More
    KreuLetërsiBotime të rejaBotohet në italisht romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i Stefan...

    Botohet në italisht romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i Stefan Çapalikut

    Panairi i librit në Bergamo, Itali, këtë vit do të ketë të ftuar, për herë të parë, një shkrimtar shqiptar. Në sallën e madhe të takimeve, më 28 prill, prezantohet botimi në gjuhën italiane i vëllimit të parë të romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Me këtë rast, Lubrina Bramani Editore, shtëpia botuese që tanimë zotëron të drejtat e botimit në gjuhën italiane, ka vendosur të ftojë autorin Stefan Çapaliku në këtë event. “Eksportet” nga Shqipëria drejt Italisë kanë ndryshuar, duke krijuar një imazh të ri të saj. Në këtë kuadër, prania e një shkrimtari shqiptar në Bergamo, në zemër të Lombardisë, tanimë vjen natyrshëm, interesimi është i madh. Të huajt kanë filluar t’i shikojnë shqiptarët ndryshe, apo janë ata që kanë ndryshuar? Që të dyja bashkë. Para se të zbarkonte në gadishullin Apenin, romani ka rrugëtuar në brendësi të Europës, në Perëndim dhe në Lindje, në Paris, në Beograd, në Shkup, e stacioni i radhës, pas Italisë, pritet të jetë Gjermania.

    Ognuno impazzisce a modo suo

    Po çfarë ka të veçantë ky roman? Thuajse gjithçka. Nuk ka hero rreth të cilit sillen ngjarjet, ka dëshmitar; nuk ka strukturë lineare, shkak-pasojë, ka një mozaik ndodhish. Këtu personazhet, persona realë, sikur druajnë të dalin në rrugën kryesore, edhe ngaqë nuk kanë një objektiv për të realizuar; sillen më shumë në mjediset e brendshme të shtëpive, çardakëve e hajateve të Shkodrës së vjetër, oborreve, kapërcejnë mure, ngjiten mbi çati, e mësyjnë qiellin, si e vetmja rrugë e mundshme për t’u lidhur me botën. Autori nuk ka ndër mend të përcjellë racionalen te lexuesi, por të nxisë, të aktivizojë një mendim anësor, që çon drejt totalitetit.
    Përkthimi i një libri si ky ose të bën bashkautor, ose është mirë t’i rrish larg. Ndjesi e këndshme ta çosh një tekst kaq të ngrohtë në pelenat e një gjuhe tjetër, si një foshnjë.
    Ky botim vjen pas atyre në Paris, “Chacun s’affole a sa maniere”, përkthyer nga Ardian Marashi dhe botuar nga shtëpia botuese “Meet”; Beograd, “Svako poludi na svoj nacin”, përkthyer nga Danillo Brajovic dhe botuar nga shtëpia botuese “Clio”; Shkup, “Sekoj poluduva na svoj nacin”, përkthyer nga Jordana Shemko dhe botuar nga shtëpia botuese “Ars Lamina”. Së shpejti do të kemi edhe botimin në gjermanisht.  

    Nga Durim Taçi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË