Kreu Intervista Abdullah Zeneli: Çdo libër e kam konsideruar thellësisht dhe tejet sinqerisht si...

Abdullah Zeneli: Çdo libër e kam konsideruar thellësisht dhe tejet sinqerisht si timin

Intervistoi Bujar Hudhri

Plot 30 vjet më parë ju themeluat shtëpinë botuese Buzuku. Duke kujtuar atë ditë, kur e regjistruat, si i pari botues privat në gjithë hapësirën shqiptare, çfarë ju ka mbetur në kujtesë?

Po! Ishte më se e domosdoshme. Kisha një jetë me librin. Kulmi i një moshe pjekurie. Afër të dyzetave. Libri si çdo gjë tjetër shqiptare po dhunohej. Kultura në rrezik. Sikur qenia. Letërsia. E kaluara po sulmohej nga një makineri propagande e paparë. Pushtetin e kishin marrë mesjetarët. Kishin zgjuar mitet e tyre të rreme. Sollën fantazma në 600-vjetorin e Betejës së Aleancës së Krishterë të cilën ishin ata që e tradhtuan. I dhanë edhe një motër a një bijë sulltanit. Që do të bëhej mamaja e Pushtuesit të Kostandinopojës. Këta pra ishin “mbrojtësit” e krishterimit! Po u ndëshkuan, për koincidencë dhjetë vjet më vonë! Nga Aleanca jo vetëm e Krishterë. Se ishte dhe Turqia aty! Dhe forcat intelektuale e ato të rezistencës guerile. UÇK-ja! Shkurt fjala, që nga viti 1981 po rrënohej gjithçka. Si tek legjenda e Rozafatit. Mbahej me paterica ajo sajesë artificiale kombesh e kombësish, që proklamonte vëllazërim-bashkimin. Kot. Tani, edhe ato pak të drejta që gëzonin shqiptarët, për një periudhë 7-8 vjeçare nga Kushtetuta e ’74-tës, u avulluan si vesa e mëngjesit. Po pushtoheshin institucionet që kishin rezistuar, madje krijuar traditë atdhedashurie. Akademia. Institutet me radhë. Shkollat. Spitalet… Televizioni. Radioja. Gazeta “Rilindja” me të gjitha simotrat e saj nën një kulm: botimet, revistat, rrjeti i librarive, shtypshkronja, rrjeti i shpërndarjes së gazetës… Në gjithë këtë gjendje, shtrohet edhe sot me të drejtë pyetja: a duhet ndenjur duarkryq? Jo! Nuk ngurrova të regjistroj shtëpinë botuese në Gjyqin Ekonomik në Gjakovë, ku ende ishin shqiptarët. Për ta bartur heshtur më vonë selinë në Prishtinë. Duhej strategji veprimi. Si ti nga Elbasani në Tiranë! E pra, kujdes maksimal. Probleme si me pushtetin, po aq edhe me disa nga shqiptarët e mi. Ishin mësuar me komoditetin e qeverisjes. Parave e të mirave gjithandej. Po, isha pa kompromis në këtë drejtim. Dorëzimi ishte dobësi. Dhe kisha plane të qarta veprimi. Guxim patjetër. Shumë shokë i kisha ende nëpër burgje. Pra, isha pa rrugëdalje. Duhej qëndruar!

Kishit një përvojë të gjatë, siç e thatë, në “Rilindjen” e famshme. Madje, sektori ku keni punuar, ishte pikërisht ajo që i duhej një botuesi. A mund të na thoni se si kjo ka ndikuar që të përballonit vështirësitë e para, deri në çlirimin e Kosovës?

Nuk mund t’ia ktheja shpinën një tradite të krijuar me mund. Ndër meritat e asaj “Rilindjeje” është pa dyshim importimi i librave nga Shqipërisa pas demonstratave të ’68-tës. Ato libra ndikuan shumë në ngritjen apo ndërgjegjësimin jo vetëm të rinisë. Krahas këtij ndërgjegjësimi shtohej edhe egërsia e aparteidit, siç e thashë, pas viti 1981. Qe ky import librash që më afroi me Redaksinë e Botimeve “Rilindja”, siç quheshin botimet, qysh kur isha nxënës i normales së Prishtinës. I takoj brezit të Behgjet Pacollit, Jakup Krasniqit, Gani Sylajt e shumë të tjerëve. Furnizoja bibliotekën shumë të pasur të normales me botimet e reja. Këmbëngulja, në fakt, të freskoheshin me botime të reja. Lexoja shumë. Bëja ankimime në këshillin e arsimtarëve, drejtorisë. Rastisi një konkurs verën e vitit 1973 dhe konkurrova. Një vend i thjeshtë pune, po kishte për mua rëndësi të isha pranë librit. Ndërpreva studimet e matematikës. Isha në vit të dytë. Po qe privilegj të punoje me personalitete letrare atëherë e sot. Anton Pashku, Rrahman Dedaj, Nazmi Rrahmani (në po atë konkurs i pranuar dhe ky), Sabri Hamiti, Rifat Kukaj, më vonë edhe Teki Dërvishi. Pak kohë derisa doli në pension edhe Mehmet Gjevori, mbetur nga koha e të 200-ve të Ernest Koliqit. Pastaj shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Përparimi i ngadalshëm në punë, pengesa burokratike sikur që ndodhin gjithmonë me të rinjtë me vrull e dashuri të ecin shpejt drejt realizimit të vizionit të tyre. Kam punuar shumë, madje duke qenë ndër punëtorët më të mirë të gjithë “Rilindjes” me mbi 1 500 punëtorë. Kam shumë mirënjohje e vlerësime si punëtor i dalluar kur “Rilindja” festonte përvjetorët më 12 shkurt. Isha në shërbimin e shitjes dhe m’u dha mundësia të frekuentoja të gjitha shkollat e gjuhës shqipe në Kosovë, Luginën e Preshevës, Maqedoni (tani Veriore), Mal të Zi. Bibliotekat. Libraritë. Panairet. I Beogradit shumë i njohur. I Zagrebit. Lubjanës… Frankfurti, Brukseli. Po syrin e kisha te pjesa kreative e librit. Merrja me honorar korrektura letrare. Njohja me më të mëdhenjtë e librit, kritikës letrare, përkthyesve. Kolanat speciale të Migjenit e me radhë. Njohje e domosdoshme e të fshehtave që duhej t’i dinte një botues. Nganjëherë habitem me guximin se si arrita të mbijetoj, kur pos kapitalit që duhej të kishe për fillim, duhej edhe të ishe i veçantë me përgatitjen estetike të librit. Ishte koha në kapërcyell nga shtypi i rrafshtë, me plumb, tek fotoradhitja, respektivisht koha e kompjuterit. Lehtësim i madh për një botues! Të jesh më shumë se një hap me kohën! Po fatkeqësitë nuk ndalen. Pas 1990-tës, kur themelova “Buzukun” kishte inflacion të paparë. Deri edhe 50 për qind humbje vlere në ditë. Ndalesa të shumëllojta. Shkrihej kapitali. Disa agjentë tregtarë, të njohur, madje dhe miq, t’i merrnin librat e nuk i paguanin kurrë… Por kjo nuk më ndaloi. Lidhur ngusht me fatin e popullit. Kisha paguar dhe një haraç për “Rilindjen” masave të dhunshme, që po të konvertohet në vlerën e sotme arrin mbi 100.000 euro. Punë e madhe! Çlirimi ka një çmim dhe nuk më dhimbset asgjë çfarë kam bërë atëbotë. Po përmendi shkarazi se ishin sanksionet e botës ndaj asaj Jugosllavie shkaku i luftës në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë. Nuk kishim të drejtë të merrnim pjesë në Frankfurt, shpresë për të mbijetuar nga bashkatdhetarët e etur për libër. Më 1995 i kam shkruar Bundestagut të na lironin nga sanksionet dhe të merrnim pjesë në panairin më të madh të botës. Premtuan se më 1996 do të hiqen. Dhe, Bujar miku, ne u takuam atëbotë, nga 4 tetori në Frankfurt! Madje nënshkruam projektmarrëveshjen me botuesit shqiptarë të pranishëm që të formohej një shoqatë botuese shqiptare, e hairit, dhe të fillonte një panair libri në Tiranë. Arritje e madhe, edhe pse me pak vonesë! Panairi i parë u jetësua në mesin e dhjetorit 1998, kur pata takuar Presidentin Meidani, ministrin e Kulturës, tani Kryeministër i Shqipërisë, Z. Edi Rama… po edhe Nermin Vlora Falaskin e shumë personalitete letrare. E kujtoj me mall takimin me Vath Koreshin, njërin nga bashkëpunëtorët e tu atëbotë, romanin e mrekullueshëm të të cilit “Ulku dhe uilli” ma patët dhuruar në Frankfurt një vit më parë.

Panairi i parë i librit në Prishtinë ishte një ngjarje e papërsëritshme. Nuk do ta harroj kurrë atë magji që u krijua mes stendave të librave, lexuesve, shkrimtarëve dhe botuesve. Ju keni meritën kryesore që ky panair panshqiptar i ëndërruar prej vitesh u bë një realitet. Ndonjë mbresë që ka mbetur e pashlyer tek ju?

E vërtetë! Ngjarje e papërsëritshme. Kosova e lirë e meritonte këtë. Lexuesi i saj. Nostalgji shekullore për vëllezërit e një gjaku, që vinin nga Tirana, Korça, Pogradeci, Vlora, Gjirokastra, Durrësi, Elbasani, Fieri, Shkodra, Kukësi, Lezha… e gjithë Shqipëria! Po qershia mbi tortë ishte prania e kolosit të letrave, Ismail Kadaresë me Zonjën Helenë. Pa harruar Dritëro Agollin me Zonjën Sadije, Jup Kastratin e shumë të tjerë. Ditët 17-22 nëntor tani janë pjesë e historisë. Prerja e shiritit nga Ismail Kadare në atë masë pa fund vizitorësh është ngjarje më vete. E gjithë kjo duke iu falënderuar botuesve, por edhe Kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme, Presidentit aktual, Z. Hashim Thaçi, ndihma e të cilit mundësoi akomodimin e 20 mysafirëve me gjithë ushqimin në hotelin Grand. Përurime librash. Në një tryezë Ismail Kadare, Rexhep Qosja e shumë të tjerë në përurimin e “Ra ky mort e u pamë”. Një muaj më vonë do të promovohej në Tiranë tek piramida bashkë me “Kohë barbare”, po shkëlqimi i Kosovës është i papërsërishëm! Më vonë do të ndodhnin përplasje të vogla, por kjo nuk duhet parë me sy të keq. Tranzicioni ka edhe anën e errët, ndonjë shkarje rasti. E veçanta e atij panairi qe edhe Çmimi i Paqes që iu dha Ismail Kadaresë në ambientet e darkës solemne në hotelin Grand, ku ishte i pranishëm, ndër të tjerë, edhe i pari i OSBE-së, Z. Dan Everts.

Ceremonia e hapjes së panairit të parë të librit në Prishtinë, 17 nëntor 1999

Nga të rrallët botues shqiptarë, ju keni mbështetur letërsinë shqipe, pikërisht kur ajo ishte lënë mënjanë nga dyndja e pakontrolluar e letërsisë së huaj. Jeni nga të rrallët që nuk u merrni para autorëve për botimin e librave. Me fjalë të tjera, keni bërë një “antibiznes”. Kjo jua ka shtuar edhe më shumë vështirësitë, apo jo? Si e keni përballuar deri më sot?

Një letërsi nacionale nuk mund të jetë e tillë pa emrat e vet. Kolosët e vet. Prurjet e reja. Ato duhet mbështetur. Me lloj-lloj formash. Duhet përkushtimi. Vizioni. Dëshira dhe sinqeriteti që letërsia jote të përballet me të huajën. Ato marrin e japin. Po kocka është ajo që mban mishin. Jetën. Kam ndihmuar me aq sa kam mundur autorët shqiptarë. Në fillim kam rikthyer ata që mungonin për shkakun e ideologjive. Nuk po përmendi emra e tituj se janë jo pak. Por nuk dua ta bëj rrahagjoksin. Punë misionari, vërtet, por e kam ndier se duhej bërë dhe e kam bërë. Nga viti 2000 edhe konkurse letrare me çmime joshëse. Të të vijnë në çdo konkurs nga 40 romane nuk është pak në përmasat që ka kjo gjini letrare. Para nuk marr për dy arsye. Nuk kam qenë i interesuar të kem shtypshkronjë, sepse do të përqendrohesha në ekonominë e shtypshkrimit e jo në cilësinë e botimit. Dhe dy, nuk rrah gjoks kurrë për atë që kam botuar por për atë që nuk kam botuar. Cilësia mbi të gjitha! Nuk jam tunduar pas parasë, gjë që më ka kushtuar jo pak në prishaqejfe miqsh madje edhe familjarësh! Mosshitjen e autorëve shqiptarë e kam kompensuar me qetësi e durim, me kredi të shumta jo edhe aq të favorshme, në fillim me interes deri 20 për qind. Tani është diku tek 6-7 për qind. Kam shpresuar shumë që mekanizmat shtetëror do të ndërhyjnë në përmirësimin e fatit të librit, por zyrtarët janë si ata që i ka në shënjestër letërsia e madhe ruse e shekullit XIX. Akakieviçët…!

Ju jeni edhe autor edhe botues, njëkohësisht. Doja ta dija: ky dualitet ka qenë për ju një avantazh apo dizavantazh.

Ka rëndësi shumë për një botues t’i ketë të dyja. Të mos jetë vetëm një menaxhues. Paraje dhe kalkulimesh tirazhi e çështjesh teknike. Kultura e shkrimit do të thotë të krijosh një marrëdhënie të shëndoshë me secilin autor. Të përsoset dorëshkrimi. Nuhatja e së resë. Risitë, edhe pse me vonesë pranohen, ku e ku, por tek ne shqiptarët me shumë vonesë, por kjo duhet zhbërë. Nuk kam pritur ta bëjë tjetri këtë. Secili botues duhet të jetë i përgjegjshëm për misionin që ka si botues. Si mos të reagoja, bie fjala, në vitin 1990 të mos e përgastisja për botim librin mbi Kadarenë, së bashku me Shaip Beqirin. Vepër madhore 500-faqesh: “Sfida e gjeniut – Kadare, ekzili, Kosova”. Kadare që po sulmohej gjithandej dhe duhej të kërkonte shpëtim në Paris! Po të tjerët shumë më pak të njohur? Puna ime me dorëshkrimet e të tjerëve zbulon një të vërtetë të madhe: secilin libër e kam konsideruar thellësisht dhe tejet sinqerisht si timin. Ndaj kam bërë të duhurën. Kam lexuar shumë, siç e kam theksuar edhe më lart, në fillore e sidomos në normale. Dhe kam shkruar! Madje botuar si normalist në revistën aq të lakmuar të Esad Mekulit “Jeta e re”. Po puna në “Rilindje” sa më ka ndihmuar, po aq më ka penguar. Si t’ju thoje më të mëdhenjve të letrave që edhe unë shkruaj! Groteske! Po e vërtetë. Kam shkruar në heshtje dhe rrallë kam botuar në periodik. Kur, për “Buzukun”, duhej të kultivohej edhe botuesi, për të mos qenë rastësi gjithë ai ndryshim që ndodhi në fushë botimesh. Kam ndihmuar shumë, pothuajse të gjithë botuesit. Dëshmi panairi i librit i Prishtinës. Kam lënë veten keq me organizmin për t’u zhvilluar botuesit. Tani libri shqip është industri më vete! Kjo më gëzon. Është plotësim i një ëndrre. Krijimi është një avantazh tani i shëndetit që gëzoj për moshën që kam. Pas 7-8 librave të botuar në harkun kohor 30-vjeçar, po aq kam në dorëshkrim. Më mjafton ky fakt.

Jeni shpesh kritik me pushtetin këtu në Kosovë (me Ministrinë e Kulturës apo Komunat) për çështjen e librit. Kjo ju nderon, sigurisht. Sepse vërtet ne jemi biznes privat, por kultura kombëtare është në radhë të parë përgjegjësi e shtetit. Krahasuar me Shqipërinë, do të thosha se Kosova është lule: ka bërë aq shumë për librin si pjesëmarrje e botuesve në panaire ndërkombëtare, blerje të shpeshta të librave nga komuna, mbështetje për autorët dhe botuesit. Por çfarë mund të bëjnë dy shtetet tanë shqiptare midis tyre për librin shqip që të mund të kalojë pa pengesa, kur në mbledhjet e përbashkëta të qeverive tona kurrë nuk përmendet fjala libër?

Kritik më bën mosrespektimi i ligjit. Ligji për veprimtarinë botuese dhe bibliotekat detyron shtetin të ketë politika të qarta dhe konkrete për librin. Po nuk jetësohet as në minimumin e mundshëm. Ja një fakt kryeneç. Për librin jepet apo ndahet në zëra buxhetorë të Ministrisë së Kulturës më pak se kur ishte buxheti nën 10 milionë euro! Sa është tani, që ta dini? 40 milionë! Libri i diskriminuar katërçipërisht. Autorët po se po. Bibliotekat. Të mos flasim për ato shkollore, vaj medet! Si të mos jesh kritik para këtyre defomrimeve e shkeljeve të ligjit. Përse kam arritur sukses me “Buzukun”, një pyetje e thjeshtë. Sepse e kam themeluar kur nuk funksiononte shteti dhe kurrë nuk kam pritur nga shteti. Pritja është masakër. Edhe më shumë! Vdekje! Kemi politika të dështuara, po duhet durim. Si mund të arsyetohen zhvatësit e vetë zyrtarëve të ministrive e komunave të fondeve edhe ashtu të varfra? Kjo nuk do koment. Vitin e kaluar, bie fjala, një koordinator (bashkërendues) nacional i kryeministrit në dorëheqje atëbotë shpalli një tender në vlerë 300 000 euro. Nja 110 tituj, nga të cilët mezi 10 tituj ishin botime të Kosovës, të “Buzukut” asnjë! Asnjë! Sepse koordinatori ishte nacional. “Buzuku” ishte i planetit Mars! Po as te ju nuk është më mirë. Biles ka dështuar rrjeti i bibliotekave, piramida nga Kombëtarja që me ligj (me detyrim) na i zhvatë nga 5 (pesë) kopje pa derdhur fare djersë! Për çështje kulture nuk dua të merrem me paradoksin përse blihen në Kosovë shumë libra nga Shqipëria ndërsa nuk ndodh e kundërta. Durim! Po e përsëris, durim!

Padyshim botimi i librit është një biznes i vështirë, sidomos në një vend të vogël, me gjuhë e popullsi të vogël. A i keni thënë vetes ndonjëherë, se ç’iu desh të merreshit me librin?

E bukur kjo! Posi. Shpesh madje. Po me çfarëdo lloj biznesi po të isha marrë, rezultati do të ishte ky. Duhet sakrificë. Libri më ka dhënë kënaqësinë shqiprtërore. Materialja është fat i të qenit në kohë të gabuar dhe në vend të gabuar. Por është individi që ndryshon rrjedhat. Si në hapësirën gjithëshqiptare, si kudo gjetkë në botë. E shoh dhe e ndiej edhe në Frankfurt, edhe në Paris. Tani butuesit kanë edhe një konkurrent të fortë, internetin. Po ky duel duhet përballuar. Me vizionin. Përkushtimin. Guximin. Duhet të jesh edhe pak magjistar! Të dish të ëndërrosh. Të shohësh dritë në fund të tunelit. Qoftë i gjatë ai edhe sa vetë Kalimashi! Po të më joshte paraja, do të më mjaftonte një fotokopjues! Piratëria lulëzon kur shteti nuk funksionon.

Perurimi i Ra ky mort e u pamë në panairin e parë të librit të Prishtinës, 19.11.1999. Abdullah Zeneli, Bujar Hudhri, Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja

Pas tridhjetë vjetësh punë të pandërprerë, doja të dija se cili ka qenë motivi që ju ka mbajtur në këmbë?

Mbase një idealizëm pragmatik. Se po bëj gjënë e duhur. Se duhej bërë, në fakt, meqenëse fati herët më lidhi me një botë sa magjike, po aq me interes kombëtar. Sidomos nga leximi kam pasur nxitje për këtë. Paramendo rilindësit tanë në çfarë kushtesh vepruan. Për të mos humbur gjuha. Kultura. Kombi. E ardhmja. Vepruan në zemër të perandorive. Po mendjen e kishin tek Shqipëria! Shembull Konica. Në Bruksel fare i ri me “Albaninë”. A ta pyesim ç’iu desh të merrej me atë revistë? Aq i ri! Për këtë të sotmen Shqipëri! Më ka mjaftuar ky fakt!

Mund të na thoni se për cilat libra jeni krenarë që keni botuar dhe cilat libra nuk do t’i donit t’i kishit botuar?

Fillimisht disidenca shqiptare dhe e huaj. Po shqiptarja në radhë të parë. Libri për Kadarenë më është ndër më të dashurit. Duhej reaguar me kohë. Pastaj nobelët. Goncourtët. Të rinjtë që shpërthejnë me vështirësi edhe në Paris. Kënaqësi sidomos botimi i Mathias Enard. Nderoi shqiptarët me vizitën e tij në Shkup, Prishtnë dhe Tiranë. E paharruar darka në rezidencën e Ambasadore të Francës në Shqipëri, Zonjës Christina Vasak, më 18 tetor 2018. 12 vetë. 8 shqiptarë dhe 4 francezë. Nga shqiptarët Ismail Kadare me Zonjën Helenë, Ministrja Kumbaro, Inva Mula, Persida Asllani, Edmond Tupja, Diana Çuli dhe unë. Madje Enard i dha një intevistë njëorëshe Diana Çulit në studion e Ora News, intervistë e cila sa di nuk u emetua kurrë! Nuk di si ta komentoj këtë. Por duhet shikuar përpara. Tani ka vështirësuar shumë punë virusi përmasash botërore, por kalon dhe kjo sfidë. I besoj shumë fatit dhe providencës. Kemi kaluar mynxyra e mynxyra. Kthehet lumi në shtratin e vet sado të jetë vërshima. Edhe deti pas një cunami qetësohet. Po, duhet të funksionojë shteti dhe komuniteti i librit duhet të jetë më këmbëngulës. Një paradoks që duhet përmendur. Ministrja Kumbaro ishte frankofone. Sa bëri ajo për afirmimin e letërsisë shqipe në Paris? Pak, shumë pak, për të mos thënë asgjë. Iu desh edhe Kadaresë ta lërë Parisin. Një shtet i tërë i painteresuar fare për gjeniun e letrave. Kur ne nuk e nderojmë, si mund t’ia kërkojmë këtë akademisë suedeze. Edhe ish-ambasadori i Kosovës në Paris ishte frankofon. Tani është edhe akademik. Po a bëri ndonjë gjë në Paris për librin, shkrimtarët? Asgjë! Madje nuk denjonte as të na vizitonte në Salon du livre! 

Botimet shqiptare janë në një moshë të re. Ende është brezi i parë, ndërsa ju jeni më përpara se ne. Jeni kujdesur që ta përcillni te fëmijët tuaj përvojën dhe trashëgiminë, njëlloj si botuesit e tjerë në botë. Madje, shpesh me shaka të kam thënë se “librat më të mirë që ke botuar, janë fëmijët e tu”. Dhe vërtet fëmijët e tu i kanë dhënë një dinamizëm, larmi dhe vlerë botimeve Buzuku. Do të doja të dija mendimin tuaj.

Në disa pikëpmje po, keni të drejtë. Por ka shumë për t’u bërë. Sidomos në buxhetin shtetëror që keqmenaxhohet. Libri duhet të shkojë ku e ka vendin: në biblioteka. Shpesh në debate të drejpërdrejta në televizione apo gjetkë lëshojnë konstatime kuturu se libri shqip është i shtrenjtë. Hazërxhevap i kundërshtoj. Është më i liri i mundshëm me tirazhet që botohet. Por librin qytetari në pamundësi blerjeje e ka falas në bibliotekë. Ligji ia garanton. Një libër që gjendet në treg ka obligim biblioteka t’ia sigurojë lexuesit potencial. Këtë e kam bërë vetë në bibliotekën e shkollës normale. Dhe mbeta në botën e librit. Kush lexues sot e shfrytëzon apo këmbëngul në këtë të drejtë? Prandaj edhe kam investuar në fëmijët. Pa imponim. E duan dhe punojnë për librin. Të gjithë. Katër djemtë dhe dy vajzat. Edhe Zonja. Me Z të madhe. Është fisnikëri të jesh i rrethuar me libra. Libri rrezaton. A nuk punoi nobelistja kanadeze e vitit 2013 Alice Munro në librarinë e të shoqit. Po duke lexuar me mundësinë që ia dha libraria, arriti majat! Po, fëmijët u rritën me panairet. Edhe Hana tani 18-vjeçare si foshnjë duhej mbajtur në stendë. Sot mbi supet e saj rri njëra nga libraritë e Buzukut. Pastaj gjuhët, sidomos anglishtja. E madhja po kryen doktoratën në Nju-Jork. Menaxhim edukimi. Të rinjve duhet dhënë mundësitë. Edhe pse ndonjëherë edhe mbetesh vetëm, po kjo ka të mirën tjetër. Krijimin. Shkrimin. Një ritual që duhet praktikuar pandalshëm. Për ta plotësuar veten dhe lexuesin. Miqtë dhe dashamirësit. Për të bërë gjënë e duhur!

Duke qenë i pari, e keni patur të lehtë të zgjidhje çfarëdo emri për shtëpinë botuese. Përse zgjodhët pikërisht Buzuku?

Po, erdhëm edhe te emri. E ka thënë herët, me sa më kujtohet edhe Kadare. Gjon Buzuku, monumenti më i madh kulturor shqiptar, ishte lënë në harresë! Asnjë akademi, asnjë universitet, asnjë… Duke qenë se isha simbolikisht i pari botues postkomunist, nuk kam menduar dy herë për emrin. Gjon Buzuku! Dhe nuk kam pasur dilema nëse nuk do t’ia dilja. Me cilësi botimesh. Me refuzim botimi vlerash mediokre. Duke mos u tunduar pas parasë. Duke krijuar lidhje e miqësi respektuoze me botuesit më të mëdhenj të botës. Privilegj ky. Për Buzukun. Atë të parin dhe këtë timin. Për kulturën shqiptare! Shqipërinë!

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Zija Çela: Shkrimtari i trillit, ky mashtrues i pafajshëm… (mbi katër romane të Mehmet Krajës)

Do të kisha dashur t’i bëja disa pyetje Mehmet Krajës për katër romanet e botuara nga Onufri: “Edhe të çmendurit fluturojnë” (2004),...

“Një i tretë”, tregim nga Dritëro Agolli

Shokut tim Shaban Hadëri Ata e hodhën trungun në truallin prej çimentoje të studios së errët. Skulptori dhe unë...

Mario Vargas Llosa & Gabriel García Márquez: Dialog për romanin latino-amerikan

Mario Vargas Llosa: Me shkrimtarët ngjet ajo që, siç më duket mua, nuk ngjet asnjëherë me inxhinierët dhe arkitektët. Shpesh njerëzit pyesin...

Ditëlindja e Servates/ Introdukta e Nolit për Sojliun e Mançës

Migel de Servantes Saavedra, i njohur me emrin e shkurtër Servantes, lindi më 1547, në Alkasa de Henares të Spanjës dhe vdiq...

KATEGORITË