More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSkicimi i Atë Gjergj Fishtës si kryeredaktor nëpërmjet një polemike

    Skicimi i Atë Gjergj Fishtës si kryeredaktor nëpërmjet një polemike

    Përgatiti për botim Andreas Dushi

    Janë një sërë të përkohshmesh letrare, revista e gazeta të drejtuara nga Atë Fishta, nga shpallja e pavarësisë, deri në fund të viteve ’30. Shpesh atij i atirubuohet vetëm drejtimi i Hylli i Dritës, por kjo nuk është vetëm një pjesë e kontributit të dhënë prej tij në këtë drejtim. Prandaj sot, është e udhës ta kujtojmë atë të lidhur me dy të përkohshme të tjera, Posta e Shqipnis dhe Ora e Maleve. Do ta bëjmë këtë, bazuar fillimisht në një polemikë që dr. Marash Ivanaj, në të përkohshmen “Republika”, nr. 4, drejtuar prej tij, i bën Orës së Maleve duke shigjetuar edhe atë që ai e quan pararendëse të saj, Posta e Shqypnis.

    Këtu në Shkodër del nji fletore qi thotë se âsht vegla e katolicizmit dhe e katolikve. Deri ku këta âsht e vërtetë na nuk duem ta caktojmë. Thona vetëm na se po t’ishte me të vërtetë âshtu, na nuk do t’u merrshim me të, tue mos kenë, piksparit fletorja jonë vegël feje as krahine. Por si duket, e vërteta âsht nji o tjetër: ajo fletore nuk asht për katolicizmin, qi kurrë në Shqipni e ka pasë liriën qi e ka sot: ajo fletore don të pasojnë si vegël e katolicizmit vetëm për me mujtë mâ mirë me i fshehë planet e atyne njerzve qi mbetne kurdoherë koerent: vetëvedit e veprimit të vet, kjoft se këtu, në kët Shkodër shqyptare urdhënon Turku, Slavi, Austriaku a Italiani.

    Sot jena të shtrënguem të merrena pak me këtë fletore, qi nji nuk âsht fetare, as patriotike, as njerzore, por vijimi i nji tjetrës fletore, qi botohej prap këtu në Shkodër, në vjetët 1916, 1917, 1918: me gjithë at tipografië, me gjithë at Redakcion, me gjithë at direkcion o drejtim. Kush e ka lexue at fletore – din mirë me çfarë çashtjesh ajo merrej. Gjithkëta thona edhe për fletoren qi botohet këtu, e cila mbas pak kohe vorri moral e politik të disave, të cillët si duket, koha e kalueme nuk i ndalë nga çdo veprimit politik: në të saja 33 numra s’ka asnji rresht në projë të katolicizmit, por vetëm denigracione, çpifje dhe afermacione pa temel. Âsht nji fletore thjesht politike, por e asaj politike, qi popullsis shqyptare a sidomos Shkodrës ende Maleve të saja i ka kushtue shtrejtë kahë ç’do pikpamje.

    Me gjith këtë na sot nuk do t’u merrshim me kët fletore dhe me njerz qi e shkruejnë (sepse për ne, sikurse do të jenë shpejtë për popull, ata janë trupna të dekun politikisht e moralisht) mos të kishte pasë guzimin me e ndye emnin e fletores s’onë në shtyllat e veta. 

    Na nuk duem të përgjegjem insinuacioneve të këtyne njerzve, për të cillët nuk âsht gjâ e shejtë në kët botë, sepse na jena paditsit e ata të paditunit: 3 numrat t’onë e diftojnë i cilli âsht pozicioni i ynë ndaj qeverien e sotshme të Shqypniës, 15 vjetë të kohë s’kalueme të Shqypniës s’re e diftojnë i cilli prej dy parimeve: Ballkani Ballkanikve ase Shqypnia e … Europës âsht mâ i mirë, koha e ardhshme – e ndoshta jo e largshme – do t’ë shfaqë i cilli Shqyptar kje dhe asht i huej jo vetëm për Shqypniën, por ende për Shkodrën.

    Por mbas sodit mos të vijnë për me na thanë se janë projtësit e katolicizmit ende… t’atëdheut.

    Në fushë politikë jena e në fushë politike do të mbetena.

    Sa për sot thona se parzmat t’ona janë përpara këtyne njerzve: do të shofim kuj prej nesh ka me ju dâshtë të sjellin shpindën…

    Por këtu nuk e vejmë pikën.

                                                        Dr. M. IVANAJ

    Menjëherë pas këtij shkrimi, redaksia e Hylli i Dritës boton në Ora e Maleve një përgjigje ndaj tij. Pasi citojnë për çfarë bëhet fjalë në shkrimin të cilit po i përgjigjen, fillimisht merren me autorin duke e quajtur nji Don Chisote i ri. Më pas tregojnë se si deputeti Nikollë Ivanaj, pak vite më parë, kishte firmosur një letër në të cilën, ndër të tjera, shkruhej për drejtorin e “Postës s’Shqypnis”, pra Atë Gjergj Fishtën se pat mprojtun me nji atdhesi të nxehtë e me nji mjeshtri të hyjnueshme të drejtat e komit shqyptar. Duke ballafaquar këto dy thënie, ngrenë pikëpyetjen se cili prej Ivanajve nuk ishte i sinqertë në atë që thoshte.

    Po në atë shkrim bëhet e ditur se si, në vitin 1918, qytetarët e Berati, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit i patën dërguar një pendë arit drejtorit të Postës si shenjë nderimi për veprën patriotike e njerëzore që po zhvillonte e përkohshmja e tij. Gjithashtu, aty thuhet edhe se, në nëntorin e po atij viti, kur gazeta u mbyll, disa të krishterë e mysliman i patën dërguar atë Fishtës një letër ku shkruhej:

    Ty, qi der më sot ke kenë shkëlximi i letresis s’onë me sa vepra të nalta qi ke botye: ty qi gjithmonë ke spikatë për dashtuni t’Atdheut, tue derdhë djerzë e mund për të, të nënshkruemit të sjellen tue Të lutun, qi mos me ndal në veprimin t’and, qi kahmot ke fillue per zhrivillim e perparim të komit t’onë, sidomos n’at veprim politik – letrar, qi per gati dy vjet rresh ke krye në FLETOREN E NDERSHME “Posta e Shqypnis”. Tue çmue mundin e Zotnis s’Ate, marrim lejen me t’u lutun, qi në ket kohë kaq kritike për komë t’onë të dashtun, të vijosh botimin e fletores sidomos nder kto dit, nder të cillat do të dajet fati i Atdheut t’onë.”

    Ndoc Çoba

    e 43 firma të tjera

    Më tej, shkrimi vijon:

    Kundruell ktyne dokymentave, sa pare bajnë artikujt e “Repiblikës”?… – Kta dkumenta djinden në Redakcjon të “Hyllit të Dritës”.

    Shifet kjartas pra […] asht z. Dr. M. Ivanaj qi nuk vlet të verteten. “Posta e Shqypnis”, prandej ka kenë nji fletore patriotike e njerzore…

    Ne nuk e kemi zanat me predikue vedin, por vetëm Fenë, Atheun e Kulturen; prandej kta dokumenta nuk i botuem për tjetër, veç pse, tue pa se z. Dr. M. Ivanaj po ishte, me gjasë, krejt i ri e axhami nder çashtje t’ona komtare, deshtem m’e çue me turi shi m’emen të themeluesit e të pronarit të fletores “Republika”; qi kshtu të msohet tash e brapa, mos m’e ndye opinjonin publik me dyshime të pathemelta ndaj vepres komtare të njanit a të tjetrit institucjon t’Atdheut t’onë.

    Sod nuk po i apim fjalës ma pertej, pse po na bjen në mend nji kshill, qi dikuer na vetë ja u kemi pas dhanë Shqyptarve, shka merr prej kufinit të Trjepshit e tektej, e qi tingllon kso dore:

    T’huejn me fjalë mos t’a poshtnoni;

    Buken para, por, t’ja shtroni,

    N’Shqyptari si asht kenë zakoni:

    Me i besue, mos i besoni!

    *

    Marash Ivanaj përgjigjet sërish, në numrin e radhës të Republikës duke ia bashkangjitur përgjigjes së tij, edhe një shkrim të Nikollë Ivanajt, përdorur nga hartuesit e “mbrojtjes së Fishtës”, pra redaksia e Hyllit si argument në mbrojtje të tezës së shtruar prej tyre. Nga sa rezulton sipas bibliografive, me aq u mbyll kjo polemikë.

    E sollëm në këtë trajtë, sot në 150 vjetorin e lindjes së Fishtës për të treguar, në një mënyrë jo fort të zakontë, një tjetër anë në spektrin e poledrisë së tij, atë të kryeredaktorit dhe drejtorit të një gazete. Në atë kohë, kur funksioni i shtypit ishte i një rëndësie të veçantë, drejtimi tyre merrte një tjetër peshë, shumë të rëndë e të rëndësishme në formimin e qytetarëve shqiptarë. Duke qenë se sot, kjo përmendet shumë pak, kryesisht veçse si element biografik, menduam ta trajtonim kështu, këtu.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË