PEIZAZH NË VJESHTË
këtë të dielë zgjohen herët, ngjitën majë kodrave në periferi,
piktorët. Hapin kavaletet, kutitë e ngjyrave, me kujdes të veçantë
dhe shohin si ai admirali nga bordi i anijes për një vënd të sigurt,
kur ankoron anijen e tij.
një qen i hutuar vërtitet në formë rrethore rreth vetvehtes,
sepse mban mënd erën e deleve të fundit,
një pemë dekorative të cilës i kanë rënë gjethet nga thatësira e Vjeshtes,
një mulli uji me mokrën që nuk rrotullohet, nga mungesa e ujit
piktorët modern e kanë më të lehtë që ta manipulojnë natyrën,
gurin e varrezave e kthejnë në bareshën e Christophor Marlow-t,
bunkerët e dikurshëm nuk shihen, pas vilave bregdetare,
ndërsa balonat prej letre
janë zogjt e sapo ardhur nga vendet shtegtare.
një peisazh gati i vertetë. Piktorët preferojnë të përdorin water colours,
pamjet janë të zbutura.Zogjtë/balona fluturojnë me mall,
sipër telajove. Derisa një fishkëllimë nga larg
thërret qenin e hutuar, të vetmen qënie të gjallë.
dhe mos harroni se në peisazhe nuk përfshihen vetëvrasjet,
preferohen hijet, sepse hijet kurr nuk nuk shohin ëndra-fantazi,
qoftë dhe poshtë pemëve, në stinën e ekulibruar të ekuinoksit
kur jeta dhe vdekja janë në të njëjtën largësi.
DO BLEJMË KARTOLINA
Këtë vit më kot pritëm, nuk erdhën dallëndyshet,
Zogj me krahë të zinj dhe një vijë të bardhë,
Si ngjyra e shkumës së detit kur takohet me token e errët;
Fëmijët nuk iu lutën askujt t’u tregonin një përrrallë.
U duk sikur Bota u zhvëndos nga boshti i vet,
Dhe filloi të rënkonte me një mëri të ftohtë,
Edhe ajo pema e oborrit që pret zogun kacavjerrës,
E ndjen veten si grua të braktisur që shpreson më kot.
Muratorët të përpiktë ngritën një kat më tepër,
Është kati i njëzetë e pestë, së shpejti mbaron;
Një grataqiel më shumë në oborirn e shtëpive tona,
Nën një qiell pa dritën e ajrit dhe pa horizont.
Herën tjetër kur të kthehemi këtu si vizitorë,
Do blejmë kartolina – grataqielash për miqt përsëri,
Edhe pse tre trumcakë me sqep çukisin betonin me inat,
Duke ruajnë territorin e vet me kokfortësi.
NË QYTETIN E VJETËR
Ecim këtë mbrëmje vonë,në muzg,
Dhe Bota është e mbuluar nga hijet e territ,
Kalojmë mespërmes mureve mesjetare,
Jemi të vendosur për ta terheqë drejt nesh,
Trupin e Dashnisë që digjet mes flakëve,
Nga gryka rrethore- thithëse e Ferrit.
Nuk na njeh askush.Nuk jemi nga ky qytet,
Por dimë se vetëm dashnia mund të bëj Histori,
Me kujtesen e vendit ku u shtrimë mes barit,
Me ledhet nga ku na kërcënonin me heshta,
Me plagët e Krishtit bërë nga kryqëzime farisejsh,
Dhe me zhurmën tinzare të hapave që dëgjohen përsëri.
Gurët e strallit ende thërrasin
Këpucët tona të ngrëna që ecnin në muzg,
Në qytetin e vjetër me rrugët e ngushta,
Që shprehin trishtimin si shiritat mbi krahët e burrave,
Kur të afërmit e të vdekurve që deshën mbajnë zi.
E dinim se vetëm dashnia mund të bëj Histori.
BREGDET, NË DIMER
Kam ardhur këtu për të parë ngritjen e ujrave në det,
Koha për të pa se si anija e peshkatarëve
Përpiqet të shkëputet nga toka, në breg
Që të hidhet në krahët e ujnave
Me një dashni që nuk është e rreme. ..Nuk qënka e lehtë!
Kërcasin dhogat, fundoset, del prapë mbi dallgë,
Si një ritual që përsëritet çdo ditë me kujtesë
Derisa kthehet në një skelet të stërmadh që s’do të vdes
Koha për të ecë drejt skeletëve të pishave,
Dhe një mjergull që mbulon çdo gjë lehtë e lehtë,
Dhe vetë koha qënka një fosil nxjerrë prej dallgëve në bregdet.
ËSHTË NJË SHKËMB NË DOVER
Është një shkëmb në Dover
Nga ku mbreti Lir përpiqet të hidhet nga dëshpërimi
I mosmirënjohjes. Fryjë erë, fryjë…
Nata sjell frikën që ecën mes molos dhe bregut me gurë,
Dritat në anën tjetër, në Kalé memzi dallohen,
ka kohë që Franca është kthyer në hije- elegjiake
Si një fantazëm që na kalon pranë dhe nuk ndalet.
Era e Jugut është e butë dhe pa premtime për shira të papritura,
Në Jug është vendi im-ose ai që ishte dikur,
Ka diçka biblike me varret që nuk mund të vijnë këtu,
Së bashku me mallin. Dhe as të vdekurve nuk u lejohen më,
Vetë pulëbardhat nuk i besojnë bregut ku jam,
Këlthasin zë çjerrë, si gratë e koreve të Greqisë së Lashtë
Si parashikuese profetike të fateve dhe të motit
Dhe mua vetë Mbreti Lir më thotë me takt,
Se nuk jap shembëll të mirë me pikat e mia të lotit
VETËM PAK KUJTIME MBESIN
Në fundin e jetës veç pak kujtime mbeten,
Qeni i fëminisë që e vranë në oborrin e shtëpisë tonë,
Dhe po atë natë, në det,kur yjet pasqyroheshin mbi sipërfaqen e ujit
Notoja drejt tyre që të mos mbyteshin, të mos shuheshin përgjithmonë,
Një delfin i plagosur që erdh në breg duke iu besuar gabimisht njerëzve,
Kuajt që ecnin kokëulur me një hap ta pagabuar elegjiak, në breg të detit
Me një trishtim të lashtë dhe madhështi si Perendi të përjetshme
Është koha kur njerëzit duhet t’u kërkojnë falje
Ujërave, pemëve ,gurëve,dhe kafshëve që për ne nuk duan t’ia dinë,
Për njerëzit që vrasin në një botë mëkatare
Varka prapë na pret, me hartat,busullat,me rrema dhe marinarë
Të kërkosh falje është rrugë më e gjatë se të kërkosh Lavdi
Duhet të kalosh dete,oqeane,të mposhtësh joshje sirenash, Polifemë vrastarë
Ulisi erdh në Itakë duke fshehur me kujdes plagët e tij,
Që t’i kërkonte Penelopës falje, se i besoi më tepër Luftës dhe Kalit të pabesë
Se sa trupit të saj besnik si një kështjellë mbushur plot me dashni.
NETËT E VALPURGISË
Është një hënë e plotë në qiej,
Dhe së shpejti Nata e Valpurgisë vjen,
Nuk ka nevojë të zgjedhesh mes pyjesh një vend,
Dhe as na duhen lartësitë ku t’na merren mëndt,
Në vënd të pemëve kemi rrokaqiej,
Në vënd të zogjve -aeroplanë të mëdhenj,
Që hedhin bomba gazmore gjithëandej
Netët e Valpurgisë në Sheshin Skënderbej
Me muzikën shurdhuese moderne si Ferr.
S’ka nevojë për maska demonësh si në skenë,
Në zyra, në banka lukzose demonët i gjen,
Satanët e Errësirës premtojnë ditë me Diell,
Dhe gratë e tyre bëjnë dashuri me gorillen Mbret
Ndërsa në bulevard tërheqin krokodilë e Floridës si pet;
Janë netët e Valpurgisë-çdo gjë mund të ndodh,
Në Tiranë, Shkodër, Gjirokastër dhe Vlorë.
O netë të Valpurgisë që i lexuam te Shekspiri,Gëte,Ibsen
Sataniko- gazmori Mefisto na zbavit tek defren.
Netët e Valpurgisë, celebrime satanike, buzë me gjak
Ku flijohen fëmijët, gra të pafajshme, ëndrrimtarët e pafat,
Oh, ç’zvavitje, oh ç’spektakël, o netë folklorike përzier me xhaz,
Lashtësi ilirike , bërë bashkë ferr dhe premtim- parajsë;
Në vënd të zogjve -aeroplanë të mëdhenj,
Që hedhin bomba gazmore gjithëandej,
Netët e Valpurgisë në Sheshin Skënderbej,
Me muzikën shurdhuese moderne si Ferr i gjen
Mos i kërkoni më kot te Sheskpiri, Gëte, dhe Ibsen.


