More
    KreuHistoriArdian Ndreca: Si ta shkruej qytetin? (Rasti i Shkodrës)

    Ardian Ndreca: Si ta shkruej qytetin? (Rasti i Shkodrës)

    Nji prej mënyrave për me shkrue qytetin asht edhe nëpërmjet odonimeve, bahet fjalë për emnat e rrugëve. Gjithmonë dhe gjithkund odonimet kanë qenë dhe janë të lidhuna me ideologjitë dhe me pushtetin.

    Megjithatë nji odonomastikë e qëndrueshme asht shenjë kulture dhe tregon se ai qytet, ose ma mirë ai qytetnim, ka mbërrijtë nji ekuilibër të atillë që sido të ndryshojë pushteti nuk ndërron emnat e rrugëve krye tri dekadash.

    Mendoni sa e sa rrugë në Romë, Madrid, Venedik, Paris, Vjenë që mbajnë po ato emna prej katër-pesë shekujsh. Ndokush do të ketë provue madje kënaqësinë që tue vizitue këto qytete me gjetë nji rrugë që shekuj ma parë asht përshkrue në nji roman, në nji libër historie, apo që përmendet në nji ngjarje me randësi. Tek ne ma shpesh na ka ra me provue zhgënjimin e humbjes së çdo gjurme, pse shumë shpesh ne harrojmë, shlyejmë e çdo herë nisim rishtas prej te abetarja. Tek ne veç qielli me yje vijon me qenë i njejti, pse poshtë bajmë lesh e li gjithçka që kena në dorë.

    Tue pa disa harta topografike të Shkodrës e ma ekzaktsisht atë të vitit 1913 të kohës së Internacionalit, atë të vitit 1923 të Etënve Jezuitë, atë të vitit 1940 të kohës së fashizmit dhe atë të viteve ’70, pra të kohës së komunizmit, mund të dallojmë lehtësisht luftën për kontrollin e hapsinës urbane nëpërmjet odonomastikës.

    Ajo e vitit 1913, e para në llojin e saj, paraqet vullnetin sundimtar të pranisë ushtarake të Fuqive të Mëdhaja në Shkodër, dhe nuk len hapsinë për asnji emën shqiptar. Ajo e vitit 1923 reflekton bindjet e reja që buronin prej shtetit të sapothemeluem shqiptar, fryt i Rilindjes sonë kombëtare. Kurse harta e kohës së fashizmit, tue pasë parasysh se asokohe ishim pa sovranitet, mund të themi se respektonte admirueshëm odonomastikën e maparshme, kuptohet tue e mëlmye me ndonji emën-simbol të fashizmit. Ndërsa harta e kohës së komunizmit solli ndryshime rranjësore, tue mos respektue asnji traditë dhe emërtim historik, por tue e mbushë qytetin me emnat dhe datat e atyne që kishin marrë në dorë pushtetin në vitin 1944.

    Asht me interesë me vërejt sesi në gadi tetë dekada – që për nji qytet si Shkodra nuk janë shumë – kanë ndrrue deri në pesë herë emnat e rrugëve siç mund të shihet edhe prej kësaj tabele:

    Përfytyroni njerëz që kanë lindë në Rrugën d’Estournelles de Constant, janë burrnue në Rrugën Enver Hoxha dhe kanë vdekë në Rrugën Vilson! Ndoshta të kishin pritë edhe pak do të kishin pasë fatin me vdekë në Rrugën Nard Ndoka!

    Në kohën e komunizmit të gjitha rrugët e hapuna rishtas merrnin emna që kishin lidhje me regjimin në fuqi, për shembull bulevardi që bashkoi Fushë Qelën me Azilin e Qelës, pjesa nga qendra e qytetit tek ish Dega, u quejt Bulevardi Stalin, ndërsa sot quhet Bulevardi Skënderbeu. Kudo kishte emna atentatorësh, veprimtarësh të lidhun me “Lëvizjen”, për shumicën e të cilëve në nivel vetëdije qytetare nuk njihej pothuejse asgja, as se çka kishin ba dhe as si kishin vdekë.

    Kjo s’do të thotë se Shkodra s’duhet me pasë rrugë që të mbajnë emnat e të ramëve të Luftës së Dytë botnore. Për shembull dëshmorit Reshit Rusi, pinjoll i nji familjes së nderueme qytetare dhe ish nxanës i liceut Illyricum, i asht kushtue stadiumi tek ish Fusha e Lëkurave. Të njejtën gja e meritojnë edhe anëtarë tjerë të asaj lëvizje si Zef Mala, Qemal Stafa, Selim Shpuza, Fadil Paçrami etj.

    Do të kishte qenë logjike që koha e demokracisë të kishte gjetë rrugëzgjidhje për shumë padrejtësina historike, por fatkeqsia e atij qyteti me qenë pothuejse gjithnji i drejtuem prej individësh pa spesor moral dhe intelektual dhe kthimi i idealeve demokratike në ideologji të mirëfilltë ku ka mbizotnue dialektika mik/anmik, ka krijue nji katrahurë në qytet.

    Sot do të gjeni rrugë me emna qesharakë dhe të pakuptimtë si: Rruga Rinia, Rruga Treni i Mallrave, Rruga e Mëndafshit, Rruga Kumbulla e Vardilave, apo rrugë me emna njerzish për të cilët lodheni kot me gjetë ndonji informacion historik që të justifikojë kilometrat linearë që u janë kushtue: Rruga Ludovik Saraçi, Rruga Shaqir Oso Zeqja, Rruga Rozar Dodmasej, Rruga Todi Gërmenji! Tek ne nuk ndahen vetëm tenderat por edhe rrugët dhe emnat e të vdekunve që duhet me ua kushtue!

    Klientelizmit, tarafeve, partizanllekut i asht shtue ndonjiherë edhe mungesa e elegancës. Profesor Sami Repishti patjetër që e meriton nji rrugë në vendlindje e madje meriton edhe shumë ma tepër për aktivitetin e tij prej disa dekadash në favor të vendit tonë, por profesori i nderuem asht gjallë e shëndosh dhe zakoni i marrë me i dhanë nji rruge emnin e nji personi që ende s’e ka mbyllë shtegtimin toksor nuk ndeshet vetëm në Kamzë, e cila siç dihet rrezaton dije dhe qytetni, por edhe në Shkodër. Nji gja e tillë shërben vetëm me e vu në pozitë jo komode të interesuemin, sidomos kur asht i stolisun me cilsina të nalta si profesori në fjalë.

    Po të flasim për mungesat s’do të mbaronim kurrë, por po përmendi sa për shembull vetëm disa emna që do ta kishin meritue me ia pasë kushtue nji rrugë në Shkodër. Po e nisi me disa pararendës që e meritojnë për kontributin e madh dhe lidhjet që kanë pasë me kryeqendrën veriore, siç asht rasti i Anton Loredanit, kapiten dhe mbrojtës i Shkodrës, Maestro Giovanni Canale, themelues i bandës së qytetit në vitin 1878, mjekët humanista Gennaro Simini dhe Basri Qallimi, apo rasti i Dr. Xhevat Korçës, drejtori i parë i Gjimnazit Shtetnor.

    Vijnë mandej me rradhë shkrimtarë, intelektualë, njerëz të kulturës dhe veprimtarë si Ndoc Nikaj, Lazër Shantoja, Migjeni, Zef Mala, Llukë Karafili, Arshi Pipa, Veli Stafa, Zef Zorba, Frederik Rreshpja, Safete Sofia Juka, Ferdinand Paci, Rini Monajka.

    Ndër të gjithë këto emna asht paradigmatik rasti i dom Ndoc Nikajt, të cilit, edhe pse klerik i dënuem, në kohë të komunizmit emnin e tij e mbante nji rrugë, ndërsa menjiherë mbas ramjes së regjimit emni iu zëvendësue me nji tjetër. Bashkia e Shkodrës dhe këshilltarët e saj, njerëz me komplekse dhe pa guxim qytetar, s’kanë pasë aq integritet sa me ia dhanë emnin e Át Anton Harapit nji rruge urbane por e kanë degdisë në nji shpat të Taraboshit, te Kazena, për ma tepër mbrenda nji hapsine private. E kanë pasë ma kollaj me i mbushë rrugët e qytetit me emna deng pa markë, pse ashtu kanë kënaqë njeni-tjetrin dhe s’kanë “rrezikue” asgja. Por sado që t’i jepni rrugëve emnat e tekahytave të partisë në pushtet, apo të afërmve e farefisëve tuej, lodheni kot, pse ata që s’kanë pasë vlerë në të gjallë nuk marrin vlerë për së vdekuni!

    Në fund krejt do të doja shumë që të dilte dikush e të më përgënjeshtronte tue më tregue se ku janë rrugët që i kushtohen Ndoc Nikajt, Shantojës, Arshi Pipës, Zef Zorbës, Frederik Rreshpjes!!

    Raste për t’u trajtue në vete janë edhe gabimet drejtshkrimore. Tue qenë se administrata shtetnore duhet ta pranojë Drejtshkrimin e vitit 1972, kjo gja do të ishte dashtë me u pasqyrue edhe në odonomastikën urbane.

    Mjerisht shihen shëmtime gjuhësore, fryte të nji pseudo-gegnishteje prej analfabetësh, si psh. Rruga Baja e Vogël apo Rruga At Gjergj Fishta! Në gjuhën shqipe nuk thuhet “At filani”: o duhet Át (gegnisht) ose ma mirë Atë. Sigurisht nuk mund të ndiqet me sy mbyllë as drejtshkrimi i masipërm kur bahet fjalë për shkrimin e emnave të huej, sidomos kur rezultati asht: Rruga Gjino Berri apo Rruga Zhasin Hekard! Ma e pakta do të duhej që në kllapa të vendosej emni siç e ka shkrue vetë mbajtësi: Hyacinthe Louis Hecquard tue shtue transkriptimin e saktë shqip, profesionin dhe datat e lindjes dhe të vdekjes.

    Odonomastika urbane mundet me qenë dije dhe kulturë për të gjithë.

    Mund të konstatohet lehtë sesi nji qytet si Shkodra ka pasë ma shumë vende kuptimplote me forcë simbolike në vitin 1940 sesa sot që edhe pse asht qindfishue repertori urban, për me postue nji letër duhet të vendosësh në kllapa: afër Telekomit, tek Dollari, mbas hotel filanit, tek pallatet e filan fistekut, te Western Unioni e të dhana tjera qesharake.

    Hapsina urbane që kena krijue nuk qëndron në kambët e veta. Sidomos ajo e ndërtuemja në dekadat e fundit asht e pakuptimtë, pse s’mjafton betoni me ba qytete, kullat janë protezat e nji qyteti pa gjymtyrë e kjo vlen kryekreje për Tiranën.

    Në lidhje me odonomastikën ka vite që kambëngulim, së bashku me disa miq, edhe me anë peticionesh, për me ba diçka që inercia e të quejtunit “djep i kulturës” të marrin nji kuptim ma aktual për Shkodrën. Mjerisht dy kryetarët e fundit të bashkisë kanë qenë totalisht indiferentë. I jam drejtue edhe disa deputetëve shkodranë, fillimisht të djathtë e së fundi edhe nji deputetes së majtë, por e kam të qartë se këto s’janë halle deputetësh.

    Më bjen ndër mend ajo çka shkruente Lazër Shantoja këtu e gadi nji shekull ma parë: ju deputetët e Shqipnisë jeni samarxhitë e popullit!

    E sotmja i ka të gjitha veset e kohës kur shkruente Shantoja, por mjerisht nuk ka asnji prej virtyteve që kishte ajo, e atëherë në këtë shkretinë ku jena, me u marrë me emna rrugësh asht njilloj si me u mundue me shkrue kodin penal në ranë!

    1913192319401945-19902020
    Rue InternationalUdha e Madhe dhe Rruga e ParrucësUdha e Madhe dhe Rruga e ParrucësRr. Shyqyri Bushati dhe Rr. Vasil ShantoBulevardi Zog I
    Rue Jules MicheletRr. e TeutësRr. e Mbretneshës TeutëRr. Lidhja e PrizrenitRr. Lidhja e Prizrenit
    Rue FerrucioRr. SkanderbegRr. SkanderbegRr. Alqi Kondi + Rr. e Hotel Sportit + Rr. SkanderbegRr. Mehmet Pashë Plaku + Rr. Edith Durham + Rr. Marin Beçikemi
    Place Radetzky  Sheshi Isa BoletiniSheshi Perash
    Rue VareseRr. e GurakuqveRr. e GurakuqveRr. e GurakuqveRr. e Gurakuqve
    Rue Franz FerdinandRr. J. Godard dhe Rr. e SerreqitRr. J. Godard dhe Rr. e SerreqitRr. Branko Kadia dhe Rr. Justin GodardRr. Gjuhadol dhe Rr. Justin Godard
    Place Jean d’ArcSheshi i Xhamisë Kiras  Sheshi Kiras
    Rue Victor HugoRr. e Kirasit Rr. Perlat RexhepiRr. Hoxha Tahsin
    Impasse ClimeneRr. NdojejRr. NdojejRr. Aleksander MoisiuRr. Loro Kovaçi
    Rue PiemonteRr. Canej Rr. Ton AlimhilliRr. Lin Delija
    Rue du Consulat du FranceRr. e d’EstournellesRr. e d’EstournellesRr. Enver HoxhaRr. Vilson
    Rue du Consulat d’ItalieRr. e Spitalit Rr. MigjeniRr. Don Bosko
    Rue RadetzkyRr. e Arrës së MadheRr. e Arrës së MadheRr. Kongresi i LushnjesRr. Arra e Madhe
    Rue St. BonRr. e BadraveRr. e BadraveRr. Bardhok BibaRr. Ludovik Saraçi
    Rue InternationalUdha e MadheUdha e MadheRr. Daniel MatliaRr. Kardinal Mikel Koliqi
    Rue InternationaleRr. 28 Nanduer dhe pjesërisht Rr. e MadheRr. Viktor Emanueli II Rr. 28 Nandori
    Rue Jules FerryUdha e DukagjinitRr. e DukagjnitRr. Musa LuliRr. Myzafer Pipa
    Rue GoebenRr. e Dervish BegutRr. e Dervish BegutRr. Hajrulla Kastrati ma vonë Rr. 4 QershoriRr. Hafiz Sabri Boriçi + Rr. Daut Boriçi
    Rue Victoria LouiseRr. 28 Nandor Rr. Jorgji KaramitriRr. Besnik Sykja

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË