Të lindësh fjalën e palindur
Në korrik të vitit 2002, doli në dritë libri “LA PLACE DE LA CONCORDE”, poezi 1970-1990 dhe të tjera, i Abdulla Tafës. Mund të kisha përdorur foljen “u botua”, por “doli në dritë”, m’u duk më e gjetur, sepse libri në fjalë dhe veçmas poezitë e përmbledhura këtu, sikur dalin si prej ca honesh apo thellësi shpellash murgjish, të fshehura e të ruajtura me kujdes. Ato duken si të përhumbura e të hutuara, që prej kaq dekadash shohin dritën, shoqëruar me aureolën e shpirtit krijues të poetit, studiuesit, intelektualit shumëdimensional Abdulla Tafës.
Libri është botim i Shtëpisë së Librit OMBRA GVG. Grafika e librit dhe kopertina, janë realizuar nga Gëzim Tafa, piktorit të talentuar, të heshtur e modest, që është vëllai i vogël i Abdullait. Ai është përgatitur për botim nga Linda Spahiu, një zonjë e ditur, aristokrate e vërtetë në sjellje e më gjerë. Korrektura letrare nga Natasha Lusha, tashmë e ndjerë, që kam patur fatin ta njoh dhe i jam mirënjohës që ka shkruar për romanin tim “Koha zero”. Në hyrje, zonja me kulturë të gjerë, që zbërthen edhe “alfabetin” e veshjeve popullore, Linda Spahiu, e orienton lexuesin për t’u futur në botën ose kozmosin krijues të Abdulla Tafës. Ajo shkruan, se “për vendimin e publikimit të poezisë së Abdulla Tafës, më foli një pasdite Vasilika (Tafa), duke më vënë në tavolinë një zarf me letra të zverdhura nga koha, pjesë e arkivit të ruajtur nga vëllai i vogël, Gëzimi, prej më se 25 vjetësh”. Këtu janë përmbledhur vetëm një pjesë të gjetura, që datojnë midis viteve ’70-’80, duke ruajtur me besnikëri fanatike origjinalet, si dhe të gjithë diapazonin e ndjeshmërive, tematikave, ideve dhe kërkimeve poetike deri në “nëpërtej” horizonteve të kohës, që këto fletë dëshmojnë. Duke botuar këto 108 poezi të shpëtuara të këtij korpusi, të përmbledhura këtu, Linda Spahiu shkruan se ato botohen absolutisht për herë të parë, me synimin fillestar për t’ia rikthyer vetë poetit, që nuk i posedon më prej kohësh, vetes sonë dhe lexuesit shqiptar.
Tashmë Linda Spahiu ka hapur portën e madhe dhe ti, pasi e kapërcen atë, befas dikush, në heshtje të fton me mirësjellje, të futesh në një portë tjetër, ku lexon “RRËFENJËZA” POETIKE TË VITEVE ’60 (16-19 vjeç)”. Ti ecën ngadalë, me shumë kujdes, nën shoqërinë e një djaloshi të brishtë, të heshtur, duke dëgjuar zërin e tij në “Këngë varrimesh të shekullit XV”, “Pranverë. Edhe kumbulla çeli lule”, “Fluturoi një varg me pata”. Zëra. Vargje që vinë e ikin. Stinë me hapje varresh. Shkumë detesh. Valle vdekjesh. Unazë vetëtime dhe shi pagan. Ankthe të poetit të ri “Për të lindur fjalën e palindur”. Ti je zhytur në botën e poezisë së djaloshit Abdulla Tafa dhe befas kërkon me sy nëse të shoqëron Linda Spahiu. E sheh nga larg, ulur me poetin. Ajo të fton dhe ti, pasi ulesh, dëgjon vazhdimin e bisedës, pak ditë para publikimit të këtij libri:
“… Antikët besonin se poezia komunikon zonën e errët me zonën e dritës, me të cilën shamanët sjellin mesazhe. Atëherë poetët ishin orakuj, astrologë, magë… Fjalët, fonëmat, shenjat dhe gjestet, vinë nga inkoshi i një bote të tronditur në forma të ndryshme të shprehjes, me gjuhë intuitive, si një ëndërrim… Poezia, kjo gjuhë sakrale, është drita që buron prej kësaj errësire, është muzika e gjuhës, që del prej aty ku ndahet magma e errët e panjohshme, errësira ku rrinë demonët e fshehtë…”.
Ti i le ata të vazhdojnë bisedën dhe rikthehesh atje ku ishe. Nuk ke nevojë më për të shoqëruar Abdulla Tafa. Ai t’i dha çelësat për të hapur portat e tjera.
“ROMANCERO SONAMBUL”, ku lexon që poezitë: “Mjegullnajë e humbur” (1971), “Mjegulla 1” (1973), “Mjegulla 2” (1973), “Mjegulla 3” (1974), “Pas një të shtune” (1973), “Hiri” (1972) “Apolloni” (1971), “Atlantida” (1974) “Dimensioni i katërt” (1977), “Balet mbi akull” (1971), “Ora zero” (1975), “Eduart Mynck: Ulërima” (1977), “Nekropol” (1977), “Hanko, moj, mos dil në varre…” (1984), “Qiell pas qielli” (1980-1984).
Ti ecën dhe dukesh i mbështjellë me mjegulla. Kudo ora është zero. Dëgjon një ulërimë. Sheh rrudhat e dushqeve. Pastaj bar të vdekur, lule të vdekura, ajër të vdekur. Hapat e një të vdekure. Ankthe. E bukura Hanko, që shkel në varre. Tjetër qiell ndryshe qiell. Vetëm qiell. Qiell pas qielli. Vazhdon të ecësh nëpër këto shtigje apo labirinte të poezisë së Abdulla Tafës. Vështron i hutuar nëse është edhe autori pas teje… Apo edhe Linda Spahiu. Hënë e bardhë. Zog i bardhë. Qiell i zi. Ngjyrat e zërit dhe shtatë kapriçot. Një vend bosh dhe poezia e humbur “Përse e preu veshin Van Gogu. Pastaj një alfabet i çuditshëm. Ti ndalesh. Ke nevojë jo të pushosh, por të dëgjosh jo zërin, por zërat e poetit Abdulla Tafa.. Poezia e tij është edhe fjalë, edhe tingull, edhe zë, edhe muzikë, edhe ngjyrë. Dhe të vjen në mendje Borhesi, një nga mendjet e ndritura të njerëzimit, që shkruan: “Gjëja më e rëndësishme e një shkrimtari është toni i tij, ndërsa gjëja më e rëndësishme e një libri është zëri i shkrimtarit, ky zë që mbërrin deri tek ne”.
Kavaja e Abdulla Tafës dhe unë
Abdulla Tafa ka lindur me 27 korrik të vitit 1947 në qytetin e Kavajës. Ky është një qytet i Shqipërisë së Mesme, i ndërtuar në fushë, ku ndjen jo vetëm hapësirën e saj, por edhe afërsinë me detin Adriatik, që është porta e madhe, nga ku vinë erërat dhe aromat e detit. Ai i ka dhënë shumë këtij qyteti edhe si qytetar i tij, edhe si intelektual, edhe si poet, edhe si studiues, edhe si mësues e veçmas si muzeolog. Do duhej një studim më vete për Kavajën dhe Abdulla Tafën apo për poezitë që ai i ka kushtuar Kavajës, ku ai edhe këtu është ndryshe, shumë më ndryshe se krijuesit e tjerë kavajas. Do të shkruaj më pas se si e kam parë unë personalitetin e Abdulla Tafës edhe si njeri.
Ju do të pyesni se ç’më lidh mua me Kavajën, këtë qytet të paqtë, me një të shkuar historike të madhe, me kulturë, që ka nxjerrë nga gjiri i tij personalitete të gjitha fushave e të përmasave kombëtare dhe europiane. Me Kavajën më lidh fëminia, adoleshenca, rinia dhe vitet e mesditës, të jetës time… Më lidhin të gjallët dhe të vdekurit dhe në muzgun e jetës time, më lidhin më shumë të vdekurit…
Isha i vogël, kur zbrisja në stacionin e trenit të Kavajës. Ato vite lokomotivat ishin me qymyr, që nxehte ujin dhe kur niseshin ose qëndronin, lëshonin një si piskamë, shoqëruar me daljen e avullit, që dukej si re e bardhë. Nëna më mbante për dore. Një rrugë në zbritje. Pastaj kalonim në një rrugë më të gjerë djathtas. Qendra e qytetit dhe Xhamia. Shihja i habitur çdo gjë: edhe shtëpitë, edhe njerëzit, edhe fëmijët që luanin. Në krahasim me Rrogozhinën, Kavaja më dukej ku e ku më e madhe. Këtu kishte më shumë shtëpi, rrugë, njerëz, por edhe ca zogj të mëdhenj e të zinj, që fluturonin mbi qytet; vite më vonë mësova që ata quheshin korba… Ec e ec. Më dukej e gjatë rruga e pashtruar me pluhur dhe kanal të ngushtë në të dy anët, që kundërmonte erë të keqe. Ja, thonte nëna. Edhe pak. Edhe pak. Ajo “edhe pak”, mua më dukej shumë kohë e gjatë. Ja. Ja. Erdhëm, thonte nëna, duke më treguar shtëpinë e gjyshes dhe dajove të mi. Ishte një shtëpi dykatëshe, rrethuar me avlli të lartë, në lagjen “Zguraj”. Oborri, pusi dhe i lidhur pak më tutje një gomar i zi. Shumë i zi, që i thërrisnin “munxuro” e që e kishin marrë nga Spatari i Çamërisë, ngarkuar me ato pak qilima e velenca. Ngjiteshim në ca shkallë druri, që kërcisnin. Një korridor dhe një dhomë shumë e madhe, ku në fund, pranë dritares, që shihte nga rruga, ishte e ulur gjyshja ime Hafize, një grua e gjatë si llastar. Ajo ngrihej në këmbë dhe nëna i puthte duart. Unë afrohesha dhe gjyshja pasi më puthte në ballë thonte: “Mashalla djali. Është nglatur (zgjatur)”. Mbaj mend që matanë dritares dukej një rrugë tjetër dhe matanë saj një ndërtesë dykatëshe, fasada e të cilës kishte ngjyrë si të kuqe të purpurt. Ajo ishte shtëpia e kollçakëve, ndërsa kjo e gjyshes dhe daje Metes dhe Jonuzit e Xhihanëve, që e kishin blerë. Ato vite dajë Metja, që çalonte, ishte martuar me një vajzë çame nga Kllogjeri i Sarandës. Dajesha ime ishte shumë e bukur. Vite më vonë, u martua edhe daje Jonuzi, me një vajzë çame nga Konispoli, që ishte e bija e Hasan Bellos. Mbaj mend që Sabrija, atëhere ishe 16 vjeç, ndërsa dajë Jonuzi i kishte kaluar të tridhjetat. Sabrija ishte më e bukur se nusja e Dajë Metes, hijeshi që e ruan edhe sot, ndonëse i ka kaluar të nëntëdhjetat. Mbaj mend që dajë Metja i thonte nënës time: “Tani Seleme, ngrihu dhe na bëj gati drekën. Ti Mane, (ajo ishte tezja ime e vogël), ndihmoje. Mos harro përvlakën (ishte një ëmbëlsirë me qumësht)”. Dajë Metja e pëlqente aq shumë ëmbëlsirën që bënte nëna ime, saqë mund ta hante gjysmën e tepsisë.
Kaluan vite. Mbarova shkollën e mesme dhe më pas studimet në degën gjuhë-letërsi në Tiranë. Fillova mësues letërsie në shkollën e mesme të Rrogozhinës. Mbaj mend në ato vite disa mësues të shkollës së mesme të Kavajës, ku do veçoja ata të letërsisë Hyqmet Patozi, Naim Bardhi, por edhe të tjerë si Shkëlzen Karkini… Qyteti i Kavajës, pavarësisht zhvillimit e ndryshimeve, mbetej për mua ai i viteve të fëminisë, me një botë tjetër dhe shumë shpirt, me njerëz që e donin qytetin dhe vazhdonin të ruanin traditat e rrënjëve të tyre. Edhe atehëre, edhe sot mendoj se për të parët e mi nga nëna, por edhe për familje të tjera nga Çamëria, që u vendosën në Kavajë në vitet 1944-1945, ishin me fat.
Rikthej vitet, kur shkoja prapë në Kavajë herë me nënën dhe herë vetëm, ku u njoha me Lirinë, mësuese e historisë, që ishte nga Kavaja një grua e veçantë, martesa me të cilën i dha jetës dhe familjes time shumë mirësi e gëzime. Kavaja m’u më më e afërt… Këtu njoha shkrimtarë, poetë, studiues, piktorë, kompozitorë, këngëtarë. Do përmendja Nazmi Rolin, Josif Dojën, Ramazan Hushin, Muharrem Gazionin, Rifat Hoxhën, Eqerem Shehun, Musa Qarrin etj. etj. Ndërsa në Tiranë, kur fillova punë në Kinostudio, njoha më nga afër Abdurrahim Myftiun, një personalitet i kulturës sonë, studiues i letërsisë dhe filmit shqiptar, përkthyes, por mbi të gjitha një njeri i veçantë dhe me vlera. Po në Kinostudio do të njihja Nexhat Tafën, vëllai i Abdullait, shkrimtar dhe nga skenaristët më të mirë të filmit shqiptar. Halit Shamatën gjithashtu do ta njihja në Tiranë, kur ishte student dhe kur sapo kishte nisur të botonte poezi në shtypin e kohës dhe tashmë është emër i njohur i letrave shqipe. Do të vazhdoja me emra të tjerë të njohur, si Nexhat Gjuzi, studiuesin Osman Xhatufa, poetin Durim Çaça, Zhuljeta Tengun, Zyhdi Shehin e deri te këngëtarja Parashqevi Simaku.
Intermexo
Ndoshta ka qenë vjeshta e parë e vitit 1974, kur e kam takuar për herë të parë Abdulla Tafën. Ai ishte student në degën gjuhë-letërsi dhe në një nga dhomat e godinës të studentëve të Filologjikut, bashkë me Yll Xhaferrin nga Rrogozhina, miku im dhe poet e prozator, banonte edhe Halit Shamata, Fatmir Shqarri. Që në takimin e parë, më ka mbetur në mendje, krahas vështrimit të butë, edhe sjellja e Abdullait. Ishte një sjellje e veçantë, dashamirësi që e ndjeje menjëherë nga mënyra se si fliste, lëvizjet e duarve, vështrimi e deri te buzëqeshja e përhershme në tërë portretin e tij. Ishte një mirësjellje e veçantë, aristokrate, pjesë e karakterit. E ndjeje që ai nuk shtirej. Unë nuk kam njohur një të dytë si ai edhe si njeri, edhe si krijues. Nexhatiu në shkrimin “Unë dëshmoj për Abdulla Tafën”, shkruan se “për mua ai mbetet një enigmë, një mjegull, që ka shkuar apo ka ardhur, që shkon e vjen, me një biçikletë të zakonshme apo me këmbë nga shtëpia e tij në muzeun etnografik dhe nga muzeu etnografik në shtëpi, i pakuptueshëm, i mbuluar me një mirësjellje të trashëguar dhe të kultivuar fisnike, të klasave të larta… Ai është kaq i sinqertë e i padjallëzuar, saqë edhe një fëmijë i vogël mund ta gënjejë e jo më të rriturit apo mashtruesit profesionistë”.
Në “Shënime ditari”, me 20 maj 1972, A. Tafa shkruan: “Tani për mua, po qarkullojnë të tëra legjendat. Ky është një qytet vërtetë i çuditshëm. Kjo çudi mbase përbën në vetvete një fatkeqësi, por sidoqoftë unë e dua këtë qytet me gjithë fantazitë e çuditshme të tij. Nuk ekzagjeroj. Po bëhem personazh legjendash. Përse më atribuojnë bëmat, çuditë? Dhe unë i marr vesh i fundit, vorbullat. Si është e mundur. Përse mua? Përse? Apo mos u dukem i çuditshëm? Ndofta. Jam pak i çuditshëm! Ptu! Sidoqoftë, më vjen të qesh”.
Ai kinse jetonte kohën si të tjerët, me lindjet dhe perëndimet e diellit, stinët që vinin e iknin, qiejt e Kavajës, të përditshmen njerëzore, dasmat, vdekjet, lindjet e fëmijëve. E megjithatë Abdulla Tafa ishte si përtej kohës se të tjerëve, por edhe si i ardhur nga kohëra të tjera. Ai kishte kohëmatësin e tij, që ishte i tij dhe vetëm i tij. Ai të trembte, në kuptim figurativ, me diturinë, kulturën dhe etjen për dije. “Kam etjen e udhëtarit për ujë. Etje për punë…”, shkruan ai më 8 dhjetor 1972. Abdulla Tafa e jetoi dhe e përjetoi ndryshe nga shumë të tjerë kohën, grinë e saj, izolimin, mbylljen e Shqipërisë. Lexoni letrën e datës 24.10.1972, që ai i dërgon Nexhatit dhe do të tronditeni siç shkruan i vëllai “vërtetë një rekuiem tronditës, një rekuiem që mund të të ndjekë çdo çast vetëm atë që ka përmasat gjigande të krijimit”.
Abdulla Tafa ngjante si me vullkanin e fshehur, që edhe kur afrohesh pranë kraterit të tij, apo edhe kur e sheh nga larg, ruan të fshehtën e llavës. Ai dukej si i rrethuar me një aureolë të pakuptimtë misterioze dhe mistike. Atij i rrinte ngushtë kostumi i kohës, i merrte frymën, e mbyste. Sa herë e takoja në Kavajë apo Tiranë, më dukej si intelektualët shqiptarë të viteve ’30, që kishin studiuar në Vjenë, Paris, Romë, Athinë…. Ai kishte një kulturë dhe sjellje tjetër. Dhe herë-herë më dukej si shkrimtarët e poetët francezë e botërorë të viteve ’20 e ’30, që ecnin si të hutuar në rrugët e Parisit, brigjeve të Senës e më pas uleshin në kafenetë e shumta të këtij qyteti të madh, duke eksperimentuar lloje të reja vargëzimi e shkruanin me një alfabet, ku germat ishin me ngjyra. Anton Papleka tregon, se pasditeve të të shtunave në klubin e Bajram Curit, të dy me A.Tafën, që ishin dhe miq, zhvillonin lojra poetike dadaiste.
Abdulla Tafa jetonte i rrethuar me dritën e shpirtrave të poetëve të mëdhenj, që nga ajo e Homerit, Witmanit, Apolinerit, Lorkës, Rilkes, Xhoisit, Preverit apo të mëdhenjve të tjerë, si Pikaso, Gogeni etj. etj.
Të shkruash në boshllëk
Rrallë më ka ndodhur të merrem kaq gjatë me leximin dhe rileximin e një libri, siç është “LA PLACE DE LA CONCORDE”. Librin ma solli në Muzeun Historik Kombëtar” znj. Linda Spahiu, me shënimin “Z. Enver Kushi. Me porosi të veçantë të poetit. Me vlerësim, Linda Spahiu”, që mban datën 6.8.2002. I hodha një shikim të shpejtë këtij botim të bukur, paisur me shënime, sqarime, si dhe foto të Abdulla Tafës e grafika të Gëzimit. Në ditët e tjera nisa ta lexoj me vëmendje, duke nënvizuar apo hedhur ndonjë shënim të çastit. Ju riktheva rileximit të këtij libri, në korrikun e nxehtë të këtij viti dhe më dukej sikur po e lexoja për herë të parë. Linda Spahiu ka bërë një punë të shkëlqyer si përgatitëse e librit, duke shpalosur një dimension tjetër të saj edhe si njohëse e mirë e poezisë dhe krijimtarisë së Abdulla Tafës apo poezisë në përgjithësi. Përveç shënimit hyrës, tri rrëfenjave të gjata, poezive, kapitullit të një romani, historia e një poezie, shënime ditari, dimension i ri estetik, pasthënie, unë dëshmoj për Abdulla Tafën, që duken si ca stacione pushimi, të domosdoshme për lexuesin, pasi lexon poezitë jo të një dimensioni normal, por të dimensionit të katërt, vjen kapitulli i fundit “Art modern”. Në të përfshihen biseda për historinë e artit, gjuhës, artit modern në emisionet e radios brenda dhe jashtë vendit. Ato janë regjistruar nga gazetarja e mirënjohur e kulturës dhe poetja Valdete Antoni, që ka regjistruar bisedat e gjata të ciklit analitik për Pikason, në këto ambiente. Gjithashtu skulptori Fatos Kola, pedagog i Fakultetit të Skulpturës në Akademinë e Arteve, i propozoi Abdulla Tafës, në emër të kolegëve dhe studentëve, për një lektrim të lirë, lidhur me zhvillimet dhe përcaktimet e artit modern, fillimit të modernizmit dhe rrymën dadiste. Mendoj se është fat që ato janë regjistruar dhe janë pjesë të këtij libri. Lexon edhe këtë pjesë të fundit të këtij botimi. Jo vetëm do të mësoni shumë, por do të njiheni me kulturën e gjerë të Abdulla Tafës. Më vjen keq, që nuk i ndoqa këto lektrime. Mbaj mend, teksa pinim kafe herët në mëngjes në një lokal përballë Muzeut Historik Kombëtar në shoqërinë edhe të Moikom Zeqos, Abdullai më ftoi të shkonim në Akademinë e Arteve, për të dëgjuar lektrimin e tij.
Me të drejtë, në shënimin që paraprijnë këto materiale, shkruhet:
“Bashkëvendosja e këtij materiali me korpusin poetik ka një arsye. Poezia e Abdulla Tafës, në të gjitha sistemet e përkimit, gjendet në këtë lektrim, si pjesë e qenies krijuese dhe intelektuale…”.
Nexhatiu në “Unë dëshmoj për Abdulla Tafën shkruan: “Nuk ka për të ditë dhe natë, sepse dita dhe nata nuk janë elemente të shpirtit demoniak. Në ruajtje dhe zgjerim të vatrave mendore, në shndërrimin e tyre në një vullkan potencial, të pazakonshmit fitojnë atë përmasë të domosdoshme demoniake e bëhen tjetër, njënjës, pa komunitet, sepse ai apo ata nuk kanë nevojën e komunitetit, por janë të domosdoshëm për të…”.
Ai nuk ka qenë asnjëherë i qetë. Ai vazhdimisht ka kërkuar: kërkimin e kërkimit.
Ëndërrimin e ëndrrës
Fundin e fundit
Lindjen e lindjes
Burimin e dritës
Kontinentin e panjohur
Dimensionin e katërt
Unë kërkoj
Me syrin njerëzor
Oroskopin
E fatit qiellor të yjeve.
Do të shtoja edhe një thënie brilante të Stefan Cvajgut: “Te njeriu krijues, paqetësia grumbullon energji krijuese në trajtën e pakënaqësisë ndaj punës së përditshme, krijohet tek ai ajo “Zemër më e madhe, që drithërohet” (Dostojevski), ai shpirt kërshërie, i cili, duke nxjerrë krye mbi vetveten, nderet me nostalgji në pikëtakimin me gjithësinë”.
Shenja e parë e elementit demoniak është paqetësia e përhershme e jetës së tyre, paqetësi e gjakut, paqetësi e nervave dhe e shpirtit. (cit)
Abdulla Tafa duket sikur qëndron përherë në boshllëk dhe krijon në boshllëk. Jeta e tij ka diçka meteorike, si prej yjesh, që vërtiten të shqetësuar dhe marrin rrokullimën. Ai punoi gjithë jetën për gjetjen e zërit dhe tingullit kozmik. Ai shkruan se arti dhe përgjumja nuk janë aq larg sa duken. Në çastin e bulëzimit të artit rrethinat e mekanizmit bulëzues pluskojnë në shtrirjen viskoze të përgjumjes. Ndërsa vetë mekanizmi zhytet edhe më thellë, në ato zona ku ngjizet ëndrra.
Abdulla Tafa shkoi nga kjo jetë më 1 korrik të vitit 2015. Ku është tani ai? Në cilat hapësira qiellore lëviz si dritë shpirti i tij? Ndoshta në ato zona ku ngjizet ëndrra ose ndoshta në hapësirat me kufij të papërcaktuar, siç janë ato kozmike. Prandaj afrohuni dhe dëgjoni zërin e tij në poezinë “Mali i Robit”:
Në pllajën e bardhë
Do të lexoni:
Abdulla Tafës
Viti i lindjes – X
Vendi i lindjes – Y
Viti i vdekjes – Z
Tiranë-Kavajë dhe Mali i Robit, korrik 2026.


