More
    KreuIntervistaBill Clinton: Kam dashur gjithmonë të bëhem shkrimtar, por dyshoja në aftësinë...

    Bill Clinton: Kam dashur gjithmonë të bëhem shkrimtar, por dyshoja në aftësinë time

    Autori dhe presidenti i dyzetedytë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës rrëfen se si ka gjetur mirakanden te thrillerat – dhe frymëzimin te William Styron, James Baldwin dhe Maya Angelou

    Libri që po lexoj ndërkohë

    The end of Everything nga Katie Mack. Fizikania teorike shpjegon pesë fundet më të mundshme të universit tonë që po zgjerohet, me shpresën se do të vijnë  pas një kohe jashtëzakonisht të largët. Është me humor, i qartë dhe optimist. Shkon me librin Until dhe End of Time të Brian Greene. Gjithashtu po lexoj Minds Wide Shut nga Gary Saul Morson dhe Morton O Schapiro, një studim përfshirës mbi shtimin e bindjeve të ngurta në politikë, ekonomi dhe letërsi, si dhe kërcënimeve që i paraqesin demokracisë, e cila kërkon mendje të hapur dhe kompromis.

    Libri që më ndryshoi jetën

    The Denial of Death nga Ernest Becker. Më bëri të rimendoj rrënjët e frikërave dhe pasigurive tona më të thella, dhe pse shpesh e zhgënjejmë veten me mënyrën se si i manifestojmë.

    Libri që do të doja të kisha shkruar

    Njëqind vjet vetmi nga Gabriel García Márquez. Unë ende mendoj se është romani më i mirë i shkruar që pas vdekjes së William Faulkner-it.

    Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia

    Gjithmonë kam dashur të jem shkrimtar, por kam dyshuar në aftësinë time për ta bërë. Që nga viti i fundit i kolegjit e deri te viti i parë në degën e drejtësisë, lexova pesë libra që më bënë të mendoj se ia vlente ta provoja: North Toward Home nga Willie Morris; The Confessions of Nat Turner nga William Styron; You Can’t Go Home Again nga Thomas Wolfe; The Fire Next Time nga James Baldwin; dhe I Know Why the Caged Bird Sings nga Maya Angelou.

    Libri që më ka ndryshuar mendjen

    Kjo është pyetje bukur. Mendoj se Caste i Isabel Wilkerson dhe Think Again i Adam Grant më bënë të rimendoj se sa thellësisht të ngulitura janë paragjykimet tona të pavetëdijshme, jo vetëm në lidhje me racën, gjininë, klasat dhe fenë, por me çdo numër kategorish që na nxisin t’i shohim të tjerët si inferiorë, si më pak të denjë për t’u parë e dëgjuar. Më pëlqen metoda e pajtimit dhe e bashkimit ripërtëritës të Nelson Mandela-s.

    Libri i fundit që më ka bërë të qaj

    Sooley nga John Grisham. Lexoje, dhe do të duash të qash edhe ti.

    Libri i fundit që ka bërë të qesh

    Libri i fundit e Janet Evanovich-it. Stephanie Plum më bën gjithmonë të qesh.

    Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar ende

    Uliksi. Më pëlqen poezia, proza dhe nonfiction-i irlandez. E adhuroj Joyce-in. Por gjithmonë lodhem e heq dorë përpara se ta filloj. Do vazhdoj të përpiqem.

    Librat që kam dhuruar

    Meditimet nga Marcus Aurelius; The Cure at Troy nga Seamus Heaney; dhe The Social Conquest of Earth nga EO Wilson. Secili është i mbushur me mençuri sipas mënyrës së vet.

    Libri me të cilin dua të mbahem mend

    Deri tani Jeta ime, për arsyet që Larry McMurty deklaroi në shqyrtimin e tij: është një histori e jetës dhe kohës sime; një rrëfim se si është të jesh president kur kaq shumë gjëra ndodhin njëkohësisht, me shpjegime të mëtejshme të ndodhive si Black Hawk Down që nuk do t’i gjeni askund tjetër; një testament i asaj që unë besoj dhe pse.

    Leximet që më japin rehati

    Gjej rehati në thrillerat me personazhe interesante dhe subjekte të mira. Më ka pëlqyer shumë While Justice Sleeps e Stacey Abram, dhe gjithë librat e Louise Penny-t, librat e VI Warshwaski të Sara Pertsky, librat e Easy Rawlin të Walter Mosley, seritë me Dave Robicheaux të James Lee Burke, dhe librat Bosch të Michael Connelly-t. Më pëlqen Gabriel Allon i Daniel Silva, David Baldacci dhe Lee Child janë duke u bërë më të mirë akoma. Dhe i adhuroj librat e bashkautorit tim James Patterson, sidomos ato me Michael Bennet dhe Alex Cross. Uroj që libri ynë i ri, The President’s Daughter, të përfshihet edhe në listën e të tjerëve. Më pëlqejnë personazhet dhe subjekti.

    Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar

    Ndoshta libri Grant i Ron Chernow-t. Ai ngre një çështje të pakundërshtueshme jo vetëm për gjeninë e Grant-it si udhëheqës ushtarak, por edhe për kurajën dhe vendosmërinë e tij për të garantuar që lufta civile amerikane të mos ishte e kotë. Me përpjekjet e fundit për të diskredituar zgjedhjet e vitit 2020, miratimin e masave për shtypjen e votuesve, dhënien fund të komisionit për hetimin e trazirave në Capitol në 6 janar, dhe ndryshimin e përbërjes së gjykatës së lartë, ne na kujtohet ajo çfarë dinte Grant-i: rreziqet që vijnë nga përsosja e bashkimit tonë përfshijnë mundësinë se reagimi i pashmangshëm mund të na e heqë demokracinë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË