More
    KreuLetërsiBibliotekë"Atdheu është i vetëm, si Homeri", cikël poetik nga Xhelal Tosku

    “Atdheu është i vetëm, si Homeri”, cikël poetik nga Xhelal Tosku

    * * *

    trëndafili ka arsyen e tij

    gruaja e mori në dorë 
    buzeqeshi
    dhe vazhdoi rrugën. 

    trëndafili ka arsyen e tij 
    gruaja  ka aromën e saj


    * * *

    ajo shkonte në dyqan 
    dhe blinte për mua trëndafila.

    kuptohet: artificialë 

    unë dilja në kopësht 
    dhe për të 
    mblidhja trëndafila 

    kuptohet: natyralë 

    për dashurinë nuk flet më askush 


    * * *

    rrëzim i gjetheve gjithë në ar 
    vetëtimat nëpër qiej dhe shiu 
    se ç›kam një trishtim pyjesh 
    tani në vjeshtë 

    dhe ty nuk të shoh gjëkundi 

    Ti dhe krijimi i botës 

    errësira është aq e dendur 
    sa që nuk mbaj mend asgjë 

    kur vjen nata kujtohem çfarë më pret 

    e gjithë kjo do ishte asgjë
    sikur ti të mos ishe e ëndërrt.


    * * *

    e di era e detit çfarë bën me detin
    e di deti çfarë bën me shkëmbin e anëdetit 
    po kokrriza e rërës e di që origjinën e ka nga shkëmbi
    ti që shkon nëpër rërën e lagur të detit
    e di këtë çast kujt për ty
    i dhemb shpirti 


    * * *

    napoletane e vogël 
    napoletane e bukur 
    cili qiell me shi 
    ia shuajti zjarrin 
    ndonjëherë 
    Vezuvit 


    * * *

    mespërmes mëngjesit 

    me krizantema të bardha në duar 

    mos hidhni vështrime 
    më kot. 

    grua si kjo 
    nuk do të ketë më. 


    * * *

    mirë dielli 
    po yjet 

    mirë yjet 
    po hëna 
    pse duhet 

    pyet udhëtar i ngratë 
    dhe rruga zgjatet 
    e zgjatet 

    askush nuk përgjigjet 
    askush nuk dëgjon 
    sepse është natë 


    * * *

    kur erdha unë
    atdheun tim e kishin vrarë 

    çfarë mund të bëja 


    * * *

    lulet e bardha të mollës 
    kanë kujtime të bukura 
    nga hëna 

    natë natë 
    dhe mrekullisht 
    hëna është e plotë 

    si është të vdesësh 
    në një kopësht me mollë 
    si lulet e mollës 
    si është të vdesësh 
    në një natë të tillë


    * * *

    të ikurit janë të shumtë 
    atdheu ashtu si Homeri është i vetëm 

    kënga flet vetëm për Odisenë që u kthye 

    jemi në një kohë 
    ku secili bard 
    mund të verbohet 
    shumë lehtë 


    * * *

    unë me fytyrën mbështetur në xhamin e dritares

    dhe shiu që troket në xhamin e dritares 

    kështu kemi mbetur në kujtesën e një dimri


    * * *

    i ngulun në tokë si pemë dimri pa gjethe 
    nëse ti nuk vjen 

    Mërsina ime 

    jam rritur në tokë
    ku në asnjë stinë nuk mungojnë 
    mersinat e gjelbërta dhe dielli

    duke shkuar shumë larg 
    kushedi sa herë 
    kam rrezikuar të helmoj shpirtin tim.

    ti mërsina ime e gjelbërt
    me lulet e vogla e të bardha 
    si yj të vegjël nate
    ti mërsina ime e gjelbërt
    me aromën tënde mesdhetare 
    si një mister 
    më ke ndaluar. 

    jam rritur në viset e mesdheut
    me diell dhe mërsina 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË