More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAlisa Velaj: Një pietà shqiptare - Rreth studimit “Pikëllim në një foto...

    Alisa Velaj: Një pietà shqiptare – Rreth studimit “Pikëllim në një foto të vjetër” të Qerim Vrionit

    Studimi “Pikëllim në një foto të vjetër” i fotografit dhe studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni është një libër mjaft interesant për lexuesin shqiptar. Objekti kryesor i këtij studimi është fotografia “Gjon Pali dhe e bija” e fotografit shkodran Kolë Maca. Vetë Vrioni shprehet kështu në hyrjen e këtij punimi: “Nga hulumtimet gjeta foton që paraqet një vajzë përkulur mbi të atin e plagosur që po jep shpirt, në një faqe të shtojcës kulturore “La Domenica del Corriere” të gazetës së njohur italiane “Corriere Della Sera”. Ajo ishte brenda një shkrimi me titull “La fine della Guerra Balcanica”, poshtë shënonte edhe emrin e autorit, Kol Maza (gabim, duhej Mazza). Më vonë e pikasa foton në ballinën e librit të botuar në Itali (Milano) në qershor 2013 me titull “L’assedio di Scutari” (Rrethimi i Shkodrës), të gazetarit Xhino Berry, madje aty fotoja ishte edhe në ballinën e dytë dhe në faqen 133. Fotoja po më tërhiqte vazhdimisht, kështu rashë në gjurmët e librit të eruditit katolik nga Shkodra, At Justin Rrota, mbi Rrethimin e Shkodrës (1912-1913), botuar në vitin 2010. Brenda këtij libri, midis faqeve 32 e 33, ndodhej fotoja e Macës, po kësaj radhe me shënim tjetër, “Gjon Pali i i varruem në krye e në dorë”. Kështu, profit erudit shënon dhe emrin e të plagosurit që po mbaron  (ose ka mbaruar) në krahët e të bijës, e dhënë tepër e çmueshme për historinë e kësaj fotoje”.

    Në vazhdim të punimit, Vrioni trajton vdekjen e njeriut dhe pasvdekjen në fotografinë botërore dhe atë shqiptare. Pra siç shohim, përtej studimit të një fotografie të vetme, ky punim ka vlera të qenësishme për lexuesin shqiptar, pasi sjell në vëmendje një temë të trajtuar ndër shekuj  në artin e fotografisë dhe jo vetëm. Lexuesi merr informacion të bollshëm mbi fakte të fotografëve me famë botërore, mbi fillesat e fotove me temë pasvdekjen dhe ka të servirura para vështrimit të tij fotot reale. Studiuesi i fotografisë dhe fotografi plotësojnë njëri-tjetrin në këtë punim. Studiuesi zbërthen me mjeshtëri elementet profesionale të shkrepjes së fotos, duke interpretuar dhe hedhur hipoteza të ndryshme për çastin kur është shkrepur fotoja dhe plot detaje të tjera profesionale. Bie në sy fakti se Vrioni ndalet gjatë në elementet poetike të fotografisë së Kolë Macës, duke e shtrirë interpretimin e tij në detaje ku shpërfaqet shpirti poetik i fotografit Maca. Për Vrionin fotografi shkodran është një poet i vërtetë i detajeve tragjike shpirtërore. Ja si shprehet ai në lidhje me poezinë e thellë që gjendet në këtë shkrepje të mrekullueshme të fotografit shkodran: “Fotot e pasvdekjes arrijnë edhe në përfundime të kundërta për sa i përket kumteve të tyre. Ato mitizojnë, por edhe çmitizojnë. Po fotoja e Macës a mitizon apo çmitizon kënd? Ajo mund të thuhet se mitizon dashurinë e madhe të vajzës për të atin që po largohet nga kjo botë. Madje, ajo, mendojmë edhe se çmitizon vdekjen. Vajza e sheh si diçka të natyrshme vdekjen e prindit (vdekje e rrdhës),veçse jo kaq shpejt dhe jo në këtë mënyrë”.

    Studiuesi Qerim Vrioni analizon me detaje forcën shprehëse të fotos dhe analizon me imtësi të gjitha detajet fotografike që e bëjnë këtë shkrepje të Macës një imazh të gjallë dhe në lëvizje përpara syve të lexuesit. Vrioni merret me detajet e mundshme para shkrepjes së fotos, kontekstin rrethanor në të cilën Maca na ka dhuruar këtë kryevepër të fotografisë shqiptare dhe arsyet se pse kjo foto mund të quhet një pieta e vërtetë shqiptare. Vrioni vë theksin te fakti se imazhi fotografik flet vetë, madje dhe shumë. Por nëse në këtë studim, imazhi i flet studiuesit, analiza e mrekullueshme që ky i fundit u bën detajeve të imazhit krijon një dialog plot ngjyra dhe tinguj me lexuesin e tekstit dhe kundruesin e fotos. Vrioni ka ditur ta lexojë kaq bukur trishtimin e fotos së Macës, sa e bën edhe lexuesin të marrë pjesë në këtë trishtim. Fotoja e shpërfaq tragjiken me një efekt të thellë, me një vajtim që nuk mund të shprehet dot me një fjalë të vetme, por përmes imazhit që është gropuar në kraharorin e protagonistëve të saj dhe të fotografit që e ka përjetësuar për ne.

    Përjetësimi i pikëllimës së pashprehshme me fjalë është një nga sfidat e çdo arti. Pikëllimat e vërteta fillojnë aty ku mbarojnë fjalët dhe e gjenerojnë vetveten në çdo lulëzim ankthi. Fotoja e Macës ka brenda dashuri, ankth dhe dhimbje fisnike që nuk pranon të gjejë ngushëllim të askush. Pikërisht këtë dimension të tragjikes zbërthen Vrioni. Ky i fundit nuk përpiqet të bëjë një interpretim shterues të imazhit fotografik, por përpiqet të na e drejtojë vëmendjen drejt dritëhijeve të “personazheve” të kësaj gjame. Duke mësuar si të feksim vështrimin tonë mbi dritën e dashurisë dhe hijet e vdekjes, ne arrijmë ta përjetojmë këtë imazh si një gjendje që është duke ndodhur përpara syve tanë, çka përbën në fund të fundit qëllimin më të epërm dhe jo vetëm të artit të fotografisë. Të interpretosh poezinë e një imazhi është e domosdoshme një dije që vjen jo vetëm nga studimi i fotografisë, pasi pa lëvrimin e duhur të artit të fjalës, një studim mbi imazhet fotografike do të ish krejt i mangët. Vrioni ia arrin me sukses të depërtojë në poezinë e fotografisë dhe “të fotografojë” plot gjallëri mendimet e fshehura të poetikës së imazheve, në rrethin e tyre ciklik nga jeta drejt përtejvdekjes. Studiuesi e përshkruan pikëllimën e fotos me forcën shprehëse të një poeti, ndërsa shkruan: “Pikëllimi i saj është i thellë dhe i heshtur, ajo sikur nuk po u beson syve duke e parë në çastet e fillimit të heshtjes së tij të përjetshme, por e pagojë dhe e tharë e vështron të atin me duart e mbështetura te njëra-tjetra, në qëndrimin mortor”.

    Krahas vlerës tejet të çmuar, pasi sjell në vëmendjen e dashuronjësve të fotografisë, një foto tejet të rrallë dhe të panjohur për publikun e gjerë, duke i dhënë vendin e merituar një fotografi pak ose aspak të përmendur si Kolë Maca, ky studim ka gjithashtu vlerën e padiskutueshme të trajtimit me shumë finesë të poetikes në imazhin e gjallë të një fotoje.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË