More
    KreuLetërsiBibliotekëCikël poetik nga Aleksandër Bardhi

    Cikël poetik nga Aleksandër Bardhi

    fushatë zgjedhore

    ka lindur një tigër i ri.

    hëna ecën
    dy pëllëmbë përmbi tokë.


    balta

    gjithë baltën e myzeqesë e mora
    nëpër duar
    të gjeja atë gjurmën e dikurshme
    të këmbës time të zbathur,

    por më kot, sa kot

    gjeta, vetëm kryqin e vogël të
    këmbës së një zogu.

    tani më duhet ta marr këtë baltë
    ti jap jap përmasat e mia, të rikrijoj
    vetveten
    dhe prapë të bëjë rrugë
    dhe prapë të le gjurmë…..

    …..tutje, larg, një perëndim i vogël
    si zog Ardenice,
    loz me ngjyrat e veta
    dhe vdes përmbi lumë.


    guri

    është një gur
    me përmasat e një ëndërre

    gur
    prej gjaku dhe zemre

    lahet nëpër lot
    lëmyshket nga malli
    ndricohet nga një brengë.

    dhe ti më thua
    se është
    vetëm i yti.


    njërëzit e mi

    njërëzit e mi nuk morën pjesë në
    luftë
    por me shpirt e zemër
    luftës i dhanë bukë.

    skanë plagë, dekorata,
    as plumba të vdekur në trup,

    njërëzit e mi për luftën dhanë
    bukë.

    dhe buka, si buka, sdo lavdi, as
    emër
    vec një kryq në heshtje
    dhe një dorë në zemër.


    faslli haliti

    ku kujton se je
    fëmijë me kobure
    që rrëzove shtambën
    nga koka e një cupe.

    vetëtin në Hyzgjokaj
    bubullin në Lushnje.

    ku kujton se je
    o i vogli, i miri
    dorëzoje koburen
    o faslli haliti!…

    ….krisin shtamba shirash
    si shandanë prilli.


    kasollja e vogël me lule dimri

    sa ngrohtë rridhte jeta
    sa ngrohtë,
    n’atë kasolle të vogël
    rrethuar me lule dimri.!

    gjersa ti ike një ditë,
    ike, e braktise.

    se zogjtë e dëborës
    që rrisnim së bashku
    nuk këndonin më për ty.

    pastaj ikën dhe zogjtë.
    mbeta vetëm unë, lulet e dimrit

    dhe kasollja që kërrusej
    nga hija e një korbi!…


    askush

    askush se vuri re
    atë gjestin e pavëmëndhshëm
    tek largonte nga fytyra
    merimangën e dritës.

    askush si pa
    rrathët e të zezes
    tek thurej si lojë
    kurora e djallit.


    mort

    kam hapur dyert e mortit
    për të vërtetën time,

    por askush s’më vjen

    njërëzit janë lidhur
    me gënjeshtrat e veta.


    natë

    kam humbur monedhën e fatit.

    natë, të lutem
    ndize pak yllin e sabahut.


    pa titull

    e shkuara shkoi
    dhe e ngjara ngjau,
    unë zbrita te kjo tokë
    nga brirët e një kau;

    sa gjatë, e pafund
    sa e lodhshme rruga,
    nga buka te kripa
    nga kripa te buka!…


    lutje

    vetëtima e zezë
    ulur në gjunjë
    bëri kryqin tre herë
    përballë shegës me lule,

    dhe u fik,

    qielli u mbush
    me thëllëza shirash…


    një burrë i lavdishëm

    unë banoj në një shkallë
    me një burrë të lavdishëm
    thonë se lagjja jonë
    emrin e tij do të ketë,
    trimëritë, bëmat,
    ende njërëzve nëpër festa
    ja u japin si hallvë,
    ja u shpërndajnë si meshë.

    unë banoj në një shkallë
    me një burrë të lavdishëm
    që është si gjithë të tjerët,
    dhe askujt si ngjan;
    …në kodrinat e supeve
    pakëz të rrëzuara
    një yll i vdekur
    i veton si nishan.


    gravure

    doli hëna prapa malit
    në male shkriu dëbora

    cub i maleve të mia
    pse të ra thika nga dora?!

    cub, o cubi im
    me thikën e dritës
    ngulur në gjoks!…


    bulevardi “Jakov Xoxa”

    në gjurmët e të papunëve
    po celin lulet e kripës së hidhur,

    Jakov, vëlla!


    merimangat e kuqe

    më thirri dikush në shullë të dimrit
    cohu vëlla, se të sulmon
    merimanga,
    me atë thumbin e hollë që mpin
    nervin e zgjimit
    me shënja klinike – vidhimat
    e gjata.

    vërtet – thashë me vete – herë herë
    nuk ndjej
    cicërima, zëra, ndonjë tingull lufte…
    pastaj mendova se në rrugën time
    të gjatë
    do kem marr dhe unë
    pak helm merimangash të kuqe.


    hije

    në hijen e deleve të zeza
    një ujk
    bënë gjumin e vapës.


    ditë vere në lushnje

    te porta e qytetit
    më foli në vesh
    e bukura e pazarit:

    sot,
    kurorëzohet monark
    lejleku i sherif balit!…


    himn i pakënduar

    një here, vec një here u shfaq në
    dritaren time
    ai shpend i zjarrtë, ai shpirt në
    fluturim;
    eja, eja – më tha – të këndojmë
    himnin e vdekjes
    me fytin e një zogu
    gjithë qiejt e botës ti pijmë !

    dhe shkuan aq vite, aq vite që atëherë
    dhe ai himn I pakënduar ende
    njomur mi mban sytë
    ….ishte koha kur zogjtë dimërorë
    gjendeshin të vdekur ndanë
    udhëve
    me ca kokrra breshëri
    të kuq në fyt!…


    një gotë verë

    për miqtë që dua
    e kthej nga një gotë verë,
    po gjithmonë një gotë bosh
    e mbaj për ca të tjerë

    qesh …dhe më kujtohet
    fallxhorja në lagje,
    që kupën me plumba
    e mbante jashtë në dritare.

    po këta të tjerët e mi
    natyrisht sjanë lugetër,
    janë ca kokërrza rrufesh
    që vrasin në të kthjellët.

    eh… dhe prapë mbush gotën
    për mikun që dua,
    hajde – thotë fallxhorja
    edhe një shëndet për mua!…


    dashuri në kopështin e zotit

    ku as vdekja s’të gjen

    as zoti stë dëbon

    atij pylli ne I thoshim kopeshti I zotit
    rrethuar me kangjella të padukshme mëkatesh,
    pikërisht aty, në lëndinën e errët
    dy trupa lakuriq, bënin ca lojra
    zjarresh.

    ju përvodha nënës, ciganeve
    gjithashtu
    e tek përgjoja majë gishtash
    hileqar e i paturp,
    një shkrepëtimë e zeze nga
    kurorat e drurëve
    si gjarpër i mëndafshtë mu
    mbështoll në trup.

    në cast mu gjend nëna. vallë
    c’shënjë më qe dhënë
    mua të voglit, nga shënjtorja e
    madhe,
    dhe ju shëmba nënës, me lutje e të qara
    I prekur, I fyer … nga mallkimi
    I ciganeve!..

    o zot, sa shumë qeshte nëna me
    mua
    aq shndrisja e zbukurohesha dhe
    unë nga të qarët…

    ishte e djelë. binte një shi I butë
    gardelinash
    si të ishim dasmorë në një dasëm
    ciganesh!..


    Këngë

    ti ike si zogu me këngë në gojë
    dhe unë të përcolla
    me lutje të heshtura.

    tani shpesh e më shpesh
    jetoj me dilemën:
    ja vlen të jetosh për dashuritë
    e humbura ?!
    përgjigjen ma jep ti që cdo natë
    i lutesh zotit
    të më lerë, të shkruaj…. këngë të
    bukura.!.


    dritë e zezë

    ndamë ditët, ndamë netët
    në mes një dritë të zezë vumë,
    dielli mbeti andej nga ti
    hën’ e zbehtë, këtej nga unë.

    ndamë fushat, ndamë kodrat
    në mes tyre vumë një lumë
    një kështjellë mbeti nga ti
    kishë e vjetër këtej nga unë.

    në fund pyllin e mëkatit
    garanci në kryq e vura,
    murg I vjetër këndoi për ty
    një murgeshë lutet për mua.

    po prapë o prapë në borxh jemi
    unë tek ti e ti tek unë…
    lumi ngjitet lart nga kisha
    dritë e zezë zbret mbi lumë.


    çarku

    unë ngrija çarkun në pyll
    tigri e merrte në gojë…

    ulet nata. zbret e vona.
    ja dhe pak e shkoj në ëndërr.
    tigri lahet mbi një yll
    luanesha
    më fle te këmbët.

    2 KOMENTE

    1. Bravo per vargjet e shkruara me aq ndjenj dhe pasterti shpirterore brenda cdo vargu kishte te verteten e nje njeriu qe e ka jetuar ato veshtiresi

    2. Lexova poezit e Aleksandër Bardhit, poezi që mbartin një stil të veçantë të autorit…art e filozofi artistike…ku spikat metafora e krahasimi të cilat i japin nuancat e tyre poezia…. urime dhe suksese.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË