More
    KreuEditorialXhevair Lleshi: Libri shqip përpëlitet dhe po jep shpirt…

    Xhevair Lleshi: Libri shqip përpëlitet dhe po jep shpirt…

    Statistikat për leximin? Qesharake. Autor dhe botues, shqetësime …

    Është shqetësuese,thua, leximi i librave? Është për të vënë duart në kokë! Një miku im më tha një pasdite teksa me fjalë i vinim rrotull botës: Libri shqip në fakt ka vdekur, por lëre ç’themi ne! Ec t’i bëjmë qejfin vetes e të mbajmë gjallë shpresat, e të themi: libri shqip përpëlitet sikur po jep shpirt. Thonë se s’ka lexues, por kjo nuk shkon, se ne nuk duam as një milion lexues dhe as njëqind mijë, sepse vetëm 0,1 për qind e popullsisë lexon dhe këta bëhen nja 2 deri 3 mijë vetë dhe kuptohet që 1/100 e kësaj shifre i bie të jetë për letërsinë artistike. Por deri në moshën 60 vjeç lexojnë dhe kryesisht rinia. Po ku i ke të rinjtë? Janë bërë firar. I ka kapur të ftohtët, që më fort e ndjejnë prej parave që u mungojnë. Pastaj, ajo e statistikave se 1 milion shqiptarë nuk lexokan (domethënë i bie që 1 milion tjetër lexokan!), tingëllon vërtet absurde. Këtu nuk lexohet, or mik, se librat janë mbyllur në të ashtuquajturat librari (edhe ato të mjerat me pikatore i marrin!), këtu kanë vdekur bibliotekat! Biblioteka s’ka. Edhe mund të ketë tek-tuk ndonjë po edhe ato nuk funksionojnë. Sepse tek ne nuk funksionon as kryebiblioteka, së cilës na detyrojnë t’i falim nga pesë libra. Kur them biblioteka do të thotë se të tilla duhet të ketë çdo qytet e çdo fshat, çdo lagje, spital, burg, shkollë, repart ushtarak apo qendër policie, madje çdo qelizë. Ooo, duhet të kem një grusht të fortë dhe t’i kisha shembur të gjitha! Të gjitha! Ka uri për libra dhe librat s’gjenden gjëkund. Kemi 61 bashki të reja dhe asnjë bibliotekë bashkiake për të qenë. Bibliotekë e vërtetë quhet ajo që ble me fonde shtetërore nga pesë libra të paktën. Më trego si bëhet kjo, të shkruaj diçka për të qenë. Ec në Libohovë (dhe të gjitha simotrat) dhe gjeje bibliotekën! Po edhe në Berat (dhe në sivëllezërit e tij) ku ka ndërtesë, brenda ka libra të kohëve të ndryshme por fare pak të rinj, botuar këta 30 vjet. Funksionimi pothuaj zero. Tmerr! Po ti pse vrapon kaq larg: eja në Tiranë dhe shih librat në bibliotekat e lagjeve (11 a 12 të tilla!) që po ringrihen me tam-tame dhe ku i ke? Një lagje e Tiranës është sa një Elbasan, sa një Berat, apo jo. E pse e kërkojmë të keqen kaq larg deri në Konispol e Has?

    Kështu, libri paska vdekur… ndërkohë flitet për fonde të krijimtarisë, të përkthimit…

    Fonde? Ato janë gjëra për të qeshur! Aq sa fonde kanë dhënë ata si qeveri për krijimtari e përkthime vetëm unë i kam falur në dhjetë fish e më tepër në bibliotekat e shkollave! Mendo se ku jemi! Por, e pohoj duke e thënë me zë të lartë këtë fakt. Jo, nuk them që bibliotekat janë me mure të leskëruar, me qyngje stufash që shkojnë gjer lart mbi tarracë ku bubullojnë thashethemet. Unë nuk them se në to vjen erë e qelbur nga ajri i ndotur, sepse, për shembull, biblioteka e Beratit është në mes të lulishtes dhe buzë lumit (i cili kur e kur i teket t’i mbysë librat – natyrisht po të gjejë libra!). Por unë them që nuk ka as biblioteka dhe as libra në to! Edhe po të ishin gjysmë lakuriq, do bënim si do bënim, por ama sytë e bibliotekës i zë parulla që kap katër faqet e murit. Brenda dhe jashtë. Fjalë të kuqe, të gjata, që nuk ngjërohen fare, të shohin me sy të ftohtë dhe bëjnë lëvizje të ngathëta. O Zot, kjo gjendje është e padurueshme! Se 61 bashki (Bashki dhe bashkiçka! Ne duhet të kishim 1 bashki dhe 60 komuna!) plus 11 në Tiranë bëjnë 72 dhe nga çdo titull ato duhej të merrnin nga 5 libra (një bibliotekë për lexuesit e saj merr të paktën 10 ekzemplarë për çdo titull !) dhe shumëzimet bëjini vetë. Po bibliotekat e tjera? Hm. Po. Tirana, vetëm Tirana duhej të kishte 200 – 300 biblioteka dhe salla leximi në qytet! Prandaj duke qenë se nuk e bëjnë dot e kanë gjetur më të thjeshtë t’i prozvalin, t’i lënë të vdesin, t’i poshtërojnë dhe nganjëherë në hënë të bërtasin duke na thënë fjalë koti si ajo shprehja se 1 milion shqiptarë që nuk lexojë! Çfarë poshtërimi! Tani vijnë e kërkojnë të vdekurit dhe gjoja duan që të ngjallen përsëri. A kanë b… ata t’u japin lekë bibliotekave të blejnë libra? Jo, s’kanë !…

    Publikime që më parë me të dhëna për bibliotekat tona… Mjerim! Përsëri asgjë nga fronti i librave…

    Më kujtohet një batutë e Kadri Roshit: Plake! Ke? Plaka mbante barkun me dorë nga të qeshurat. Pastaj kur e kuptoi që ai tallej, qau, sepse… S’kishte më libra! Dhe këtu mbyllet humori. Atë vezë që bënte diktatura komuniste me librat nuk e bëjnë dot as këta dhe asnjeri tjetër! Dhe është e thjeshtë: duhet vetëm pak vullnet dhe pak dashamirësi! Ato shifra ua kam dhënë të gjithëve. I kini! Jepuani përditë dhe bërtisni, kundërshtoni, kërkoni. Ajo është çështje jete a vdekje e gjuhës shqipe. Ajo, e mjera, nuk mbahet gjallë me fjalime e parulla, ajo do b… të mbahet gjallë, do dëshirë e vullnet që lekët e nevojshëm të kalojnë në favor të librit. E bën Kosova, e bën Mali i Zi, e bën Maqedonia, edhe Serbia po të doni. Kurse ne rrimë e shohim, madje duke tretur vështrimin larg. Kështu, sapo ka dalë një roman i Roland Gjozës (Baterflaj blu) për Migjenin e madh, i mrekullueshëm. Gjithë sharm. Art! Po ku do venë? Shkollat jo, bibliotekat jo, bibliotekat e universiteteve (apo kemi pak!), jo andej e jo këtej dhe vlera vdes! E tmerrshme! Njëlloj sikur ta flakësh në mes të rrugës. Po kështu edhe librat e romanet e Dashnor Kokonozit, Istref Haxhillarit, Bujar Balliut, libra vërtet me vlerë por që janë të destinuar të vdesin. Ende pa dalë në skenë e në dritë, ata përpëliten…

    Një tjetër problem është dhe fakti që Biblioteka Kombëtare ka kufizuar shërbimin e saj publik. Pas zjarrit të marsit një vit më parë, Biblioteka Kombëtare ka kufizuar shërbimin e saj publik në pikën e huazimit, që nënkupton huazimin e njësive bibliotekare jashtë ambienteve të saj. Kjo si ndikon sipas jush?

    Kam ëndërr një bibliotekë. Biblioteka mbretërore shqiptare që një herë desha ta zëvendësoja me epitetin presidenciale. Lëre Kombëtaren që djeg dhe ujit librat! E reja po. Biblioteka që them. Bibliotekë e komunitetit. Edhe me fonde të krijuara me fondacione financiare shqiptare nga emigrantët dhe këtu. Sigurisht me dashuri dhe energji të pamendueshme. Të paktën të tregohet një herë të vetme se ç’mund të bëjë njeriu kur zotëron ide të qartë dhe dëshirë të zjarrtë. Shteti e ka në dorë ta gjejë vendin dhe ta bëjë të mundur këtë hap të madh kulture. Jo, nuk arrijnë dot, ata dinë vetëm të jenë të dhunshëm. Dhe s’lëshojnë pe. Duken të denjë për dashuri dhe të pamëshirshëm për librin. Ama të kënaqin me broçkulla! Ç’flas dhe unë… Por ndërkohë dëgjoj: «Të hiqen fotografitë e At’ Gjergj Fishtës, poetit të madh.» Dhe shoh të lëvizin shtabe inekzistent vullnetarësh, si një lukuni ujqish që duan të gjithë të shqyejnë libra! Sepse librat janë kthyer në kërma… Sepse perandori Cin i Kinës, dikur, dha urdhër të digjen të gjithë librat, përveç librit të historisë që fliste për të! Dhe është po ai perandor që ndërtoi Murin e Madh kinez! Ju jeni të mençur dhe arrini ta bëni vetë krahasimin…

    Librat!… Çfarë emergjence qenka kjo?

    Ç’bëja unë, mik, më thoshte një pasionant i Bibliotekës Kombëtare, punën e pastër të një lexuesi, sepse tani librat s’mund të merren me vete, por duhen lexuar aty. Do që të torturohesh? Shko në bibliotekë dhe lexo aty. Lëri punët e tjera, personazhet e rëndësishëm, që ky sistem i ri nuk i do dhe tenton t’i damkosë me vulë tradhtie. E pse duhet kërkuar se çfarë është emergjente? Çfarë do më tepër? Teatri Kombëtar u shkatërrua, Biblioteka Kombëtare po shkatërrohet, Stadiumi Qemal Stafa,  Galeria e Arteve … Libri është lënë në vdekje të lirë, të ngadalshme… Mjaft të vijë ai, që është ditë natë zot i ekranit dhe i fjalës, ku herë i bie kazanit dhe herë zurnasë dhe sogjeton gabimet e opozitës dhe kujtdo tjetër… Dhe ti më thua Biblioteka Kombëtare. Pallavra! E pashë Librin teksa iu ul në gjunjë atij dhe iu përgjërua duke iu lutur, madje po i thoshte se i dhembte zemra, duke i kërkuar ta linte të jetonte ditët e fundit… me të… që vinte thjesht si një ngushëllim për vete e për ne. Sigurisht kush ka shpirt pikëllohet për gjuhën tonë të bukur!

    Panaire libri. Botues. Librari. Shkrimtarë. Përkthyes…

    Libra të rinj? Po, do të ketë! I shoh tek hyjnë me turfullimë, me një përroskë kënge në buzë, që hapin dyer e dritare me zhurmë, që herë-herë i përplasin ato, si për të dhënë një kumt të madh, ndërsa gjithçka përreth e shkretuar, por ende gjallë nën strehën e madhe të shpresës. Libra të rinj të Zolasë, të Balzakut, Fransit, Nemirowskit, Bovë, Gotjesë etj., për t’i pirë në kupë. Por ndërkohë kurva shtet qesh me të madhe. Gajaset. Del krejt lakuriq duke thirrur e buluritur për pará. Kaq. Dhe pastaj s’resht duke thënë fjalë të dala boje. Teneqe. Do t’i heqë vijë, si gjithnjë, librave. Se paratë i duheshin kuçedrës PPP me shtatë kokë! Ndërsa shkrimtarët shqiptarë enden të neveritur me brekë nëpër këmbë. Një skenë që sigurisht të rrëqeth. Po paratë për librat ku janë? Hë gjeji edhe ti, ku? S’mori kush gjë, sepse Libri qan e përpëlitet në agoni. Duhet të kesh durim të madh e sedër të vogëlth ta bësh sehir këtë skenë…

    Fjalë imzot, fjalë! Pa fund. Libra dhe botime. Ndryshime dhe kërkesa. Institucione…

    Asgjë! As që e prisja! Ata, si zakonisht do të shtroheshin të hanin me babëzi në tryezën e madhe PPP. Institucionet tona janë të vdekura të pakallura! S’janë për t’u zënë më në gojë. Ato e shohin dhe për ironi e fshijnë një pikë lot te cepi i syve të Librit. Ç’burra! Të mbaruar! Kushdo mund t’ia shohë klavikulat Librit, sidomos kur mbllaçitet (sepse për belá i japin edhe për të ngrënë – pak supë si asistencë sociale. Shoga e Librit digjet në shpuzë të dendur dhe i shuhet në finjë te pjesa e sipërme e kokës, kurrizi i Librit është gërmuqur, rrudhat janë shtuar së tepërmi, dëshpërimi i përvijohet në vijat e deformuara të trupit që po vdes. Ç’fatkeqësi të shikosh Librin që s’është më për asgjë. Dhe shteti mëkaton me të, si gjithnjë entuziast se… natyrisht s’di ç’e pret! Mos e vrit mendjen, i dashur, i belbëzoj Librit, kjo jetë kështu është. Bëj ç’të mundesh, që të marrësh frymë. Ne jemi të lumtur që marrim frymë dhe shohim e ndjejmë ende bashkë me ty. Le të shpresojmë. Shpresa vdes e fundit. Fundja të shijojmë këtë që na ka rënë për pjesë se s’kemi ç’kërkojmë më dhe s’mund të kërkojmë gjë prej gjëje. Vura re se dikush kërkonte të gjente një ilaç për të harruar. Edhe ne do të kemi kujtime, shumë të bukura, një pjesë, madje, na mbushin me një pendim të egër, se natyra na ka dhënë me të dyja duart optimizmin. Prandaj shpresoj! Dhe mbase vetëm kështu do të shpëtosh edhe ti Libër i dashur, ndoshta në çastin e fundit. Dhe dihet se si, por ata nuk duan. Për turp ta kenë të gjithë ata që vetëdijshëm po e vdesin Librin Shqip…

    Ec, pa merak, po vjen 2022! Harro sa të mundesh më shumë!…

    2022? Pse? Ah, pse ka tre dysha! Jo, ashtu do të qe më bukur me katër dysha dhe deri aq larg nuk përfytyrojmë dot! Por, megjithatë kemi të drejtë të ëndërrojmë! Po, po, mesa duket sheh ëndrra me sy hapur teksa pret të bien kocka nga qielli. Apo edhe libra! Punë e madhe! Po pse 2022? Sepse thonë që Tirana (d.m.th Shqipëria!) do jetë kryeqytet evropian i rinisë (libri do s’do është aty!) dhe ke për ta parë kryeqytetin tonë me 200-300 biblioteka! S’ka rëndësi se ku. Sepse ka dalë një vendim! Vendim? (Të kanë bërë sytë!) Që do t’i hajë edhe qeni i kallajxhiut librat, apo jo! S’ta mbush syrin as kjo? Vetëm pak përkushtim është dashur, pak kujdesi, ca thërrime nga thesi i buxhetit për t’i dhënë madhështinë librit mëmë-dhembjes, siç e quajnë vendin e lindjes, fundja edhe duke kërkuar pa fyer kënd qëtë flijojë diçka për Të, duke e kuptuar mirë shkakun, por ama edhe jo ta duash ashtu në tym, kot, as se të bëhesh arlekin i Pallatit, as të fshihesh vrimave dhe birucave mbytëse, por të jetosh me dinjitet realitetin ku je, ku tre të katërtat e vendit e zë një mjerim i madh, i vjetër, i pashembullt, përplot dhembje, gjithmonë prishës e shkatërrues. Dhe duhma që lëshon kjo dehje mashtruese (ndoshta prej kanabisit!) është e një lloji të veçantë, ku edhe një hundë jo e hollë mund të dallojë pamundësinë për të qenë mizerje e vërtetë, sepse mundësitë janë aty, flenë bashkë me familjet shqiptare paçka se përfundojnë në kanalet e ujërave të zeza bashkë edhe me aromat tejet ngacmuese dhe gulçuese të jetës…

    Jo, qenka e pamundur t’i shpëtosh mallkimit të librit në këtë vendin tonë që shahet e mallkohet nga të gjithë, ku dihet mirë se fshihet margaritari, eliksiri i rinisë, që megjithatë të bën që të ndjesh një freski të brendshme e të vetvetishme që s’e gjen dot askund. 2022 do jetë në çdo faqe të jetës sonë të përditshme, ku pyetet dhe gjen një përgjigje se ç’ishte kjo pandehmë prej këtij parfumi të fshehtë dhe burimor, që ndihet kudo aty rrotull, si një magji e çuditshme që ndez vetvetiu jetën bashkë me një molisje të ëmbël ndjellëse që libër-dhembja s’e realizoi dot kurrë! Po le të presim. Ku i dihet?…

    Dhe libri si mëmë-dhembja, pyesin pse po qajnë kaq shumë dhe dëgjojnë t’u përgjigjen se kush nuk ngashëren për to dhe për djemtë e vashat që i paskan përpirë rrugët e botës… Kuje e zezë!

    Tiranë, 10.09.2021

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË