More
    KreuLetërsiBibliotekë"Djalli ka surrat të bukur" ese nga Rexhep Ferri

    “Djalli ka surrat të bukur” ese nga Rexhep Ferri

    1.

    Rroftë revolucioni.

    Nuk e kam ditur se revolucioni është parulla më reale e mashtrimit.

    Ajo e Diktaturës së Proletariatit.

    Ndoshta edhe më shumë se diktatura e hasreti Adolfit, hasreti Stalini dhe e hasreti Kopilit, të Bjeshkëve të Nemuna.

    Nëse ka mbetur edhe diçka për t’u thënë, thuaje, një mik më tha.

    Zoti nuk ka nevojë për mashtrimet.

    Njeriu nuk duhet të luaj me drejtpeshimin.

    Djalli im është një besim me brirë.

    Pas çdo kthese e zë nata.

    Botë e vogël.

    Djalli im çfarë durimi.

    Rrafsh.

    Njeriu është në zhdukje nga procesi krijues.

    Prandaj dielli shpejt do të errësohet.

    Nuk është faji i askujt.

    Humbësi harrohet.

    Dashtë Zoti përpara.

    Për t’u kënaqur pa kufi, njeriu përqafon çmendurinë.

    Mashtrimi është hero imagjinar.

    2.

    Historia zbavitëse.

    Pse jemi kaq të heshtur.

    Pse jemi kaq të humbur.

    Më vjen keq.

    Legjenda ime Rozafati po e vazhdon jetën e vet të mitit.

    Pse është gjithë kjo rrëmujë.

    Haraç, zotëri, haraç. U mbush kupa.

    Vendi më i sigurt është toka.

    Për çmendurinë nuk kam pyetje tjetër.

    Për asgjënë nuk jam i sigurt.

    Mos e ndryshoni mendjen.

    Ruajeni shëndetin mendor.

    As çka është turpi.

    Në rregull.

    Deri aty ku nuk bëhet nami.

    E kuptueshme.

    As në njerëzi.

    As në kohë.

    Çka është e drejtë nuk po na intereson.

    Për dashurinë nuk ka pyetje tjetër.

    Njeriu i ka shkelur ligjet e natyrës.

    Dhe – nuk e din se çka është turpi e çka nuk është turpi…

    3.

    Duke u rrotulluar ngadalë nga e majta në të djathtë dhe nga e djathta në të majtë tani e dimë pse njeriu e ka humbur personalitetin..

    Mund të kemi alergji.

    Çfarë është ky tjetër njeri.

    Kam ardhur nga fillimi.

    Nuk kisha më shumë se pak.

    Atëherë kur jeta mbyllej pa heronjtë e vet.

    Për të zbuluar diçka që ka një pikëpyetje në fillim.

    Dhe – mos bëni zhurmë.

    Me tri sekonda kohë e kemi mendjen.

    Ç’dreqin po ndodhë!?…

    Rrini anash dhe shikoni, shikoni se me çfarë krenarie po dalin te përmendorja e Skënderbeut, dajallarët dhe kumbarët e patriotëve tanë sojli.

    Prandaj ish-Njeriu po sillet çuditshëm.

    Me vetë dëshirë është larguar nga planeti i vet.

    Është betuar se do të bëjë çmos.

    Mënyra e vetme për të shpëtuar nga çmenduria është besimi vetëm në djallin.

    4.

    Njeriu, çka ka bërë njeriu me fatin e vet është për të ardhur keq.

    Mua edhe pse po i shoh e çka s’po shoh nuk po më besohet.

    Një tjetër kohë.

    Një tjetër skenë.

    S’dua ta fsheh.

    Më lini pak kohë të mendohem.

    Zemër, dua të flas.

    Dua të pyes: a kam të drejtë.

    Jeta po na afrohet si një gënjeshtër.

    Është më mirë ta ruajmë distancën.

    Me këtë të vërtetë, njeriu nuk e ka ditur si ta përballojë famën.

    Unë edhe vdekjen e pashë me sy, por nuk vdiqa.

    Gjatë rrugës vdekjes i thashë: faleminderit që më tregove se çka është jeta kur njeriu nuk di asgjë për asgjë.

    5.

    Është koha ta vras ujkun.

    Ta shpëtoj njeriun.

    Jemi prej mishit e gjakut.

    Prandaj lëreni historinë.

    Historia na e ka mbushur kokën me erë.

    Përtej horizontit një takim konfuz.

    Eja…

    Po na mungon edhe një çmenduri tjetër për gabime.

    Për Kosovën – shtëpia në tym dhe froni im…

    Në Bjeshkët e Nemuna.

    Me legjendën Rozafa…

    Mos më zhgënje, mos më zhgënje.

    Populli im ende nuk ka dalë nga lufta.

    Për të bërë sehire nuk di.

    Dielli po perëndon.

    Kanë ndodhur shumë gjëra.

    Ju lutemi më ndihmoni.

    Feniksi na ka munguar.

    Kush ka bërë sehire nuk e di.

    6.

    Kjo paturpësi më helmon frymëmarrjen.

    Unë besoj në atë që shikoj e jo në atë që dëgjoj.

    Jam dije reale që ndryshon.

    Bota e frikshme është forcë tërheqëse.

    Njeriu hajvan i dreqit qeshi.

    Bota e vogël sa mali – nuk e di si do të përfundojë ky muhabet.

    Në planetin Historia, pjesa e dytë nuk e di apo më vjen për të qeshur apo për të qarë.

    Kur dola nga spitali.

    Lëkura e një molle ma çeli derën e shtëpisë.

    Këmisha e gjarprit e shprehu uratën Zoti të pastë.

    Shtëpia e gëzuar.

    A ju tremben me këtë të papritur më pyetën?

    Unë qesha.

    Nuk më pëlqen të shkruaj histori.

    Pse jo.

    Kjo kopje e zbehtë e jetës kur harron ku jemi, në pasqyrë del njeriu si vjen si shkon.

    7.

    Një mik një herë më ka thënë:

    – Nuk mund ta ndalim botën ku duam ne. Ajo ndalet vet, aty ku mendon vet. Ku jemi ndoshta edhe ne.

    Nga një dhimbje e bukur.

    Nuk ka njeri.

    Na pëlqen vetmia.

    Është mashtrim.

    Nuk e di se ku mund të shkonte.

    Është kafshë që ecë me telekomandë.

    8.

    Zoti për njeriun pse nuk flet?

    Nga syri i uritur dhe nga grykësia e mbushi kupën.

    Njeriu në fillimet e veta ishte njeri.

    Nuk e di se si rrëshqiti e shkoi deri te një gjysmë njeri, nuk e di se si doli.

    Të gjitha majat e maleve të Bjeshkëve të Nemuna kanë legjenda.

    Dashuri dhe vdekje.

    Këngë dhe varre.

    Bukuria është e fshehtë.

    Idiotët e gjejnë.

    Kjo e sotmja është e vështirë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË