More
    KreuHistoriBehar Gjoka: Ujdhesa letrare budiane

    Behar Gjoka: Ujdhesa letrare budiane

    Përmasat shkrimore, natyrisht jo vetëm për kohën e tij, por shumë më tepër për praninë e pashkëputur të poetikës autoriale në udhën e shtegtimit të fjalës shqipe, të cilat sa vijnë e përplotësohen me fakte dokumentare, mbeten të hapura për shqyrtime dhe formulime.
    Prania e këtillë, tashmë përtej hipotetikës, fare e kapshme dhe, herë-herë, e mbështjellur me ngjyresa fetare, e bashkëshoqërimit të frymës së Budit, të vjershërimit të konceptimit të vetëdijes letrare, që shpaloset më se njëherë prej vetë shkrimtarit në të gjithë librat e botuar.
    Gjithashtu gjendet e ngjizur, thuajse nëpër të gjitha etapat e harkut letrar në gjuhën shqipe. Kjo fakturë reale e pranisë ngjet per shumëçka, mbase, sidomos, për shkak të nivelit të përputhur të vetëdijes letrare me vetëdijen kombëtare, të cilat në rastin e Budit paraqiten të përputhura. Duke qenë në këtë dimension përputhshmërie ku arti dhe identiteti, fjala poetike dhe fjalësia atdhetare, janë në caqe dhëniemarrje të ndërsjelltë, Budi dhe e tij letrare janë nga gurët e sinorit të fillesave të rrugëtimit të shkrimtarisë.
    Shenjimi i kësaj pranie, tërësore dhe tekstologjike, në faktologjinë letrare të shqipes, si referencë e poetikës budiane, do kërkuar ndërmjet tjerash:
    A – Botimi i katër librave prej Pjetër Budit, posaçërisht DOKTRINA (me katër botime: 1618, 1636, 1664 dhe 1868), PASQYRA, botuar po në vitin 1621 dhe, së fundi RITUALI botuar në vitin 1621 dhe, brenda këtij libri është përfshirë edhe libri më vete, titulluar “Kush thotë meshë këto kafshë i duhet me shelbuom”.
    Kjo është një pjesë e krijimtarisë letrare dhe përkthimore që e pa dritën e shtampimit, siç na bën me dije vetë autori në parathëniet, pasthëniet dhe letrat baritore. Prapëseprapë këto janë vetëm një pjesë e dorëshkrimeve që trashëgojmë prej tij. Pa mundur të kapet gjer më tash raporti në mes asaj që shpëtoi duke u shtampuar dhe lëndës së dorëshkruar, që e përpiu pakujdesi, nisur kryekëput prej trashëgimisë budiane, është përcaktuar figura e tij në historishkrimine gjuhës dhe letërsisë shqipe.
    B- Befasia më e madhe sa i përket vjershërimit, pa lënë mbas dore se Budi është autori i njëzet e tre poezive në shqip me rreth 3200 vargje, lidhet me faktin se në veprën e Belarminos, autorit të DOKTRINĖS (në italisht), dhe të Dë Bonisit, autorit të Pasqyrës (në italisht, pavarësisht se në ballinë të librit shkruhet latinisht), nuk ka kurrfarë teksti poetik.
    Materia e vjershëruar ose poetika e Budit, ku formatohet lëvrimi i poezisë së shkurtër dhe të gjatë, madje deri në caqet e poemës, gjithsesi homilike, ka bërë të mundur që të riafirmohet ideja e krijimtarisë poetike budiane, tashmë si akt letrar i vetëdijshëm e jo veç si akt gjuhësor, që e radhit si të parin poet të letrave shqipe, pa lënë në hije sprovat e Buzukut dhe Matrëngës, veçse më Budin poezia formatohet në tre libra.
    C-Me parathëniet dhe pasthëniet, ndërkallur në librat e botuar, si dhe me letrat baritore e shkrime të tjera në prozë, që rrokin njëqind e njëzet e një faqe, një materie e paçmuar jetëshkrimore e shkrimtarit, me shenjëzime të pranisë së teksturës letrare, si dhe një dokument autentik i historisë dhe kulturës shqiptare, Budi është edhe lëvruesi i parë i prozës në gjuhën shqipe.
    Problematika që trajtohet në prozën budiane, e nivelit evropian për kontekstet shkrimore, realizuar me mjete të një shprehësie të ngritur letrare, sidomos formulimi prej tij i zhanreve: të polemikës, përshkrimit, autobiografisë etj., e bëjnë të domosdoshme përqëndrimin e vëmendjes në këtë lami të krijimtarisë autoriale, gjithsesi të pranuar dhe dëshmuar nga historiografia letrare e shqipes.
    D- Vetë përkthimi i tre librave, përkatësisht DOKTRINËS, PASQYRËS (nga italishtja) dhe RITUALIT (nga latinishtja), pa lëndën poetike dhe atë në prozë, natyrisht për nevoja utilitare fetare, patjetër që të kryeshin ritet fetare në gjuhën shqipe, kryesisht si gjurmë e PËRTËRITJES KATOLIKE, është thellimi i hullisë së çelur prej Buzukut, për të treguar mundësitë shprehëse të gjuhës shqipe, njëherit që tregon aftësitë dhe talentin e Budit në këtë fushë. Aq më tepër që dija letrare moderne e ka parë dhe vijon ta vështrojë edhe sot e gjithë ditën, përkthimin si të përafruar me “vepra ëndëre”, siç e thërriste Konica krijimtarinë letrare, pra edhe kjo fushë ndikon për të përvijuar portretin dhe përmasat e kësaj figure.
    E – Budi, gjithashtu, është nga të parët autorë në historinë e letërsisë shqipe, që botës së qytetëruar iu drejtua edhe në gjuhë të huaj. Ky aspekt me mjaft vlerë, nga sa dihet gjer më tani paraqitet gjysmak, sepse nuk dihet fati i dorëshkrimeve të librave të PËRSHPIRTJES, të cilën e thotë vetë autori, por e nënvizon edhe G. Petrotta, kur thekson: “Budi në këtë letër, duke folur për veprën e tij pastorale thotë që, për të përforcuar besimin tek ata (shqiptarë dhe serbë, kur ishte vikar i përgjithshëm) dhe për të bërë më të lehtë misionin e priftërinjve, kishte shkruar libra devocioni (lutjesh, uratash) në gjuhën e tyre” (1932: 21), është fjala për libra të para viteve 1616. Sa i përket gjuhës në të cilën janë shkruar ato, Çabej thotë: “Këtu pas mendimit tonë është fjala jo për libra serbisht e shqip, por për libra shqip shkruar për klerin katolik shqiptar, dhe të Serbisë dhe të Shqipërisë” (1966: 146) çka e rimerr po ky autor në librin “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”: “Më anë tjetër bie në sy fakti që disa popuj ortodoksë të gadishullit: serbët, bullgarët e grekët vetëm në shekullin e XIX nisin të zhvillojnë një literaturë të shkruar në gjuhën e tyre nacionale” (1996: 70).
    Ndërsa letra drejtuar kardinal Gocadinos është shkruar në italisht, gjithashtu edhe disa poezi që gjenden tek RITUALI janë shkruar në latinisht e ku, përveç librave të Barletit, Biçikemit etj., që i shkruan veprat e tyre në latinisht, Budi shënon zanafillën e ndërkomunikimit kulturor, ndonëse në gjuhën shqipe qenë botuar disa libra. Mandej sprovat e komunikimit me botën në këtë formë erdhën për shkak të nevojës ase për dobi të komunikimit, gjithsesi janë një dukuri e pranishme nëpër të gjitha periudhat shkrimore. Kështu P. Bogdani, veprën e tij “Çeta e Profetëve” e ka botuar në shqip dhe në italisht, po ashtu P. Vasa, romanin e parë të letrave shqipe, përkatësisht “Bardha e Temalit”, do ta botonte në frengjisht e dhjetëra autorë të letrave shqipe. Duke qënë një dukuri e shtrirë, ndërkomunikimi i tillë shndërrohet në cilësivepruese, si rruga e vetme për t’ia përcjell vlerat qytetërimit botëror.
    F- Prania e teksteve të Budit, pothuajse në gjitha etapat e lëvrimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, si nyje, çka konfirmohet nga ana e studimeve gjuhësore. Kështu, Mahir Domi vëren se “Veprat e Budit u njohën nga mjaft Rilindas, si Kristoforidhi, Samiu etj., të cilët nxuarrën andej mësime për zhvillimin e gjuhës letrare të Rilindjes” (1966: 16). Kurse Kolë Ashta e zbërthen në detaje më të imëta, tek nënvizon: “Tue nisë me gjymsën e shekullit të kaluem Budi filloi me u njoh jo vetëm përmes leximit, por edhe hulumtuen mbë të leksikografët shqiptarë e të huej. Kristoforidhi, ky lëvrues i zellshëm, i dhanë pas gjuhës shqipe, fjalori i të cilit u botue më 1904 në Athinë e së dyti më 1961 transkiptue më shkronja shqipe e përpunue me aq kujdes nga A. Xhuvani, ka çekë shumë fjalë e shembuj prej Budit e Bogdanit në Fjalor, çka gjithandej lexuesi e sheh të qartë edhe te Fjalori i Bashkimit e i Cordignanos…
    Kjo punë e mirë leksikografike kaloi në atë të gjuhës së shkrueme e në mos u gaboftë njeriu, Mjedës i ra shorti së pari të qëmtojë, të mbledhë me kujdes tue zgjedhë ca fjalë të Budit, që u përtrinë në gjuhën e shkrueme, në prozën e tij të një lande kishtare…” (1966: 161), duke e plotësuar kuadrin e njohjes dhe ndikimit që ka gjuha dhe krijimtaria e Budit në periudhat e mëvonshme.
    Tiparet e personalitetit me karakter të spikatur, ku devotshmëria ndaj besimit dhe sakramenteve është në ekuilibër të përputhur me dashurinë e pakufi për gjuhën shqipe dhe Arbërinë, si një trinom i pandarë, siç e pati formuluar Çabej, si vend dhe si bashkatdhetarë, materializohet edhe si vetëdije letrare me tekste poetike dhe faqe në prozë.
    Pjetër Budi, frymëzuesi dhe udhëheqësi i kuvendeve krahinore dhe mbarëkrahinore, e deri në ilirike, siç edhe quhej aso kohe gadishulli, frymëdhënësi i lirisë së atdheut, edhe përtej ndarjeve fetare, padyshim, qenë disa prej shkaqeve për të kryer vrasjen e dyfishtë:
    -zhdukjen fizike, në prag të Krishtlindjeve të viteve 1622-1623, në valët e Drinit,
    -etiketimin e kësaj zhdukje, nëpërmjet gjyqit të Kallmetit, si një ndodhi aksidentale në prill të vitit 1642.
    Perdja e ndarjes së përdhunshme nga jeta, madje tanimë e shënuar edhe si një vrasje e pastër, e mbulon Budin dhe veprën e tij të gjerë edhe me ngjyrimet e një ujëdhese, që mërgon larg e herë avitet vrullshëm. Një ujdhesë purpurore e gjithë blerim, që kapërcen mote e shekuj të pambarimtë, mbushur me përndritje shenjtërimi, sakrifice vetëmohuese e, gjithashtu, mbështjellur përplot dritëzime letrare të një poetike impresionuese, jo vetëm për kontekstet shkrimore.
    Megjithatë, kurrsesi përmasat e kësaj figure nuk mund të kuptohen jashtë etapës së parë të letrave shqipe. Madje, vetëm brenda asaj peiudhe, që i kapërcen ndjeshëm qerthujt e ngushtësisë religjoze apo krahinore, dritëdhënëse në tërësinë e vetë, që herë është quajtur letërsi e vjetër, herë si letërsi biblike, që përfshin në vetvete një hark kohor përtej një shekulli e gjysmë, mund të kuptohet jeta dhe vepra e Budit.
    Nëse Buzuku, në vitin 1555, duke botuar “Mesharin”, do të hidhte gurët e themelit të gjuhës dhe kulturës shqipe të dokumentuar, në anën tjetër të Adriatikut, Lek Matrënga do ta pasonte në “Katekizmin” në vitin 1592, në ndihmë të shkollimit të fémijëve në gjuhën amtare.
    Në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XVII, Budi, gjithnjë duke vijuar traditën shkrimore buzukiane, do ta pasuronte gjuhën shqipe në rrafshe të shprehësisë letrare, me botimin e librave në vitet 1618 dhe 1621, ku përveç përkthimit gjellon poczia dhe proza. Fill mbas tij, Frang Bardhi, sidomos me fjalorin “Latinisht-Shqip”, që nga edhe nisin udhën leksikografia dhe folkloristika e shqipes, do të zgjeronte ndjeshëm pentagramin e potencialeve shprehëse të gjuhës shqipe.
    Përmbyllja e kësaj periudhe të ndritur, jo si cak i mbyllur, përkundër si një eveniment jetik për gjuhën dhe kulturën shqiptare, shënohet me veprën madhore të Pjetër Bogdanit, veprën diturake, filozofike dhe letrare, përkatësisht “Çeta e Profetëve”, botuar në vitin 1685.
    Priftërinjtë katolikë, padyshim që i përkasin rrethanave tëKundërreformacionit, që synonte kryckëput Përteritjen Fetare. Janë pikërisht njato rrethana që u shfrytëzuan maksimalisht prej shkrimtarëve të shekujve të XVI dhe XVII, për të hedhur themelitë e kulturës, gjuhës dhe letërsisë shqipe.
    Siç dihet kisha në ato kohëra, përpos se shenjëzonte vendin e shenjtë ku do të duhej të realizoheshin sakramentet fetare, ishte edhe vatër shkollimi e kulturimi. Mandej, kisha në atë periudhë pati përfshirë në ombrellën e vetë edhe artin e letërsinë.
    Këto rrethana si dhe realizimet e shkrimtarëve të atyre shekujve, siç e pati formuluar Çabej “Fakti që këta nuk janë një e dy, po përbëjnë një varg burrash të pendës, na dëshmon se aty nuk kemi një dukuri kulturore sporadike, po kemi të bëjmë me një lëvizje mendore” (1966: 139), shtrojnë nevojën e rivlerësimit të asaj periudhe të ndritur.
    E megjithatë, pa kurrfarë droje, mund të themi se shkrimtarët katolikë të shekujve të XVI dhe XVII, me aktet e kryera prej tyre, veçmas me botimin e librave, që shënojnë monumentet e gjuhës dhe të kulturës shqiptare, më së shumti ata realizuan PËRTËRITJEN E GJUHËS, LETËRSISË DHE ATDHEUT, madje ky i fundit i shenjuar si njësi unike, ku kuptohej Arbëriadhe arbëreshët kudo që jetonin, duke formuluar kështu gjurmët e dokumentuara të qytetërimit shqiptar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË