Majlinda Rama është një lirike e ëmbël, fine dhe e thellë. Ajo ka lëvruar me sukses disa fusha, po ajo që e shpreh më mirë individualitetin e saj krijues është poezia. Mund të themi se Majlinda është një nga përfaqësueset më të spikatura të avangardës së katërt, asaj të viteve 2000 ku modernizmi ndërthuret me posmodernizmin, ku poezia shqipe arrin më në fund një ekuilibër relativ pas “shkrirjes së akujve” të përjetuar në vitet 90-të, çlirimit nga akujt e rregullave të ngurta të “realizmit socialist”.
Në thelb të poezisë së Majlindës është problematika ekzistenciale e ndërthurur me problematikën sociale. Temat e përjetshme të dashurisë erotike dhe gjithënjerëzore, problemit të së mirës dhe së keqes, vdekjes si armike të jetës dhe si ligj biologjik dialektik ndërthuren me temat e anarkisë, përmbysjes së vlerave tradicionale, po edhe rrezikut të zhdukjes së vlerave, emigracionit, pandemisë, të tëra këto të tretura në një dhimbje lirike.
Poezia e saj ndërthur hermetizmin me pashermetizmin. Vëllimet e saj më domethënëse janë “Lulet e egra” dhe “Lirikë me dhimbje” që sikur plotësojnë njëri-tjetrin, që alternojnë elitarizmin me një frymë thjeshtësie dhe qartësie e cila i vjen nga poezia popullore.
Majlinda i këndon sipas mënyrës së vet temave që marrin një ngjyrim të veçantë në krijimtarinë e poeteshave, dashurisë erotike dhe amësisë. Këto dy dashuri për të janë ambivalente, gëzim-dhimbje, pasion të furishëm, dhëmshuri të butë.
Majlinda lëvron edhe lirikën e ndjenjës edhe atë të mendimit. Po edhe kur lëvron këtë lirikë të fundit ajo di të gjejë pikën e duhur të vlimit midis mendimit dhe ndjenjës, ajo nuk bie kurrë në ftohtësi dhe cerebralizëm, siç ndodh me ndonjë tjetër poet hermetik.
Nga vjershat më të realizuar të Majlindës mund të përmendim “Më pëlqen të takohemi në mëngjes”, “Më pëlqen të takohemi në mbrëmje”, “Vajzës së palindur”, “Trëndafilat e bardhë”, “Si nuk e vesha një fustan të bukur”, “Rituali i puthjes”.
Do të ndaleshim edhe te një vjershë me temë të pazakonshme, “Vjehrrës në agoni” ku dashuria njerëzore përshkon një dialog të veçantë me ngrohtësi e dhimbje, larg nga xhelozia, që jo rrallë dallon marrëdhëniet nuse-vjehrrë, po kur vjehrra shihet si nënë e dytë dhe dashuria për bashkëshortin nuk është barrierë, po urë midis heroinës lirike nuse dhe nënës së të shoqit e cila portretizohet në çastin e fundit të jetës, ndërsa nusja e përcjell me një buqetë vargjesh, duke e quajtur me emrin e shenjtë “nënë”.
Një vjershë plot tharm jete, jetë që i kundërvihet vdekjes është “Eja të duhemi” që i këndon jo vetëm çastit në mënyrë hedonistike, po dashurisë në kuptimin e plotë të fjalës.
Ka edhe poezi me frymë të freskët popullore, të stolisura me rima dhe nganjëherë me refren si “Lulet e luftës”, “Mall’ e burrë”, “Lojë të dashuruarish”, “Sy më sy”, “Prit ca, pak!”, “Mos pyet kurrë”, “Pikëllim i vonë”, “Ndizma një qiri”.
Një vjershë konçize, e qartë, e thjeshtë dhe plot tragjizëm është vjersha që i kushtohet ngatërrimit të vlerave “Çfarë të jesh në këtë vend?!”
Poemthi pa titull me katër këngë është poemthi i himnizimit të familjes si ishte dikur dhe vajtimit për shpërbërjen e saj sot që shprehet në vargjet pyetje që e mbyllin çdo këngë.
Figuracioni i poezisë së Majlindës është befasues. Vetëm nga shpirti i një gruaje, një nëne mund të buronte krahasimi për gruan që lind “me kurmin e ndarë më dysh si dy gjysma hëne” që sintetizon bukurinë dhe dhimbjen. Po metafora mbresëlënëse “diell i gjinjve”, një metaforë dygjymtyrëshe që shpreh bukuri dhe zjarr pasioni?
Ka edhe metafora që pikojnë dhimbje “Këmishë e grisur kjo jeta ime”, madje metafora aq të vrazhda sa të lenë pa frymë, si “deti kockë e kalbur”.
Detajet s’janë të huaja për poezinë e Majlindës, ndaj janë shpesh të ashpra e tokësore, ashtu si janë edhe fine.
Në poezinë e kësaj autoreje ka një palitër të pasur ngjyrash, e kuqja, e zeza, roza, e kaltërta, grija, po ngjyra e bardhë është e parapëlqyera e Majlindës, ngjyra e dlirësisë, ngjyra e borës dhe e qumështit, ngjyra që shkrin në vetvete ngjyra të tjera. Mund të kujtojmë “Trëndafilat e bardhë”, “Lulet e bardha”, “Trio bardhë e zi”.
Poezia e Majlindës ndizet nga patosi lirik, po edhe nga patosi dramatik dhe tragjik, nganjëherë nga patosi satirik.
Në këtë poezi mund të vihet re një nënshtresë mitologjiko-biblike dhe një nënshtresë popullore. Në këtë terren mitesh dhe legjendash që vijnë nga lashtësia dhe rinovohen për të marrë formën moderne, ka çelur poezia e kësaj autoreje si një lule e egër.