More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArtur Spanjolli: Himn i dashurisë për jetën

    Artur Spanjolli: Himn i dashurisë për jetën

    Një vështrim i shkurtër mbi romanin“Puthja e Amazonës” të Mira Meksit.

    Dy paralelë jete, dy ngjarje, i njëjti përfundim. E para, e lidhur me jetën bashkëkohore, me dramat shëndetsore të kohës tonë, me sfidat pandemike dhe me shpresën e madhe tek shkenca. Ndërsa linja tjetër, e zhytur thellë në kohë. Mijëra vjet më parë, kur hyjnitë ishin pjesë e mitologjisë, kur gruaja përleshej me to dhe elementët magjikë ndërthureshin kudo me jetën e përditshme.

    Linja bashkëkohore mbetet një çast pezull, ngjarja futet në tisin e largët të kohës, duke i dhënë rrëfimit ngjyrim, frymëmarrje, thellësi filozofike, deri edhe duke i falur një dimension magjik, të cilin e gjenim aq natyrshëm tek letërsia e e vjetër greke. Letërsi me heronj legjendarë, të cilët pëmbushnin bëma legjendare. Mira Meksi, nuk heq dorë nga simbolika, shkon përtej përshkrimeve të jetës së përditshme. Ajo kërkon alternativa, kërkon ti japë thellësi, peshë filozofike ngjarjes së saj. Kërkon të përcjellë, (dhe e arrin atë) një mesazh të thellë, të rëndësishëm dhe thelbësisht njerëzor me librin e saj të fundit.

    Jemi krejtësisht në botën shpirtërore të gruas. Jemi te destini i saj i paracaktuar- sakrifica.Të dyja gratë e romanit janë heroina, luftëtare të paepura. Njëra, Teuta e kohës tonë, do të përballet me një gjymtim të dhimbshëm për hir të vazhdimësisë së jetës. E dyta, luftëtarja amazonë, do të përballet edhe ajo me një gjymtim të pashmangshëm fizik, për të përmbushur një rit ancestral, trashëguar nga komuniteti i saj femëror, i cili do ta ngrejë në rangun e prijëses së amazonave.

    …Po më kërkon të tradhtoj fisin tim? Të jem shkatërrimi i amazonave? Kush do ta përdorë Harkun e Pathyeshmërisë?“

    Koha e heroinave të romanit të Meksit i ndan ato me mijëra vjet, por megjithatë, në rrjedhën e saj të pandalshme, gjendet një pikëpuqje kohore: e tashmja dhe e shkuara e tejlargët priten në një pikë. Të dyja gratë i japin, i transmetojnë njëra-tjetrës forcën e gjakut të tyre të pandërprerë për të arritur triumfin e jetës mbi vdekjen.

    Ideja, ose më mirë, riti i sakrifikimit të trupit, është i lashtë sa vetë njerëzimi. Çdo epokë ka në themelet e saj therroritë e veta. Vetë Krishti u sakrifikua për të tjerët. Me qindra piramida, varre mbretërish, themele fortesash, vdekje sovranësh, si përbindësha të padukshëm, kanë kërkuar pa fund, veç gjak dhe sakrifica te tejskajshme.

    Në romanin e Mira Meksit, sakrifica ndihet gjithkund. Ajo perceptohet tek dhunimi,  gjymtimi i trupit të protagonistes. Gjymtim, i cili ndodh për hir të vazhdimësisë së jetës. Gjymtimi i Amazonës, e cila sfidon dashurinë dhe hyjnitë për të përmbushur detyrimin e saj si prijëse.

    Në libër triumfon jeta. Ngjarja është një himn që autorja i thur dashurisë për jetën. E cila jo rrallë, na vë përballë provash të skajshme. Dhunimi fizik përballë estetikës dhe kënaqësisë trupore, apo triumfi mbi vdekjen? Autorja nuk ndjek vetëm linjën e kurajos së Teutës. Ajo e braktis linjën bashkëkohore dhe i jep ngjarjes një dimension fantastik, mitik, magjik nëpërmjet rrugëtimit nëpër mugujt e largët të kohës, në botë të harruara ku të vetmet lidhka me botën e sotme janë disa shenja apo objekte: tatuazhe, varëse, harqe… Ky rrugëtim në kohë i jep rrëfimit një tjetër frymëmarrje, gjërësi, thellësi filozofike. Edhe Teuta, si një amazonë bashkëkohore i duhet të luftojë me përbindëshat e saj në emër të jetës. Për të mbijetuar asaj i duhet të gjymtojë feminilitetin e saj. Jeta po kërkon t’i ngulë thikën prapa shpine.

    Të dyja gratë, si Teuta e përhumbur në një Paris surreal të molepsur prej pandemisë, si Glaukia, amazonë e pamposhtur në një kontekst mitologjik, edhe pse paralelet janë aq të largëta në kohë, në thelb janë motërzime të pandashme. Ato kanë të njëjtin ideal. Vuajnë nga e njëjta e keqe: luftojnë të mbijetojnë.

    Njëra, e braktisur nga i dashuri në çastin më kritik, përpiqet të triumfojë mbi vdekjen. Tjetra, e mbërthyer në kurthin vdekjeprurës të një dashurie të yshtur nga Zotat, vret dashurinë-pengesë për triumfin e misionit të saj, sfidon perënditë për të manovruar Harkun e prijëses. Një energji e pashtershme, karakteristikë e gjinisë femërore, buron nga shpirtërat e dy heroinave. Mbizotërimi i Harkut të Pathyeshëm të prijëses, është vetë simboli i kurajos. Pamposhtja dhe forca shpirtërore e personazheve. Objekti pra, sendi, kthehet në simbolikë. Ashtu siç kthehet në simbolikë edhe gërma e parë e alfabetit hebraik “Alef”, si Hyrje në Kozmos, porta e parë e njohurisë Universale. Ajo është një gërmë me përndritje krejt hyjnore. Po ashtu edhe varsja kamè me kumtet e saj pellazge ka një simbolikë dhe një funksjon të përcaktuar në roman. Janë këto pra, objekte që shndërrohet në nyje lidhëse mes dy botëve aq të largëta. Asgjë nuk mund ta mposhtë dëshirën e zjarrtë të njeriut për të jetuar. Ky është një nga mesazhet e librit.

    Romani ka vlera të padisku-tueshme gjuhësore. Shqipja e mrekullueshme e autores, tregon se me sa dashuri dhe kujdesje Mira Meksi i përkushtohet gjuhës amtare, duke përzgjedhur leksikun dhe duke ripropozuar fjalë të vjetra. Për t’u vlerësuar gjithashtu është edhe përpjekja e saj e arrirë për të na dhënë një tërthore jete të zhytur në mitet dhe legjendat antike. Të na flasë pra, për një botë të largët dhe të humbur. Atë të amazonave. Një botë e “rrezikshme”, plot kurthe për një shkrimtar. Botë, e cila kërkon jo vetëm njohje të thellë, erudicion të lartë, por edhe një intuitë të sprovuar dhe një përkujdesje mjeshtërore për ta krijuar. Mund të të shkruhen lehtësisht kujtime, apo mbresa nga jeta e njeriut. Sprovë e madhe është të rindërtohet besueshëm për lexuesin bota antike! Ndoshta në këtë sprovë matet vlera e një krijuesi.

    Një roman aspak i lehtë për t’u ndjekur, “Puthja e amazonës” është një tjetër puzzle në mozaikun e librave që autorja e “Diktatorit në kryq” dhe e “Kutia e Agatha Christie-t” vazhdon të krijojë pa ndërprerje.

    NJË KOMENT

    1. Një prezentim i vlersuar i A.S. sigurisht duke rezervuar edhe ndonjën mendim – vlersim tjetër sepse secili lexues e ka botën e vet të ngyrosur përceptimi. Sygjerimi gjithmonë është i dobishëm nese në vetëvetën e vet ka përbajte t’zbërthyera në atë që është krijur. Pesha vlersuese për secilën vepër shkruar është, pra lexuesi duke dhënë vulën e së vertetës, sigurisht edhe duke lartësuar kompletimi…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË