KreuLetërsiShënime mbi libraBesa Kalaja: Vdekjet e vogla (tregim)

Besa Kalaja: Vdekjet e vogla (tregim)

Në katin e dytë të shtëpisë, aty ku kujtimet e fëmijërisë kishin filluar t’i zbeheshin, iu desh të ngjitej. I thanë se gjyshes, që mendonte se shumë afër do të vdiste, i ishte tekur që të gjitha rrobat e saj të laheshin, të paloseshin me kujdes dhe të vendoseshin në bohçe, për t’u shpërndarë më pas te shoqet e saj. U qe lutur që ato të mos hidheshin, sepse ishte e bindur se do t’u pëlqenin.

“Ec e bjeri në fije kësaj pune”, mendoi. Dukej sikur gjyshja donte ta vazhdonte ekzistencën e saj në këtë botë përmes rrobave. Çfarë u duheshin rrobat e bajtura grave të tjera, që edhe ato nuk e kishin fort të gjatë?

Duke u ngjitur shkallëve, filloi të bënte llogaritë. Gratë do të vdisnin një ditë dhe familjarët do t’ua kthenin rrobat. Dhe ato rroba, me shumë gjasë, do të ktheheshin prapë te gjyshja. Veç mendimi e bëri t’i shkonin djersë të ftohta trupit.

U drodh, por jo nga frika e vdekjes. Asaj nuk i ishte frikësuar kurrë.

Një gjë nuk po e kuptonte pse gjyshja mendonte kaq shumë për vdekjen, kur nuk ishte e sëmurë dhe nuk kishte asnjë shenjë që ta paralajmëronte fundin.

I ra lehtë ballit kur kuptoi se ajo ishte caktuar për shpërndarjen e rrobave. Pesë shoqe të gjyshes do të përfitonin nga kjo dashamirësi e fundit. Në secilën bohçe gjendeshin shënimet me emrat dhe adresat e tyre.

Kur i pa, kuptoi se për t’i gjetur duhej të shkonte në vende të ndryshme. Kjo shpërndarje gjeografike filloi t’ia shpërqendronte mendimet. Kush do t’i përballonte gjithë ato shpenzime të rrugës? Pak banale, mendoi.

Për një çast i shkoi në mendje se, nëse gjyshja do t’ia mbulonte shpenzimet, ajo mund t’i kthente këto udhëtime në diçka të bukur, të vizitonte disa vende njëherësh, secili më i ndryshëm se tjetri. Sapo i erdhi kjo dëshirë, iu duk e turpshme ta mendonte në këtë mënyrë.

I erdhi keq për këto mendime. Gjyshja për të kishte qenë njeriu më i dashur i shtëpisë, prej së cilës ishte larguar vite më parë. Kur i kishin thënë të kthehej, nuk kishte ditur ta përjetonte si ankth apo si kënaqësi, sepse asgjë më nuk i lidhej me atë vend.

Edhe shkallët po ia rëndonin trupin, ndërsa zbriste me bohçet në duar.

Megjithatë, një kureshtje nuk po e linte rehat.

I kujtohej se disa prej rrobave të gjyshes, ato të kohës së nusërisë, i kishte veshur tinëz disa herë. Qëndronte para pasqyrës dhe merrte poza, sikur donte të shihte nëse kishte trashëguar diçka prej saj, pak elegancë, një gjest, një qëndrim apo cfarëdo qoftë.

A ishin ato rroba në bohçe mund ta dinte vetëm nëse i hapte, e ketë natyrisht nuk do ta bënte. I mjaftonte që të gjitha pyetjet për to t’i bënte në heshtje s’e nuk mund që këto mendime t’ia shprehte askujt, aq me tepër  kur ne pyetje ishte ajo.

…

E gjendur në një udhëkryq rrugësh, ajo mori frymë thellë. Qyteti ishte i bukur, me një lloj rregullsie që nuk e kishte hasur kurrë, ani pse kishte udhëtuar shumë. Nuk dinte nëse duhej të ulej në një stol në parkun e vogël të qytetit apo të vazhdonte kërkimin. Edhe një kafe i pihej.

Lokali që pa pak metra më tutje ishte i vogël, i fshehur nën hijen e një druri të madh. Ia mësyu. Një grua në moshë të mesme e priti me buzëqeshje. E kuptoi menjëherë se nuk ishte e atij vendi, prandaj mysafires i gjeti vendin më të bukur, në qoshen e verandës, mes vazove me trëndafila.

-Tani do t’jua marr porosinë, – i tha me një zë të butë.

E gjendur mes aromës së trëndafilave, ajo u përhumb për disa çaste. Nuk dinte nëse duhej ta merrte në telefon apo t’i shkonte drejt te shtëpia, e cila ndodhej vetëm pak metra larg. Frika që kishte pasur nga ai takim dukej se po zbehej dalëngadalë, ndërsa thithte aromën e luleve dhe vështronte njerëzit që kalonin qetësisht.

Pas pak, dera e vogël e oborrit përballë u hap. Dy gra dolën jashtë. Njëra ishte në moshë të thyer, por fytyra e saj ruante një bukuri të rrallë, të qetë, thuajse fisnike. Për një çast mendoi se kishin dalë për kafe dhe nuk u kushtoi shumë vëmendje. Sapo gruaja e moshuar ngriti kokën, sytë e tyre u takuan.

Ajo buzëqeshi lehtë, sikur ta kishte pritur prej kohësh.

-Paske ardhur?

Mbeti pa fjalë. Nuk dinte nëse pyetja kishte të bënte me adresën që kërkonte apo me gjithë udhëtimin që e kishte sjellë deri aty. Për herë të parë që kur kishte marrë bohçen në duar, ndjeu se ndoshta nuk kishte ardhur vetëm për t’i dorëzuar disa rroba.

 Kur ia dorëzoi bohçen, ajo e mori me një lloj përkushtimi të çuditshëm.

-Ah, ajo… -tha dhe buzëqeshi. Dinte ta mbante veten, rrobat kanë po të njëjtën aromë. 

E hapi bohçen ngadalë, duke i ndarë fustanet në njërën anë e bluzat në tjetrën.  Veçoi një fustan të lehtë dhe, pa pyetur, e vuri mbi vete.

-I rrinte mirë. Ka ditur gjithmonë të zgjedhte më të mirët.

Ajo e pa, pa folur. E dinte që gjyshja kishte diçka veçantë  të tjerëve po nuk e kishte parë kurrë me kaq shumë vëmendje.

Kur doli, i dukej sikur kishte lënë pas një version të rregulluar të saj.

…

Nuk e ftoi brenda menjëherë. Një fytyrë nevrike dhe pa jetë po i bënte pyetje me një ton çuditërisht të ftohtë sikur ta kishte njohur prej vitesh.

-Çfarë janë këto?- e pyeti, duke parë bohçen.

-Rrobat e saj… ka dashur t’i ndani.

Gruaja i mori në dorë, por nuk i hapi. Mund t’i marrësh prapë me vete i tha, nuk kanë çfarë më duhen, as kam kujt t’ia jap.

– I ka lënë me emra, u mundua ta bindtte.

-E di,- e ndërpreu, po s’kam nevojë për to.

Pasoi një heshtje e shkurtër.

-Nuk ka qenë siç e mbani mend,- shtoi më pas. – Nuk di si të të them kishte  një anë që nuk e donte askush. Për çudi fytyra iu zbut aq shumë sa sytë po i shkëlqenin.

-Më duket që nuk ke trashëguar asgjë prej saj,- i tha. -S’e di a po më kuptoni, i tha ishte mbizotëruese, në biseda, në takime, në gjithçka.  Dukej më bukur se ne të gjitha dhe kjo më bën sot ta refuzojë. Jo ty, por atë. 

Nuk i mbeti shumë veç ta merrte bohçen dhe të largohej.

….

Zgjodhi njërin nga fustanet dhe po i tregonte se atë ia kishte bërë dhuratë për martesë. U emocionua shumë gjersa po i tregonte. Të tjerat i pa pa shumë ceremoni.

Nuk foli shumë për gjyshen, iu kthye edhe njëherë fustanit. I tregoi për një njollë që i ishte bërë dhe nuk i hiqej. Duke e shpalosur e gjeti, ja kjo i tha.

-Mirë ka bërë që i ka ndarë vet, tha.

Nuk la hapësirë të bëhej pyetje.

-Se kështu nuk i mbeten askujt barrë, i tha ndërsa po mbyllte bohçen dhe dërgonte në dollap.

– Vdekja vjen. Nuk ke pse mendon për të.

E tha qetë, pa dramë.

Ajo e ndjeu se nuk kishte ç’të shtonte. Kur u ngrit për t’u larguar, gruaja ia mbajti pak dorën.

-Mos i mbaj shumë gjatë me vete, i tha.

….

Derën nuk e hapi askush.

…..

Mbeti edhe një bohçe. E mbajti me vete për disa ditë. Nuk nxitonte. Adresa ishte më larg.

Një mbrëmje, e vendosi mbi tavolinë. U ul përballë saj dhe qëndroi gjatë pa lëvizur.

I kujtohej se si dikur kishte veshur fshehurazi rrobat e gjyshes, si qëndronte para pasqyrës dhe përpiqej të gjente diçka të përbashkët.

Zgjati dorën. E hapi.

Brenda ishin disa nga ato rroba. Ato të kohës së nusërisë. I njohu menjëherë.

I mori një nga një. Pëlhura ishte më e hollë se sa e kujtonte. Më e brishtë.

U ngrit dhe shkoi te pasqyra, e veshi një fustan, nuk i rrinte si dikur, ose ndoshta ajo nuk ishte më e njëjta. Qëndroi për pak, duke parë veten. Nuk kërkoi më ngjashmëri. E hoqi me kujdes, e palosi dhe e vendosi përsëri në bohçe. E mbylli.

Në mëngjes, nuk shkoi te adresa.

Bohçen e la në katin e dytë, mbi shtrat, aty ku i kishte gjetur të tjerat.

Kur po zbriste shkallët, iu duk sikur shtëpia ishte më e qetë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË