More
    KreuLetërsiBibliotekë"Vajza e vogël e quajtur Ajshe", tregim nga Andrin Kabashi

    “Vajza e vogël e quajtur Ajshe”, tregim nga Andrin Kabashi

    Shumë kohë më parë, atëherë kur Islami ende nuk iu kish shpallur Gadishullit Arabik (e le de më botës), nën pluhurin shkretinorë që të zinte pamjen e palmave plot hurma dhe shtëpive nga balta, arabët ishin ndër popujt më barbarë dhe më mizorë që ekzistonin atëbotë. Rregulli ishte i prerë. Gjithsecili duhej t’i respektonte e t’i bindej ligjeve që të parët e tyre kishin vendosur shekuj më parë. Traditat arabe me të vërtetë ishin të rrepta dhe primitive. Ja për shembull: skllevërit mund të bliheshin si mollët e pazarit kur ata ishin në treg, por nuk mund të bliheshin gjatë kohës kur ata ishin duke u dënuar nga pronari i tyre; të rinjtë nuk mund të kundërshtonin babanë e tyre, edhe nëse ky i fundit e kishte gabim – ideja ishte se ata (baballarët) kurrë nuk gabonin. Ndër traditat më të tmerrshme, ishte varrosja për së gjalli e vajzave të porsalindura. Makabre apo jo?

    Umeja, shoqja e Abdurrahman Taibit, kish ngelur me barrë, tash e tetë muaj e gjysmë. Të gjithë ishin në pritje të një djali – kështu kish parë ëndërr Umeja, katër muaj më parë. Në ëndërr pa një foshnjë të mbështjellë me një pëlhurë ngjyrë alle. Ishte një djalë! Më në fund ishte një djalë! Pas gjithë atyre viteve, zotat i falën një djalë.

    Në sabahun e parë të muajit Tammuz, nga shtëpia e Abdurrahman Taibit, u dëgjuan dy të qara – e foshnjës dhe Umejes. Zëri i tyre doli deri në oborr, për tek Abdurrahman Taibi. Ai la tregtinë e hurmave dhe bëri zap për tek dhoma e Umejes. Sytë e tij u mbushën vaj. Këmbët i dridheshin. Ishte fëmija i parë që ata prisnin tash e një kohë të gjatë, por, nuk ishte djalë… Ai doli jashtë duke bërtitur e duke mbajtur kokën me duar, thua se qielli iu shemb mbi kokë e se zotat e mallkuan me një vajzë, në vend të djalit. Ëndrra e Umejes nuk qe e vërtetë.

    “Zotat na mashtruan” – mendoi me vete Abdurrahman Taibi, duke bërtitur e vrapuar në drejtim të pacaktuar, për t’u mos u kthyer dy ditë e dy net në shtëpi. Të gjithë ishin në merak për të. “A thua vallë ku mund të jetë” – pëshpëriste tërë kohën Umeja, nën ethet e frikës, gjersa ajo ushqente me gji, të voglën e saj, Ajshen.

    Ajo natë ishte e qetë. Erërat dukej se nuk donin të përziheshin në meselenë që do ngjante. Gjysmëhëna bojë ari ndrinte qiellin e errët arab, me dritë të thatë e të pashpirt, kur pa se Abdurrahman Taibi, kish rrëmbyer Ajshen dhe ish nisur në drejtim të shkretëtirës. Atë natë bënte ftohtë. I nxehti shkretinorë zhdukej në mbrëmje, për t’u kthyer në agim.

    Një orë më vonë, kur Abdurrahman Taibi ish larguar mjaftueshëm nga shtëpia, në drejtim të shkretëtirës së thatë, ai kish gjetur një pemë të vetme, në mes të askundit. U afrua tek ajo dhe filloi të gërmonte. Nuk iu desh shumë për të hapur një gropë të vogël. Lotët i rridhnin rrëke nga sytë e skuqur. Duart i dridheshin e gjoksi i shkundej nga dihatja që kishte, me një rënkim të tmerrshëm. Mori Ajshen në krahë dhe e përqafoi fortë. E puthi në mes të syve duke qarë, për ta futur në varr, bijën e tij, Ajshen e bukur.

    Me njërën dorë ai hidhte dhé mbi të voglën, ndërsa dorën tjetër ia kishte kapur Ajshja. E shtrëngonte fortë, ashtu siç shtrëngon një bebe kur frikësohet dhe kërkon mbrojtje nga i ati. Pa çka se i ati nuk mund ta ndihmonte aspak!

    Nga dheu poshtë dëgjohej e qara e Ajshes, ku mbi të, e qara e Abdurrahman Taibit.

    Nuk u desh shumë, për të parë dorën e vogël topolake të Ajshes, të lëshonte përgjithmonë gishtin e babait, nga i cili kërkoi ndihmë. Me lot në sy Abdurrahman Taibi u largua me vrap nga varri, duke u nisur në drejtim të shtëpisë, pa ditur se atje do shihte tmerrin tjetër.

    Në agim, gratë e konakut kishin gjetur Umejen e vdekur në shtratin e saj.

    Përgojimet ishin të zakonshme. Dikush thoshte se ajo nuk qe e denjë për fëmijë dhe se zotat e morën në amshim, ndërsa të tjetër thoshin se Umeja nuk mund të jetonte pa Ajshen e saj, sakaq kur ajo vdiq, zemra e Umejes pëlciti nga mërzia, duke vdekur në atë shtrat ku fjeti bashkë me bijën e saj të vogël, Ajshen.

    27. 7. 2020 – Prishtinë

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË