More
    KreuArte pamoreBesim Tula: Ngjarjet e kohës përbëjnë subjektet e punimeve të mia

    Besim Tula: Ngjarjet e kohës përbëjnë subjektet e punimeve të mia

    Intervistë e pabotuar më parë me piktorin e njohur
    Nga Viron Kona

    “Në qoftë se nuk do të ishte nxitëse loja dhe pasioni për ngjyrat zor se mund të kisha arsye për të pikturuar…”(Besim Tula)

    E njoha piktorin Besim Tula në vitin 1974. Atëherë punoja në hekurudhën Fier –Ballsh në sektorin Kasnicë, kur Besimi, si dhe të tjerë artistë, erdhi për të kryer punën fizike. Fati e desh që të komunikonim bashkë dhe kështu nisi njohja, e cila u shndërrua në respekt reciprok dhe miqësi. E ruajtëm miqësinë në vite, gjithnjë të sinqertë, të pastër, të ndërsjellë dhe të pacenuar. Besimi, deri në fund të jetës, nuk iu nda asnjë çast pikturës, duke krijuar pareshtur vepra të bukura dhe me ndjenjë, por dhe duke shfaqur dukshëm talent të spikatur dhe origjinalitet. Pikturat e tij, të paraqitura herëpashere në ekspozita brenda dhe jashtë vendit, kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen dhe interesimin e kritikës, studiuesve dhe të publikut të gjerë. Një pjesë e tyre ndodhen të ekspozuara në Galerinë e Arteve, Tiranë.


    Pasioni për  pikturën ishte një ëndërr që nga fëmijëria apo një pasion i lindur apo i nxitur në rini?

    Në fëmijëri, për të parë se si pikturonin të tjerët ishte një gjë e mrekullueshme dhe mezi prisja të shikoja. Në Shkodër para  viteve 60 kishte të huaj turistë që pikturonin në rrugë peizazhe. Ishte tërheqëse se sa shumë ngjyra shikonin atadhe shpejtësia me të cilën i kombinonin. Dëshira që të merrja një herë sytë e tyre për të parë dhe unë atë pamje me aq shumë lloje ngjyrash ishte një ëndërr. …Hyra në rrethin e pikturës. Kishte punime të vendosura në muret e klasës së profesorit pasionant dhe të palodhur Gasper Zojzi që të befasonin. Dosja e madhe e tij  e mbushur plot me vizatime dhe piktura me akuarel apo me lapsa ngjyrash, për mua ishte një mini galeri arti ku ishin ruajtur punimet më të mira. Nuk mund ta fsheh admirimin që ndjeja për to. Pjese e pashlyer e imja ka qenë kursi me prof. Vladimir Janin te shtëpia e kulturës. Në shkollën e mesme, Lice artistik, kemi qenë me fat që morëm mësimet e urta dhe profesionale nga prof. Naxhi Bakalli. Disa nga këto mësime unë vazhdoj dhe tani t`i zbatojë në krijimtari.

    Je artistë që ke kaluar dhe jetuar në harkun e dy sistemeve? Si i  ke përjetuar këto ndryshime artistikisht?

    Kam patur shokë klase shumë të talentuar të cilët për mendimin tim po të ishin në sistemin e lirisë me siguri që mund të ishin bërë me emër. Tek secili artist i ri nga ky brez fshihej diçka vetjake jashtë skemës, e cila nxirrte kokën, por me frikë… Arti ka një veti, dëshiron t`jua zbusë jetën njerëzve, por mbas iluminizmit e ka ekonomia këtë rol. Pikërisht kjo është dhe pjesa më e madhe e përjetimit të dramës kur nuk ecet ashtu siç duhet dhe njëkohësisht është e pamundur që ngjarjet e kohës të mos ndikojnë, bile ato përbëjnë subjektet e punimeve të mia.

    Çfarë avantazhe të ka dhënë demokracia në krijimtarinë tënde si piktor?

    18 vite pas mbarimi të shkollës jetuam në kohën e realizmit socialist, por patëm një fat pas viteve 90 kishim ende shumë kohë përpara për të krijuar. Natyrisht mësuam gjëra që duhet t`i dinim 15 apo 20 vjeç, por pasioni për të realizuar atë çfarë mendon dhe ndjen kishim entuziazmin e moshës jo reale, por  vite më “i ri”. Kjo ishte pozitive për mua. Katërkëndëshin e tablosë nuk e ka njëri tjetër në dore përveç meje. Aty bëj të gjitha atë çfarë mendoj dhe pjesën tjetër nuk di ose nuk kam qenë në gjendje ta kontrolloj. Ka qenë periudha më e mirë e jetës në krijimtari, pavarësisht lëkundjeve politike.

    Cilat nga veprat e kryera në vitet e tua krijuese ke më për zemër dhe, pse?

    Është një pyetje që nuk e kam të lehtë t`i përgjigjem. Në përgjithësi nuk jam i dashuruar me punimet e mia. Në shume raste, herë më duken mirë, herë mesatare dhe ndonjë e dobët. Një prej punimeve që kam ndjerë një farë frike ishte tabloja “Gjumi i drekës”,1988 (pronë e GKA), ku të rinjtë aksionistë në vend të paraqiteshin në punë i bëra duke fjetur. Në fillim e kritikuan dhe e hoqën nga renditja, por me vonë e lejuan të ekspozohej. U fol mirë për të. Ndjesi të tilla unë nuk përjetova më, pasi mbas viteve 90 mund të bëja çfarë dëshiroja.

    Cilat nga rrymat e artit bashkëkohor të tërheq më shumë?

    Të gjitha rrymat janë krijuar si kërkesë e artistëve revolucionarë për të plotësuar me veti të ndryshme fuqinë e  imazhit. Njëkohësisht  për të transmetuar mendimet, filozofinë apo ndjesitë e tij pasi ato ekzistueset nuk ja plotësonin. Secila tendence ka përparësitë e saj dhe për një piktor është shumë e nevojshme njohja e tyre pasi e inkurajojnë  të gjej rrugën e tij artistike. Për mua është i afërt figuracioni me subjekte sociale, një pjesë të subjekteve i kam provuar vetë mbi kurriz dhe një pjesë nga ngjarjet që shikoj, dëgjoj apo lexoj, por të pikturuara me ngjyra. Dëshira ime është që shikuesi të tërhiqet nga ngjyrat dhe pastaj të shikojë subjektin.

     Kam një tërheqje të madhe për ngjyrat e Claude Monet, një nga impresionistët më të admirueshëm, pasi ato krahas fuqisë kanë dhe vërtetësinë. Kjo lloj aftësie në nivele kaq të larta ndjeshmërie ndeshet  rrallë në historinë e artit të pikturës. Perëndia  e kishte pajisur me këtë aftësi. Piktori Paul Cezanne entuziazmohej nga veprat e tij duke thënë: “Ai është një sy, o zot i madh, por çfarë syri!” Veprat e tij ndrisin.

    Dalja në pension e ka zbehur apo vyshkur pasionin për pikturën?

    Për një krijues nuk ka pjesë të ndarë të jetës. Rritja në moshë nuk e zbeh pasionin, ulet mundësia fizike për të realizuar formate të mëdha, pasi piktura në raport me letërsinë kërkon dhe impenjim fizik. 4-5 orë pikturë nuk është  i njëjtë konsumi fizik si me artet e tjera. Këtu mendimi duhet të kthehet vizion dhe të ekzekutohet, kemi disa ngarkesa njëherësh ku duhet të ketë harmoni mes tyre.

    Mund të rrish pa pikturuar?

    Në vendin tonë të sigurosh rrjedhshmërinë profesionale të përditshme është e pamundur. Të dalin probleme të ndryshme të jetës, të cilat janë një arsye e fortë për të mos punuar, por kam  arritur në një konkluzion se po e pate me dëshirë, mund me sakrificë ti të sigurosh kohën për të realizuar atë që do. Dëshira ime është të mos shkëputem. Meqenëse punoj në kuzhinë, ku zhvillohet “spektakli” i përditshëm, ku ajo kthehet në studio dhe e kundërta.

    Mendon për fitimin kur pikturon?

    Asnjëherë nuk kam menduar për të.

    Cila është pengesa më e madhe për një piktor?

    Përgjigjen më të mirë për të e ka dhënë Jankel (piktor i grupit COBRA) se armiku më i madh i një piktori është shqetësimi. Jo se një shkrimtar, kompozitor apo filozof nuk ka probleme të jetës apo shqetësime të ndryshme, por piktura meqenëse punohet mbi të, me disa ngjyra apo vija të vendosura gabim merr fund. Ndërsa shkrimtari, kompozitori apo filozofi mund ta ruajë tekstin e mëparshëm dhe e reja që është shkruar po nuk i pëlqeu mund ta grisë pa dëmtuar të mëparshmet. Po kështu mund ta ruaje partin apo fletën dhe ka kohë që t`i krahasojë. Kjo lojë nuk mund të realizohet në pikturë.

    Ka artistë që mendojnë se arti është sakrificë. Ti, si mendon?

    Arti është puna me serioze dhe më e pavarur që mund të bëhet, që të kushton gjithë jetën dhe që mund të mos marrësh asgjë ekonomikisht apo moralisht. Ai të bën për vete, nuk të duket sakrificë, por pasion. Sakrificë është të mos merresh me të. Artistë të ndryshëm kanë “ardhur në vete” dhe me ndërgjegje  kanë dashur të dalin nga kjo hipnozë apo dehje si këngëtari i suksesshëm Ricky Martin etj dhe nuk kanë mundur të rezistojnë dhe i janë kthyer përsëri.

    Ç’mendon për frymëzimin?

    Frymëzimi është një gjë e pashpjegueshme, por pa të arti është rakitik. Janë çastet kur ideja dhe ndjesitë bëhen një  dhe këto çaste janë të papërsëritshme dhe të mrekullueshme.

    Çfarë mendon për kritikën?

    Kritika është një ndihmesë e cila më ka shërbyer gjatë krijimit. Edhe nga ajo me tendencë denigruese  mund të nxjerrësh një konkluzion. Kam vlerësuar ata që më kanë kritikuar pasi gjatë krijimit mund të mos i kapësh të gjitha njëherësh  dhe tabloja mund të jetë pa arritje. Kritika-vepra-autori janë një bashkësi. Një krijim është një ndjesi apo mendim. Në shumë raste tek ne diskutimi bëhet duke u nisur kryesisht nga shija vetjake. Kjo është normale, por një kritik i mirë ndihmon mjaft në kohë.

    Pikturat tuaja krahas figurave kanë dhe tekst. A mund ta dimë se nga e ke patur këtë  nisje?

    Kur ishim të vegjël, te shkolla e lagjes vinte një autokinema dhe na shfaqte filma, kryesisht sovjetik. Çastet kur në errësirën e sallës lëvizte operatori, duke rregulluar fokusin apo këndin, më bënin përshtypje. Mbi shpinën e tij projektoheshin  gërmat e titrave, aktorët  apo peizazhi. Kjo më krijonte një efekt të fortë, i cili më ka ngelur në mendje. Tjetra ishin filmat e radiografive ku ti shihje mushkëritë dhe brinjët e tua në një forme të çuditshme pavarësisht siluetit të trupit. Këto të dyja kanë qenë pikënisjet ku, mbi një figurë reale pranohesh si e vërtetë dhe një tjetër pamje. Ishte një nxitje për mua, mendoj se dhe ndonjë shikuesi ky “absurditet” mund t`i bëjë  përshtypje. Ndërsa mua më ndihmon që teksti është e kundërta e pamjes. Në këtë kohë me huqe, për mua ai është shumë i nevojshme për subjektet që krijoj. Është pikturë e mbështetur mbi protestën ndaj paudhësive të kohës. Mbase në një periudhë tjetër krijimi im do të kishte  tjetër pamje.

    A mendon se shikuesi ecën në rrugën e artistit. Si dëshiron ti ta “lexonte” pikturën shikuesi ideal?

    Marrëdhënia  autor–vepër-shikues nuk është një problem i thjeshtë. Secili shikues merr atë që dëshiron nga artisti. Piktori francez Pierre Soulage e shpjegon shume mirë këtë marrëdhënie:  “Vepra jeton nga mënyra si shihet. Ajo nuk mbyllet në vetvete dhe nuk i takon vetëm krijuesit. Bëhet dhe nga ai që do e shikojë. Piktura ime është një hapësirë problemi dhe mendimi, ku kuptimet që mendojmë se përçon bëhen dhe ç’bëhen.” Marrëdhënia me një pikturë nuk është  e njëllojtë si me një vepër letrare. Një pikturë qëndron në murin e shtëpisë dhe ti ke një komunikim të vazhdueshëm në vite dhe e zbulon ngadalë e ngadalë. Një libër më shumë se tre-katër herë nuk e lexon, por një pikturë mund ta shohësh disa herë në ditë për shumë kohë.

    Piktura duhet të jetë pikturë. E para që të shfaqet apo të tërheqë është fuqia e ngjyrës, pastaj pjesa tjetër. Po nuk qe kjo, për mua ajo është një krijim pa arritje.

    Ju në subjektet që trajtoni keni një mendim revoltues ndaj kohës,ndërsa tabloja është pikturuar me ngjyra të gjalla. A nuk është kjo një kontradiktë midis subjektit dhe koloritit të tij?

    Kjo është e vërtetë. Subjekti është revoltues, ndërsa ngjyrat ndjekin një rregull tjetër. Në qoftë se një krijues nuk shfrytëzon atë mundësi që atij i sjell kënaqësi dhe e bën të jetojë me të, mua më duket se ai nuk është zbrazur tërësisht në krijimin e tij. Duke qenë që ngjyra më nxit më shumë për të krijuar, atëherë unë mund të them që vështrimin e shikuesit duhet t’ja tërheq ngjyra, pastaj të hyjë tek subjekti nëpërmjet saj. Në qoftë se nuk do të ishte nxitëse  loja dhe pasioni për ngjyrat zor se mund të kisha arsye për të pikturuar…

    Temat tuaja trajtojnë probleme të ditës. A nuk keni frike nga dalja e krijimit jashtë kohë më vonë. A ju preokupon kjo gjë?

    Kjo është e vërtetë. Me zgjidhjen e një problemi punimi del jashtë kohe. Ne fakt nuk më preokupon jetëgjatësia e krijimit. Ato i kam si reaksion ndaj kohës dhe në një farë mënyre sikur në heshtje bëj betejë me të keqen dhe ndjej një farë lehtësimi. Rreziku është i vërtetë, por punë e madhe se këto mund të dalin jashtë kohe në raport me përmirësimin  e shoqërisë. Mendoj se çdo subjekt tjetër përveç atij që jetoj unë do të më dukej jo frymëzues për të punuar.

    Artistët të gjithë duan të jenë në krye, të jenë të parët, pse ndodh kjo dhe, a është i drejtë një pretendim i tillë?

    Në çastin kur artisti e merr vesh që është i dyti i ulet mjaft grinda krijuese. Autori  jeton me auto vlerësimin. Për objektivitetin e saj është koha që e vendos atje ku duhet.

    Sa di unë, këtu kanë ardhur specialistë dhe njohës të pikturës nga vende të ndryshme evropiane. Cili ka qenë mendimi i tyre për nivelin e pikturës në Shqipëri?

    Mendoj se është pozitiv. Kemi artistë të mrekullueshëm që i kanë kushtuar jetën këtij pasioni duke rrezikuar në kohën e diktaturës.

    Ka nevojë vendi ynë për një muze pikture?

    Po. Të ndahet arti klasik dhe ai i kohës. Ne kemi artistë të mirë dhe të pasionuar. Këto çfarëdo që mund të thuhet përbëjnë dhe historinë tonë të artit.

    Kam lexuar këto kohë nga ty librin “Të ndjesh pamjen”, ku shprehesh mjaft bukur për mjeshtërinë artistike. Çfarë opinionesh kanë shprehur kolegët e tu  piktorë për këtë libër? Po të rinjtë që sapo i janë futur pikturës?

    Ky është një libër mësimor, i cili më ka marrë rreth 6 vite pune për ta realizuar. Ka qenë dhe një ëndërr e vjetër e imja ku të kishte shpjegime për gjuhën e pamjes… Më frymëzuan librat abetare për artet pamore të Philip Yenawine (Co Founding director at Visual understanding in Education United States ), i cili merrte përsipër detyrën e vështirë për t’ju shpjeguar  fëmijëve parashkollorë veprën e artit qoftë klasike, moderne apo postmoderne vetëm me një fjali. Imagjinoj kohën dhe gjithë preokupimin që i është dashur këtij për ta bërë të kuptueshme veprën me tre-katër fjalë. Këto mrekulli mund të ndodhin vetëm në Amerikë.

    T’i kursesh tjetrit kohën duke i dhënë thelbin e problemit… Më kanë thënë fjalë të mira si nxënësit ashtu dhe disa kolegë. Mendoj se në të ardhmen do të bëhen libra të mirë për artistët vizualë, por dikush duhet ta fillojë dhe mendoj se kjo ja vlejti.

    Faleminderit!

    Tiranë, 20 Maj 2019

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË