More
    KreuLetërsiBotime të rejaAnton Nikë Berisha: “Meshari” – Vepër e hartuar nga Gjon Buzuku

    Anton Nikë Berisha: “Meshari” – Vepër e hartuar nga Gjon Buzuku

    “O Zot i gjallëvet e i vdekunet, Shelbuosi i gjithëve, qi ti z do mortnë e t përkatënuomit, ma aj të konvertonetë e të gjellinjë, ņdijemë, u tý të lus, e m ī afërë muo Dom Gjonit. E muo shkatëro të shkruomitë e gjithë katet mive. E tý tue t u pëlqyem, përzë oratëtë e mī qi u m tý përdāot, për muo e për gjithë njerëzit të mī ņgjakut sim, e për miq të mī e pr anëmiqt të mī, për të gjallë porsi për të vdekurnitë”.

    GJON BDEK BUZUKU (NGA “MESHARI”, XIX)

    1. Vepra e Gjon Bdek Buzukut, e njohur me titullin e hamendur (titulli i vërtetë nuk dihet për shkak të mungesës së fletëve të para të të vetmes kopje që njohim) – Meshari, e para në gjuhën shqipe e zbuluar deri më sot, është e qenësishme në dy rrafshe: në atë gjuhësor dhe në atë shprehës letrar. Thënë me fjalët e njërit ndër njohësit më të mirë të saj, Eqrem Çabejit, Meshari është “i pari libër i madh i shqipes[1]” dhe “më i pari monument i literaturës shqiptare[2]” dhe se “jo vetëm nga pikëpamja e kohës, por përgjithësisht dhe e nivelit zë kryet e vendit në literaturën shqiptare të vjetrën; e në fushën e prozës poetike edhe për më vonë është vështirë t’i vihet ndonjë tjetër përkrah[3]”.

    Në rrafshin e parë – si fakt gjuhësor dhe si vlerë gjuhësore – Meshari është i pakapërcyeshëm; shqipja, si gjuhë shtjelluese – shprehëse dhe komunikuese, paraqitet në formë e përmasë mjaft të plotë, qoftë për “pikësëpari me një gjuhë letrare: prodhim edhe i një zhvillimi të mëparmë të shkrimit edhe i përpu­nimit nga ana e këtij shkrimtari[4]”, dëshmi e gjendjes së shqipes në shek. XVI-të dhe e tipareve të së folmes dialektore të Veriut dhe më gjerë, qoftë për gjuhën shqipe biblike e liturgjike, që si e tillë paraqiti bazën nga u nisën autorët tanë të mëvonshëm.

    Në rrafshin e dytë – si vepër letrare – qenësia e Mesharit të Buzukut degëzohet në dysh: më një anë ajo është vepra e parë e letërsisë së shkruar shqipe, ku dëshmohen vlera letrare, gjë që mund të konkretizohet me disa pjesë të saj, ndërsa, më anë tjetër, ajo është vepra dhe dokumenti i parë i dëshmisë së qenies (ekzistimit) të letërsisë gojore shqipe, përkatësisht i disa llojeve të saj. Pra, vepra e Buzukut dëshmon për përkime dhe për lidhje të shumta të artit letrar shqiptar: letërsisë gojore dhe letërsisë së shkruar[5]. Së këndejmi, në qoftë se në bazë të gjuhës, të frazeologjisë së pasur popullore, pastaj të elementeve të dukshme të strukturës gjuhësore-sintaktike të rrëfimit – tregimit gojor dhe të fjalëve të urta, urimeve, mallkimeve etj., që janë të pranishme në veprën e tij, them se autori i veprës së parë në gjuhën tonë gjatë punës së hartimit dhe përkthimit të pjesëve nga Bibla dhe nga tekstet e tjerë liturgjikë dhe doktrinarë, kishte si mbështetje traditën letrare gojore shqipe. Kjo gjë vërehet edhe në disa pjesë të veprës së Buzukut që për shumë elemente përkojnë me prozën tonë gojore, përkatësisht me strukturën gjuhësore-sintaksore të disa llojeve të saj, si, fjala vjen, kur rrëfehen ngjarje e ndodhi të ndryshme marrë kryesisht nga Bibla, kur bëhet përshkrimi i ndonjë situate, i ndonjë veprimi, që janë veçanti e të ashtuquajturave forma të thjeshta (“Einfache Formen” sipas A. Jolles) të krijimtarisë letrare gojore.

    Është fakt se disa pjesë të Biblës, të sjella në shqip në veprën e Buzukut janë të përshtatura nga ai, siç pohon me të drejtë prof. Çabeji: “në vend të një riprodhimi besnik të tekstit bazë jepet disa herë një version vërtetë më i pasaktë, po më i kuptueshëm për popull[6]”. Pra, disa pjesë në veprën e vet Buzukut i shprehu me një gjuhë e me një strukturë tekstore që u përgjigjet formave të transponimit dhe të komunikimit letrar gojor. Ai kishte një arsye të fortë të vepronte në këtë mënyrë: llojet e letërsisë gojore shqipe ishin mjaft të zhvilluara, prandaj atij i mbetej vetëm që mbi bazën dhe modelin e tyre t’i përshtaste, t’i shtjellonte dhe t’ua ofronte lexuesve (pse jo dhe dëgjuesve shqiptarë në kishë ose në raste të tjera). Me një fjalë, siç thekson Çabej, “Historikisht kjo vepër nuk do shikuar e izoluar e në vetvete, po përmenda një pamjeje më të gjerë. Ajo atëherë nuk do të çmohet ndryshe veçse si fryt i një politike kishtare zhvilluar rreth mesit të shekullit të XVI[7]”.

    Në rrafshin e studimit gjuhësor të tekstit të veprës së Buzukut janë mbërritur pa dyshim rezultate të mëdha, që përligjen me punën e bërë nga Pal Skiroi, Namik Ressuli, Justin Rrota, Martin Camaj, Eqrem Çabej, Wilfried Fiedler etj. Mirëpo, në rrafshin e përcaktimit të veçantive të tekstit të veprës e të natyrës së tij, të llojit që i përket libri: biblik, liturgjik etj., pastaj të përcaktimit të besnikërisë ose të shmangies së përkthimit nga libri – teksti nga i cili Buzuku e bëri përkthimin, sidomos përcaktimin se në cilën vepër ose në cilat vepra u mbështet ai për hartimin – përkthimin e veprës, ka mbetur edhe shume punë të bëhet.

    Brenda këtyre çështjeve, sa të rëndësishme aq dhe të ndërliqshme, mungon ende një studim i qenësishëm i veçimit dhe i analizimit të veçantive të disa teksteve të veprës së Buzukut që padyshim janë hartuar nga vetë ai, pra, si të tilla nuk i përkasin asnjë teksti konkret liturgjik.

    Pa qëllim që të ndalem më gjerësisht rreth dukurive që përmenda, po i shpreh disa mendime rreth karakterit dhe natyrës së veprës së Buzukut të botuar më 1555, që më lindën pas leximit të serishëm që i bëra kohët e fundit.

    2. Nga një lexim i vëmendshëm nuk është vështirtë të nxjerrësh përfundimin se libri i parë i botuar në gjuhën tonë shqipe, i njohur me titullin “Meshari”, në qenësinë e vet është vepër e hartuar nga Buzuku. Kjo përligjet nga fakti se krahas teksteve të përkthyera biblike, liturgjike, lutjeve e litanive, të zgjedhura dhe të shtjelluara nga Buzuku, në të ka edhe tekste të hartuara nga vetë ai. Veprimi i këtillë – hartimi i librit në këtë mënyrë – lidhet para së gjithash me qëllimin e hartimit të veprës: për t’u ardhur në ndihmë priftërinjve shqiptarë, po dhe besimtarëve, që të kishin një libër në gjuhën shqipe, nga i cili do të mësonin për disa nga dukuritë më të rëndësishme të besimit të krishterë e të shërbimeve që bëheshin në kishën katolike, jo vetëm në trevat ku Buzuku shërbente si prift, po dhe më gjerë – në botën shqiptare në përgjithësi. Këtë na e thotë vetë Buzuku në shkrimin përmbyllës të librit të tij, i njohur si Pasthënie:

    U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gjāņdigluom ņ së Shkruomit shenjtë, ņ së dashunit së botësë sanë desha me fëdigunë, për sā mujta me ditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne qi të ņdiglonjinë, përse ata të mundë mernë sā i naltë e i mujtunë e i përmishëriershim anshtë Zotynë atyne qi ta duonë m gjithë zemër. U lus mbas sodi mā shpesh të ụini m klishe, përse ju kini me gjegjuni ordhëninë e Tinëzot. E atë në mrarofshi, Zotynë të ketë mishërier mbī ju. E ata qi monduonë djerie tash, mā mos u modonjënë. E ju t ini të zgedhunitë e Tinëzot. E përherë Zotynë kā me klenë me jū, ju ue ņdjekunë të dërejtënë e tue lanë të shtrembënënë. E këta ju tue bām, Zotynë ka me shtuam ņdër jū, se të korëtë taj të ņglatetë djerie ņ së vjelash, e të vjelëtë djerie ņ së mbjellash. E u mā duo të mbaronj vepërënë teme, Tinëzot tue pëlqyem”.

    Me një fjalë, libri i Buzukut është një zgjedhje – përmbledhje tekstesh të karakterit e të llojeve të ndryshme biblike, liturgjike, lutjesh e litanish, ku tekstet – pjesët që përdoren në kremtimin e meshës (edhe pse jo më të gjithë përbërësit e rëndësishëm) bëjnë pjesën më të madhe të veprës. Së këndejmi, vepra e tij nuk është një libër i mirëfilltë doktrinar, as vetëm liturgjik, as libër i mirëfilltë meshe. Njohësit e teksteve të natyrës së këtillë do të mund të përcaktojnë mirëfilli sasinë (përmasën) e llojeve të teksteve përkatëse në këtë vepër të Buzukut dhe arsyet e futjes së tyre brenda një tërësie, një libri, siç ngjet në veprën e tij.

    Në zgjedhjen e teksteve, përkatësisht shembujve që sjell nga Bibla, Buzuku synoi të ruajë një drejtpeshim midis teksteve të Besëlidhjes së Vjetër dhe të Besëlidhjes së Re. Në shumicën e rasteve (sidomos në pjesët që lidhen me liturgjinë) ai sjell dy shembuj: njërin nga Besëlidhja e Vjetër e tjetrin nga Besëlidhja e Re. Edhe zgjedhja dhe gërshetimi, fjala vjen, i tekstit të Këngës së këngëve me pjesë të tjera të Besëlidhjes (të Vjetër dhe të Re) përligj dukurinë se Buzuku i kishte zgjedhur dhe i kishte renditur tekstet sipas një koncepti përkatës, duke dhënë shënime se nga ishin marrë ato dhe në ç’rast duhet të përdoreshin. Natyrisht, ky veprim nuk e përjashton faktin se që për ta hartuar veprën e vet Buzuku do të jetë mbështetur tek ndonjë libër konkret i llojit “Missale vulgare – Meshar popullor”, të botuar në latinisht, në italisht, në kroatisht – serbisht, gjuhë të cilat ai i zotëronte. Këtë e pohon Eqrem Çabej në bazë të krahasimit që u bëri disa teksteve, përkatësisht të shtjellimit të fjalisë së përkthyer në shqip nga Buzuku.

    Edhe ndryshimet e teksteve të përkthimit në shqip në krahasim me tekstet nga mund të jetë bërë përkthimi, dëshmojnë për punën që bëri autori ynë. Këtë e ka thënë në mënyrë të përmbledhur studiuesi, Zeqirja Neziri: “Mesharin tonë në fillim e barazuam me “Lutësorin” kroat të Vatikanit (shekulli XIV) dhe me “Pslaterin”dubrovnikas (shekulli XV), mesharët kroatë të vitit 1483 dhe 1494, si dhe me “Leksionarin” e Bernardinit të vitit 1495, tamam gjysmë shekulli më i vjetër se Meshari ynë, pastaj edhe me Mesharin e Verbicës (shekulli XV). Rezultatet dolën të njëjta, me ato që i pati konstatuar Çabeji dhe i pari përforcuar Camaj (…) Këto hulumtime çuan drejt përgjigjes se Meshari i Buzukut për aq sa i ndjek këta mesharë, po për aq largohet prej tyre[8]”.

    Në librin e Buzukut, ndërmjet pjesëve të zgjedhura biblike dhe teksteve të tjera doktrinarë e liturgjikë, janë rreth katërqind (400) ndërhyrje të autorit, që janë të natyrës sqaruese, shpjeguese dhe udhëzuese, herë – herë më të gjata e herë më të shkurtra. Këto tekste – ndërhyrje përligjin faktin se libri i Buzukut është hartuar – shtjelluar nga ai vetë dhe nuk është libër i përkthyer, siç është thënë zakonisht deri më sot. Për të konkretizuar këtë po sjell vetëm pak shembuj të natyrës së tillë:

    “E këtu soset Officia e Zonjësë, qi thuhet për gjithë mot. E tash të zanë ņfill Officia e Adventit. E këto Lekciona të kēsh me thanë me këto Responsoria e me këto Antifena djerie mbas Krëshshëndellsh[9]”.

    *

    “E këtu soset Matutini i Adventit. E tash zanë ņfill Antifenatë e Lavdevet[10]”;

    “E këtu soset officia e Adventit. Këtu zanë ņfill të shtatat psalmet Peneciale. I pari anshtë kondra irësë, e thotë[11]…”.

    *

     “E këtu sosenë të shtatë Pslamat të Pēndesëve. E tas ze ņfill Vespëri për të vdekuniët[12]”.

    *

    “Këto janë dhjetë ordhëna qi neve na shkrou vetë Zotynë me dorë të vet. E këto janë ordhënat ņ Sinëzot, me u mbajtunë ņ gjithëkuj qi anshtë pagëzuem. Përse kush anshtë pagëzuom, aj i kërshtenë grëshitetë, e christianus do me thashunë nịerī qi ndjek vepëratë Krishtit. E i pari ordhënë ký anshtë. [13]”.

    *

    “Këtu ụ sosnë të dhjetë ordhënatë qi ņ Sinëzot janë ordhënuom na ato me mbajtunë[14]”.

    *

    “Të zanëtë e ņfilltë të Ungjillit shenjtë porsi shkroụ Metheu[15]”.

    *

    “E mbasandaj ti, prift, bani kruq ņ ballë e mbi zemërë:

    Merr, Gjon, shenjtë e Kryqsë[16]…”.

    *

    “Mer pakëzë krypë e shtjere ņdë gojë djalit, tue thashunë[17]…”

    *

    “E tash mā ņjdëknë oratëtë qi thuhenë përmbī njanët e tjetrit[18]”.

    *

    “E tash prifti kā me marrë me dy gishta të tī pakëzë pëhtymë ņ gojet së tī, tue prekuni undëtë djalit, e tue thashunë[19]”.

    *

    “Gjithë popullin e kërshtenë ņdë Arbanīt ata ņ mortajet largo, tý të lusmë, Zot[20]”.

    Nga ndërhyrjet dhe sqarimet e këtilla që i bën Buzuku mund të kuptohet se ai vendin kryesor ua la teksteve që i kishte zgjedhur dhe qenësisë së kuptimeve të tyre e jo fjalëve ose interpretimeve të tij.

    Të të njëjtit lloj dhe cilësi janë edhe udhëzimet që Buzuku i bën ndërmjet shembujve me të cilat u drejtohen priftërinjve, që e kremtojnë Meshën e shenjtë, si, fjala vjen, “Zgịedh Pistullin (Letrën) e Amonit Profetë”, “Zgedh Pistullin Shën Palit qi shkruan Xhudhivet”, “Zgedh ņ së Bameshit së Apostojet” (Veprat e Apostojve). Këto ndërhyrje, që janë të shumta, dëshmojnë se Buzuku nuk ishte një prift i thjeshtë, po një udhëheqës, një prelat kishtar. Them kështu për arsye se më duket e pazakonshme që një prift i rëndomtë t’u drejtohej priftërinjve të tjerë (barinjve të tjerë shpirtërorë) si duhej të vepronin gjatë liturgjisë, gjatë krezmimit ose gjatë ritit të vënies së kurorës së shenjtë ose në raste të ngjashme.

    Dy tekstet, që po i sjell në vijim (të nxjerra nga transkriptimi i Eqrem Çabejit të botuar më 1968) janë dëshmia e mjaftueshme të thuhet se vepra e Buzukut e botuar më 1555, emëruar “Meshari”, është hartim i tij e jo thjeshtë përkthim i teksteve biblike e liturgjike ose përkthim nga ndonjë libër konkret i natyrës së “Missale vulgare – Meshari popullor”, që u hartuan dhe u botuan qysh para koncilit të Trentos (1545 – 1563).

    Në pjesën – tekstin në faqet 54 – 55 (sipas transkriptimit të Çabejit), pasi thekson faktin se kishte përkthyer disa nga Psalmet, Buzuku përmend edhe emrin e vet, prindërit e tij dhe bën të ditur se lutet për ta e për të tjerët. Ai i drejtohet Krishtit që ta lirojë nga mëkatet (sidomos ndaj mëkatit për gruan) dhe ta ndihmojë të ecën rrugës së drejtë të Zotit:

    “O Jezu Krisht, shelbuosi i gjithë shekullit e shpërblesi i shpirtënavet, Zot, regj i pāmort, u tý të lus, Dom Gjoni, sherbëtori uit, të madhenë zotënī tandetë pāfine për këta të kënduom të këtyne Psalme, qi u ī pādenji këndova, ti të më liberonjsh shpirtin tem ņ katit, e ti vëliz zemërënë teme përapëtë ņ duorshit s atyne qi për të keq ecnjënë. E ņ së kujtuomeshit së pādërejta e të pāligje ti libero korpnë tem, aj përņdenë sherbëtyrë ņ kati me mos klenë. E ti bdo ņ meje të deshëruomitë e katit gruosë. E ņ meje hiq gjithë të pāligje qish i pāemëni mundë shtjerë ņdë mend, ansish qish dukenë e ansish qi z dukenë, qi ata lypnjënë shpirtin tem me mbajtunë me mos me ecunë pr udhë të Tinëzot. O Zot, bāsi i gjithë shekullit, tý të klofsha truam, qi me Atët e me Shpirtinë shenjtë gjellin e jet, për gjithë jetë të jetës. Amen. Oratio.

    *

    Zot, ti qi bane qiellë e dhënë, aëfrë vetī venë oratëtë e mī. E për të madhet mishërier tande e për të kënduomit qi u tý këndonj këta Psalma sod, u i pādenji tue t u lutuni u tý të lus, muo shrbëtorit tit mbi këtë jetë ti të denjonesh muo me më dhanë shëndet ņ mendjet e ņ korpit, e mot u me bām pendesënë përpara mortsë sime. E më ban hir, Zot, me pasunë të liruomitë e katevet mive. Përse u mbi tjetëret jetë me gjithë Shenjt të tū u të mundinj me pasunë patrienë e jetësë amshuome. Amen. Oratio.

    *

    O Zot i gjallëvet e i vdekunet, Shelbuosi i gjithëve, qi ti z do mortnë e t përkatënuomit, ma aj të konvertonetë e të gjellinjë, ņdijemë, u tý të lus, e m ī afërë muo Dom Gjonit. E muo shkatëro të shkruomitë e gjithë katet mive. E tý tue t u pëlqyem, përzë oratëtë e mī qi u m tý përdāot, për muo e për gjithë njerëzit të mī ņgjakut sim, e për miq të mī e pr anëmiqt të mī, për të gjallë porsi për të vdekurnitë. Oratio.

    *

    O Zot, ti qi ordënove na me ņderunë atënë e amënë, ki mishërier, tý tue t u pëlqyem ņ shpirtit të tatësë tim e të mamësë sime, e atyne ụ ņdije katet e tyne; e muo e ata na ban neve na me pasunë gazëmendnë e dritësë jetësë glatë. Për Krishtin Zot tanë. Amin[21]”.

    Në faqen 69 (sipas botimit të Çabejit) Buzuku shkruan për dymbëdhjetë artikujt e fesë të dhënë nga Kisha e shenjtë. Duke e konkretizuar të parin, thekson se ai u përket atyre që thonë se duan të bëhen turq (nënvizimi im). S’ka asnjë dyshim se edhe kjo pjesë e tekstit është e Buzukut:

     “E tash flasmë mbi të dýmbëdhjetë artikuj të fesë qi neve ņ anshtë ordhënuom ņ Klishet shenjte.

    E ký anshtë i pari kat: Aj qi nuk jet fort mbi fēt të Krishtit, por sā vgjān kun pak të keq, ashtu thotë: Vete banem turk[22]

    3. Në bazë të asaj që u tha më lart (meqë dukurinë e vështroj në një punim më të gjatë), mund të thuhet përmbledhtas sa vijon:

    a) Vepra e Gjon Bdek Buzukut e botuar më 1555, e njohur si “Meshari”, nuk është një meshar i mirëfilltë (siç është vlerësuar e përcaktuar, kryesisht, deri më sot); nuk është as libër tipik liturgjik, as libër tipik doktrinar (kanonik) e as libër tipik lutjesh, antifonash e litanish. Vepra është hartuar nga Buzuku, pra është një zgjedhje – përmbledhje tekstesh të karakterit dhe llojeve të ndryshme teologjike, e shtjelluar sipas një koncepti të caktuar, që përligjet edhe nga pjesët – ndarjen që autori i bëri librit, ku gjithë lënda lidhet ngushtë me besimin e krishterë të mbështetur në Shkrimin e Shenjtë dhe në tekstet e tjera liturgjikë e doktrinarë që përdoren gjatë vitit liturgjik te katolikët.

    b) Një qëmtim dhe studim më i imtë i disa pjesëve të veçanta të librit të Buzukut do ta përligjë edhe më shumë faktin se libri është hartuar prej tij.

    c) Në veprën e Buzukut, pos pjesëve të përkthyera nga Shkrimi i Shenjtë – Bibla, nga librat e tjerë kanonikë dhe liturgjikë, ka dhe pjesë të krijuara nga vetë Buzuku, midis të cilëve janë edhe rreth 400 ndërhyrje, që si të tilla bëhen pjesë e pandashme dhe e qenësishme e veprës. Këtu duhet përfshirë edhe shkrimi përmbyllës, e emëruar Pasthënia, që përligj prozën e parë origjinale të botuar në gjuhën tonë të zbuluar deri më sot.

    d) Deri sa të mos gjendet teksti ose tekstet përkatëse konkrete nga Buzuku mund ta këtë përkthyer veprën e tij të botuar më 1555, dhe përmes krahasimeve të imëta të dëshmohet se përkthimi është i njëjtë (identik), veprën e tij e njohur deri me sot me titullin “Meshar” me plot arsye dhe me të drejtë duhet ta çmojmë si vepër të hartuar nga ai, pra vepër të tij. Janë me dhjetëra e qindra raste që antologjitë – zgjedhjet e ndryshme, qofshin ato letrare ose të natyrave të tjera, të jenë çmuar e të çmohen si vepra të atij që i ka zgjedhur, që i ka hartuar. Natyrisht, në rastin e veprës së Buzukut nuk duhet mohuar në asnjë çast fakti se lënda – tekstet e marra nga Bibla dhe nga librat e tjerë kanonikë dhe liturgjikë janë përkthime të tij, në qoftë se nuk do të dëshmohet se Buzuku shfrytëzoi ndonjë përkthim paraprak nga ndonjë përkthim në dorëshkrim ose të botuar të autorëve të mëhershëm shqiptarë. Them kështu duke pasur parasysh të dhënën e Pjetër Budit, i cili na bën të ditur se brenda poezive të tij që i botoi më 1618 dhe 1621 kishte shfrytëzuar edhe disa poezi në dorëshkrim të Pal Hasit.


    [1]  Eqrem Çabej, Hyrje. Në “Meshari i Gjon Buzukut (1555)”. Botim kritik. Punuar nga Eqrem Çabej. Pjesa e parë. Hyrje dhe transliterim. Universiteti shtetëror i Tiranës. Instituti i historisë dhe i gjuhësisë. Tiranë 1968, f. 17. Vepra u ribotua nga “Rilindja”, Prishtinë, 1978.

    [2]  Eqrem Çabej, Hyrje. Në “Meshari i Gjon Buzukut (1555)”. Botim kritik , Pjesa e parë, vep. e përm., f. 7.

    [3]  Eqrem Çabej, Hyrje, pun. i përm., f. 45.

    [4]  Eqrem Çabej, Hyrje, pun. i përm., f. 19.

    [5]  Shih më gjerësisht punimin tim Krijimtaria letrare gojore shqipe dhe “Meshari” i Gjon Buzukut. Në “Jeta e re”, nr. 3, 1988, f. 272 – 292.

    [6] Eqrem Çabej, Hyrje, pun. i përm., f. 23.

    [7]  Eqrem Çabej, Hyrje, pun. i përm., f. 22.

    [8]  Zeqirja Neziri, Libri i parë shqip dhe bashkëkohësia. Në “Buzuku dhe shkrimet e hershme shqipe”. Sesioni shkencor ndërkombëtar për gjuhën dhe letërsinë shqiptare. Universiteti i EJL, Tetovë, 18, 19 dhe 20 mars 2005, Tetovë 2006, f. 134.

    [9]  “Meshari i Gjon Buzukut (1555)”. Botim kritik. Punuar nga Eqrem Çabej. Pjesa e dytë. Faksimile dhe transkribimi fonetik. Tiranë 1968, f. 33.

    [10]  “Meshari i Gjon Buzukut (1555)”. Pjesa e dytë, vep. e përm. f. 35.

    [11]  Po aty, f. 35.

    [12]  Po aty, f. 55.

    [13]  Po aty, f. 61.

    [14] Po aty, f. 65.

    [15]  Po aty, f. 107.

    [16]  Po aty, f. 69.

    [17]  Po aty, f. 71.

    [18]  Po aty, f. 75.

    [19]  Po aty, f. 77.

    [20]  Po aty, f. 51

    [21]  Po aty, f. 54 – 5.

    [22]  Po aty, f. 69.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË