Zef Zorba lindi më 1920 në Kotorr të Malit të Zi në një familje shqiptare. Mbas mbarimit të gjimnazit në Shkodër, më 1941 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega e Studimeve Politike në Universitetin e Padovas në Itali. I ndërpret studimet më 1943 për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe kthehet në Shkodër, ku fillon punën si nëpunës banke. Në vitet 1945-1946 punësohet si regjisor në Shtëpinë e Kulturës së Shkodrës, ku vë në skenë mjaft pjesë dramatike me tingëllim të qartë desident si “Juda Makabe” e Fishtës, “Armiku i Popullit” i Ibsenit etj. Ndoshta edhe për këtë arsye arrestohet më 1946 dhe burgoset nën akuzën e agjitacion e propagandës. Vuan dënimin ndër kampet e punës dhe “riedukimit” deri në vitin 1951. Më vonë punon në ndërrmarrje të rrethit të Shkodrës si logaritar deri në vitin 1980, kur dhe del në pension. Ndërron jetë në janar 1993 në Shkodër. Në heshtjen e thellë të këtij gjysmëshekulli, Zorba, i pajisur me një kulturë të mrekullueshme vizatoi figurën e intelektualit të vërtetë, larg kompromiseve. Ai krijoi një afinitet të çuditshëm me letërsinë e filozofinë modernë duke përkthyer poetë të tillë si R. Frost, Xh. Ungareti, S. Kuazimodo, E. Montale, T.S. Eliot, dramaturgë si Shou, Pirandelo, Uelld, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer etj.
NJË GOZHDË
Një gozhdë e futur thellë në mur, një gozhdë
e futur thellë në mur, një gozhdë e futur.
Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë
e ngulur thik në mur, një gozhdë e ngulur…
Një gozhdë e mbetur thatë në mur, një gozhdë
e mbetur thatë në mur, një gozhdë e mbetur.
e ngulur thik…
e futur thellë ….
e mbetur thatë….
EJA ME NE
Derën teksa e çele,
por drita brenda nuk hyri.
Në pikëllimin e dhomës së murme
gazi yt mërgohet i plogët;
të zverdhet fytyra kujtimesh
si ditë e trishtë nëntori.
(Ah, ata sy të vakët
ku ndehen tash agime t’mekura!)
Derën teksa e çele,
por terri jashtë nuk doli.
Me vozitje të ngathët
mendimet shakull po të struken
ndër varret larg, pirgje shtrigane,
që zemrën ta kanë zatetë
e nuk të lane
me pa me sy,
gojën m’e çelë në këngë.
Ti s’don të jetosh me ne.
A sheh si pika e zhegut
dëshirat na i përcëllon?
Si thahemi dushk për një pikë dashuri
kur diku tutje nise e flakëron
vetëtima vetmitare?
(Sa kem kaluar kësi shtigjesh!)
Ngeshem nuk bën me vdekë.
E di? Dimrash që shkuan
sa mbetën rrugësh prej nesh:
i kaltërti thëllim
ua ngrinte buzën në gaz.
Ti qan. Të vika era mort:
ai që ti doje të la qyqare.
Eja, eja me ne.
Brejmë hekur ne me dhëmbë,
kërkojme,
pëlcasim,
lajnë faqet tona lot e gjak ?
ani, kërkojmë.
Dhe e dijmë: ku shuhet melankolia
e heshtet mjerimi,
atje zë fill jeta vigane,
jeta pa kob,
flakë, ëndërrtare,
me dëshirë paqe të thepisur,
dëshirë e vrazhdët për dreq.
Gjëmon hare prej gjoksesh tona
mbuluar me plagë.
LULE-CRRULE
Mbi trotuar
trokasin
porsi tak-tuke
takat e tua të larta
kur kthehesh ti – elegante –
prej takimit.
Një sy-bojqielle
-ndër duar një tavë me speca –
shtangon e mpirë
e të han me sy.
Unë prej tavernës ju vërej
që rakia s’ma shuan mëllefin
vajzukja:
një lule me crrule
e ti:
një crrule me lule.
TEMA E VIOLËS
(Ne, djemtë e vajzat e një mature)
Mbasditesh të tuguara,
e ndrojtur, një kitarë
një himn
kërkonte
ndër basa – një piskamë –
hije për ty që rrugësh tona bije
e zgjoje shqetësime
që dukeshin të pakapërcyeshme.
Në bebe të syrit të valavitej
petali i një vjollce.
Por djemtë
shkapërderdhës
mes të rrugës përflakin kohë
zafira
që kurrë më s’përtërihen.
E kush s’i gien më dot
e aq më pak qyqari maturant,
me kryet thelluar ndër shpatulla,
ai që asnjëherë s’i pati prekë me dorë.
Prej ballit flakurime
shituese t’vezullonin.
Vajzat pa mëshirë i çarsnin borzilokët;
mbi viza ferr-o-parrizesh litari
ajrin hukatte e pluhurin
e ato, syrreshkura, hynin n’elips
e dilnin të përzhitura.
Flokëve t’u vinte era myshk
me të përqethë.
PA ELEMENT
Sado që të largohemi,
O dhimbje,
Mos ti cektohesh?
Ç’e mjerë
Kënaqësia jonë
Dritshkurtër
KUR MBETESHA VETËM ME TY
(Dimër, 1946)
Kur mbetesha vetëm me ty,
o zemra ime,
netësh të mbarsura me stuhi,
mërgime kujtesash në atë dhomën e gjatë,
pa dritë.
Anë-mbanë ndërtesa golle se ç’kumbonte
sajimesh
që një mbas një
ndeheshin palë e palë
mbi mua, kapitur gjumi në shpinë
me më ba dëshirash një trupore pjalmi mortore.