More
    KreuLetërsiBibliotekë"Brigjeve të kotësisë", cikël poetik nga Gjon Neçaj

    “Brigjeve të kotësisë”, cikël poetik nga Gjon Neçaj

    MESHA E PARË

    Pastori grumbulloi pasthirrmat jetësore
    Qetësia mbizotëroi katërciperisht Kishën e Zojës
    Jezu Krishti në kryq
    Pagëzoi bejtexhinjtë nikajmërturas
    Në përvjetorin e shugurimit të meshës së parë
    Të lumturuar prej priftit At Zef Pllumit
    Në Nikaj…
     
    Mbi Dri ushton maja e Çllumit.
     


    TORNADO

    Në mizanskenat perëndimore
    E në kalldrëmet shekullore të miteve
    Rrin varur ku jetojnë bijtë e fisit tim
    Një lahutë e vjetër me dru arre….
     
    Qimet e saj hingëllijnë
    Sa herë  kuajt e mbretëreshës Elizabete
    Bëjnë roje me ushtarët në kështjellë.
     
    Tornadot nuk bien në Tropojë
    Në Uells mbase po… 


    METROPOLEVE TË ASKUNDIT

    Nëpër udhëkryqet moderne
    Të metropoleve europiane
    Iku rinia pa bujë, rrodhi gjaku i Arbërit
    Mbeti skalaktikave kulmore të një jete varfanjake.
     
    Gjaku i shpirishur i Arbërit
    Kuqlon metropoleve të askundit
    Mjediseve të salloneve në pritje nomade…


     BRIGJEVE TË KOTËSISË

    Kot, kot, kot
    Lindja, rinia, jeta…
     
    Vetëm pleqëria dhe vdekja
    Ujisin livadhin e jetës
    Brigjeve të kotit.
     
    Sivjet nuk i dihet,
    Mbase duhet t’i ruhemi motit…


     ZHBURRËRIM I VONË

    Termopile në jetën me standarte absurde,
    Miklojmë vitet e sotme moderne;
    Ne, bijtë e Jezusit të murosur në kryq
    Tash  dymijë vjet.
     
    Edhe sa mijëvjeçarë
    Na duhen për t’u zhburrëruar.


    EKUINOKS

    Në pesë të premtet
    në pesë të shtunat
    e në pesë të dielat
    kapërceva ylberin në majë të Shkëlzenit…
     
    Asnjë çikë nuk ndryshova
    veç u bëra më lazdran
    teksa fëmijërinë time mendoja
    mbajtur në fijen e penit te Vorret e Shalës
    me Dervish Luzhën e Rexhep Belin… 


    MORFOLOGJIA E FJALËS…

    Ngarendje përditë n’vitrinat ndjesore,
    Prej antikitetit deri në palcën e gurit;
    Gjymtyrët kockorë të endjeve rrugëtare,
    vallëzojnë trishtueshëm në token e nemun…
    Ndërsa morfologjia e fjalës mat kutin galaktik,
    Në rrugët e fjetura të vendlindjes sime…
     
    Mbaruan fjalët,
    e tashmë flasin vetëm egërsirat…

    POTPURI DHE LËMSHI I MACEVE

    Dikur motit macet ishin zonjat e shtëpisë,
    Plakat tallaziteshin n’prushin e zjarrit vjeshtor;
    Duke rikujtuar se prekja me lëmsh e kokës së maceve,
    qetësojnë  mendjen e tyre të trazuar,
    Për t’u larguar nga punët e shumta në kullat çatibrejtur.
     
    Vetën kur ndihej potpuria e minjve në trarët e moçëm,
    Macet kërkonin lëmshin e plakave…
     
    Sot ndodh fenomeni i dyzimit.


    CURRAJ E EPËR

    Nën peshën prehistorike të shekujve,
    U ngrit trimërisht për t’u rrënuar një ditë;
    E qyqet s’pushuan kukamën asnjëherë,
    majave trishtuese lartësuar  n’rrokaqiell…
     
    Ikën mëngjeset e agut me zëra fëmijësh,
    Ikën netët e gjata të bubulakut dimër me pleqtë mendimtarë
    ballë oxhakut…
     
    Ikën nuset  dhe çikat e reja në mjegullnajën e kohës;
    Tashmë nuk lajnë teshat breglumit,
    Kur qysh larg  dritësonin në çdo stinë vetëm diell…


    SOT…

    Sot kullat e shkretuara mbajnë peshën e viteve,
    E shembjen   trishtuese  të mureve  rrënuese,
    Nën rrfanat e jetës të plakave motit  netëve dimërore.
    Ajkuna qan përmallshën për ikjen e banorëve,
    E bjeshkët veç lotojnë  e ngushëllojnë…
    Curraj e Epër!
    Fillimi dhe fundi i një  epoke.
     
    Sado të mallohemi, veç shkruajmë fjalë lojcake,
    Se zëri ka mbetur varur bjeshkëve të fëmijërisë
    Prapa një rudine, prapa një kodre…
     
    Delir i  trazuar vargu im,
    E ndjej dhimbje mikluese për këto rreshta,
    Përzier me britma, imazhe dhe kujtime të rinisë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË