More
    KreuLetërsiBibliotekëBegzad Baliu: Kemi nevojë për një hero tjetër

    Begzad Baliu: Kemi nevojë për një hero tjetër

    1.

    Mbrëmë jemi kthyer vonë me Myrvetin nga Llixhat e Elbasanit, ndërsa sot po e nisi ditën duke parë thirrjet dhe mesazhet në telefon dhe në llaptop, të cilët i kemi lënë me qëllim, që gjatë shtatë ditëve sa qëndruam atje, të mos jemi të shqetësuar nga thirrjet dhe mesazhet.

    Me vete morëm vetëm Prozat e Franc Kafkës (Myrveti) dhe prozat e Zija Çelës (unë). Gjatë atyre  ditëve Myrveti përpiu qindra faqe të Kafkës, ndërsa unë mezi lexova një vepër të Zija Çelës.

    Ti lexon tepër shpejt dhe prej këtij leximi vetëm fabula e tekstit kapet, – i thosha, duke mbajtur mes gishtave një lapës kimik për të nënvizuar fjalë, shprehje, përshkrime personazhesh dhe mbase për ta arsyetuar dembelinë time.

    Ti lexon tepër ngadalë, – përgjigjej ajo. – Jo çdo vepër është Meshar i Gjon Buzukut, që duhet ta nënvizosh – dhe përmbyste faqen e re, pa e zgjatur.

    Si të mos mjaftonte kjo, një dosje e kërkimeve të fundit arkivore më kishte mbetur në bagazhin e makinës dhe gjendja e tyre e parregullt po më pengonte t’i sistemoj në dollapin e vitrinës. Dosja m’i mori dy ditë sistemimi e leximi, aty-këtu: mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave në fushë të arsimit; qëndrimin e disa intelektualëve rreth këtyre raporteve, pas vitit 1981; për informacionin shumë të plotë të Fjalës së Profesor Dhimitër S. Shuteriqit në Lidhjen e Shkrimtarëve të Serbisë në Beograd (1945), dosjen e organizimit të Konferencës së Lidhjes së Prizrenit (1978); projektin e panjohur prej gjysmë dekade (1981-1985) për veprën e Josip Broz Titos dhe gjëma e madhe akademike për vdekjen e tij; dokumentet me interes nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës dhe Zyra Krahinore për përkrahjen e veprimtarisë shkencore, në të cilën për herë të parë gjeta recensionin për përkthimin e veprës së Jeronim de Radës “Milosao” në gjuhën serbokroate nga Esad Mekuli; nënshkruesit e vërtetë të referatit të Sinan Hasanit në ASHAK, për të cilin është folur e përfolur gjatë në mediat tona; reagimin e Akademisë për presionin policor serb të vitit 1989/1990 me theks të veçantë ndaj akademikëve Rexhep Qosja, Ali Hadri dhe Gazmend Zajmi; mbi projektin e botimit të veprës së plotë të Androkli Kostallarit në Prishtinë (1980); të dhënat e reja për veprimtarinë shkencore të profesorëve: Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Hasan Mekuli, Gazmend Zajmi, Mark Krasniqi, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Hilmi Agani etj., të cilat do të më hyjnë në punë për Historinë e albanologjisë dhe kapitullin e Historisë së popullit shqiptar mbi zhvillimin e mendimit shkencor në Kosovë, 1945-2008 etj.        

    2.

    Tek shikoj mesazhet në telefon shoh se nuk kam shumë. Është kohë vere dhe të gjithë duan të pushojnë, por ka edhe të tillë që pikërisht në këtë kohë ndërmarrin nisma planetare, si Profesor Edgar nga Koreja Jugore, i cili ka filluar një projekt të madh për Mësimdhënien si përçuese e paqes në botë. Më paska thirrë dhe më paska dërguar disa paragrafë orientimi në projektin e tij si dhe më paska dhënë disa porosi. Nuk e di a do të mund t’i përgjigjem shpejt, ashtu sikur dëshiron ai.

    Pa përfunduar leximin e mesazheve më thërret Fatoni, nga Instituti Albanologjik. Dëshiron të më jep librin e tij, i sapodalë nga shtypi, dhe të pimë një kafe. Më thërret edhe dr. Eljisa Fazliu. Kam dalë të pi një kafe te Amare, më thotë.

    Nuk mundem, u them të dyve. Kemi munguar në shtëpi prej disa ditësh dhe më duhet t’i kryej disa punë familjare.

    Kam menduar se më ka munguar kafja e kësaj zone universitare, – më thotë dr. Eljisai, – por ajo që dëgjoj e shoh në këtë mëngjes më bën të trishtohem, prandaj po mendoja që me ju do ta tejkaloja këtë atmosferë zhgënjimi. Dhe vazhdon rrëfimin tutje…

    Ke të drejtë, – i them duke qeshur. – Aty, te kafet rreth rrugës me emrin e madh të Profesor Eqrem Çabejt, e përballë institucioneve më të rëndësishme shkencore e arsimore, për fat të keq ulen profesorë universitarë të ri e të vjetër. Shkencëtarë me shumë vepra dhe shkencëtarë që shumë, shumë kanë nga një gjysmë vepreje (magjistrature a doktorate), por që thonë, “bëjmë politikën tonë kombëtare, rajonale, europiane dhe madje planetare!” Aty, në ato ambiente të bukura e të qeta, shkencëtarët tanë, universitarët tanë, ‘politikbërësit tanë’, ‘planetarët tanë’: hanë dreka e darka të pasura me pagesat e institucioneve qeveritare e organizatave joqeveritare (një grup i parë); përshfaqin demagogjinë e tyre intelektuale nën aureolën e “Refuzimit estetik, të frymës rugoviste”(!),( një grup tjetër); ndërsa nxjerrin harpallakun feudalist pas faljes së drekës, një grup i tretë. Viteve të fundit e kohëve të fundit, në këto ambiente dhe sigurisht jo vetëm këtu, pinë kafe edhe disa individë ‘profesorë universitarë’ e ‘shkencëtarë’, të cilët prej mënyrës se si ulen, prej mënyrës se si flasin dhe prej mënyrës së si hapareshen, tregojnë diletantizmin dhe gjendjen në institucionet tona arsimore dhe shkencore. Do të më duhet, jo një ditë, do të më duhen shumë ditë, për të mos thënë, do të më duhen disa muaj, do të më duhen Niçja e Frojdi, Konica, Kuteli, Bulka e Koliqi, Qosja e Agolli, për të shpjeguar natyrën e sjelljes së tyre, diskursin e komunikimit të tyre, përmbajtjen e leksikut dialektor të tyre, kuptimin e të cilit nuk e shpjegon dot duke qenë vetëm etimolog, vetëm antropolog, vetëm sociolog a siciolinguist, në të vërtetë më shumë se kaq, duhet t’i kesh të gjitha këto cilësi.

    E kuptoj shqetësimin e dr. Eljisait. Ka vizituar, studiuar e specializuar, në disa qendra universitare: Tiranë, Sarajevë, Beograd, Shkup. Ka vizituar dhe njohur shumë qytete të Europës e Amerikës. Ka një njohje të gjerë kulturore të këtyre shoqërive. E kuptoj dhembjen e tij.

    3.

    Dalim me Bardhën, vajzën e madhe, me makinë, sa në një pikë, sa në një pikë tjetër. Në të shumtën e rasteve e pres pranë rrugës, brenda makinës. Ende nuk jam liruar nga biseda me dr. Eljisanin.

    Shoh anash në xhepat e dyerve të makinës të lexoj ndonjë faqe libri, sa për të kaluar kohën. Nxjerr Antologjinë e rok poezisë amerikane, prej të cilës disa poezi i paskam lexuar madje disa herë.

    Nuk më shkon.

    E lë atë dhe e marr librin Gjuhët e parajsës, përkthyer nga studiuesesja Ledi Shamku.

    Nuk më ecën pa një laps në dorë.

    E lë.

    Nuk e kanë fajin librat, po padëshira ime për të lexuar! A e kam humbur unë dëshirën për të lexuar! A çka mbetet në jetën time, nëse e kam humbur shijen e leximit!

    Ndërroj valët 94.2 të Radio Kosovës së Lirë, emisioni i së cilës duket nuk është për momentin tim. As Radio Kosova nuk ma plotëson egon!

    Valët ndalen te Radio Mitrovica dhe menjëherë pas një kënge të zgjedhur dëgjoj një reklamë, frymën e së cilës mund ta kem dëgjuar si fëmijë në Radio Tiranën e Enver Hoxhës, madje kryesisht në Ditët e Majit apo Muajin e Kongreseve. Turfullon zëri, tipik stalinist: “Kosova ka malet, fushat, brigjet…. Kosova ka edhe veprat e Nexhmedin Spahiut”!

    Kuku nanë, kuku nanë!

    Në fillim të shekullit XXI, në Kosovën e lirë, në Kosovën e frymës euro-amerikane, – do të përsëriste kushedi për të satën herë, Ibrahim Rugova, –  reklama, në të vërtetë parulla tipike staliniste.

    Aspak e rastësishme dhe aspak e habitshme!

    Duke bërë reklama për koncepte të vonuara, që glorifikojnë të ashtuquajturin identitet kosovar (një identitet krahinor, i sforcuar nga pushteti serb në vitet ’60, për t’iu kundërvënë identitetit panshqiptar në ish-Jugosllavi), nuk është e rastit që edhe mënyrën e bërjes së tyre t’i kenë të vonuara: realsocialiste, staliniste dhe më tej enveriste.

    Valët kapin më tej Radio Dukagjinin. Muzikë e bukur por tepër nostalgjike për disponimin tim. Pastaj Radio 21; Pastaj Gllam Radio; Pastaj, pastaj… Asnjë, nuk plotëson kërkesat, të cilat në këtë paradite, si duket nuk i kam të stabilizuara.

    Hapi telefonin dhe e lidhi me radion e makinës. Do të gjej e dëgjoj diçka nga interneti. Provoj këngët e Ilir Shaqirit, pastaj të Andrea Bochelit, Luciano Pavarottit dhe ndonjë prej këngëve arvanite, që më sjellin sa krenari aq edhe emocion. Gishtat, pa më pyetur, shtypin koncertet apo këngët e grupit ABBA, Bony M, Tina Turner, Bee Gees, Queen, Bryan Adams, Bruno Mars, Phil Collins, Frank Sinatra, The Rolling Stones. Cilin ta dëgjoj?

    Përsëri, gishtat nuk më pyesin dhe trokasin mbi këngën e Tina Tarnerit, The Best. Nuk më zhgënjejnë. Çfarë kënge, çfarë interpretimi planetar? Të zgjon jo nga gjumi, po edhe nga varri- thosha dikur duke rrotulluar këmbët në vend. Nuk më paska dalë nga kujtesa titulli i këngës së saj “Ne nuk kemi nevojë për një hero tjetër”. Tek kënga vazhdon, më sjell në kujtesë një dialog të tre studentëve të familjes sime të viteve ’80.

    Me këtë këngë të Tina Tarnerit, vet i 30-ti e kisha pushtuar Beogradin, – mburrej nipi im Muharremi, student i makinerisë, që lakmonte Akademinë e Aviacionit, jo pse i pëlqenin fluturimet, po pse lakmonte që me fluturimin e tij të parë të bombardonte Beogradin!

    Jo me Tina Tarnerin, po me Dervish Shaqen e kisha kallë Beogradin tejpërtej, ndërhynte vëllai im – Shabani, student i albanologjisë, tek fuste gishtat mes flokëve dhe zgjeronte farmerkat shizi, thua se po bëhej gati të nisej.

    Lene more Beogradin, me Tina Tarnerin, “i kisha ra bregdetit të Dubrovnikut”, – ndërhynte kushëriri im, misi i studentëve – Nexhati, i cili nga babai im e kishte marrë nofkën “Doktori”, ende pa i mbaruar studimet.

    4.

    Dje kemi biseduar me Profesor Tefë Topallin, që sot të flasim në telefon dhe të diskutojmë për disa aspekte të veprës së tij Leksikoni i albanologjisë.

    Profesor Tefa po e përgatit, jo një vepër, po një monument për Albanologjinë. Një Monument, i cili i ka munguar botës sonë shkencore, kulturës sonë. E veprat e tilla nuk përmbyllen lehtë dhe nuk përfundohen vetëm. As në kohën e internetit, as në kohën e globalizimit, as në kohën e komunikimit bashkëkohor, ku informacioni për dijen nacionale në shumë shtete dhe shumë qendra leksikografike jepet i saktë dhe i plotë, ndërsa tek ne ende është i huaj dhe i varfër. Për më tej, kolegët tanë japin informacione gjysmake, të pavërteta, të njëanshme. E profesori Tefë Topalli, që është shpirti i së mirës, ju ka besuar, i ka pranuar sugjerimet e tyre si të vërteta dhe si të besueshme, prandaj e kam vështirë të heshtë dhe t’ia shpjegoj sugjerimet e mia.

    Ka shumë pyetje, kryesisht për gjuhëtarët nën ish-Jugosllavi, apo në Kosovë e Maqedoni, sikur më thotë ai, …dhe në Mal të Zi, – sikur e plotësoj unë. Flasim për Selman Rizën, Idriz Ajetin, Hilmi Aganin, Besim Bokshin, Latif Mulakun, Remzi Nesimin, Xhevat Gegën, Haki Ymerin, Rushdi Ushakun, Fadil Sulejmanin, Fadil Rakën, Rexhep Ismajlin, Tafil Kelmendin, Bahjtiar Kryeziun, Ragip Mulakun, Shefkije Islamajn, Qemal Muratin, Asllan Hamitin, Izmit Durmishin, Mustafa Ibrahimin, Ismet Osmanin, Ajten Hajdarin etj. Flasim për personalitetin e tyre shkencor, por flasim edhe për situatat në të cilat jemi njohur dhe raportet që kemi pasur apo kemi. Flasim më tej për Profesor Shefki Sejdiun, Rexhep Doçin, Mehmet Halimin, Isa Bajçincën, Zijadin Munishin, Skënder Gashin, Abdulla Zajmin, Abdullah Zymberin, Sylejman Drinin, Ibrahim Goçin, Mehmet Ahmetajn dhe për studiues më të veçantë, pa të cilët nuk mund të merren me mend shumë institucione arsimore e shkencore dhe shumë projekte të fushës së albanologjisë. Bisedojmë edhe për shumë studiues të ri, të cilët duke qenë autorë të më shumë se dy a tri veprave, mund të përfshiheshin në Leksikonin e tij, por koha nuk pret, sepse data e dorëzimit të dorëshkrimit është 20 gushti i këtij viti. Flasim në mënyrë të veçantë për Profesor Dhimitër S. Shuteriqin dhe Profesor Rexhep Qosjen.

    Biseduam edhe për shumë studiues anekënd botës, të cilët do të ishte mirë të përfshihen sa më të plotë në këtë vëllim. Për të gjallë e për të vdekur: për Henrik Bariçin, Voijsllav Dançetoviqin, Victor Fridemanin, për Eric Hampin, për Aleksandër Rusakovin, për Rusana Bejlerin, Hasan Kaleshin, Petar Skokun. Biseduam “poshtë e përpjetë”, do të thoshte Adem Demaçi, deri sa i thash se të shtunën do të jem në Tiranë dhe do të bisedojmë shtruar për më shumë çështje, autorë e vepra albanologjike. Dhe për ju, – e përmbylli bisedën Profesori im i dashur – Tefë Topalli!

    I premtova ta ndihmojë për biografinë e Profesor Shefki Sejdiut, Skënder Gashit, Rexhep Doçit, Vilson Bicit, Mehmet Halimit, Isa Bajçincës etj., dhe u ndamë duke i uruar njëri-tjetrit një natë të freskët verore.

    Pasi i kam premtuar Profesor Tefës se do të përgatiti një zë për Vilson Bicin, i shkruaj Eduard M. Dilos, për shkak të lidhjeve të tij familjare me Vilsonin. Pas pak, ai më orienton te miku im në Gjirokastër, Kristaq Shabani, ndërsa Kristaqi, si Kristaqi, pas pak kohësh më mbulon me të dhëna. Kisha harruar se ai ka shkruar një vepër për Profesor Vilsonin, me titull që vetëm ai di ta vë: Jetari!

    5.

    Deri vonë punova për të përmbyllur portretin prej studiuesi e sidomos prej pedagogu të Profesorit të ndjerë Vilson Bicit, ndërsa disa herë më zuri syri mbi tavolinë veprën e Profesoreshës Sala Ahmetaj, Teoria dhe praktika e gjymtyrëzimit…, botuar kohë më parë. E kam ndarë për lexim, jo për shkak se po merrem me probleme të sintaksës, po pse dua të shkruaj për veprën e asistentes së lëndës së vitit të parë në Fakultetin e Filologjisë së Universitetit të Prishtinës, Kulturës së gjuhës. Në të vërtetë, këtë lëndë në Grupin e Gjuhës, ku isha unë student, e mbante Profesori Isa Bajçinca, ndërsa në ushtrimet e kësaj lënde shkoja edhe te Grupi i letërsisë, ku mbante ushtrimet Profesoresha Salë! Shkoja atje sa herë e kisha të mundur sepse Profesoresha Salë, përmes shembujve të zgjedhur në fushë të kulturës së gjuhës, fliste për historinë, patriotizmin individual e kolektiv, si dhe përmasën atdhetare të flijimit të Familjes së saj, në kohën kur shumë profesorë, sikur do të thoshte Profesor Qosja “e kishin humbur zërin”. Ajo fliste dhe shprehte si rrallë të tjerë, mes nesh, krenarinë e zëshme të saj.

    Ishte mesi i viteve ’80. Çfarë kohe e guximit qytetar dhe intelektual. Ishin tepër pak ata që kishin guxim të shkruanin e flisnin, si Profesor Qosja, Profesor Agim Vinca, Profesor Zekiria Cana, prandaj ata kishin fituar jo vetëm respektin e inteligjencies shqiptare, po edhe asaj properëndimore, kryesisht në Slloveni e Kroaci. Kishte edhe të tjerë që shkruanin më shumë e më pak flisnin, po që e paguan rëndë, si Profesori Rexhep Ismajli,  juristi e intelektuali Kolë Berisha, gazetari shqiptar i të përditshmes së Zagrebit “Vjesnik”, Ibrahim Osmani, apo të rinj që as nuk flisnin as nuk shkruanin, por punon natë e ditë kundër pushtuesit serb, si: Nasim Haradinaj e brezi i tij.

    6.

    Më duket që nuk është koha për lexim, ndërkohë që tekstin e porositur të Profesor Tefë Topallit për pedagogun e studiuesin e ndjerë të Universitetit të Gjirokastrës Vasil Bici, sapo ja kam nisur përmes internetit.

    Iku edhe kjo ditë, do të thoshte miku im i motshëm nga Shkodra, Blendi Kraja.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË