KreuLetërsiBibliotekëAlfredo Villaverde Gil: Fletorja e Shqipërisë (poezi)

Alfredo Villaverde Gil: Fletorja e Shqipërisë (poezi)

Përktheu: Namik Dokle

“Po vjen një ditë
Që të na sjellë
Të madhe dritë
P’ajo të pjellë:
Qytetërinë,
Fatbardhësinë.”

NAIM FRASHËRI, – “Lulet e verës”.

DET MUZIKE

Vallëzon Shqipëria.
Hedh valle nën tinguj drithërues
të majave alpine
dhe puthjes melodike të Adriatikut.

Vallëzon me fërgëllima t’vrullta
të qyteteve
dhe muzikën joshëse
të natyrës.

Det muzike
Isopolifonia…
e nis marrsi, pas tij hedhsi
përcjell ison e njëzëshme
si një flaut i magjishëm
bashkë zërat dhe traditat:
aureolë feste dhe harmonie.

Vallëzon
nën ritme t’historisë
dhe rrënjët shekullore
me dhimbjen e të ikurve
bashkon duart edhe zemrat
në vallen që i parathotë
të nesërmen.


SKENDERBEG

Që nga zbardhimi i parë i agimit
deri kur dridhërojnë hijet në muzg
mbretëron i madhërishëm pa harrim
ti në shesh, kalorës i përjetshëm.

Lodrojnë fëmijët me të ardhmen
ti je heroi i shumëndërruar,
kalojnë turistë kureshtarë
për ty, o prijës historie,
vijnë shqiptarët e tu
t’vështrojnë në sy e t’luten
që shpresën t’ua kthesh përsëri.

O Kastriot i mirë, me ty ngazëllehem
në bukurinë
e valëve përndriçuese që lëshon
dhe rikujtoj Naimin që t’këndon:
“ Lum ti, Shqipëri, o lule,
Që pate trim të vërtetë,
Kurrë në turp nuk’ u ngule,
Të la nder të madh përjetë!”


BUKUROSHJA E DURRËSIT

Mozaik që ëndrrat
pikturon me harmoni
dhe jetës i jep ngjyrë
sytë m’i mbush me dritën
që arti rikrijon.

Ah, copëzat e vogla,
shenja bukurie
dhe trashëgim magjik
vijnë deri te ne
si kult i lashtësisë.

Mbeti këtu e gdhendur
mirësi e historisë
si një ditar intim
nga paraardhësit tanë.

Gjurmë të pashlyeshme
kujtesë që të përthith
n’pranverën e përjetshme.


SHKODRA

Natë shqiponjash.
Mbi kulmet alpine
dhe rrjedhat e Drinit
pasqyrë peisazhesh
n’përqafim me Bunën.
Fluturimi i historisë
ende përmend emrin tënd.

Sa shumë të dëshiruan
dhe kur të njohën
nëpër kohëra mbollën
trashëgiminë
e bukurisë magjike,
sot, hapësirë
kthjellinash harmonike.

Dhuntitë të burojnë dashniet.
Rrënjë e Shqipërisë
kryeqendër e legjendave,
me gjak e hekur shkrove
kujtesën shekullore
në mozaikun e besimit
simbolet dhe kulturat.

Krenari
e një atdheu farkëtuar
në grindje, luftëra dhe beteja
që emrit tënd i dhanë lavdi.


NË BREGUN E LIQENIT TË OHRIT

Një lumë dëshirash
vërshon
si rit
dhe psalme dashurie,
dhuratë bukurie.

Në at’ qetësi t’liqenit
shkrythen shpirtrat
muzika e tij intime
n’ajri vërtitet
vallëzon n’tejdukshmëri,
në ujërat e tua
pi dritë mirëkuptimi.

Hapësira e kohës
po mbjellë përjetësinë
në çdo grimëherë takimi.

Hap sytë regëtima e yjeve.
Shtrati i ëndrrave
mbi gjirin tënd hap krahët.
Dhe murmurima jote
më merr kudo me vete.


ÇFARË TË THEM PËR SHIKIMIN TËND

Në vitet e pafundme
heshte e mbuluar nga magjitë
nën egërsinë e tyre mbylle sytë.
E burgosur zemra
nuk rrihte n’ritëm t’historisë
kish frikë, trishtim dhe vdekje.

Çfarë terrinë eklipsi
për lirinë, marrëveshjen dhe larminë.

Në zgjim
nëpër dritare zbardhëllimi
u hap e ardhmja
me shpresë, progres edhe pasion.

Sot
më sjell magjia jote
udhëtar në dritën tënde.

Udhëtar
nëpër arterie bukurie
përndezin pamjet tua
si trashëgimí e ndritur
që emrin tënd e farkëtoi.

N’shikimin tënd unë admiroj
mikpritje njerëzish si askund,
krahëhapur dhe në përqafim,
një puls më nxit dëshirën
gjithë botës t’i tregoj
shpirtin tënd pa urrejtje, pa kufi.


Autori është poet dhe prozator spanjoll, kryetar i Shoqatë së Shkrimtarëve të Kastija La Mançës (AECM). Këto poezi i shkroi i frymëzuar nga një vizitë në Shqipëri, në vitin 2023.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË