More
    KreuIntervistaTIMO FLLOKO: Pengu im: kinemaja u shua në moshën e pjekurisë profesionale...

    TIMO FLLOKO: Pengu im: kinemaja u shua në moshën e pjekurisë profesionale më të epërt, atëhere kur priten veprat e mëdha

    Intervistoi LIRIDON MULAJ

    Prej disa vitesh keni zgjedhur letërsinë si strehën tuaj. Së fundmi, lexuesi ka në dorë  përmbledhjen tuaj me poezi “Trup e shpirt” nga botimet Onufri. A është kjo një notë proteste ndaj artit skenik dhe  kinematografisë  e cila  noton ende në ujëra të vakëta apo një stad i nevojshëm,  një përkushtim dhe konsolidim i letërsisë suaj, së cilës keni vendosur t’i dedikoheni në vazhdimësi duke e mbivendosur në krye të angazhimeve tuaja?

    Sigurisht nuk është protestë, edhe pse misioni i artit është ta përsosë botën dhe një nga mjetet është edhe protesta. “Trup e shpirt” është një përzgjedhje e dy librave të mi të mëparshëm ku janë përpunuar thuajse nëntëdhjetë përqind e poezive, si dhe poemat që janë në të, të cilat unë i çmoj. Sigurisht ka dhe poezi të reja. Poezia për mua është një art sa i thellë, koncentrik, aq dhe përfaqësues dhe përgjithësues, pra thelbi i artit; poezinë pra e kam siç ju e keni cilësuar në mënyrë metaforike një strehë, mënyrë për ta mbushur jetën, për ta pasuruar, për ti dhënë profesionit tim primar, atij të aktorit frymëzimin, nuancat , ato ngjyra që poezia i ka të fuqishme. Pse jo dhe konsizitetin, thellësinë, shtrirjen dhe hapësirën.

    -Keni lindur në Pejë, jeni rritur në Vlorë dhe jeni formuar në Tiranë. Nga skaji në skaj dhe më pas në qendër. Bërthama juaj antropologjike është e formuar me lëndë dhe elementë të trevave të ndryshme shqiptare. Pra një kulture, një karakter dhe bindje të ngjizura  për shkak të këtyre zhvendosjeve të herë pas hershme në etapa vendimtare të jetës suaj. A është kjo zanafilla e një universialiteti në profilin tuaj artistik? Si kanë ndikuar këto zhvendosje në formimin tuaj?

    Këto tre qytete kanë kushtëzuar natyrën time si njeri e si artist dhe pa dyshim që kanë ndikuar. Linda në një klimë kontinentale. Në Pejë bie shumë dëborë. Në Vlorë kalova fëmijërinë, pranë detit, shijova të gjitha aromat bukuritë e tij, thellësinë, kaltërsinë, mbrëmjet me yje, gjithçka të bukur, që më ka frymëzuar më vonë për motivet e mia. Në Tiranë studiova dhe u formova si artist, në kuptimin profesional. Gjyshi dhe babai kanë qenë nga Gjirokastra. Unë edhe pse nuk kam jetuar asnjë ditë si banor i atjeshëm, veçse në mënyrë artistike, apo ëndërrore, duke luajtur disa role përfshi këtu dhe atë të Çerçiz Topullit. Gjirokastra është një qytet ndër më të bukurit e trevave shqiptare. Nga koha në kohë njeriu përfton përvoja emocionale nga më të ndryshmet dhe çfarë mbetet është ajo çfarë kujtesa e ruan me fanatizëm. Në jetën time, ka mbetur gjeografia e Pejës. Pas viteve ’90 kam shkuar atje disa herë dhe kam përjetuar emocionet e hershme të atyre viteve, pra për aq sa jetova deri në moshën tetë vjeçare, dhe më kanë mbetur gjithë ato kujtime, që njeriu i përfton në fëmijëri dhe nuk i harron kurrë. Në Vlorë siç e fola më lart, kurse Tirana pastaj i zgjeroi hapësirat. Qyteti i katërt ku kam jetuar gjatë është Los Angelesi, ku u vendosëm në vitin ’97 deri në vitin 2004; atje sot jeton ime bije, Linda me familjen e saj, qytet të cilin e vizitoj shpesh. Edhe Los Angelesi ndikoi, në një sens, sepse për artistin gjithmonë vlejnë lëvizjet e mëdha, ridimensionimet. Kam shkruar për Pejën një poezi në librin tim të parë, kam shkruar për Vlorën por në poemat e mija unë shkruaj për Parisin ku kam jetuar në kohë të ndryshme, dhe siç duket këto largësi më janë imponuar në një sens. Do doja të kisha shkruar një poemë për Tiranën a për Pejën por ja që nuk ka ndodhur. Ndonjëherë gjërat kanë fatin e vet, ndodhin ose nuk ndodhin.

    -Jeni amalgamë  e madhështisë me modestinë. E para e formësuar nga Timo artist, dhe e dyta nga Timo njeri dhe karakter. Si ja keni dalë t’i ndërlidhni bashkë dhe t’i përshfaqni në mënyrë strikte në momente të caktuara këto dy cilësi të rralla tek një personalitet i përmasave tuaja?

    Nuk di ta dalloj këtë gjë, ndoshta kjo është një veti thjesht personale. Sigurisht e kam prirjen vetjake t’i respektoj të tjerët dhe të jem reflektiv ndaj punës që bëj. Mbase kjo është një arsye që më mban në fre, që të mos ndihem delir, gjë që e them tek “Rob i manive” ku e vendos veten midis dy skajeve, ndjesisë së madhështisë e thënë në thonjëza dhe asaj të inferioritetit sepse artisti ka up-set dhe down-set, pra ngritje dhe ulje. Asnjë artist sado i madh, sado narcizist të jetë, sado egocentrist në momentet kur është me veten i di avantazhet dhe disavantazhet e veta. Ndonjëherë mungesa e modestisë është formë e inferioritetit dhe unë në një farë mënyrë i jam kundërvënë këtij lloj inferioriteti, duke e parë në mënyrë racionale. Kam njohur shumë artistë të mëdhenj, aktorë të mëdhenj, dhe jo rrallë herë jam befasuar me modestinë dhe thjeshtësinë e tyre. E keqja siç duket qëndroka tek ndjesia e vogëlsisë. Nuk e quaj si virtyt tek unë aspak, por si diçka krejt normale. Kurse për artin na gjykojnë të tjerët pavarësisht asaj se çfarë mendojmë ne për veten tonë. 

    -Keni frymëzuar breza të shumtë artistësh drejtpërdrejtë me artin tuaj e gjithashtu keni formuar në mënyre akademike breza të shumtë studentësh  Jeni ndër aktorët më të mëdhenj që ka pasur dhe ka ky vend dhe përtej kësaj në kompleks jeni një figurë  që publiku e sheh rrallë në televizion apo mediume të tjera. Në një kohe kur kultura , arti dhe kryesisht media kanë më së shumti nevojë për figura si ju, keni zgjedhur daljet e pakta. Është një tërheqje me vetëdije si formë mos-përfshirje apo mendon se ndikimi i artistit  varet nga ajo çfarë  transmeton dhe shpërndan, nëpërmjet veprës dhe mesazheve të saj dhe jo në daljet dhe ligjërimet e drejtpërdrejta?

    Mendoj se një artist e ka për obligim të shprehet në momente të caktuara, në jetën shoqërore dhe lëvizjet, ndryshimet dhe krizat që mund të pësojë shoqëria, sepse artisti është një person publik, një model në sytë e njerëzve dhe ka impaktin e vet në shoqëri. Në rastin tim jo se u shmangem daljeve në ekran por kanalet televizive janë aq të shumtë sa humb edhe sensi i daljes shpesh në këto programe. Shkruaj në shtyp e shfaqem në televizion me raste, kur kam një arsye për tu shprehur siç ka ndodhur, për sa më takon të shprehem si artist, misioni i parë i të cilit është arti, roli në rastin tim si aktor dhe, më pas ai civil sigurisht. Në çdo rast kur e kam menduar të arsyeshme të dal në televizion, kam dalë si në për premierat e teatrit, të filmit, qoftë dhe kjo intervistë që po bëjmë bashkë ka si objekt librin, si arsye për të dale dhe jo për të mbushur hapësirën në ekranet e televizioneve. Edhe gazetarët që kërkojnë intervista, falë simpatisë që kanë ata për figurën e artistit, më vjen keq kur i lëndoj ndonjëherë duke u thënë që nuk do ta bëjmë intervistën ose do ta shtyjmë për një herë tjetër. Edhe unë e kam të vështirë t’ua kthej fjalën por detyrohem dhe ata më mirëkuptojnë. Sa i përket brezave, artisti është frymëzues, siç kam unë që në fillesën time, që kur ëndërrova dhe mendova të bëhesha aktor. Unë nuk kisha ndonjë besim kushedi se mund të bëhesha aktor por ndonjëherë ndodhin rastësitë, pse jo mrekullitë, që kthehen në “destin” në jetën e njeriut, si pranimi im në shkollën e aktrimit. Kam kërkuar letërsi por nuk me doli, e kam dashur shumë letërsinë, e kam adhuruar madje. Kam lexuar shumë libra; në fëmijëri shkruaja poezi dhe periudhën e plazhit në Vlorë, kohën me shokët dhe detin e ndaja me të shkruarit dhe kjo më jepte frymëzim dhe kënaqësi. Mendoj se ishte mirë që s’më doli për letërsi sepse do të kisha qenë një mësues gjuhe ose një autor i niveleve mesatare e thënë kjo jashtë modestisë. Gjykoj se jo se më mungon aftësia për të vështruar në emocionet njerëzore por këtu hyn dhe arti i aktorit, ku ndihem më mirë. Mbase kjo është arsyeja pse poezitë e mia konkretizohen në imazhe, figura sa herë të perceptueshme dhe pse jo të rëndomta, por jo hermetike. S’e kam për zemër poezinë që ia kalon shfaqjes në sy më shumë se ajsbergu, që shumë më tepër fshihet se ç’duhet. Një zhytje e skajshme e mbyt poezinë. Te Kadareja poezia ka transparencë të jashtëzakonshme.

    – Në periudhën post komuniste, arti rendi drejt subjekteve dhe tematikave të komunizmit por tashmë parë dhe gjykuar nga një sfond disident. Në këtë mori veprash letrare, skenike dhe figurative të cilat disi e tejkaluan hapësirën e vlefshme që i rezervohet një gjykimi të shëndoshë dhe objektiv të asaj periudhe të errët, ka një portret dhe një sfond të paharruar për publikun;  Agroni, i cili pas rënies së sistemit, i sapodalë nga një burg politik, takon persekutorin e tij dhe nëpërmjet  lojës brilante  aktoriale, na jep krejt panoramën e një metamorfoze  makabre të marrëdhënieve  të post sistemit. Fjala është për rolin emblematik te filmi “Vdekja e kalit” me regji të Saimir Kumbaros.  Për publikun, është pika kulmore e një aktori shqiptar por dihet se jo gjithmonë aktori dhe publiku kanë të njëjtën qasje.  Po për Timon çfarë përfaqëson ai rol dhe ai mesazh qe dha ai  film, parë nga gjykimi yt i brendshëm?

    Vdekja e kalit bëri histori si filmi i parë në periudhën postkomuniste dhe filmi i parë antikomunist. Skenari i shkruar nga Nexhati Tafa, ishte interesant, dramatik. Regjisori Saimir Kumbaro më thotë, shiko, është një rol që do të pëlqejë, e di sa të shkon Timo. I them që do ta lexoj dhe vetëm pasi mbarova leximin i thashë vetes, uroj që Saimiri mos të ndërrojë mendje dhe t’ia japë dikujt tjetër këtë rol. Gjatë bisedës më pas ku i shpreha përshtypjet për skenarin dhe u vendos që rolin do e luaja unë, erdhi Niko Kanxheri dhe u bëmë një ekip shumë i mirë. Më pas dhe Fitim Makashi, Rajmonda Bulku që i dhanë një dimension të madh këtij filmi. Filmit kurrë nuk i dihet. Filmi është një enigmë. Kur kemi bërë Lulëkuqet mbi mure me Agim Qirjaqin kemi thënë, ç’është ky film për fëmijë, dhe nuk e dinim fundin. Ndonjëherë nisesh për diçka të madhe dhe nuk del në nivelin artistik që janë pritshmëritë. Ndërsa Vdekja e kalit u kthye në një sukses imediat gjë që më ka ndodhur në pak raste, si dhe te shfaqja “Pamje nga ura” në teatër. Rëndësi të dorës së parë ka skenari. Kur e pyetën Hitchcook-un se cili është komponenti kryesor në një film, ai tha skenari. Po pastaj i thanë? Skenari. Po pastaj? Sërish skenari tha. Ai ishte gjeni i kinemasë sepse roli behët kur ka skenar të mirë, kur ka dramacitet. Mendoni ti heqim Agronit momentet në burg apo ti heqësh finalen, pra këto janë momentet më dramatike, me peshë emocionale në film, që e lartësojnë lojën aktoriale dhe e anasjelltas. Pa recitimin e mësuesit të vargjeve të Nolit, te filmi Lulëkuqet mbi mure, pra nuk mbetet asgjë. Aktorët shqiptarë ndihen në pozitë të vështirë krijuese me role të dobët në skenar, imagjinoni se sa mundësi dramaturgjike u krijohen aktorëve të mëdhenj në botë, si De Niro, Al Paçino, etj., në rolet e tyre me situata e ndodhi të jashtëzakonshme… Mua, (si dhe kolegëve të mi), më ka ndodhur që në role ku mund të jem munduar e investuar sa s’ka nuk e kam pasur suksesin e atyre roleve ku dramaturgjia më ka favorizuar. Agronin, sigurisht, e pëlqeva, drama e tij ishte ajo që duhej dhe në një sens ishte një homazh për të gjithë ato njerëz që vuajtën dhe u sakatuan nëpër burgjet e diktaturës komuniste. Drama e Agronit ishte në një kuptim drama e shumë shqiptarëve, një fatalitet masiv. Nëse nuk e kishe të dënuarin në familje e hasje të komshiu, në mos aty e kishe në shkallë, në lagje a diku më tej, veç faktit se të gjithë shqiptarët nën diktaturë jetonin një izolim të skajshëm e privim të lirisë, si dënim kolektiv. Ky realitet dhe ky dramaticizëm kushtëzoi suksesin e këtij filmi dhe të rolit të Agronit si personazh. Vdekja e kalit mund të mos jetë një film i përkryer nga ana teknike, por nga ana emocionale është tronditës në çdo dimension. Në rastet kur kemi shkuar me regjisorin në festival edhe jashtë, njerëzit e kanë ndjerë këtë lloj emocioni dhe dilnin nga kinemaja të tronditur.

    -Staturë serioze. E qeshur me zemër dhe ndryshime të befta mimike. Mandej portret i zymtë, ecje e ngadaltë, por biseda të vrullshme dhe zë kumbues. Po rrekem të bëj një analizë antropologjike të figurës suaj dhe më rezulton në tërësi një figure fisnike, një njeri i përulur dhe një artist i madh. Ky është Timo në lupën e një admiruesi, pra Timo që njohim në publik. Pyetja që pason është: Kush është Timo në errësirën e studios ku shkruan? A ka shndërrime të forta të qenies (shndërrime të brendshme sigurisht) apo nuk ekziston në juve metamorfoza e artistit në çaste vetmie krijuese dhe artistit në publik?

    Po e nis me profesionin tim. Arti i aktorit është arti i transformimit, ndërkohë po e lidh me pyetjen e pare, që më bërë për natyrën time të ndryshme. Aktori nuk luan veten por karakterin e personazhit, dhe unë e kam për detyrë të ndryshoj nga njëri rol në tjetrin jo për efekt kapriçioje por për shkak të përmbajtjes së tyre, transformohem në një person që s’është vetja. Transformimi është artistik, një konvencion pra nuk mund të ndodhë kurrë që ti të transformohesh në rol dhe të harrosh se kush je në të vërtetë përndryshe arti do të kthehej në patologji. Edhe në dramat më të mëdha qoftë në teatër qoftë në film, krijimi artistik mbetet i tillë, një shkrirje artistike jo patologjike me rolin. Siç thotë |Aristoteli, arti është imitim. Ndërsa në procesin e punës me poezinë, gjërat lëvizin dhe besoj se asnjë gjë s’mund të jetë një frymëzim motamo marrë nga realiteti kur ti Liridon je vetë shkrimtar poet, krijues, tregimtar dhe e kupton këtë proces. Merr ngacmime nga një realitet, figurë, fjali, shprehje, nga një fenomen apo një përjetim i caktuar që të çon tek ngjizja e një ideje për ta krijuar si poezi, një mesazh filozofik dhe emocional në vargje. Një poezi mund të jetë katër vargje por duhet të përcjellë një varg-ide pa të cilin nuk do të shkruhej poezia, siç lexova së fundi në librin me poezi “Prilli hidhur”, “Dy Zogj”, të Bardhyl Londos:

    “Dy zogj ndjekin njëri-tjetrin në qiellin e përvëluar nga etja.

    Njëri është jeta, tjetri është vdekja…”

    Poezia nuk kërkon mundin e prozës, që është një mund i madh. Poezia si proces është më pak e mundimshme dhe pse jo më e lehtë për të qenë e arrirë. Të vjen një varg e shkruan, pastaj i shton një tjetër pra është më “kapriçioze”, pa shumë e shumë faqe si romani, koncentrike. Veçse, në qoftë se je i zoti ta krijosh e kryen, se mund të rrish me vite dhe të mos mundesh ngase lypset talent, sigurisht. E adhuroj poezinë, dhe pse e them shpesh që nuk jam poet por adhurues i poezisë, jo për mungesë modestie apo se për atë që botoj nuk jam pretencioz dhe pse vetë pandeh se ky libër që sapo kam botuar, në mos i gjithi, të paktën 50 përqind a ca më pak ia vlen besoj, se s’mund të kapen aq lehtë majat.  Momenti im privat është një moment hulumtues, frymëzues.

    -Disa nga njerëzit që ju kanë njohur, janë shprehur se larg Timos aktor, njohim një filozof dhe një poet thellësisht mendimtar. A keni menduar ta bashkoni artin e fjalës me atë skenik në një produkt 100 përqind tuajin?

    Më llaston fakti që më shohin si filozof (!), dhe pse nuk e kam menduar këtë gjë. Poezia është një art që përcjell mendime të thella, metafora, simbole, maksima të cilat ndonjëherë mbeten për gjithë jetën në mendjen e lexuesit. Synoj të vështroj në thellësi, kur atje më çon frymëzimi dhe i ndjell a më shfaqen figurat dhe mendimet. Tërhiqem pas esenciales, që ka një arsye për t’u trajtuar, kur ka një dramë, kontraste dhe, ndoshta, shfaqja e kontrasteve u jep dhe thellësinë atyre që unë shkruaj. E kam dashur poezinë, e kam recituar. Më pëlqejnë poetët si Majakovski. Poema të tilla si “Re me pantollona” , “Flauti i shtyllës kurrizore”, të cilat janë dëshmi të një arti të madh, çdo kohë e kanë fuqinë e tyre. Sigurisht jam ndikuar dhe nga leximi i poetëve të mëdhenj që nga Whitman-i, Neruda, Ricosi, Seferis e deri tek Kadareja e Agolli. Jetojmë në një botë informacioni të rrufeshëm. Edhe pse për fat të keq sot lexohet më pak, dhe nëse nuk shkon i riu te libri, atij i ofrohet mundësia që me një klikim në Google të gjejë Letrën e Tatjanës drejtuar Onjeginit, të Pushkinit. Apo një poezi të përkorë si “Kristal” të Kadaresë, e cila është e brishtë e si një kristal për dashurinë në vetvete. Sot është dinamizuar çdo gjë dhe ke mundësinë të lexosh dhe të kërkosh.  Përsa i përket idesë për një produkt timin kohët e fundit realizuam një koncert poetik me Ndriçim Xhepën dhe Eva Alikajn. Shkoi mjaft mirë. Kam menduar që një pjesë të poezive të mija ti recitoj. Nuk kam dashur deri tani se janë të mijat dhe ngre krye ajo sindroma e modestisë. Por një ditë do të dal me një program poezish të mijat siç e kam bërë Majin e shkuar te E diela shqiptare, te Ardit Gjebrea ku recitova një pjesë të poezive të mija dhe teksteve që kam shkruar. Aty recitova dhe poezinë për Covid-19 “Në emër të jetës” që është përfshirë në këtë libër. Ndërsa për skenar nuk kam menduar dhe pse mund të shkruaj nga përvoja e filmit prozë. Si profesor i aktrimit për shumë vite e njoh dramaturgjinë. Kam përkthyer drama dhe biografi. Por, nuk e di pse mbase kam mbetur “fanatik” në një sens, duke menduar se si aktor më tërheq servirja e “pjatës” më të përzgjedhur nga skenaristi profesionist. Nuk ka ndodhur të shkruaj skenar. Mbase është vonë të shkruaj një skenar, mbase jo, kurrë s’duhet thënë kurrë.

    Në poezitë tuaja vërehet një raport i ndërlikuar me jetën e përtejme dhe portën e kalimit nëpërmjet vdekjes. Hera herës ngjan sikur kërkoni të bindni dikë se ka jetë përtej dhe here- herë jepni imazhin e  njeriut të pasigurt ku përtej bindjes së të tjerëve,  kërkon të bindë veten, t’ia heqë frikët vetes. Cili është këndvështrimi juaj mbi këtë raport jetë- vdekje dhe cili është definicioni juaj për këtë proces? A i trembeni formës me të cilën vdekja vjen  apo thjesht e perceptoni si kapërcim në një tjetër dimension?

    Jam i pasigurt për veten. Ky është një mister që jo unë po askush nuk e ka zgjidhur ende. Nuk ka ardhur asnjë dëshmitar nga ajo botë që të na tregojë sesi është. Kam bërë një përkthim të librit “Shpirti” nga një psikiatër amerikan Brajan Waiss që shkruan mbi rimishërimin, pra kthimin e shpirtit në trupa të tjerë, libër i cili ka tërhequr vëmendjen. E përktheva për mesazhin që përcillte, se ishte libër që mund t’i fashitte ndjenjat tek njerëzit që humbasin dikë të shtrenjtë, apo të atyre në gjendje krize për shkak të sëmundjeve të rënda, pra një libër që jepte shpresë. Në poezitë e mija ka disa dimensione, ku jeta, vdekja, dashuria, shtegtimi… shfaqjet a përleshja mes tyre, janë të gjitha përpjekje për ta sfiduar përkohësinë. Tek e fundit nuk di t’i jap një definicion vdekjes. Di që vdekja është një proces natyral i vijimësisë së jetës, një transformim siç e thotë Stephen Hawking, vërtetë Zot nuk ka por ka energji dhe ne transformohemi nga kjo qenie dhe bëhemi pjesë e universit në formë të grimcëzuar, si pluhur. Por ama jemi pjesë e këtij universi. Kjo nuk është pak. A e dija unë para se të lindja se çfarë ndodhte në shekujt e shkuar, qysh nga krijimi i jetës?! Kush e di vallë apo e ka ditur veçse kur erdhi në këtë botë…?! Duke jetuar, ne jetojmë dhe të shkuarën me ndjesinë si të kishim lindur që në vitin zero deri në pafundësi. Thjesht momenti tani që po flasim në të dy iku, mbaroi është momenti më i gjatë i botës që nga krijimi i saj, kështu që fenomeni i jetës dhe i vdekjes duhet parë në mënyrë të relativizuar. Dikush thotë që jeta është një skutë në oqeanin e pafundësisë. Në idenë time vdekjen e gjykoj si një jetë tjetër, duke pranuar enigmën se ç’mund të jetë pas që askush s’e di. Besoj në fuqinë dhe misterin e krijimit të kësaj bote. Jam Hegelian në bindje dhe them që këtë botë e ka nisur diçka. Nuk jam besimtar motamo dhe pse i kam zili besimtarët që janë të shpëtuar dhe kanë parë me sytë e tyre një paqe të cilën ai që nuk beson nuk e ka. Është i bekuar ai që kthehet në besimtar dhe që beson në jetën e përtejme. Krishti është figura që unë adhuroj por e adhuroj në një sens artistik përtej besimit. Kam shkruar një poezi për Krishtlindjet dhe e kam recituar në një edicion organizuar për lindjen e Krishtit dhe aty e trajtoj pak a shume këtë. Shën Pali thotë se fuqia përsoset në dobësi. Le ta marrim dobësinë njerëzore dhe përkohësinë e jetës si një dobësi, ku fuqia jonë formohet në të. Nuk mund të jap një definicion final dhe pse është një temë që nuk mund t’i shmangesh, është krahas jetës dhe dashurisë, një trinom.

    -“Mjerë kush ia shpërfill fuqinë të pambrojturit” ky është një varg-maksimë, shkëputur nga poezia “Në emër të jetës” një poezi që shfaq krejt frikën dhe trishtimin e kohëve jo të zakonta pandemike. Një himn për njeriun, që kapërcen çdo pengesë. Njeriu i zakonshëm që përtej mundimeve të kësaj ekzistence, nuk epohet, nuk bie, nuk dorëzohet. A keni ndjerë këto kohë njëfarë apokalipsi të ngadaltë dhe të dhimbshëm të njerëzimit? A e menduat fundin si destin (fundin kolektiv të njerëzimit) kur gjithçka ishte ende në fillim, e panjohur dhe ne, të gjithë sëbashku, të pambrojtur?

    Covid-19 është një fatalitet dhe katastrofë për njerëzimin por natyra e njeriut është e tillë që adoptohet me gjithçka. Siç pranojmë idenë që një ditë nuk do të jemi më, përndryshe po nuk e pranuam i bie të bëjmë vetëvrasje kolektive. Jemi mësuar të bashkëjetojmë duke e parë njeriun e afërt, mikun, shokun, të afërmin, mjekun që bën sakrificën më supreme, njeriun e shquar, njeriun e zakonshëm të iki nga kjo botë brenda një kohe krejt të shkurtër.  Si një lotari e zezë që i bie njeriut për t’ia marrë jetën. E shkrova poezinë “Në emër të jetës” për programin e Ardit Gjebreas ku u ftova të bëja një homazh. Ndodhi që pas disa muajsh e kalova dhe vetë Covidin por lehtë, me ankth, sigurisht e bezdi, apati e dobësi. Thjesht mendimi dhe pasiguria në vete gjatë atyre ditëve, si një sëmundje tinzare ishte një ekuacion me shumë të panjohura, një luftë me një armik të padukshëm që të vret në mënyrë të pabesë. Fatlum kush e kalon. Mund edhe të mos isha. Shtetet e mëdha janë izoluar, përkundër ne shqiptarëve ku ngjan sikur jeta vlen më pak se gjithçka. Duhet të ndjekim rregullat dhe të besojmë se kur vjen e keqja është tepër vonë. Me këtë rast i bëj një homazh jetëve që janë shuar, dhe pse poezia titullohet “Në emër të jetës” dhe në një varg shprehem se “… me miliona e miliona jetë sikur të marrësh, nuk mund ta shuash kurrë njerëzimin”. Covid 19 më lidh dhe më një moment tragjik, humbjen e një miku dhe skulptori të madh Arben Bajo, i cili pesë ditë para se të vdiste punonte në studio portretin tim, dhe tani, pas ikjes tragjike të tij, e kam derdhur në bronz si një kujtim të përjetshëm. Arben Bajon e kam njohur prej vitesh. Ishte pedagog në Akademinë Arteve. Nuk jam shprehur deri këtë çast pas humbjes së tij. Vdekja e tij tragjike më ra rëndë si plumb. Iku për më pak se dy javë… e paimagjinueshme. Një skulptor i madh. Një Roden shqiptar për nga finesa, fuqia e shprehjes, karakteret që ai ka krijuar në artin e tij. Jetoi shume pak, 52 vjeç. Mendo se sa kohë do të kishte. Ishte në lartësinë e artit të skulptorëve më të mëdhenj shqiptarë që nga Paskali, Paço etj. Me aq sa e kuptoj unë artin figurativ mund të ishte po të jetonte, skulptori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Humba një mik të vërtetë. Kishte njohje më të madhe se unë për kinemanë. Më befasonte me emrat e aktorëve, të regjisorëve, me librat që lexonte. Ishte një figurë poliedrike, një djalë i rrallë dhe një shpirt i butë e i pakrahasueshëm. Përkulem me nderim përpara madhështisë së tij!

    -Poezia juaj “Shkallë për në qiell” është një dyzim ku ndërthuren dy botë në kohë dhe hapësire krejtësisht të ndryshme të cilat bashkohen në një pike: kotësinë . Hapësira thuajse pa asnjë qëllim, që nuk të shpien askund pra një dimension bosh, në te shkuarën dhe në të ardhmen. . Jeni natyrë pesimiste apo një realist që zgjedh ta ballafaqojë shpirtin me të vërtetat e dhimbshme pa tragjizma?

    Poezia “Shkallë për qiell” është një nga poezitë e mija më të dashura. Edhe pse në poema unë e trajtoj hapësirën gjithmonë, shtegëtimi është një element që vërehet. Kërcimi në bosh është kërcim në hapësirë dhe në pafundësi, ajo që thoni ju por jo kotësia në kuptimin e vanitetit të rëndomtë. Për këtë poezi kam pasur një ngacmim nga monologu i pashait turk që ngjitet në shkallare tek romani “Kështjella” të Kadaresë; asnjëherë s’e di se ku të çojnë përfytyrimet… Ai monolog ma solli në vështrim idenë e shkalleve. Kur shkrova poemën “Natë në Monparnas” në një moment më bënte digresion pra një lloj retrospektive poema “Llora” e Kadaresë.   Si një gjeni Kadareja është një hapësirë ndikimi të cilës nuk mund t’i shpëtosh. “S’ka fillim as fund ky bosht, nis e sos kur ta mendosh”. Hapësira dhe koha kudo që të vendosesh janë njësoj të pafundme dhe, ti qëndron në mes të tyre nga shkaku i pafundësisë.

    -“Sa herë i marr erë një luleje, druaj se pas shpine ,  thika më ngulet” Ky varg i shkëputur nga poezia  “Rob i manive” vërteton atë çka keni shprehur në një dalje publike ku thoni se: “Poezitë janë vizione të errëta që i përshfaqen poetit si kumt  për njerëzimin”.  Parë nga situata globale qoftë si reflektim fizik por dhe shpirtëror, cila është frika juaj e madhe?

    Errësira si ngjyrë pra e zeza është pjesë e natës dhe kontrastit me ditën. Ashtu është dhe ndjenja e errët në shpirtin e njeriut përkundër dritës që merr nga jeta dhe përditshmëria. Janë forca që lidhen me instinktet po të hymë në psikoanalizë. Në atë që ti ndonjëherë nuk e kupton pra janë reflekse të vetëmbrojtjes. Ky varg tani që po e analizojmë e kam menduar në atë kontrastin që në momentin tënd më të lumtur, e keqja mund të të godasë. Një formë paranoje apo ndjesie persekucioni. Duhet marrë në kompleksin e poezisë. Nuk mund të përjashtohet nga artisti ky lloj asosacioni i vazhdueshëm i një bote që vjen në mënyrë jo koshiente nëpërmjet errësirës dhe mendimit me ngarkesë negative. Nuk jam pesimist dhe nuk e shoh botën me dylbitë e kthyera mbrapsht por jam objektiv. Nuk jam as optimist, i pranoj të kundërtat. Ndonjëherë duke synuar të përsosurën bën gabim të shumëfishtë sepse së pari vërteton se nuk je i përsosur dhe e dyta kupton se ajo nuk mbërrihet kurrë. Në një fragment filmi kam parë ku një personazh i thotë një tjetri: Nëse kërkon përsosjen do çmendesh. Davidi i Mikelanxhelos, edhe pse në skaj të përsosjes, ndoshta, edhe pse i përsosur; përjashtimi fuqizon rregullin. Jam i ndjeshëm mbase më shumë se të tjerët në një sens sepse jam në hullinë e poezisë dhe botës artistike krijuese por me vetitë e çdo njeriu në mënyrë të ndërsjellët.

    -Vargjet tuaja janë udhëtime, përjetime nëpër kryeqytete botërore (Nju York, Paris, Vjenë) që  kanë lënë gjurmë tek ju. Gjithashtu janë homazhe për figura të rëndësishme të artit botëror si Ajnshtajn, Van Gogh, Xhim Morrison.  Kam një pyetje paksa intime. Si do të ishte një poezi dedikuar Timos në një qytet si Tirana. Pra një dedikim për një artist të madh që jeton dhe frymon po ashtu në një qytet të madh?

    Më vjen keq dhe ndihem madje paksa xheloz se kam shkruar për Vienën dhe Parisin dhe s’kam shkruar për Tiranën. Ndonjëherë gjërat nuk dihen se si vijnë, mbase nga befasia kur has në një botë të re që nuk e ke njohur më parë. Mbresa dhe impresione të para që e trandin njeriun, kaotizmi herë herë, kontrastet, dramacitetet. Qoftë dhe madhështia apo bukuria e gjërave. Kur kam parë Parisin jam mahnitur dhe më pas dashuruar me të. Ai ma solli në mënyrë të natyrshme për të poemën programatike “Natë në Montparnasse”. Sot zakonisht nuk shkruhen më poema dhe mua më vjen keq për këtë. Duhet të kthehet ajo kohë dhe ato vite kur shkruheshin poema pasi publiku e do poezinë dhe e ndjek me interes. Mbase nuk e lexon dhe aq por e dëgjon dhe e admiron kur është e recituar. Pra edhe poemën “Natë në Montparnasse” të cilën besoj se lexuesi serioz mund ta lexojë me dëshirë. Do doja të lexoheshin pasi aty mund të të them vërtetë se jam pretendues. Nëse nuk do të ishin poemat, mund të them se nuk do kisha botuar asnjë poezi. Për veten nuk kam menduar kurrë të bëj një poezi edhe pse në çdo poezi timen jam unë pra që flas në vetën e parë. Mbase në poemën “Përtej jetës” që është më filozofike se të tjerat, qoftë dhe te “Takim me të dashurën Mari…” unë jam vetja por i zhvendosur në botë të tjera, iki dhe kthehem, jam dhe s’jam. Kurse te “Përtej jetës” ngjan si një kalvar,  është jeta biologjike por edhe e njeriut e artistit në kohëra, edhe them që mire do qe të ishte një poemë për Tiranën por siç e thamë gjërat nuk komandohen. Varet se si të vinë.

    -Dhjetëra role kinematografike, dhjetëra role  në teatër, tre vepra poetike, keni marrë dhe rolin e përkthyesit nga letërsia e huaj . Jeta juaj artistike shumëdimensionale   është një frymëzim për brezat e rinj. Pas kaq vitesh ndërtimi të këtij panteoni të rrallë vlerash artistike dhe njerëzore, a keni ju ende një peng?

    Artisti ngaherë synon dhe kur synon dhe ëndërron do të thotë që ka diçka që e dëshiron. Mund ta quajmë peng mund ta quajmë dëshirë pse jo edhe pse ndonjë peng të adresuar nuk kam. Pengu i madh nëse mund ta them janë vitet kur humbi kinemaja këtu dhe nuk pati produktivitet dhe vlera dramaturgjike. Humbi kinemaja, u shua në moshën e pjekurisë profesionale më të epërt, ku priten vepra të mëdha. I shikojmë filmat amerikanë ku kinemaja është industri, lëvizjet e aktorit nga roli në rol pa bërë ndonjë shenjë barazimi dhe krahasimi ata luajnë deri në shuarje të jetës. Ndërsa ne na u shua arti përpara se të mbarojë jeta. Kam bërë role por jo në kontiuinitet por sa shumë do ishin rolet e mija dhe të kolegëve të mi nëse do funksiononte me prodhimtari kinemaja.  Për fat, edhe pse me pak filma në numër në vite në tranzicionin e tejzgjatur, kinemaja nuk është shuar krejt, sepse janë bërë disa filma të suksesshëm. Kjo më ka bërë t’i afrohem teatrit më shumë. U ktheva nga Amerika e cila, pa odiseun e së cilës, nuk do kisha shkruar poezi, madje as nuk do të kisha luajtur role në teatër pasi unë isha pedagog dhe aktor kinemaje. Por Amerika t’i zmadhon hapësirat, te përgatit mentalisht, të ridimensionon kurajon për të provuar dhe guxuar. Dhe nuk pata një paradigmë kur erdha dhe mendova se nuk ka film, ok, do luaj teatër. Dhe e nisa me “Një stinë e mërzitshme në Olimp” të Kadaresë. Një diskurs që e vuri regjisori Gëzim Kame në skenë në vitin 2003. Pastaj bëmë një projekt tjetër me Ndriçim Xhepën “Për një fjalë goje” të Natali Saro, autore e romanit modern, me regjisor të Arben Kumbaros. “Pamje nga ura” të Arthur Miler, me regjisor Albert Minga që ishte një sukses i madh. Vazhdova me “Shtrigat e Salemit” me regji të Spiro Dunit. Edhe ky një sukses dhe para dy vitesh me Equus-in nën regjinë e boshnjakut Dino Mustafiç. Kështu që iu dhashë teatrit sepse doja të plotësoja atë hapësirën bosh. Hapësirën e qiellit që i takoj, teatrit…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË