More
    KreuLetërsiBibliotekëTregime nga Esmeralda Shpata

    Tregime nga Esmeralda Shpata

    GRAFIT

    Në mes të pallateve pa leje është bërë një ndërtim me leje, ai që ndan absurditetin e sotëm me parimet e më të moshuarëve të djeshëm. Në rrëzë të murit ka ende tulla të pavendosura dhe materiale të ndryshme, të cilat dëshmojnë se është në proces të vazhdueshëm ndërtimi i mureve ndarës.

    Mëngjesin e parë, kur agimi do të derdhë të bardhën e tij të saponxjerrë nga nata, muri do të jetë kthyer në një masë formash e lëndësh të derdhura nga shpirta të ndryshëm.

    Dy njerëz të panjohur do të mbushin gjysmat e njëri-tjetrit. Në natën e errët ku qyteti fle për të ëndërruar ditën, si të gjitha të ikurat, pa asnjë të re, do të ketë ngjarje. Dy të rinj, do t’i kenë zbrazur venat dhe kovat me bojë e, mbi pastelin e ëmbël të murit do të kenë lënë thelbet e dy shpirtrave të këtij qyteti pa dyer. Në mur do të marrin jetë shkarravinat dhe format e skajshme të një arti abstrakt.


    Mun quhet, Mun (Moon).

    Në kohën kur nata i vuri akrepat pranë njëri-tjetrit, vajza ngjyen furçën dhe zbrazëtinë e vetes me bojë, e mbledhur nga frika merr frymë më shumë me lëkurë. Mun nuk ka mbërritur kurrë në botë.

    Lënda dhe mendimi saj nuk mund të përbëjnë dot një ide të qartë. Gjërat e vogla që ka vetja te vetja, kthehen në lëndë boje dhe forme të çuditshme skajesh. Ajo prek murin dhe lë mbi të shenjën e dorës së pamësuar me figura.

    Vinsent pret vajzën…

    Vinsent ka humbur shpirtin në udhëtime të errëta. Drita dhe qëllimet e pangjasueshme me asnjë frymë njerëzore, përbëjnë kumte të rrafshëta dhe të frikshme.

    Ai pret netëve të ftohta Hënën, mat me sy përmasat e mureve dhe, mbi to lëshon veten.

    Në atë errësirë, dy shpirtra me kova dhe furça nëpër duar, me detaje të cilat ndryshojnë sipas këndit, shkruajnë vetet e tyre. Për një çast Mun mban frymën, fillon ta ndiej ngadalë një prani të huaj, e cila mbi format shpirtërore të saj shkruan mllefin e turmës pa art.

    Silueta e tij. Drita e Hënës shërben për të parë lëvizjet e Vinsent, ajo prani e bën Mun të arrijë ekstazën e të zotëruarit veten mbi penelin e lagur nga boja.

    Vinsent hyn në atë ëmbëlsi dhe ton miqësor të artit të saj. Ai vetë shkruan shprehje vulgare, të cilat i kanë rrënjët mu thellë shpirtit, aty ku boja nuk ka ç’të lyej.

    Secili vjen nga dramat e veta.

    Ajo ka pritur me përvuajtje shfaqjen e nje muri të paracaktuar, një kove, një furçe dhe një ideje.

    Brendia lëviz në ngjyrat dhe format e fjalëve dhe mes figurave abstrakte. Finesa me të cilën lëviz ndjenja e çon te mendimi që merr formë nga boja. Mun zbulon dobësinë e mashkullit, i cili do të thotë natyrisht atë që nuhat, përvijimin primitiv të qenies.

    Ai kishte lindur një natë dimri, pa hënë, kur kishte rënë miti. Prindërit nuk e kuptonin dot. Po të mos ishte një Vinsent, bota nuk do të ndryshonte asgjë.

    Në ndryshim nga Vinsent, Mun është vajza e përfytyrimeve. Ajo i qepet murit dhe mbi të lë brendinë e vet, pa e menduar se më e mira e saj do shfaqet mbi këtë mur të brendashkruar nga fjalët e pista, të cilat Vinsent i ka mbledhur që në qumësht në lagjet e varfëra të këtij qyteti të shkëlqyeshëm në dukje.

    Kjo pamje nën Hënë, gati përbën një histori natyrore, ku shqyrtohen fatet e instikteve dhe njohjeve të shkulura nga rrethana të mbrapshta, veçse, do theksuar fakti se mjedisi lëviz për të plotësuar hartën e të qenit, e cila i detyron dy të rinjtë të ngjyejnë vetet brenda njëri-tjetrit dhe brenda një muri.


    E çmendur

    E çmendur, e mbyllën në kangjella të hekurta dhe i vunë një muzikë çmeritëse, Sia-Elastic Heart.

    Ajo i bëri rrobat masë nën këmbë dhe filloi të lëvizte duke iu hakërryer tingujve dhe melodisë së krijuar me ritëm.

    Kërcimi mori formë nga lëvizjet e lakuriqta si trupi, qelia u kthye në pistë dhe bluzat e bardha në spektatorë të zgjedhur.

    Tri metra katror ishte skena, ajo tek e cila përmbajtja esenciale e qenies së ndërtuar jo nga bota dhe rregulli, doli zhveshur dhe shpërtheu në mijëra lëvizje histerie.

    Vajza nuk qante, ulërinte, kërcente dhe mbytej në spazma të qeshurash, ishte e lumtur që muzika ia dha territorin e saj të lirë dhe pa rregulla.

    Jashtë, kishte investuar një jetë të tërë në organizimin përmbajtësor të vetes.

    E kishte hequr si membranë çdo gjë që ia kishin dhënë të tjerët, motoja e saj ishte të shfaqej në atë që ajo donte të ishte.

    E donte muzikën, ia ndiente tingëllimën notës që pa dalë, sapo e kapte në ajër diçka së brendshmi i kriste, trupi i përgjigjej asaj melodie si i çmendur, lëvizte çdo muskul e ind dhe pantomima e krijuar e mahniste botën.

    E tmerronte botën.

    Të gjithë njerëzit, ata që e ndoqën atë kërcim në rrugë, u mbyllën në skutat e tyre dhe provuan. Provuan në vuajtje lëvizjet, kërkuan në lypje muzikën, u djersitën me hedhje amatore në shëmti, por trupi tyre nuk bindej, as shpirti, as mendja.

    U enjtën së qari në skuta dhe u skërmitën nga tërbimi, dështimi i bëri turmë dhe drejtuan gishtin drejt saj.

    Ajo u gjend në kërcimin e ri, në skenën e re, me spektatorë të rinj e të specializuar.

    Ata e dinin shumë mirë, e kishin studiuar shpirtin e mendjen njerëzore. E dinin, se çdonjëri që merrte vetë përsipër esencën e qenies së tij, bota e quante të çmendur dhe i jepte shtëpi të re me kangjella.

    p.s. Nuk ka lidhje me politikat dhe Odin Mondvalsen, me esencën, ekzistencën dhe qenien mbase.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË