Prozat e para letrare (copa letrare, frymëzime, vëzhgime) Musine Kokalari i shkroi ne moshën 20 vjeçare si frymëzime rinore (kështu i titullon shkrimtarja më të shumtat e tyre). Ato janë krijime spontane, të vetvetishme, të hedhura në letër atypëraty dhe pa rikthime e korigjime, të thukta, emocionale dhe estetike, reflekse të vetë jetës dramatike të kohës, por të përshkuara me humanizëm e romantizëm, delikatesë, tragjizëm dhe shpresë.
Pjesa më e madhe e tyre u botua në faqet e gazetës “Shtypi”, gjatë viteve 1937-1938 dhe “Tomori i vogël” në vitin 1942. Autorja i ka firmosur me emrin e saj, më pas edhe me pseudonimin “Muza”.
Përmbledhjen e parë të krijimtarisë së hershme letrare të Musinesë me titull “T’isha një lule” e përgatiti Hektor Kokalari[1] duke e ruajtuar plotësisht origjinalitetin e tyre dhe e botoi në vitin 2003 te shtëpia botuese “EuroRilindja” në Tiranë, me një parathënie të spikatur nga Ramdan Musliu[2].
Mandej, në vitin 2009, autori Novruz Shehu[3] i botoi me titullin “Kolla e vdekjes”, por duke i tjetërsuar në vargje një pjesë madhe të prozave dhe duke e quajtur autoren poete. Disa studiues, duke u nisur nga kjo pasaktësi, i kanë trajtuar prozat e saj si poezi. Natyrisht mjaft nga prozat e shkurtra të Musinesë tingëllojnë poetike, siç janë edhe ato të Mid’hat Frashërit, por gjithsesi nuk janë poezi dhe nuk është e drejta e një botuesi t’u ndryshojë formën letrare.
Proza shkurtër e Kokalarit, u jep përparësi elementëve filozofikë, artistikë, emocionalë e socialë, në raport me elementët përmbajtësorë e publicistikë. Në qendër të saj është fati i njeriut shqiptar të nëpërkëmbur nga jeta, veçanërisht i femrës shqiptare e fëmijëve mjeranë dhe reagimi i fuqishëm i autores për jetën e gruas së shtypur nga sistemi politik dhe shoqëria patriarkale e zhytur në fanatizëm, padituri, varfëri e pashpresë, aludimi i saj për thyerjen e këtyre prangave shekullore për një jetë të hapur e të lirë, siç e dëshironte, projektonte dhe luftonte ajo.
Në shkrimet e para të Musinesë ka elemente edhe nga jeta e saj, fëmijëria dhe adoleshenca, por edhe nga jeta e tjetrit. Në të gjitha rrëfimet ndihet dashuria dhe dhëmshuria saj për njerëzit e thjeshtë dhe mjeranët, – një zë dhe një dashuri e trishtë e saj, si edhe thirrja për ndihmë dhe emancipim social e kulturor, nëpërmes moralit dhe drejtësisë shoqërore. Pikërisht në këto rrëfime zbulohet prirja e saj e hershme si socialdemokrate, prirje e filozofi që e zhvilloi më vonë në një platformë dhe veprim politik.
Në botimin e ri Musine Kokalari- një yllësi, vëllimi i dytë, që po sapo ka dalë nga shtypi, përveç prozave të botuara në shtypin e kohës, janë hedhur edhe disa proza të reja, rreth 20 frymëzime origjinale të mbetura në dorëshkrim, si ‘Trimat e Lirisë”, “Harresa”, “Në këndin e vatrës”, “Deti”, “Hënë”, “Valët”, “N’ajër të lirë”, “Kokë ulur”, “Një natë e keqe”, “Kënga ime”, “Kullon odaja”, “Agimi”, “Në majën e malit” etj., të cilat i kam gjetur në fondin e Musinesë pranë Arkivit të Shtetit, gjë që e pasurojnë krijimtarinë e saj.
Pikërisht, fragmenti i mbetur i një proze te humbur “Trimat e lirisë”, me të cilin nis cikli i tregimtarisë së saj në këtë botim, është shkruar me laps në datën 13.07.1937, në orën 12 e 4 minuta të mesnatës, me frymë ndryshe nga mjaft nga rrëfime të tjerë, edhe pse një parafraf i vetëm. Shkrimtarja ndjen dhe mediton për martirët e lirisë, për të cilët u derdhën lotë “idhnimi”, por që “gjallë do të qëndrojnë në mëndet t’ona” dhe do të ushqejnë në shpirtëra shpresën e ardhme.
Te tregimi “Harresa”, në dorëshkrim dhe i pabotuar më parë, hedhur në letër nw datën 24.VII, 1937, buis ndjenja magjike e dashurisë, por edhe shija e hidhur e ndarjes, e tradhtisë dhe e harresës. A thua se autorja aludon për ndonjë ndjesi të herëshme të saj, apo filozofon për këto dy ndjenja të fuqishme e të kundërta, por të pandara rinore? A thua se Musineja e parandjen si profete, apo e parathotë si një orakull, fatin e dramën e mëvonshme të dashurisë së saj me studentin italian P.T?
Tregimet i shkruan në vetën e tretë, për t’u distancuar nga vetja dhe për të mos i konfonduar personazhet me vetveten, me përjashtim të prozës së bukur, mjeshtërore e të ndjerë “Si është jeta|”, një portret i spikatur i dijetarit Sotir Kolea, në çastet e fundit të jetës. Shfaqet kështu aftësia e Musinesë si shkrimtare, psikologe dhe njeri.
Në shumicën e përsiatjeve dhe shtjellimeve letrare zotëron motivi i mjerimit social në shoqërinë shqiptare dhe e skllavërimit të femrës në veçanti, si edhe i revoltës së autores për fatin tragjik të asaj, “vdekjes për së gjalli”, siç shprehet me dhimbje ajo (cikli “Kur sundon zakoni”). Një personazhe femër thotë me dhimbje:
“Ferexheja më mbajti thellë në shtëpi, më varrosi në ditët me të bukura, më grabiti disa vjetë lirije… dhe unë viktimë e saj…” (“Ferexheja”); apo vajza e martuar pa dëshirën e saj me një burrë të panjohur e të moshuar, thotë: “Martesa ishte për mua jo vetëm një burg n’atë shtëpi, por dhe një mundim shpirti… ” (“Martesa”).
Fatin e të papunit, që rropatet rrugëve duke kërkuar punë për kafshatën e gojës, shkrimtarja e jep artistikisht tek skica simbolike “Këpucët”, të cilat iu grisën, iu bënë me vrima dhe dikur e gremisën në rrugë, por sërish i veshi të shqyera dhe eci, eci, eci… “duke menduar se sa palë do të griste për të gjetur punën e ëndërruar”.
Ndërsa tragjedinë që sillte emigrimi si hemoragji familjare prej varfërisë dhe papunësisë, Musineja e trajton me nota pakënaqësie dhe revolte në ciklin e tregimeve “Vatra e shkatërruar”.
Musineja e ironizon letërsinë sentimentale të kohës, që e idealizon dhe zbukuron jetën sensuale (“Përgjegjës Samo-Sili”). Ndërkohë vetë ajo ishte vëzhguese e thellë e jetës, njohëse e zbuluese e të vërtetave të hidhura të saj, kritike dhe qesëndisëse:
“Vura re kudo. Pashë të ligun që quhej i mirë, pashë gënjeshtarin që kishte të drejtë, pashë katilin që nuk i skuqej faqja. Qesha se ky ishte brumi i shoqërisë, thelbi njerëzisë” (“Rrugëve”)
Në prozat e gjata Musineja anon nga rrëfimi monoton, por dhe i hollësishëm i mentalitetit, psikologjisë, zakoneve, dokeve, riteve, bestytnive dhe jetesës primitive në qytetin e gurtë, nëpërmjet diskursit të plakave tipike gjirokastrite, me një gjuhë të moçme në dialektin vendas të figurshëm e të pasur në fjalor e shpehje frazeologjike autoktone, me gjurmë të njëshme me gjuhën e arbëreshëve të Italisë dhe arvanitasit e Greqisë, me interes të veçantë për gjuhëtarët tanë dhe albanologët e huaj.
Por në tregimtarinë e shkurtër të Kokalarit gjejmë mjaft proza letrare, ku fryn era e re e ndryshimit, optimizmit dhe lirisë. Te “Kënga e vërtetë” i gjejmë të gjithë këta elementë.
“Është kënga e vërtetë që ndëgjohet dhe oshëtin nga të gjitha anët, ndihet dhe ngulet thellë. Ngjall zëmrat i tërheq rreth vehtes dhe i përqafon në krahërorin e vet. Të gjithë po e ndjekin se është këng’e vërtetë”
Qysh në reshtin e parë të prozës së bukur filozofike e poetike “T’isha një lule”, Musineja e ndjen në shpirtin e saj rinor këtë frymë të re, këtë gjë të re, këtë dritë:
“Zbardhoi drita, lindi dielli; u bë ditë dhe në shpirtin t’im ndjeva një gjë të re”
Kërkuese e të vërtetave të jetës, ajo zbulon metaforikisht te kjo prozë e personalizuar dëshirat e saj modeste dhe motivin e vetëmohimit të heshtur në emër të dashurisë e të altruizmit të saj për të tjerët:
“Le t’isha së paku një lule e egër, midis rrugës dhe gurëve, pa kujdesin e të tjerëve.
Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbë njeriu, burrë ase grua… e di, por s’ka gjë, një lule t’isha dhe jo njeri…”
Por ajo e kupton gjatë kërkimit të kuptimit të jetës se në rrjedhën e vështirë e të dhunshme të jetës, treten iluzionet e bukura dhe “lulja e kokulur” shkelet, ajo revoltohet dhe vendos të luftojë jo me përulësi, por me “grusht” për ta ndryshuar jetën:
“Më shtypin… ktheju grushtin. Të luftoj… po, po! Atëherë kuptova ku ndodhesha dhe ç’është jeta. Luftë… po. Mirë pra, jam në jetë, do të luftoj”- thotë personazhi i rrëfimit “Këngë varfërie”, që s’është veçse vetë Musineja.
(Vetvetiu të kujtohet një poezi e Migjenit, bashkëkohës i Musinesë, pikërisht vargjet:
O, sikur të kisha një grusht të fuqishëm,
Malit, që hesht, mu në zemër me ia ngjesh!…)
Musineja si intelektuale e re e shtresës së mesme të shoqërisë, qëndronte në anën e të varfërve, e të shtypurve:
“Shëtita gjatë për të mësuar, vështrova çdo vend për të kuptuar.
Pashë të mënçur dhe të marrë, të pasur dhe të varfër. Të egër dhe të butë… dhe unë u enda në këtë pëlhurë dhe për një çast të vetëm kuptova kush e udhëhiqte botën.
Shëtita gjatë për t’u pjekur, s’lashë vënd pa pyetur.
Takova të marrë, me habi më vështruan, u lashë rrugën dhe shkuan. Takova të mënçur, mësova ato që nuk dinja.
Takova të pasur, më qeshnë, më dëbuan, më tringëllitnë xhepet dhe me frikë m’u larguan.
Takova të varfër, më përqafuan, më rrethuan. U bëmë shokë të pa ndarë, të bashkuar për gjithëmonë. Një gjë na bashkonte, një këngë varfërie në zemër na tingëllonte”.(Këngë varfërie)
Në thellësi të shpirtit të Musinesë tashmë ishte ndezur një zjarr “i padukur”, që do të shpërthente më vonë.
“Ngadalë-ngadalë ndizet në fundin e zemrës s’ime. dhe mbush shpirtin plot gjallëri… më bën të fortë, më bën të shpresoj më tepër. Është zjarri që më ngroh dhe më jep kurajë… Është zjarr dhe përvëlon ata që janë të varfër nga ndjenjat, të varfër nga vyrtytet. Vetëm ata kanë frikë, se do të vijë një ditë dhe zjarri do t’i djegë…Nuk jam i vetëm, nuk jam i shkretë… se… thellë ndëgjohet, zë të shtohet… afsh i ngrohët… një zjarr i padukur. (“Zjarri”)
“Koha, koha, tek ajo shpresojmë dhe ne ecim bashkë me të…” (“Koha”)
Dhe Musineja eci me kohën, u parapriu kohërave.
“U thyen prangat e robërisë për të lindur jeta e re, ku gruaja të mos jetë robinjë, por shoqe e jetës, të jetë përgjegjëse për vehten e saj dhe të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e kohës, kërkon të dijë se ku rron e përse rron në jetë për të drejtën që ka, si pjesë e pandarë e saj” -shkruan Musineja në prozat e saj.
Në kushtet e pushtimit italian dhe të luftës në Shqipëri, Musineja, si patriote dhe antifashiste nuk mund të qëndronte indiferente, aq më tepër që shqiptarizmin dhe antifashizmin e kishte shfaqur hapur qysh kur ishte studente në Itali.
Në numrin e parë të revistës “Gruaja shqiptare” shkroi me pseudonimin “Tacita” editorialin “Dy fjalë”, ku u bënte thirrje grave shqiptare, që të bashkoheshin dhe të luftonin për lirinë e tyre dhe të vendit të tyre, si edhe botoi atje tregimin “Hija e djalit”.
Nënës së këtij tregimi, i shfaqet hija e përgjakur e djalit të saj të vrarë në luftë për liri dhe qan kur dëgjon serish krisma pushkësh tek vriten bij të tjerë. Po është zëri i të birit:
“Nënë, ke djem të tjerë… nënë… rro për ta. Nënë, mua më vranë dhe e derdha gjakun për vendin tim…Fshiji lotët se dua të iki i qetë…”
Shkrimtarja romantike është mjeshtre e përshkrimeve të natyrës. Natyra e ndritshme dhe e trishtuar, e qetë apo e frikshme, jepet estetikisht si refleks figurativ i çasteve të bukura apo i dramave të jetës, një personazh rrëfyes i pranishëm dhe domethënës në çdo tregim të saj. (“Kënga ime”, “Agimi”, “Një melodi”, “Deti”, “Valët”, “Hëna”, Zemër e plagosur” etj)
Pas frymëzimeve të para letrare, sjellim në këtë botim të ri me tri vëllime veprat kryesore të Musine Kokalarit në fusha të ndryshme të krijimtarisë letrare, publicistikës dhe historiografisë.
“… Musine Kokalari afirmohet vendimtarisht në vijën më të mirë të letërsisë shqipe, jo si relativitet femëror, si mund ta shohë dikush, por si vlerë absolute. Libra shkruar në gjuhë të vërtetë – që flitet – dhe me ngjarje të vërteta” – shënonte Mitrush Kuteli.[4]
Ndërsa vetëdija e shkrimit, Musineja, na kumton: “Krijimtaria ime e shkurtër, pjesërisht e botuar, pjesërisht e humbur, u mbështet mbi tabanin kombëtar të shtratit etnik dhe në realitetin objektiv të kushteve të veçanta të zhvillimit të diferencuar”- [5]
““U thyen prangat e robërisë për të lindur jeta e re, ku gruaja të mos jetë robinjë, por shoqe e jetës, të jetë përgjegjëse për vehten e saj dhe të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e kohës, kërkon të dijë se ku rron e përse rron në jetë për të drejtën që ka, si pjesë e pandarë e saj” -shkruan Musineja në prozat e saj.
aa
[1] Hektor Kokalari, nipi i Musinesë, hulumtuesi dhe botuesi i përmbledhjes me skica e tregime të Musine Kokalarit “T’isha një lule”, Tiranë 2003
[2] Ramadan Musliu, poet, gazetar, kritik, studiues dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës.
[3] Novruz Shehu, autor I botimit “Musine Kokalari-Vepra” Geer 2009
[4] Mitrush Kuteli ”Gjashtë muaj letërsi’- botuar te Revista Letrare, 15 korrik 1944
[5] Musine Kokalari, “Jeta ime në Rrëshen”.


