More
    KreuLetërsiBotime të rejaBotohet në Kinë libri “Shqipëria në Art” i studiuesit Ferid Hudhri

    Botohet në Kinë libri “Shqipëria në Art” i studiuesit Ferid Hudhri

    Libri “Shqipëria në Art”, botim i Shtëpisë Botuese Onufri (Tiranë, 2018) i përkthyer në gjuhën kineze nga Wang Xianya sapo është shpërndarë nëpër libraritë e  Pekinit dhe qyteteve të tjera të Kinës. Është realizuar nga Shtëpia Botuese e Mësimit dhe Studimit të Gjuhëve të Huaja (Foreign Language Teaching and Research Publishing Co.,(FLTRP). I botuar me miratimin e Këshillit Shkencor të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, libri “Shqipëria në Art” u përzgjodh për kolanën me vepra të ndryshme që i përkasin fushës së historisë, kulturës, letërsisë dhe artit, të cilat japin një pamje të përgjithshme të historisë dhe kulturës së Shqipërisë si dhe përfaqësojnë arritjet më të mira të krijimtarisë letrare-artistike të vendit.

    Libri në Pekin është botuar me titullin “Shqipëria nëpërmjet artistëve”. Është realizuar me kopertinë speciale, me cilësinë më të lartë të botimeve të këtij lloji. Të gjitha veprat e artit që ilustrojnë librin, janë vendosur në përmasa të ndryshme nga botimi në Tiranë, përshtatur me stilin e formulimit grafik të botuesve kinezë. Ndryshimet në përmasat e tablove, skulpturave, gravurave dhe veprave të tjera (që nga Arti ilir, Ndikimet greko-romake, Diaspora e hershme, Arkitektura, Arti pas bizantin, Arti katolik, Arti islam, Arti popullor, Artistët e huaj, Arti i rilindjes dhe pavarësisë, Arti i realizmit socialist, Artistët e diasporës, Arti në treva të tjera shqiptare, Drejtimet e reja bashkëkohore si dhe në pjesën e dytë e të tretë të librit Shqipëria nëpërmjet artistëve të huaj dhe Shqipëria nëpërmjet artistëve shqiptarë), të cilat në shumë raste janë në përmasa krejt të ndryshme nga botimi në gjuhën shqipe, tregon gjithashtu edhe vlerësimet e botuesve kinezë ndaj disa veprave të veçanta apo ndaj disa artistëve shqiptarë apo autorëve të huaj që kanë trajtuar temën shqiptare.

    Libri në gjuhën kineze ka tri parathënie. Krahas asaj të autorit që e përcakton botimin si një enciklopedi e kujtesës figurative për historinë, kulturën dhe trashëgiminë kombëtare, janë paraqitur edhe parathëniet nga Shtëpia Botuese në Pekin si dhe përkthyesja e librit Wang Xianya. Më poshtë po paraqesim pjesë nga të dy parathëniet e autorëve kinezë, sipas përkthimit të sinologut të njohur Iljaz Spahiu, kryetar i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë.

    “…Shqipëria ndodhet në pjesën perëndimore të gadishullit ballkanik dhe njihet edhe si “Vendi i Shqiponjave”. Duke qenë pasardhës të ilirëve, shqiptarët janë ushqyer me qytetërimin lindor dhe perëndimor, duke  ruajtur në të njëjtën kohë gjuhën dhe kulturën e tij antike. Në tablonë  e larmishme historike e kulturore të tij hasen  epope heroike të kohëve antike   dhe poema romantike të kohëve moderne që i këndojnë frymës kombëtare, por edhe kryevepra letrare të Ismail Kadaresë me vlera të veçanta kombëtare,të cilat kombinojnë me mjeshtëri historinë me imagjinatën krijuese. Ne kemi zgjedhur për përkthim e botim 25 vepra me karakter klasik, huaman e bashkëkohor, të cilat  i përkasin fushës së historisë, kulturës, letërsisë dhe artit, të cilat japin një pamje të përgjithshme të historisë dhe kulturës së Shqipërisë si dhe përfaqësojnë arritjet më të mira të krijimtarisë letrare-artistike të këtij vendi.

    Pavarësisht kujdesit dhe impenjimit të specialistëve vendas e të huaj, përzgjedhja e 25 veprave klasike në krijimtarinë e gjerë klasike të  “Vendit të Shqiponjave”, ka qenë një detyrë e vështirë, sikur të  kërkosh guacka në oqean, dhe me siguri nuk kemi arritur të përsosurën. Jemi të bindur se me përpjekjet e përbashkëta të dy palëve, kineze e shqiptare, botimi i serisë së këtyre librave  do të nxisë më tej mirëkuptimin mes dy popujve si dhe do të hapë një faqe të re në shkëmbimet kulturore mes dy vendeve”.

     Shtëpia Botuese e Mësimit dhe Studimit të Gjuhëve të Huaja, Pekin (FOREIGN LANGUAGE TEACHING AND RESEARCH PUBLISHING Co., Ltd. (FLTRP), BEIJING


    PARATHËNIE E PËRKTHYESIT

    Vitet e fundit, me intensifikimin e shkëmbimeve mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, është rritur dukshëm edhe interesimi i lexuesve kinezë për kulturën dhe artin e këtyre vendeve përfshirë Shqipërinë, me dëshirën  për tu njohur më mire me historinë, zakonet e traditat e tyre. Botimi në Kinë vitet e fundit i disa  veprave letrare të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, çeli një dritare letrare për lexuesit kinezë për të pare “Vendin e Shqiponjave”. Ndërkohë botimi në gjuhën kineze i librit “Shqipëria nëpërmjet Artistëve”,  si vepra e pare në kinezisht për historinë e artit shqiptar, ka ofruar për lexuesit një këndvështrim të veçantë historik me konotacion letrar.

    Autori i këtij libri, Ferid Hudhri, prej vitesh është i përkushtuar në studimin e artit shqiptar, duke u renditur në radhët e studiuesve më autoritarë të historisë së artit.  Ka punuar Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, në Qendrën e Studimit të Arteve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave Albanologjike. Mban titullin Profesor dhe gradën Doktor i shkencave. Për disa vite ka qenë drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve. Është autor i shumë studimeve dhe botimeve për Historinë e Artit Shqiptar. Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmime kombëtare.

    “Shqipëria nëpërmjet artistëve” është ndër veprat kryesore të Zotit Hudhri. Në vitin 2003 ky libër është botuar në shqip në Tiranë, ndërsa në vitin 2007 është botuar në anglisht njëkohësisht në Tiranë dhe Londër. Libri në gjuhën kineze është përkthyer sipas botimit të dytë të shqipes (Onufri, Tiranë, 2018). Vlen të theksohet se për këtë  botim autori bëri disa redaktime specifike, duke përfshirë në të edhe punime të artistëve kinezë të viteve 60-70-të të shekullit kaluar, me dëshirën për të qenë kështu edhe më afër lexuesit kinez. Sipas një rendi kronologjik, autori ka përzgjedhur figurat, punimet dhe ngjarjet më kryesore nga fusha e artit vendas dhe të huaj që nga lashtësia deri në ditët tona, duke treguar historinë e Shqipërisë nëpërmjet ilustrimeve artistike. Libri ngjan me një Galeri Arti, në të cilin secili kapitull përbën një pavion më vete, ku lexuesi nëpërmjet secilës nga veprat e ekspozuara ka mundësi të shijojë artin dhe të njohë e vlerësojë historinë.

    Me këtë rast, dua të iu përcjellë një përshëndetje të sinqertë  Ambasadës  kineze në Tiranë, Shtëpisë Botuese, Qendrës e Studimeve Albanologjike në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Pekin, si dhe kolegëve përkthyes kinez e shqiptarë, pasi falë kujdesit , mbështetjes  e ndihmës së tyre u bë i mundur botimi në kinezisht i librit “Shqipëria nëpërmjet artistëve”.

    WANG XIANYA (Emri shqiptar JETA)


    Në kopertinën e fundit të këtij libri në gjuhën kineze janë paraqitur tre komente nga Ismail Kadare, Moikom Zeqo dhe Josif Papagjoni për librat e studiuesit Ferid Hudhri. Po i botojmë më poshtë sipas renditjes së Shtëpisë së Botimeve Ndërkombëtare në Pekin:

    Libri i Ferid Hudhrit na dëshmon edhe një herë, në mënyrë bindëse, atë komunikim fisnik midis popujve të realizuar përmes pikturës. Pas një pune të gjatë hulumtuese ai na dëshmon se me dhjetëra kanë qenë piktorët që, duke udhëtuar nëpër Shqipëri, kanë marrë me vete, për t’i ringjallur më pas në pëlhurë, ngjyrat dhe fytyrën komplekse të saj e të shqiptarëve. Të tjerë që, për arsye të ndryshme, nuk erdhën dot fizikisht, erdhën me mendjen dhe përfytyrimin e tyre, huajtën kostumet shqiptare nga kolegët, shpejtuan në studion e tyre dhe atje, me ndihmën e atyre ngjyrave të paharrueshme, të saj ç’ka kishin dëgjuar dhe të intuitës që kanë artistët e vërtetë, krijuan tablo me vlerë të pakontestueshme.

    ISMAIL KADARE

    Libra të tillë vështirë se përsëriten. Duhet një jetë. Dashuri pa fund. Vullnet të paepur. Eksperiencë. Një libër që nderon vendin e tij, historinë e shqiptarëve, kujtesën tonë. Libër që e ka brenda dashurinë për malet, fushat, brigjet dhe detet e dheut mëmë, kështjellat, heronjtë dhe monumentet. Hirin dhe flakën e shpirtit. Libër që të bën krenar…

    Prof. Dr. JOSIF PAPAGJONI

    Ferid Hudhri i ka kushtuar jetën historisë së artit dhe është historiani më i njohur shqiptar në këtë rrafsh. Meritën e tij më të madhe si historian ai e ka pikërisht në zbulimin e tërë enciklopedisë piktorike të mjeshtërve të mëdhenj të romantizmit europian. Informacioni i tij i kujdesshëm dhe korrekt e bën atë një studiues, gati të vetëm në Shqipëri për këtë epokë.  Këtu spikat më shumë profesionalizmi i Feridit.  Këtu është merita e tij e jetës. 

    Dr. MOIKOM ZEQO

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË