Parathënie për librin e Zylfi Tolës
“Vendlindja ime, Buzmadhja e Lumës”
Disa herë, kur autorë të ndryshëm më kanë kërkuar të shkruaj parathënie për librat e tyre, kam refuzuar, me arsye, apo pa arsye.
Por, kur më telefonoi Zylfi Tola, nga fshati i tij, Buzmadhe, mes bjeshkëve dhe grykave, nuk munda t`i them jo.
E kam njohur në vitin 1970, kur ai filloi punë si gazetar në gazetën “Kukësi i ri”, e cila sapo kishte nisur të botohej. Edhe pse unë kisha filluar punë në një gazetë qendrore të Tiranës, me gazetarët e “Kukësit të ri”, Zija Çela, Hamdi Shllaku, Zylfi Tola, Bajazit Cahani, Violeta Haxhiu, Bislim Cena etj., u bëmë miq dhe ndihmonim shpesh njëri-tjetrin.
Gjëja e parë që më bëri përshtypje te Zylfiu ishte pasioni dhe përkushtimi i tij ndaj gazetës së tyre dhe gazetarisë në përgjithësi. Deri atë kohë ai kishte qenë mësues në vendlindje dhe fshatra të tjerë të Grykës së Çajës. E kishin emëruar në gazetë sepse botonte herë pas here në organe të ndryshme të shtypit. Më vonë mësova se ai, në shkollën e mesme pedagogjike në Tiranë, mësues letërsie kishte pasur hiç më pak, por një gazetar dhe shkrimtar nga më të shquarit e letrave shqipe, Petro Markon. Fat i madh për cilindo që ëndërronte të hynte në botën magjike të gazetarisë dhe të letërsisë. E këtij fakti jetësor, për Zylfi Tolën, iu shtua edhe njohja dhe puna në të njëjtën gazetë me Zija Çelën, që atë botë po hynte mjeshtërisht në udhën e letërsisë dhe të publicistikës. Kështu, Zylfiu u bë një gazetar i njohur i “Kukësit të ri”, kërkues i palodhur i të vërtetës, mik i njerëzve të thjeshtë, qëmtues dhe qëndistar i fjalës së bukur e të mençur të popullit, vëzhgues i hollë i jetës.
Këto cilësi janë të pranishme në librin e tij të parë “Rrugëtim mes sfidash” dhe tash edhe në librin e ri, të cilin, shtëpia botuese “Fidani” e Prizrenit ia paraqet lexuesit.
Ka një dashuri të madhe për vendlindjen në librin e Zylfi Tolës, aq sa për Buzmadhën e tij kujtohet dhe mendon jo vetëm kur udhëton nëpër Shqipëri, por edhe kur gjendet në Paris dhe Romë, në Athinë dhe Stamboll. Ai njeh dhe mallëzohet për çdo rrugë, bjeshkë, gur e livadh, ku është rritur dhe ka punuar. Duke lexuar librin e tij, të duket sikur po ecën bashkë me të dhe ai të tregon bukuritë dhe ngjarjet e ndodhura te Kroi i Bardhë, te Kroi i Kuq, te Ura e Lepajës, apo te bjeshka e Marashit, te Rrahu i shtrigave, apo te Lera e Sorrave, te Laku i Erës, te Rrethi i Haramejve (ku jetonin xhindet), te Kepi Njerth, apo te Kepi me bithë në ujë (një shkëmb i madh, i rrethuar prej ujit). Dhe është interesante se këto përshkrime nuk i bën thjeshtë për të shpërfaqur toponimet e vendlindjes, por për të treguar dhe shpërfaqur kompleksitetin e jetës, me fakte sa të thjeshta, po aq edhe dramatike e tragjike nganjëherë. Diku janë pushkatuar 21 fshatarë të pafajshëm, diku tjetër dimri i egër ka ngrirë e kallkanosur dy ushtarë të rinj, diku ka buhtuar një dashuri e diku një granatë e vjetër ka vrarë aksidentalisht një vajzë… dhe kështu libri bëhet një kronikë e pasur e zhvillimit, vuajtjeve, gëzimeve dhe trishtimeve të vendlindjes, dhe, mbi të gjitha, e dashurisë për të. Rrallë kam ndeshur një autor që të shkruajë me aq përmallim për fshatin e tij, për njerëzit që ka njohur.
Shkruan me shumë dashuri për nënën dhe na kujton të gjithëve se kemi besuar dhe besojmë që, në këtë botë, ka shumë shenjtore, por nëna është mbi të gjitha.
Shkruan për motrën duke e quajtur “vajza e luleve”, për bashkëshorten si shok jete dhe na kujton se dashuria e motrës për vëllain është qiellore dhe ajo e gruas për burrin tokësore e të dyja bashkë, sublimohen te shpirti i njeriut. Shkruan për mësuesin Zef Kraja, që shkoi nga Shkodra në Buzmadhen e largët për të mësuar fëmijët dhe na kujton mësuesit që të gjithë kemi pasur. Shkruan për Petro Markon dhe gjithkujt prej nesh i vjen ndër mend një a më shumë emra që na kanë ndriçuar mendjen dhe na kanë treguar shtigjet e jetës. Shkruan për kolegun e tij Havzi Nela dhe ne njohim një anë tjetër të poetit martir, anën më njerëzore, lirizmin dhe dashurinë për të bukurën. Zylfi Tola na shpërfaq një galeri të madhe kuksianësh, të njohur për mençurinë natyrale, për qëndresën në sakrificë, për solidaritetin në vështirësi, për artistë në gëzime dhe zemërbutë në dhimbje.
Përmes ngjarjeve konkrete dhe jetësore, në librin e Zylfi Tolës shpalosen traditat, zakonet, legjendat dhe krijimtaria e bukur popullore. Por edhe dëshira e përpjekjet e njerëzve për të pastruar edhe mykun, aty ku ai mbulon shpirtin e vërtetë popullor. Mykun e kohës po se po, por edhe ndryshkun e politikës që synonte të imponohet mbi traditën, mbi njerëzoren. (Kujto fjalët e një plaku në vdekjen e një burri të respektuar të fshatit: “Për ne, Xhelë Salihi është më i shtrenjtë sa dhjetë Mao Ce Duna…”) Ka në faqet e librit të Zylfi Tolës, burra dhe gra, të cilët me një frazë të vetme zgjidhin lëmshin e ngatërresave të mëdha. Është kjo arsyeja që, kur Petro Marko shkoi në katundet e Kukësit, ish-nxënësi i tij e çoi në Bicaj, te Halit Bilali, për të zgjidhur enigmën e një legjende…
Është një libër plot humor dhe me gjuhë të pasur, e nganjëherë edhe poetike, kur lexon edhe shprehje të tilla: “Vila, që ditën e përkëdhel dielli e natën e puth hëna.”
Zylfi Tola tash 90 vjeç në vendlidje, vajza e tij Valdetja i ka ndërtuar një shtëpi plotë dritë që matet me lartësinë e Gjallicës. Ndonëse ka vite që ka zbritur nga ato vise të magjishme, por nga muaji maj i çdo viti jeton në vendlindje dhe ashtu me shkopin në dorë takon sa e sa personazhe të librit të tij, që malësorët e Buzmadhes janë të njohur për besë dhe bujari. Në këto ditë të kësaj vere të zjarrtë e befasuese, po sfidon gjithçka dhe do t`a kishim zili ne që jetojmë larg bjeshkëve e maleve të Lumës.
Ky libër i ri do ta afrojë edhe më shumë Zylfi Tolën pranë atyre njerëzve që e duan vendlindjen e tyre, kudo qoftë ajo, që e duan jetën edhe kur ajo të përplas me halle e shqetësime, pranë atyre njerëzve që kanë lënë dhe duan të lënë një emër të mirë pas vetes.
Në foton kryesore: Zija Çela, Violeta Haxhiu, Namik Dokle,
Liman Mata e Zylfi Tola


