjysmën e rrugës së jetës.) A po has vështirësi duke imagjinuar poemën epike që po synon të shkruajë? Të gjitha këto probleme, të ndërlidhura, fillojnë zgjidhen kur shfaqet Virgjili në pyllin e errët ku Dantja e gjen veten, duke e prirë përtej rreziqeve që i kanë zënë rrugën. Ose, më qartë, shfaqet hija e Virgjilit, duke qenë se ai jetoi në epokën e perandorit August dhe ka vdekur rreth një mijë e treqind vjet më parë.
Poeti i madh romak ishte muza e Dantes në shumë mënyra – tek Eneida, Enea vizitoi Botën e Nëndheshme për t’u këshilluar me të atin – dhe Virgjili te Komedia hyjnore është i ditur, i dashur, mbrojtës. Ai bëhet si një baba për poetin e ri shpesh të çoroditur, duke e udhëhequr atë nga qermi i Ferrit deri në qendër të tij dhe pastaj përsëri lart, mespërmes Purgatorit dhe në prag të Parajsës. Atje, Virgjili duhet t’ia kalojë detyrën e tij një tjetri. Si një pagan që vdiq përpara Krishtit dhe për këtë arsye ishte i pazoti për besimin e vërtetë, ai nuk mund të shkelë në Parajsë dhe duhet të kthehet në vendin e tij të përcaktuar në skemën hyjnore. Ai po ashtu shihet – figura më e dashur në botën pafundësisht gumëzhitëse të Dantes, një lloj Poloniusi ose Dumbledori antik – se është i dënuar të kalojë përjetësinë në një rreth të Ferrit. Nuk ka tortura fizike në këtë vend të quajtur Limbo dhe me sa duket, kuvendimi është i rrallë. (Homeri, Horaci dhe Ovidi janë mes paganëve të tjerë të virtytshëm që i takojmë përkitazi atje.) Por kjo nuk do të thotë që Virgjili nuk vuan ngaqë i është mohuar shpëtimi. Për të Limboja mbetet një “burg i errët”, sepse ngelet jashtë dritës së Zotit, përgjithmonë dhe pa shpresë.
Edhe për Danten rregullat duken çuditërisht të padrejta. Ferri, qartazi mbretëria më e dhunshme nga të gjitha, shndërrohet në librin më të gjallë dhe më argëtues, i mbushur me veprim, përbindësha fantastikë dhe me raste, farsë. (Një djall me emër të qëlluar, Malacoda – Bishti i Keq – thërret bandën e tij me pordhë të fuqishme që “ia kthejnë prapanicën në një trumbetë”.) Mbi të gjitha, është i mbushur me histori njerëzore. Dantja – personazhi i quajtur Dante – lëviz nëpër nëntë rrathët që përkeqësohen gjithnjë e më shumë si një reporter, teksa mbledh rrëfime nga shpirtrat e mjerë duke u premtuar të ruajë emrat dhe historitë e tyre në tokë. Ai është krijesa më e rrallë, një vizitor i gjallë dhe po mban shënime me mendje. Virgjili, me një përkitje të theksuar moderne, bind një gjigant të frikshëm që funksionon si një lloj ashensori mes rrathëve të Ferrit që t’i zbresë poshtë ngadalë, duke i thënë që Dantja – Dante shkrimtari – mund ta bëjë atë të famshëm.
Sidoqoftë, Ferri është i mbushur me tortura të përgjakshme dhe të llahtarshme. Nga këndvështrimi i Dantes, disa mëkatarë e meritojnë plotësisht dënimin që kanë marrë: klerikë të korruptuar, për shembull – përfshirë një papë – janë ngjeshur kokëposhtë në vrimat e tokës shkëmbore, me këmbët që u frushkullojnë dhe shputat që u lëpihen nga zjarri. (Ka një numër të konsiderueshëm priftërinjsh në Ferr; fiorentinë po ashtu.) Në raste të tjera, ai i mëshiron shpirtrat që takon dhe për këtë qortohet nga Virgjili. Të ndiesh mëshirë nënkupton të vësh në dyshim gjykimin e Zotit. Se Djalli nuk ka pushtet këtu; ai vetë vuan në rrathët më të ulët të Ferrit, i bllokuar në akull. Vetë Zoti i ka dënuar mëkatarët e papenduar në këtë vend dhe ka projektuar tortura mendjeholla për t’u bërë jehonë krimeve të tyre. Kështu, dashnorët kurorëshkelës goditen nga erërat e furishme që i sjellin vërdallë në krahët e njëri-tjetrit, duke imituar pasionin e stuhishëm që nuk arritën ta kontrollonin. Fallxhorët – ata që mëtonin të dinin atë që mund ta dijë vetëm Zoti – i kanë kokat e përdredhura prapa, si pasojë nuk mund të shohin asgjë veç asaj që është pas tyre. Dhe Uliksi, bindësi gjuhëshpatë i njerëzve, është i ngulmuar në një gjuhë flake. Megjithatë, sado pa anësi të dënohen këta mëkatarë, ata ngjallin jo vetëm keqardhjen e Dantes, por edhe tonën, duke na joshur në një pozitë të pasigurt të vënies në dyshim të drejtësisë hyjnore.
Duke kapërcyer kufijtë, duke sfiduar gjithçka për dije, Uliksi i Dantes ka shumë ndajafërsi me prototipin me cen të njerëzimit, Adamin, të cilin e merr padurimisht në pyetje në Parajsë. (Pyetje: Sa kohë jetove në Kopsht para se të kafshoje mollën? Përgjigje: Rreth shtatë orë.) Ai gjithashtu kishte shumë ndajafërsi me vetë Danten, në vrullin e skajshëm të poetit për të marrë përsipër këtë vepër: duke hyrë në territore të ndaluara, duke eksploruar më të mirën dhe më të keqen e njeriut, duke u përpjekur të depërtojë në mendjen e Zotit. Dhe, megjithëse nuk mund të çlirohet nga shqetësimet e vazhdueshme dhe pyetjet e rrezikshme, ai u jep një paralajmërim të drejtë lexuesve që janë të bindur nga gjuha e tij e mprehtë. “Kthehuni pas nëse doni të shihni sërish brigjet tuaja”, – na paralajmëron Dantja. – “Detet që lundroj nuk janë lundruar kurrë më parë”.
Tanimë bihet gjerësisht dakord se Homeri nuk ishte një individ, por një traditë orale e mbledhur ngadalë, që i është dhënë një emër. Eneida e Virgjilit ndërpritet befas, me ç’duket e pambaruar dhe thuhet që poeti ka kërkuar në prag të vdekjes që të digjet dorëshkrimi. (Ndërhyri Cezar Augusti.) Dante Aligieri, pasardhësi i këtyre forcave letrare përcaktuese të civilizimit, lindi në një familje me të ardhura mesatare në një qytet italian të gramshaleshur nga dhuna politike dhe në një epokë ku sapo kishte filluar rilindja e dijes klasike. Ai ishte një bashkëkohës dhe me gjasë mik i Giotto-s, piktorit të madh fiorentin, të cilin e përmend te Komedia për faktin se ia kishte marrë vëmendjen Cimabue-s – ish-mësues i Giotto-s, i cili krijonte imazhe me ngurtësi ikonike – ashtu si vetë Dantja do t’i kapërcejë shkrimtarët e rinisë së tij. Ja, është çasti kur rreptësia mesjetare, në dy arte të ndryshme, i lë vend ngjyrimit fizik dhe psikologjik, kur trupat njerëzorë shtriqin gjymtyrët dhe marrin frymë. Në të njëjtën gjeneratë, Bokacio do të shkruante që Dantja ka hapur rrugë që të rikthehen në Itali Muzat e munguara prej kohësh.
Ai kishte ambicie që në fillim. Prue Shaw, në librin e saj të ri Dantja: Komedia thelbësore (Liveright) thekson rëndësinë dhe shpirtmadhësinë e rrallë që Dantja ia akordon zanatit të poetit dhe se si, që në fillesë, ai besoi se aftësitë e tij mund të ishin të njëjta me ato të poetëve të mëdhenj të antikitetit klasik. Shkrimet e tij të hershme pasqyronin stilin e njohur të trubadurëve francezë, poetët-muzikantë të oborrit që kënduan për përgjëratën e tyre për një zonjë të bukur. Në rastin e tij, e shtrenjta ishte e paarritshmja Beatriçe Portinari, vajza e një bankieri të pasur, të cilën Dantja mëton ta ketë dashur që kur u takuan për herë të parë, kur të dy ishin fëmijë – një grimë mitizimi magjepsës i historisë personale – dhe që vazhdoi deri në vdekjen e saj të parakohshme, në moshën 24-vjeçare. Dukej sikur nuk kishte rëndësi që shiheshin rrallë dhe që të dy, për arsye financiare dhe politike, ishin martuar me njerëz të tjerë. Në Komedinë hyjnore nuk përmendet askund gruaja e Dantes apo katër fëmijët e tyre. Beatriçja ishte dashuria që ushqeu poemat e tij, e cila pas vdekjes së saj veçse mori një karakter më shpirtëror, kur vetë emri i saj – që do të thotë lumni – bëhet për të një formë lutjeje.
Nëse poezia e formësoi jetën e Dantes, politika e batoi atë. Në vitin 1300, në mes të të tridhjetave, ai shërbeu në një komitet qeveritar fiorentin që syrgjynosi disa liderë të dy tarafeve politike në konflikt, për një lloj paqeje. Vitin e ardhshëm, ndërkohë që Dantja ishte në një mision diplomatik në Romë, kishte rënë tarafi i tij në atdhe dhe ai ishte akuzuar pabesisht për korrupsion. U syrgjynos në mungesë nga Firencja dhe në vitin 1302 ishte marrë vendimi të digjej në turrën e druve nëse kthehej ndonjëherë. Për pjesën e mbetur të jetës – rreth njëzet vjet – ai kërkoi strehë në qytete të ndryshme italiane, me dialektet dhe kulturat e panjohura vendase, që i ushqyen si një hidhëti ashtu edhe një përgjëratë, të cilat ndihen në veprën epike që mori përsipër. Ai mbase filloi ta shkruante veprën rreth vitit 1307, por e vendosi datën e fillimit të poemës, krejt qëllimshëm, para syrgjynosjes – në pashkët e vitit 1300. Ai e quajti thjesht Komedia, duke pasur parasysh një vepër që fillon në errëti, por, ndryshe nga tragjedia, përfundon në dritë. Mbiemri “hyjnore” është shtuar nga në tipograf më shumë se dyqind vjet më vonë, duke pasqyruar si temën e veprës ashtu edhe statusin e saj.
Mitologjia klasike, historia e antikitetit dhe e mesjetës, teologjia kristiane, astronomia, moraliteti, filozofia aristoteliane, murgjit e murgeshat, laviret, falsifikatorët, blasfemuesit dhe poetët (Purgatori është plot me poetë): të gjitha përfshihen në një skemë rimash të trilluar nga Dantja dhe të shkruar në dialektin toskan, e vetmja gjë e mbetur nga vendlindja. Tre libra që përfshijnë njëqind këngë në formë kapitujsh, fjala me prejardhje latine si një homazh ndaj origjinës së thellë muzikore të poezisë.
Katërmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë e tri vargje. Duhet theksuar patjetër, jo në latinisht, gjuha e erudicionit dhe prestigjit – zgjedhja e kuptueshme për një vepër epike – por në një gjuhë që flisnin njerëzit e zakonshëm dhe që (siç thotë ai) mund ta lexonin edhe gratë. Analfabetët do ta kenë dëgjuar të recitohet; ka rrëfenja të shekullit të katërmbëdhjetë që hekurpunuesit ose mbledhësit e mbeturinave i recitonin përmendsh vargjet gjatë kalimeve të tyre. Por sa njerëz, edhe atëherë, ishin në gjendje t’i kuptonin këto referime? Nevoja për shënime plotësuese – fusnota – u dallua nga njëri prej studiuesve më të hershëm të Dantes, djali i tij Jacopo, menjëherë pas vdekjes së poetit, kur boja te Parajsa nuk ishte tharë ende. Lista e shënimeve ishte e gjatë në fund të shekullit të katërmbëdhjetë. Tanimë do të nevojitej e gjithë karriera për të lexuar gjithë sa është mbledhur.
Kështu, si mund t’i qaset dikush kësaj vepre të jashtëzakonshme? Nuk ka asnjë përkthim të përsosur në anglisht, ose të paktën të pranuar gjerësisht, edhe pse ekzistojnë dhjetëra të tilla. Është përshtatur në prozë, në varg të bardhë dhe në imitime të përafërta të tercinës, skema karakteristike trevargëshe e Dantes, në të cilën vargu i parë dhe i tretë i çdo strofe rimojnë me njëri-tjetrin, ndërkohë që vargu i dytë lakohet përpara si një gjilpërë me fill për të qepur në vend rimën e strofës tjetër. Dhe kështu vijon në pafundësi, krijohet një ritëm gëlues që duket i natyrshëm në italisht, me atë mbushulli fjalësh që rimojnë në rrokjen e fundit, por është e pamundur të arrihet pa sforco në anglisht, një gjuhë që përkthyesit e rraskapitur e cilësojnë si “të varfër në rima”. Duhen përhiruar përkthyesit që vazhdojnë t’i kushtojnë copëza të jetës së tyre kësaj poeme shtatëqindvjeçare, duke u zotuar për një udhëtim çmendurak, të vendosur t’i bëjnë lexuesit të kuptojnë dashurinë që i nxit. Dhe nuk duhen fajësuar nëse, në një epokë ku spektri i vëmendjes është tkurrur, ata dëshpërohen paksa.
Libri i Shaw-t ndjek një qasje të re. Komedia thelbësore nuk është një përkthim i zakonshëm, por një variant rrënjësisht i shkurtuar i tekstit, me copa të poemës (në italisht dhe nga përkthimi i Shaw-t) të vendosura si gurë të çmuar në shënimet e vazhdueshme që krijojnë ura narrative, kontekst historik, interpretim dhe me raste digresione të mprehta. E gjithë vepra ngjishet në një vëllim dhe meqë ritmi i origjinalit ka rënë, Shaw – një studiuese britanike e Dantes e klasit të parë – na sjell ritmin e saj. Nëse është një shmangie, është po ashtu edhe një ftesë e hapur për lexues të rinj. Dhe përmirësohet me kalimin e kohës, duke qenë se nevojitet shumë më pak përkrahje në rrëfimin e ngrydhët të Ferrit sesa në trillet teologjike të Parajsës, të cilat i bëjnë disa lexues të mos e vazhdojnë leximin. Shaw sqaron pambarimisht shqyrtimet më “të ngjeshura” dhe më “të lodhshme” parajsore, duke nisur nga një sqarim i njollave të zeza në Hënë te një rrëfim i çastit të krijimit. Megjithatë, Shaw vetë është thuajse e sinqertë. Provo të flasësh për çfarë ka bërë ajo dhe do të flasësh vetëm për Danten.
Komedia hyjnore e poetes Mary Jo Bang – e kopsitur rishtazi, pas afërsisht njëzet vjetësh, me botimin e Parajsës (Graywolf) – po ashtu nuk është një përkthim i zakonshëm. Është më afër një stisjeje, e mbushur me referenca filmash dhe albumesh roku (dhe xhazi) që devijojnë nga varianti italian dhe janë të destinuara të tërheqin lexues të rinj duke e bërë Danten bashkëkohësin tonë. Led Zeppelin-i, Charles Mingus-i, Cyndi Lauper-i dhe “The Wizard of Oz”, për të përmendur vetëm disa, ndihmojnë me tekste e fraza dhe shfaqen në shënimet shkencore (ndonëse ndonjëherë me fytyrë ironike prej torollaku). Bang-u e quan veprën e saj një variant “bisedor” dhe afërmendsh, mund të jetë shtingëlluese të dëgjosh Virgjilin të flasë me tonin e një dembeli. “Ç’ke kështu, – i thotë ai Dantes, i cili sapo ka parë vegimin e martirizimit të Shën Stefanit, – që s’po e mbledh dot veten?” Prapëseprapë, kjo mund të jetë në njëfarë mase rrjedhoja që Dantja synonte kur përdori gjuhën e zakonshme të cilën e donte edhe për natyrën e saj të ndryshueshme. Bang-u ua del mbanë groteskërive të zjarrit të ferrit, ku të ulurit e tonit mund të ketë një efekt të mprehtë, madje komik. Dhe ndonjëherë ia arrin të japë një varg me freski thumbuese. Në përkthimin e shkëlqyer tradicional që përdor zakonisht, nga Robert dhe Jean Hollander-i, trapari i djallëzuar Karon i paralajmëron “ju shpirtra të ligj” ata që po i transporton për në Ferr “hiqni dorë nga shpresa për të parë ndonjëherë parajsën”. Dhe pastaj kemi Bang-un: “Dorëzohuni, ungjër llurbëtira”, – hungërin Karoni. – “Kurrë më nuk do ta shihni qiellin”.
Gjuha ka gjasa të ndryshojë, por jo njerëzit dhe pasqyra që ngre Dantja e ka bërë atë një bashkëkohor të përhershëm. Purgatori, mbretëria e mesit, është një vend ku dërgohen për t’u dëlirur mëkatarët që janë penduar – qoftë në prag të vdekjes, qoftë edhe veçse në mendimet e tyre – para se të ngjiten në Parajsë. Nuk ka ndonjë zanafillë të drejtpërdrejtë biblike, por është kthyer në një doktrinë kishtare në kohën e Dantes, duke i mbushur me shpresë ata që frikësohen se nuk janë të denjë për Parajsë. Dantja e vendos atë në një mal që lartohet mbi një det të thatë. Njerëzit në shtatë brezaret e tij përjetojnë tortura jo për t’u ndëshkuar, por për t’u shëruar nga animi i tyre ndaj cilitdo prej shtatë mëkateve mortare – Krenaria, Zilia, Epshi etj. – që ata kanë kryer. Varësisht nga temperamenti, mund të jesh në gjendje të shmangësh një ose dy brezare. (Askush nuk e shmang Krenarinë, kështu që mos u merakos të mëtosh të jesh mbi të.) Mësimet janë të vrazhda; ziliqarët i kanë sytë të qepur me fije të hekurta. Prapëseprapë, në ndryshim nga Ferri, është zotimi për të dalë jashtë; koha ecën. Lutjet nga shpirtrat e qelibartë në tokë mund t’jua shkurtojnë dënimin dhe Kisha po ashtu po angazhohej në zhvillimin e formave të tjera të faljes, për para. Një profesor që aktualisht po u bën një kurs për Danten të burgosurve thotë që Purgatori është pjesa e tyre e parapëlqyer.
Disa prej shkrimtarëve më përfaqësues të epokës moderne u ishte ngulitur ideja e të parit të Dantes si një bashkëkohor dhe vlerësimi i tyre vë në dukje heterodoksinë e poetit. Për shembull, rrathëve të Ferrit ai u bashkëngjiti një kategori mëkatarësh të sajuar prej tij – ata që nuk angazhohen kurrë realisht në një kauzë, që jetojnë “pa dalë nga hiri e, prapëseprapë, pa lavdi” dhe janë të izoluar (të flamuar nga arëzat dhe mizat pickuese) me engjëjt të cilët abstenojnë kur Luciferi i shpall luftë Zotit. Dantja afërmendsh që e ka urryer këtë lloj jete; shtangia qëndron në atë se sa nga këta shpirtra mospërfillës janë këtu. “Nuk e kisha marrë me mend se vdekja kishte zhbërë kaq shumë njerëz”, – shkroi T. S. Elioti në Tokë e shkretë, duke përdorur perceptimin e Dantes për të mbartur një skenë të Ferrit mesjetar në Londrën e shekullit të njëzetë, kur turma pajtimtarësh lëviznin ngathshëm mespërmes mjegullës së murrme të mëngjesit, me sytë ngulur pak para këmbëve, sikur edhe ata nuk do ta shihnin më qiellin.
Dhe pikërisht jashtë portave të Purgatorit, afër rrëzës së malit, Dantja has një mik të vjetër të quajtur Belacqua, i cili po zdërgjahet në hije të një curri. Një varrakatës i mefshtë, shpjegon ai, i cili, duke qenë se priti të pendohej ndërkohë që jeta e tij ishte afër fundit, tani duhet të presë për aq vite sa jetoi përpara se të fillojë dëlirja e shpirtit. Pra, në fund fare, pse të lëvizë? Bang-u, duke nxjerrë në pah ndoca andralla me rregullat e Purgatorit dhe me matematikën, sheston se ai do të duhet të presë njëzet e një mijë vjet, një kohë që Samuel Beckett-it me shumë gjasa do t’i kishte pëlqyer. Beckett-i ishte një lexues i zellshëm i Dantes dhe e përfshin disa herë Belacqua-n në prozën e tij artistike, duke filluar – në tregimin e tij Dante and the Lobster – me Belacqua Shuah-n, një riosh dembel dublinas që po studion Danten dhe po mëson direkt nga burimi rreth keqardhjes dhe truajtjes. (“Pse jo edhe fetarisë dhe mëshirës, madje edhe në botën e nëndheshme?” – shqetësohet ai.) Belacqua për konditën tonë ishte një çelës për Beckett-in, njëlloj si Uliksi për Primo Levin. Ai duket sikur futet direkt në botën e mistershme të Beckett-it, bashkë me një shkurtore të vogël të Dantes për shpirtrat e tjerë të keqardhur – të gjysmëvarrosurit në baltë, në jashtëqitje, në varre, të gjithë të prerë për të folur – të bërë spikatshëm modernë prej mungesës së shkakut dhe qëllimit në mjerinë e tyre.
Përdëllimi i Dantes për Virgjilin shtohet teksa ata i afrohen vendit ku poeti më i vjetër duhet të braktisë më të riun. Dantja ka parë në Purgator shpirtra paganë që kanë shpëtuar – do të shohë më shumë në Parajsë – përjashtime që e bëjnë fatin e Virgjilit edhe më pashpjegueshmërisht të vrazhdë. Pasi ia dalin nëpër të shtatë brezaret, mësuesi dhe nxënësi shfaqen në majën e malit, i cili në gjeografinë e shenjtëruar të Dantes është vendndodhja e Kopshtit të Edenit, ndalesa e fundit e dëlirësimit të shpirtit para Parajsës. Të dy shohin një vargan të Kishës Triumfuese, të gjithë të veshur me kostum, me flamurë të shpalosur dhe aleluja korale – Dantja kthehet nga Virgjili, i cili e sheh i çmeritur – i cili kulmon me një qerre që bart të shumëkërkuarën Beatriçe, mërtisur me të bardha. Komentuesit shpesh deklarojnë se Beatriçja përfaqëson besimin dhe Virgjili arsyen; vetë Virgjili na ka paralajmëruar se arsyeja s’mund t’u qaset sferave të epërme. Atje Danten do ta udhëheqë Beatriçja. Prapëseprapë, Dantja është i papërgatitur. Teksa sheh Beatriçen, ai ndien afshin në rritje të një dashurie thellësisht njerëzore. Kthehet edhe një herë t’i tregojë Virgjilit për këtë – ka gati një citat nga Eneida për të përçuar ndjesinë – por Virgjili është larguar. Dhe, në Kopshtin e Edenit, ku gruaja për të cilën po digjet qëndron para tij dhe ngulmon se çdokush në këtë vend është përherë i lumtur, s’mund të ndalojë së lotuari.
Siç na e bën të ditur më herët te Ferri, rrugëtimi i Dantes nisi sepse Virgjëresha Mari donte ta shpëtonte nga rreziqet e pyllit të errët. Nuk mund ta dimë me siguri pse u zgjodh ai, por mund të nënkuptohet (nga ajo që ai vë në gojën e një shenjti për t’ia thënë Beatriçes) që Virgjëresha admironte poemat e tij, veçanërisht poemat e fisnikëruara shpirtërisht të dashurisë që ia dedikon Beatriçes. Ai prihet nëpër Ferr, Purgator dhe më në fund, Parajsë për shkak të artit të tij. Do të shohë universin e Zotit dhe do të shkruajë një libër që do t’i bëjë edhe të tjerët ta shohin. Shfaqja që i paraqitet në mbretërinë e epërme është spektakolare: drita brilante, vallëzime në ajër, muzikë, gjithçka e shpërhapur rreth Hënës dhe planetëve, ku udhëtojnë ai dhe Beatriçja, duke kaluar përtej yjeve për në shtëpinë e Zotit në parajsën qiellore. Dantja është i lëbyrur, por, siç e kanë vënë re prej kohësh lexuesit, nuk duket tërësish i patrazuar. Është e vështirë që spektakli të paraqitet bindshëm në shkrim; njëlloj si fjalimet e gjata rreth fesë dhe astronomisë. Ai i lutet Apolonit për muzë, gjë që duket teologjikisht e mangët dhe i ka futur studiuesit nëpër qorrsokakë për shekuj të tërë. Por gabimet dhe përpjekjet e Dantes mbushin këtë sferë të mbrame prerazi triumfuese me vetëdije dhe tension gjallërues. Ai bën shumë pyetje: Pse Zoti nuk mund ta falë njerëzimin pa e kryqëzuar? Pse është zgjedhur një shenjtor i posaçëm për një detyrë të caktuar? Një shenjtor i pezmatuar shpjegon se përgjigjet shkojnë përtej të kuptuarit njerëzor, duke shtuar që kur Dantja të rikthehet në tokë do të duhet të shkëshillojë njerëzit për këtë lloj marrjeje në pyetje. Kjo është një nga këshillat qiellore që ai nuk e ndjek.
Beatriçja na sjell paksa nga përzemërsia qetësuese e Virgjilit. Sado e bukur, shfaqet papritmas e vendosur, e përkorë, e udhëhequr nga doktrina; ajo është përshkruar si Thoma Akuini në trajtë femërore. Kur përdor shprehje të tipit “sipas opinionit tim të pagabueshëm”, ajo i sjell në mendje Dantes një lider ushtarak. Fillimisht tregohet e vrazhdë me të, pasi rregullat kërkojnë që ai të tregojë mëkatet e tij – para së gjithash, siç duket, sa i përket interesit të tij për një grua tjetër pas vdekjes së Beatriçes (ose me gjasë për gra të tjera, pasi nuk na paraqitet qartë në italisht). Por misioni i saj ka qenë që ta bëjë atë të jetë përherë i sinqertë përgjatë shtegut më të lartë. Nëse kjo devotshmëri nuk i vjen vetvetiu atij – kjo është kleçka – bartet me humor të papritur dhe forcë të akumuluar. Sipas një ligji dantesk, bukuria fizike e Beatriçes shtohet teksa ata i afrohen më shumë Zotit dhe ai s’mund të shohë gjë tjetër veç saj. “Kthehu dhe dëgjo/ sepse Parajsa nuk është vetëm në sytë e mi”, – e udhëzon ajo. Por, për Danten trupi është shndërruar në rrugën drejt shpirtit. Shikimi i parë i Zotit për të është si një grimcë drite që reflektohet në ata sy.
Kur Dantja nisi të shkruajë Parajsën, rreth vitit 1317, ishte në fillim të të pesëdhjetave dhe ishte syrgjynosur nga Firencja para thuajse pesëmbëdhjetë vjetësh. (Ai kishte jetuar nën një mbrojtje të vazhdueshme në Verona për një periudhë mirëseardhjeje, por më vonë ishte shpërngulur në Ravena, me ftesë të sundimtarit të saj.) Është logjike të mendohet që do ta kishte përsosur më tepër vëllimin e tij të fundit nëse do të kishte më shumë kohë, por është po ashtu e vërtetë që energjitë e tij poetike ishin të rrënjosura në papërsosuritë njerëzore, në të jetuarit e jetës së përditshme. Në një pikë, ai është vënë në dijeni për syrgjynosjen që e priste. “Do të lësh pas gjithçka që ke më të shenjtë”, – nis profecia (sipas përkthimit të Shaw-t):
Do ta përjetosh sa e kripur është shija
e bukës së tjetërkujt, dhe sa e vështirë është
të shkosh lart e poshtë shkallëve të një personi tjetër.
Fillimisht ai frikësohet se, pa një shtëpi dhe pa një mbrojtje qeveritare, nuk do të ketë kurajën të thotë të vërtetën rreth figurave të fuqishme dhe do të rrezikojë të bjerë pre e hakmarrjes së tyre. Por në Parajsë i thuhet që duhet domosdo të flasë: “Hape gojën.” Kjo është këshilla që merr. Komedia hyjnore është një vepër e kurajës politike, duke filluar që nga armiqësia e tij qëllimtare ndaj familjeve të të dënuarve që përmenden te Ferri, deri tek objektivat më të fisëm të Parajsës, ku duket sheshazi se Dantja nuk ka asgjë për të humbur. Në këtë vend, banorët e Parajsës, përfshirë Thoma Akuinin dhe Shën Benediktin, denoncojnë urdhrat domenikanë, françeskanë dhe benediktinë në mënyra të gjithfarshme. Shën Pjetri mallkon makutërinë dhe intrigat politike të Papatit të kohës, që e kanë kthyer Kishën në një “shtonë gjaku dhe duhme”. Po ashtu edhe qyteti i Firences është dënuar: dikur një republikë modeste dhe me kulturë, tani është e korruptuar nga kamja dhe krekosja vulgare. Përjashtuar Ferrin, duket se është vendi që Dantja e urren më shumë.
Dhe, duke lënë mënjanë Parajsën, është vendi ku do më së shumti të jetë. Në një digresion personal të papritur në fillim të një kënge të vonë, ai flet për vitet e errëta që ka shpenzuar duke shkruar poemën dhe shpresat për veprën e përfunduar. Nuk flet për shpalosje njohurish rreth universit madhështor dhe me moral të Zotit, edhe pse kjo ka qenë detyra e tij dhe mbetet një qëllim i rëndësishëm. Nuk flet për pavdekësinë librore, ndonëse edhe kjo është pa dyshim e rëndësishme (edhe pse tërthorazi, duke qenë një lloj i gabuar i pavdekësisë). Në vend të kësaj, flet për lavdinë e kohës, një triumf aq i bujshëm saqë fiorentinët do të pendohen publikisht për syrgjynosjen mizore që i bënë dhe do t’i kërkojnë të rikthehet, duke i vënë kurorën e dafinave në pagëzoren ku ai është pagëzuar. “Do të kthehem poet”.
Ai vdiq në Ravena në vitin 1321 dhe u vendos të prehet në një varr të zakonshëm guri. Por me kalimin e viteve u sendërtuan shpresa të tjera, bashkë me arritje dhe reperkursione që ai nuk mund t’i ndërmendte. Falë Dantes, gjuha standarde italiane u vendos mbi bazën e dialektit toskan në shekullin XIX. Papët filluan ta konsideronin si të tyrin. Në aspektin politik, mendimi i tij ishte mjaftueshëm i gjerë sa të përdorej në mbështetje të ideve kryekëput të kundërta. Abolicionisti amerikan Charles Sumner-i iu referua Dantes për truarjen e atyre që nuk kanë luftuar kurrë për një kauzë; Teddy Roosevelt-i përdori të njëjtat fragmente që të provonte të nxiste hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftën e Parë Botërore. Musolini shtrembëroi fraza nga poema që të justifikonte ligjet radikale fashiste. Për dikë të kohës së tij – përherë një përcaktim shqetësues – Dantja duket veçanërisht i lirë nga paragjykimet kundrejt hebrenjve dhe fesë së tyre, dhe në Parajsë ka një gamë figurash të Dhiatës së Vjetër. Ai ishte më i ashpër me fenë islame, të cilën e shihte si një ndarje përçarëse nga krishterimi, një pikëpamje mesjetare e përdorur nga politikanë mesjetarë italianë të krahut të djathtë për të përkrahur një shtet italian tërësisht të krishterë. Në hyrjen e saj te Parajsa, Bang-u thekson përkatësinë politike të Dantes në vendin tonë në një kohë kur konfliktet partiake janë aq rrënuese sa në kohën që ai përçmonte. Politikat mund të jenë një mënyrë po aq e mirë sa çdo gjë tjetër për të nisur një poemë. Eja për politikanët e korruptuar që valojnë në katran; qëndro për poezinë dhe tregimet magjepsëse.
Midis shpirtrave të ardhur rishtazi në brigjet e Purgatorit, Dantja takon një tjetër mik të vjetër, një muzikant, i cili mezi pret ta përshëndesë. Nuk është regjistruar numri i popullsisë, por duket se shpirtrat e ndërmjetëm që janë dërguar të kalojnë përmes këtij vendi përbëjnë pjesën më të madhe të qenieve njerëzore – ne që pendohemi për veset tona të këqija, por jo mjaftueshëm sa t’i ndryshojmë para se të kalojë koha. Dantja, i sapodalë nga Ferri dhe i pikëlluar, pyet nëse miku i tij do të ishte i aftë të këndonte një nga këngët e dashurisë me të cilat e qetësonte dikur. (Megjithatë, duket sikur askush nuk i di rregullat; çfarë lejohet, sa duhet të presë, sa dhembje i duket të kalojë.) Si përgjigje, burri nis të këndojë një poezi të Dantes, aq natyrshëm sikur ta kishte mësuar më parë. Zëri i tij është tepër i ëmbël. Dhe ndërkohë që vjen roja, duke britur dhe duke i ngredhur të gjithë, harrojmë ku jemi dhe nuk dëgjohet asgjë veç këngës.



