More
    KreuLetërsiBibliotekëAndrey Kurkov mbi ndikimin e luftës në letërsinë e tij

    Andrey Kurkov mbi ndikimin e luftës në letërsinë e tij

    Kjo ese është botuar më së pari në korrik të 2023 nga PEN International me titullin “Ukraina, një histori për t’u bashkëndarë”.

    Kur filloi pushtimi i ri rus ndaj Ukrainës në shkurt të 2022, personazhet e romanit që po shkruaja më fluturuan tutje. Në procesin tim letrar, kisha mbetur vetëm dhe po rrija, si t’i kisha duart e lidhura, mes skrivanisë dhe dritares. Në fillim dëgjova shpërthimin e antitankeve ruse, pastaj pashë horrorin në sytë e kalimtarëve në rrugë dhe, duke kontrolluar internetin për lajme, pashë se të gjitha rrugët që të shpien në perëndim ishin mbushur me qindra mijëra makina plot me ukrainas që po i shpëtonin luftës.

    As nuk ja kisha idenë se çfarë më priste mua dhe familjen time, se çfarë e priste Ukrainën. Nuk e kisha kuptuar se personazhet e romanit tim të pambaruar do të ishin refugjatët e parë nga koka ime, nga apartamenti im dhe nga bota e familjes sonë. Nuk mund ta imagjinoja se ata do të ishin të frikësuar, por fakt është se nuk janë kthyer tek unë, as pasi kanë kaluar pesëmbëdhjetë muaj nga ky pushtim i ri. Që nga 24 shkurti, 2022, ky roman ka mbetur i ngrirë në faqen 61.

    Me të mbetur pa heronjtë e librit tim, edhe unë u ktheva në refugjat. Jo menjëherë, por hap pas hapi. Në ditën e dytë të luftës, bashkë me time shoqe hymë në makinë, morëm një mikeshë bashkë me të birin dhe shkuam në shtëpinë tonë në fshat, diku një orë më tutje nga perëndimi. Sapo kishim filluar të nxirrnim gjërat nga çantat, kur një miku im i vjetër më telefonoi dhe pasi më pyeti ku isha, ulëriti: “Ikni menjëherë nga aty! Tanket ruse po vijnë andej!”. U kthyem në makinë dhe u nisëm sërish.

    Gjatë këtij udhëtimi, kuptova se tani isha unë personazh i një historie rreth luftës dhe largimit prej saj. Gazetarët e huaj që vazhdonin të më telefononin teksa po i jepja makinës, më ndihmuan ta kuptoja statusin tim të ri.

    Kështu, fillova të flas rreth aventurës sonë të trishtë, rreth ngecjes tonë natën në vargmalet e dimërta karpate, diku në mes të një trafiku të gjatë shtatëdhjetë kilometra, sesi pika e karburantit ishte bosh dhe se si na duhej të gjenim një vend ku të rrinim. Atëherë ja nisa ta shkruaja të gjithën dhe u bëra disi heroi joheroik i historisë së vetes sime.

    Për pesëmbëdhjetë muajsh, kam folur rreth vetes dhe Ukrainës, rreth ukrainasve të tjerë që po luftojnë ose i janë larguar luftës si dhe rreth miqve të mi që refuzojnë ta lënë Kievin edhe pse kërcënimi i pushtimit rus është tmerrësisht i vërtetë.

    Disa histori qëndrojnë përgjithmonë me ata që i tregojnë dhe me ata që i dëgjojnë. Njëra syresh është historia e Volodymyr Vakulenkos. Autori i librave për fëmijë, një baba beqar që kujdesej për të birin me një paaftësi në të mësuar. Volodymyri vendosi mos ta linte shtëpinë e tij pranë qytetit Izyum. Kur rusët ia pushtuan fshatin, ai qe arrestuar për t’u marrë në pyetje, por më vonë u lirua. Kur u rikthye në shtëpi, mori ditarin e tij të shkruar me shkrim dore, e futi në një qese plastike dhe e groposi në oborr poshtë një peme qershie. Pak ditë më vonë, më 23 mars 2022, ushtria ruse u kthye për të.

    Askush nuk e ka parë më të gjallë Volodymyrin. Trupi i tij u identifikua vetëm në nëntor. Dy plumba nga një pistoletë Makarov ia kishin shpuar trupin. Në dhjetor u varros, por atëherë shkrimtarja Victoria Amelina e kishte vizituar fshatin e tij tanimë të çliruar. Prindërit e Volodymyrit i treguan vendin ku shkrimtari i vrarë pati groposur ditarët e tij. Ajo gërmoi dhe i nxori që aty. Në ato ditare, Volodymyr Vakulenko parasheh vdekjen e tij në duart e pushtuesve rusë. Tani libri i tij është ribotuar dhe, si shkrimtar, Volodymyr Vakulenko jeton. I flet lexuesit të tij nga faqet e librit. Dhe tani, teksa ju tregoj për të, edhe unë po ashtu kam ndjesinë sikur ai është gjallë diku jo shumë larg nga këtu.

    *

    I kam harruar heronjtë e romanit tim të papërfunduar. Nuk e di kur do të kthehen tek unë dhe kështu të mund ta mbaroj historinë e tyre. Do të ndodhë vetëm pas mbarimit të luftës? Jam mësuar disi me mungesën e tyre. Historia që ata kanë mund të presë. Ka histori më urgjente për t’u treguar. Dhe disa syresh janë për t’u treguar nga unë.

    Përktheu Andreas Dushi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË